General
Text

Kapitulli 9: Ekzistenca e Perëndisë

Lesson 11 Chapter 1 Module 4

Ekzistenca e Perëndisë

Nga e dimë që Perëndia ekziston?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Nga e dimë që Perëndia ekziston? Përgjigjja mund të jepet në dy pjesë: Së pari, të tërë njerëzit kanë një ndjesi të brendshme për realitetin e ekzistencës së Perëndisë. Së dyti, ne besojmë provat që gjenden tek Shkrimi si dhe në natyrë.

A. Ndjenja e brendshme e njerëzimit rreth ekzistencës së Perëndisë

Të tërë njerëzit, ngado që janë, kanë një ndjenjë të thellë të brendshme që Perëndia ekziston, që ata vetë janë krijesa e Tij dhe që Ai është Krijuesi i tyre. Pali thotë që edhe jobesimtarët johebrenj “e njohën Perëndinë” por nuk e nderuan atë si Perëndi e as e falënderuan Atë (Rom. 1:21). Ai thotë që jobesimtarët e ligj “e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër” (Rom. 1:25), duke nënkuptuar që ata në mënyrë aktive apo me kokëfortësi refuzuan disa të vërteta rreth ekzistencës dhe karakterit të Perëndisë për të cilat ata kishin dijeni. Pali thotë se “sepse, ajo që mund të dihet prej Perëndisë është bërë e dukshme në ta,” dhe shton se kjo është “sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre” (Rom. 1:19).

Megjithëkëtë, Shkrimi gjithashtu e pranon që disa njerëz i bien hasha kësaj ndjesie të brendshme rreth Perëndisë dhe madje e mohojnë ekzistencën e Tij. Është “I pamendi ” që thotë në zemrën e vet: “Nuk ka Perëndi” (Ps. 14:1; 53:1). Është njeriu “i pabesi” ai i cili fillimisht “bekon dhe përbuz Zotin” dhe pastaj, në krenarinë e vet mendon vazhdimisht se “Perëndia nuk ekziston” (Ps. 10:3–4). Këto pasazhe tregojnë edhe që mëkati i shtyn njerëzit të mendojnë në mënyrë të paarsyeshme, edhe që të mohojnë ekzistencën e Perëndisë. Gjithashtu, ai që thotë “Perëndia nuk ekziston”është dikush i cili po mendon në mënyrë jo racionale apo që është i mashtruar,

Edhe Pali pohon që mëkati i bën njerëzit të mohojnë njohurinë e tyre rreth Perëndisë: ai flet për ata të cilët “mbysin të vërtetën në padrejtësi” (Rom. 1:18) dhe thotë që ata që e bëjnë këtë janë “të pashfajësueshëm” për këtë mohim të Perëndisë që bëjnë (Rom. 1:20). Një seri foljesh veprore tregojnë që kjo është një mbytje e qëllimshme e të vërtetës (Rom. 1:23, 25, 28, 32).[1]1

Në jetën e një të krishteri, kjo vetëdije e brendshme rreth Perëndisë, bëhet më e fortë dhe më e dallueshme. Ne fillojmë ta njohim Perëndinë si Atin tonë të dashur në qiell (Rom. 8:15), Fryma e Shenjtë dëshmon me frymën tonë që ne jemi fëmijë të Perëndisë (Rom. 8:16), dhe ne fillojmë të njohim Jezus Krishtin i Cili jeton brenda zemrave tona (Efe. 3:17; Fil. 3:8, 10; Kol. 1:27; Gjoni 14:23). Intensiteti i këtij vetëdijësimi për një të krishterë, është i atillë saqë paçka se ne nuk e kemi parë Zotin tonë Jezus Krisht, ne me të vërtetë e duam Atë (1 Pjetrit 1:8).

B. Besimi i provave që paraqiten në Shkrim dhe në natyrë

Krahas vetëdijësimit të brendshëm të njerëzve rreth Perëndisë, gjë që përbën një dëshmi të qartë të faktit që Perëndia ekziston, e një provë e qartë e ekzistencës së Tij mund të shikohet si tek Shkrimi, ashtu edhe në natyrë.

Prova që Perëndia ekziston, gjendet sigurisht nëpër të tërë Biblën. Faktikisht, Bibla ngado supozon që Perëndia ekziston. Vargu i parë i “Zanafillës” nuk paraqet prova për ekzistencën e Perëndisë por fillon aty për aty të na tregojë atë që Ai ka bërë: “Në fillim Perëndia krijoi qiejt dhe tokën.” Nëse jemi të bindur që Bibla është e vërtetë, atëherë nga Bibla ne e dimë që Perëndia jo vetëm ekziston, por dimë edhe shumëçka rreth natyrës dhe veprave të Tij.

Bota jep gjithashtu prova të bollshme rreth ekzistencës së Perëndisë. Pali thotë që natyra dhe hyjnia e përjetshme e Perëndisë, kanë “qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij” (Rom. 1:20). Kjo referencë e përgjithshme ndaj “veprave të tij” sugjeron që në një farë mënyre, çdo gjë e krijuar dëshmon për karakterin e Perëndisë. Megjithëkëtë, është njeriu vetë, i krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë, ai i cili më shumë dëshmon për ekzistencën e Perëndisë. Kurdoherë që ne takojmë një qenie tjetër njerëzore, ne duhet (nëse mendjet tona mendojnë me saktësi) të kuptojmë se një krijesë e tillë pabesueshmërisht e ndërlikuar, e aftë dhe komunikuese, mund të jetë krijuar vetëm nga një Krijues i pafundmë dhe i gjithë-ditur.

Përveç provës që shikohet në ekzistencën e qenieve njerëzore të gjalla, ka prova të mëtejshme të shkëlqyera në natyrë. “Shira dhe stinë të frytshme” si dhe “ushqim dhe gëzim” që të tërë njerëzit përjetojnë dhe prej të cilave thuhet se përfitojnë, për to thuhet gjithashtu nga Barnaba dhe Pali se dëshmojnë për Perëndinë (“Veprat” 14:17). Davidi na tregon për dëshminë e qiejve: “Qiejtë tregojnë lavdinë e Perëndisë dhe kupa qiellore shpall veprën e duarve të tij. Një ditë i flet ditës tjetër dhe një natë ia tregon tjetrës” (Ps. 19:1–2). Po të shikosh nga qielli ditën apo natën, do të shikosh diellin, hënën dhe yjet, qiellin dhe retë, e të gjitha këto duke deklaruar vazhdimisht përmes ekzistencës dhe bukurisë dhe madhështisë së tyre, që një Krijues i fuqishëm dhe i mençur, i ka bërë ato dhe i mban në rregull.

Larmia e gjerë e dëshmive nga ekzistenca e Perëndisë nga pjesë të ndryshme të botës së krijuar, na sugjeron që nga një anë, gjithçka që ekziston jep prova për ekzistencën e Perëndisë. Për ata të cilët kanë sy për të parë dhe që i vlerësojnë me saktësi provat, çdo gjethe e pemëve dhe çdo fije bari, çdo yll në qiell dhe çdo pjesë tjetër e krijimit, të tëra thërrasin vazhdimisht: “Perëndia më ka krijuar! Perëndia më ka krijuar! Perëndia më ka krijuar!” Nëse zemrat dhe mendjet tona nuk do të ishin verbuar kaq shumë nga mëkati, do të ishte e pamundur për ne që të shikonim nga afër një gjethe peme e të thoshim: “Askush nuk e ka krijuar këtë: ajo doli vetvetiu.” Bukuria e një floku bore, fuqia e madhërishme e një bubullime, aftësia e një blete punëtore, shija rifreskuese e ujit të ftohtë, aftësia e pabesueshme e dorës njerëzore, të tëra këto dhe me mijëra aspekte të tjera të krijimit, thjesht nuk do mund të kishin ardhur në jetë përveçse përmes veprimtarisë së një Krijuesi të gjithë-fuqishëm dhe të gjithë-ditur.

Kështu, për ata që janë duke bërë një vlerësim të saktë të provave, gjithçka tek Shkrimi, si dhe gjithçka në natyrë, vërteton qartësisht që Perëndia ekziston dhe se Ai është Krijuesi i fuqishëm dhe i mençur ashtu sikurse e përshkruan Shkrimi. Për rrjedhojë, kur ne besojmë se Perëndia ekziston, ne po e bazojmë besimin tonë jo tek ndonjë shpresë e verbër e shkëputur nga provat, por tek një sasi e jashtëzakonshme provash të besueshme të nxjerra nga fjalët e Perëndisë si dhe nga veprat e Perëndisë. Është karakteristikë e besimit të vërtetë që ai është një bindje e bazuar në prova të besueshme, dhe besimi në ekzistencën e Perëndisë e përmban gjithashtu këtë karakteristikë.

Për më tepër, këto prova mund të shikohen të tëra si prova të vlefshme për ekzistencën e Perëndisë, paçka se disa njerëz i refuzojnë. Kjo nuk do të thotë që prova është e pavlefshme në vetvete, por vetëm që ata të cilat e refuzojnë atë provë, janë duke e vlerësuar atë në mënyrë të gabuar.

C. “Prova” tradicionale rreth ekzistencës së Perëndisë

“Provat” tradicionale për ekzistencën e Perëndisë të cilat janë ndërtuar nga filozofë të krishterë (dhe disa jo të krishterë) në kohë të ndryshme të historisë, janë faktikisht përpjekje për të analizuar provat, veçanërisht provën nga natyra, në një mënyrë tejet të kujdesshme dhe logjikisht precize e cila ka për qëllim t’i bindë njerëzit se nuk është e arsyeshme të refuzosh idenë e ekzistencës së Perëndisë. Po qe se është e vërtetë që mëkati i bën njerëzit të mendojnë në mënyrë të paarsyeshme, atëherë këto prova përbëjnë përpjekje për t’i bërë njerëzit të mendojnë në mënyrë të arsyeshme apo saktësisht rreth provave të ekzistencës së Perëndisë, pavarësisht prirjeve jo të arsyeshme të shkaktuara nga mëkati.

Pjesa më e madhe e provave tradicionale për ekzistencën e Perëndisë, mund të klasifikohet në katër lloje kryesore argumenti:

1. Argumenti kozmologjik merr në konsideratë faktin që gjithçka e njohur në univers, ka një shkak. Për rrjedhojë, argumenti vazhdon me arsyetimin se edhe vetë universi duhet ta ketë një shkak, dhe shkaku i një universi të tillë kaq të madh, mund të jetë vetëm Perëndia.

2. Argumenti teologjik është në të vërtetë një nënkategori e argumentit kozmologjik. Ai përqendrohet tek provat e harmonisë, rendit dhe projektit në univers, dhe argumenton që projekti i tij përbën provë për një qëllim inteligjent (fjala greqisht τέλος, G5465, do të thotë “pikësynim,” “synim” apo “qëllim”). Përderisa universi duket se është projektuar me një qëllim të caktuar, duhet të ketë një Perëndi inteligjent dhe të qëllimshëm që e krijoi atë për të funksionuar në këtë mënyrë.

3. Argumenti ontologjik fillon me idenë e Perëndisë i Cili përkufizohet si një qenie “më e madhe se çfarëdo gjëje që mund të përfytyrohet.” Pastaj argumenton që karakteristikat e ekzistencës duhet t’i takojnë një qenieje të tillë, përderisa është më e madhe të ekzistosh sesa të mos ekzistosh.[2]2

4. Argumenti moral fillon me ndjenjën e të duhurës dhe të gabuarës që njeriu ka, si dhe nevojën që drejtësia të vihet në vend, dhe argumenton që duhet të ketë një Perëndi i Cili është burimi i gjësë së duhur dhe të gabuar, i Cili një ditë prej ditësh do të vërë drejtësinë në vend për të tërë njerëzit.

Për shkak se të tërë këto argumente janë bazuar në fakte rreth krijimin, që janë me të vërtetë fakte  të vërtetë, ne mund të themi që të tëra këto prova (kur shqyrtohen me kujdes), nga një sens objektiv janë prova të vlefshme. Ato janë të vlefshme në atë që ato bëjnë një vlerësim të saktë të provave si dhe arsyes së saktë të një përfundimi të vërtetë. Në fakt, universi e ka Perëndinë si shkak, dhe ai tregon vërtetë prova të një projekti të qëllimshëm, dhe Perëndia vërtetë ekziston si një qenie më e madhe se çfarëdo gjëje tjetër që mund të përfytyrohet, dhe që Perëndia na ka dhënë një ndjesi të të duhurës dhe të gabuarës si dhe një ndjesi që gjykimi prej Tij një ditë do të vijë. Faktet aktuale që referohen në këto prova, për rrjedhojë, janë të vërteta dhe nga ky këndvështrim, provat janë të vlefshme, paçka se nuk ua mbushin mendjen të tërë njerëzve.

Por në një kuptim tjetër, nëse “e vlefshme” do të thotë “në gjendje të imponosh dakordësi edhe nga ata të cilët ia nisin me supozime të pavërteta,” atëherë sigurisht që asnjë nga provat nuk është e vlefshme sepse asnjë prej tyre nuk është në gjendje që të imponojë dakordësi nga kushdo që i merr ato në shqyrtim. Megjithëkëtë, kjo ndodh për shkak se shumë jobesimtarë ose fillojnë me supozime të pavlefshme, ose nuk arsyetojnë me saktësi nisur nga provat. Kjo nuk do të thotë se provat janë të pavlefshme në vetvete.

Vlera e këtyre provave atëherë, gjendet kryesisht tek tejkalimi i disa prej kundërshtimeve intelektuale të jobesimtarëve. Ato nuk mund t’i çojnë jobesimtarët tek besimi shpëtues, sepse kjo ndodh përmes besimit në dëshminë e Shkrimit. Por ato mund të ndihmojnë në tejkalimin e kundërshtive nga jobesimtarët, dhe, për besimtarët, ato mund të sigurojnë prova të mëtejshme intelektuale për diçka për të cilën ata janë bindur tashmë nga ndjenja e tyre e brendshme e ekzistencës së Perëndisë dhe nga dëshmia e Shkrimit.

D. Vetëm Perëndia mund ta tejkalojë mëkatin tonë e të na bëjë të aftë që të bindemi për ekzistencën e Tij

Në fund, duhet mbajtur mend se në këtë botë të mëkatshme, Perëndia duhet të na bëjë të aftë të bindemi ose përndryshe ne nuk do të besojmë dot kurrë tek Ai. Lexojmë se “perëndia i kësaj bote ua verboi mendimet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë të mos ndriçojë tek ata” (2 Kor. 4:4). Për më tepër, Pali thotë: “Sepse, duke qenë se nëpërmjet urtësisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtësinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit” (1 Kor. 1:21). Në këtë botë të mëkatshme, mençuria njerëzore është e pamjaftueshme për të njohur Perëndinë. Kështu, predikimi i Palit erdhi “në dëftim të Frymës dhe të fuqisë, që besimi juaj të mos qëndrojë mbi diturinë e njerëzve, po në fuqinë e Perëndisë” (1 Kor. 2:4-5). Ne mbështetemi tek Perëndia për të larguar verbërinë dhe paarsyeshmërinë e shkaktuar nga mëkati, dhe që të na bëjë të aftë që të bëjmë një vlerësim siç duhet të provave, të besojmë atë që Shkrimi thotë, dhe të arrijmë në besimin shpëtues në Krishtin.

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

1.     Kur serafinët përreth fronit të Perëndisë thërrasin: “I Shenjtë, i shenjtë, i shenjtë është Zoti i ushtrive. Tërë toka është plot me lavdinë e tij” (Isa. 6:3), a mendon se ata po e shikojnë botën nga një pikëpamje disi ndryshe nga ajo e jona? Në ç’drejtim? Si mund të fillojmë edhe ne ta shikojmë botën më shumë nga kjo pikëpamje?

2.     Kur është më e fortë ndjenja juaj e brendshme për ekzistencën e Perëndisë? Kur është më e dobët? Përse? Në cilën prej këtyre rrethanave jeni në një gjendje më të ngjashme me atë në të cilën do të jeni në qiell? Në cilën prej këtyre lloje situatash është arsyetimi yt më i besueshëm?

3.     Shiko dorën tënde. A është më shumë apo më pak e ndërlikuar se një orë dore? A është e logjikshme të mendosh që cilado orë qoftë u krijua nga një ndërthurje aksidentale elementësh?

4.     A beson pjesa më e madhe e njerëzve sot tek ekzistenca e Perëndisë? A ka qenë kështu përgjatë gjithë historisë? Nëse ata besojnë se Perëndia ekziston, përse nuk e kanë adhuruar Atë siç duhet?

5.     Përse disa njerëz e mohojnë ekzistencën e Perëndisë? A sugjeron “Romakëve” 1:8 se shpesh ka një faktor moral që ndikon tek mohimi intelektual i tyre për ekzistencën e Perëndisë (kr. Ps. 14:1–3)? Cila është mënyra më e mirë për t’iu qasur dikujt që mohon ekzistencën e Perëndisë?

TERMA TË VEÇANTË

argumenti kozmologjik

ndjenja e brendshme për ekzistencën e Perëndisë

argumenti moral

argumenti ontologjik

argumenti teologjik

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në teologjitë sistematike ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 42–58

1930 Thomas, 3–14

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 1:233–248

1892–1894 Miley, 1:57–136

1940 Wiley, 1:217–240

1960 Purkiser, 39–59

1983 Carter, 1:107–111

1983- Cottrell, 1:419–442

1987–1990 Oden, 1:131–180

3. Baptiste

1767 Gill, 1:1–15

1887 Boyce, 8–46

1907 Strong, 52–110

1917 Mullins, 35–48

1983–1985 Erickson, 156–174

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 1:129–178

1949 Thiessen, 21–42

1986 Ryrie, 25–34

5. Luterane

1917–1924 Pieper, 1:371–374

1934 Mueller, 143–147

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:43–69 (1.3–5)

1861 Heppe, 47–56

1871–1873 Hodge, 1:191–334

1878 Dabney, 5–26

1887–1921 Warfield, SSW 1:34–40

1889 Shedd, 1:195–248

1909 Bavinck, DG 41–80

1938 Berkhof, 19–28

1962 Buswell, 1:72–161

Seksione në teologjitë sistematike përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 13–17

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien (pa trajtim të posaçëm)

Vepra të Tjera

Brown, Colin. Filozofia dhe Besimi i Krishterë (Philosophy and the Christian Faith). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1968.

Charnock, Stephen. Ekzistenca dhe Atributet e Perëndisë (The Existence and Attributes of God). Bot. i Rishtypur Evansville, Ind.: Sovereign Grace Book Club, pa datë botimi fq. 11–67 (botimi i parë 1655–1680).

Clark, Gordon H. Feja, Arsyeja dhe Zbulesa (Religion, Reason, and Revelation). Nutley, N.J.: Craig Press, 1961.

France, R.T. Perëndia i Gjallë (The Living God). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1970.

Geisler, Norman. Apologjetika Kristiane (Christian Apologetics). Grand Rapids: Baker, 1976.

_______, dhe Paul Feinberg. Hyrje në filozofi: Një Pikëpamje Kristiane (Introduction to Philosophy: A Christian Perspective). Grand Rapids: Baker, 1980.

Hackett, Stuart. Ringjallja e Teizmit (The Resurrection of Theism). Chicago: Moody, 1957.

Hoover, A.J. “Perëndia, Argumente për Ekzistencën e (God, Arguments for the Existence of).” Tek FUT(EDT) fq. 447–451.

Lewis, Gordon R. Vënia në Provë e Vërtetësisë së Thënieve të Krishterimit (Testing Christianity’s Truth Claims). Chicago: Moody, 1976.

Mavrodes, George I. Besimi tek Perëndia (Belief in God). New York: Random House, 1970.

McDowell, Josh. Prova që Kërkojnë Vendim (Evidence That Demands a Verdict). San Bernardino, Calif.: Here’s Life, 1972, 1979.

Packer, J.I. “Perëndia (God).” Tek FRT (NDT) fq. 274–277.

Sire, James. Universi Ngjitur me të Tonin: Një Katalog Bazë Këndvështrimesh (The Universe Next Door: A Basic World View Catalog). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1976.

Van Til, Cornelius. Mbrojtja e Besimit (The Defense of the Faith). Philadelphia: Presbyterian and Reformed, 1955.

Yandell, Keith. Krishterimi dhe Filozofia, Studime në një Botëkuptim të Krishterë (Christianity and Philosophy. Studies in a Christian World View). Grand Rapids: Eerdmans, and Leicester: Inter-Varsity Press, 1984.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Romakëve” 1:18–20: Sepse, zemërimi i Perëndisë zbulohet nga qielli mbi çdo pabesi e padrejtësi të njerëzve, që mbysin të vërtetën në padrejtësi, sepse, ajo që mund të dihet për Perëndinë është bërë e dukshme në ta, sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre. Sepse cilësitë e tij të padukshme, fuqia e tij e përjetshme dhe hyjnia e tij, duke qenë të dukshme nëpërmjet veprave të tij që nga krijimi i botës, shihen qartë, me qëllim që ata të jenë të pashfajësueshëm.

HIMN

“KUPA QIELLORE E PAMATË, NË LARTËSI (THE SPACIOUS FIRMAMENT ON HIGH)”

Ky himn, bazuar tek “Psalmi” 19:1–4, flet për dëshminë e diellit, hënës dhe yjeve për Krijuesin e tyre. Fjala kupë qiellore në vargun e parë, i referohet kupës qiellore apo hapësirës së hapur e cila është e dukshme për ne kur ngremë kokën lart nga toka. Është vendi në të cilin dielli, hëna dhe yjet ekzistojnë, dhe mund të përkthehet “qiell” apo “qiejt.” Vargu i tretë na kujton se paçka se këto trupa qiellor nuk lëshojnë tinguj të cilët mund të dëgjohen me veshin fizik, por ato gjithsesi shpallin për të tërë ata të cilët mendojnë siç duhet, se: “Dora që na krijoi ne, është hyjnore.”

Kupa qiellore e pamatë në lartësi,

i papeshë e i kaltër gjithë qielli,

Dhe qiejt e stolisur, si s’ka më bukur,

Shpallin zanafilla e tyre të shkëlqyer.

Ditë pas dite, Dielli i palodhur,

Fuqinë e Krijuesit të tij tregon shkoqur,

Dhe çdo vendi ia shpall ai këtë,

Që vepra e një dore të plotfuqishme ai është.

Kur hijet e natës zgjaten pak më von’,

rrëfenjën e mrekullueshme edhe Hëna fillon,

Çdo mbrëmje ndaj tokës që dëgjon

historinë e lindjes së saj përsëri tregon;

Ndërkohë që të tërë yjet që përreth saj digjen,

Si dhe të tëra planetët në radhën e tyre sillen,

Lajmet e mira ndërkohë që rrotullohen konfirmojnë,

Nga njëri pol në tjetrin të vërtetën ato tregojnë,

Ç’është ajo që në heshtje solemne

I dha formë këtij lëmshi të errët të kësaj toke?

Çfarë është që megjithëse as zë e as tingull real nuk ka,

Mes rruzujve të shndritshëm të qiellit gjendet pra?

Me veshët e arsyes të tërë ata gëzojnë,

Dhe me një britëm të lavdishme se ç’po gjëmojnë,

ndërkohë që shkëlqejnë gjithnjë janë duke kënduar,

“Hyjnor është Ai që në ka krijuar.”

Autori: Joseph Addison, 1712

Himne alternative: “I Këndoj Plotfuqishmërisë së Perëndisë (I Sing th’ Almighty Power of God)”; “Kjo Është Bota e Atit Tim (This Is My Father’s World)”; ose “Po Ngryset në Botën Perëndimore (Day Is Dying in the West)”

Pen
>