General
Text

Kapitulli 28: Ringjallja dhe ngritja (në qiell)

Lesson 30 Chapter 3 Module 6

Ringjallja dhe Ngritja

Si ishte trupi i Krishtit të ringjallur? Cila është rëndësia e kësaj për ne? Çfarë i ndodhi Krishtit kur u ngrit në qiell? Çfarë nënkuptohet me gjendjet e Jezus Krishtit?

SHPJEGIMI DHE BAZA NGA SHKRIMI

A. Ringjallja

1. Provat e Besëlidhjes së Re. Ungjijtë përmbajnë dëshmi të bollëkshme për ringjalljen e Krishtit (shiko Mat. 28:1–20; Mark 16:1–8; Luka 24:1–53; Gjoni 20:1–21:25). Përveç këtyre tregimeve të detajuara në katër ungjijtë, libri i “Veprave” është një histori e shpalljes prej apostujve të ringjalljes së Krishtit, lutjes së vazhdueshme ndaj Krishtit dhe mirëbesimit tek Ai si një që është i gjallë e që sundon në qiell. Letrat varen tërësisht mbi supozimin që Jezusi është një Shpëtimtar i gjallë e mbretërues, i Cili është tani kreu i përlëvduar i kishës, të Cilin duhet ta besojmë, adhurojmë dhe admirojmë, e që do të kthehet një ditë me fuqi dhe lavdi të madhe për të sunduar si Mbret mbi tokë. Libri i “Zbulesës” tregon në mënyrë të përsëritur mbretërimin e Krishtit të ringjallur në qiell dhe parashikon kthimin e Tij për të ngadhënjyer mbi armiqtë e Tij e për të sunduar në lavdi. Kështu, e tërë Besëlidhja e Re dëshmon për ringjalljen e Krishtit.[98]1

2. Natyra e ringjalljes së Krishtit. Ringjallja e Krishtit nuk ishte thjesht një kthim nga të vdekurit që ishte përjetuar nga të tjerë më përpara, si për shembull Llazari (Gjoni 11:1–44), sepse atëherë Jezusi do të kishte qenë subjekt i dobësisë dhe plakjes dhe si përfundim do të kishte vdekur përsëri, njëlloj sikurse vdesin të tëra qeniet njerëzore. Përkundrazi, kur Ai u ringjall nga të vdekurit, Jezusi ishte “fryti i parë”[99]2 (1 Kor. 15:20, 23) i një lloji të ri jete njerëzore, një jete në të cilën trupi i Tij u bë i përsosur, jo më subjekt i dobësisë, plakjes apo vdekjes, por në gjendje që të jetojë përjetësisht.

Është e vërtetë se dy dishepujt e Jezusit, nuk e njohën Atë kur bënë një copë udhë me Të rrugës për në Emaus (Luka 24:13–32), por Luka në mënyrë specifike na thotë se kjo gjë ndodhi për shkak se “sytë e tyre ishin të penguar për të mos e njohur atë” (Luka 24:16), dhe më vonë “atyre iu çelën sytë dhe e njohën” (Luka 24:31). Mari Magdalena nuk arriti ta njihte Jezusin vetëm për një çast (Gjoni 20:14–16), por kjo mund të kishte qenë për shkak se ishte ende pa zbardhur dita, dhe se ajo nuk fillimisht nuk po e shikonte në fytyrë, herën e parë ajo kishte ardhur “kur ishte ende errët” (Gjoni 20:1), dhe “u kthye” për t’i folur Jezusit sapo e njohu (Gjoni 20:16).

Në raste të tjera, dishepujt duket se e njohën mjaft shpejt Jezusin (Mat. 28:9, 17; Gjoni 20:19–20, 26–28; 21:7, 12). Kur Jezusi iu shfaq njëmbëdhjetë dishepujve në Jerusalem, ata fillimisht u befasuan dhe u frikësuan (Luka 24:33, 37), megjithëkëtë, pasi panë duart dhe këmbët e Jezusit, dhe pasi e panë të hante peshk, u bindën që Ai ishte ringjallur. Këto shembuj tregojnë se kishte një shkallë të konsiderueshme vazhdimësie mes shfaqjes fizike të Jezusit përpara se të vdiste dhe pas ringjalljes së Tij. Megjithëkëtë, Jezusi nuk dukej ekzaktësisht ashtu sikurse dukej përpara se të vdiste pasi përveç mahnitjes fillestare të dishepujve për shkak të asaj që ata dukshëm nuk menduan se mund të ndodhte, me shumë mundësi kishte një ndryshim të mjaftueshëm në pamjen e jashtme fizike të Tij saqë e bënte Jezusin të mos njihej aty për aty. Ndoshta ky dallim në pamjen e jashtme ishte thjesht dallimi mes një njeriu që kishte jetuar një jetë vuajtjesh, mundimesh dhe pikëllimi, dhe një tjetri që e kishte trupin të rikthyer në pamjen e plotë rinore e që gëzonte një shëndet të përsosur, sepse paçka se trupi i Jezusit ishte ende një trup fizik, ai u ringjall si një trup i transformuar, i cili nuk mund të vuante më apo të ishte i dobët, i sëmurë apo që të vdiste. Ai kishte “të veshur pavdekësinë” (1 Kor. 15:53). Pali thotë se trupi i ringjallur është ngritur në: “paprishje... në lavdi... në fuqi... trup frymëror” (1 Kor. 15:42–44).[100]3

Fakti që pas ringjalljes, Jezusi kishte një trup fizik që mund të prekej dhe kapej me dorë, shikohet tek ajo që dishepujt “i rrokën këmbët” (Mat. 28:9), që Ai iu shfaq dishepujve rrugës për në Emaus sikur të ishte një udhëtar tjetër i zakonshëm në rrugë (Luka 24:15–18, 28–29), që Ai mori bukë dhe e theu (Luka 24:30), që Ai hëngri pak peshk të pjekur për të demonstruar qartësisht se kishte një trup fizik e jo thjesht një frymë, që Maria e mendoi se ishte një kopshtar (Gjoni 20:15), që “u tregoi atyre duart dhe brinjën e tij” (Gjoni 20:20), që Ai ftoi Tomasin të prekte duart dhe brinjën e Tij (Gjoni 20:27), që Ai përgatiti mëngjesin për dishepujt e Tij (Gjoni 21:12–13), dhe se Ai në mënyrë të shkoqur u tha: “Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, se jam unë vetë. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam” (Luka 24:39). Pjetri tha se dishepujt “hëngrën dhe pinë bashkë me të, mbasi ai u ngjall prej së vdekurish” (Veprat 10:41).

Është e vërtetë që Jezusi me sa duket ishte në gjendje që të shfaqej e zhdukej aty për aty (Luka 24:31, 36; Gjoni 20:19, 26). Megjithëkëtë, ne duhet të tregojmë kujdes që të mos dalim në shumë përfundime bazuar në këtë fakt, sepse jo të gjitha pasazhet pohojnë se Jezusi mund të shfaqej apo zhdukej papritur; disa thjesht thonë se Jezusi erdhi dhe qëndroi ndër dishepujt. Kur Jezusi u zhduk papritmas nga sytë e dishepujve në Emaus, kjo mund të kishte qenë ndodhia e një mrekullie të veçantë, si ajo që ndodhi kur “Fryma e Zotit e rrëmbeu Filipin dhe eunuku nuk e pa më” (Veprat 8:39). Gjithashtu, nuk duhet ta mbitheksojmë faktin që Jezusi erdhi dhe qëndroi mes dishepujve në dy raste ndërkohë që dyert ishin të “mbyllura”[101]4 (Gjoni 20:19, 26), sepse asnjë tekst nuk thotë se Jezusi “kaloi përmes murit” apo ndonjë gjë të tillë. Në të vërtetë, në një rast tjetër në Besëlidhjen e Re kur dikush duhej të kalonte përmes një dere të mbyllur, dera u hap përmes një mrekullie (shiko Veprat 12:10).[102]5

Murray Harris kohët e fundit ka propozuar një interpretim alternativ ndaj vargjeve të cituara më lart, veçanërisht vargjeve ku tregohet që Jezusi shfaqet e zhduket në kohë të ndryshme: ai thotë se këto vargje tregojnë se ndërkohë që Jezusi mundej që ndonjëherë të materializohej në një trup fizik, ekzistenca e Tij e zakonshme ishte në një formë jofizike apo jomishore e “trupit shpirtëror” të Tij. Për më tepër, kur Ai u ngrit në qiell pas dyzet ditësh, Jezusi hoqi dorë përgjithmonë nga ndonjë materializim i mëtejshëm në një trup fizik. Profesor Harris-i thotë:

Ringjallja e Jezusit nuk ishte transformimi i Tij në një trup jomaterial por marrja prej Tij e një “trupi frymëror” që mund të materializohet apo dematerializohet sipas dëshirës. Kur në një rast të caktuar Jezusi zgjodhi që t’u shfaqej personave të ndryshëm në formë materiale, ky ishte po aq “trupi shpirtëror” i vërtetë i Jezusit, sa edhe kur Ai nuk ishte i dukshëm apo i prekshëm....Pas dyzet ditëve, kur shfaqjet e Tij në tokë përfunduan, Jezusi merr mënyrën e vetme të të qenurit i dukshëm ndaj banorëve të qiellit por kjo duke patur një trup jo të mishtë....Në gjendjen e Tij të ringjallur, Ai transhendon ligjet normale të ekzistencës fizike. Ai nuk ishte më i lidhur nga kufizimet materiale apo hapësinore.[103]6

Është e rëndësishme që të kuptojmë se Harris-i padyshim që pohon ringjalljen fizike e trupore të Jezusit nga të vdekurit.[104]7 Ai thotë se po ai trup i cili vdiq, gjithashtu u ringjall, por pastaj u transformua në një “trup shpirtëror” me tipare të reja.[105]8

Si përgjigje, ndërkohë që unë nuk e konsideroj këtë një çështje doktrinarë me rëndësi madhore (përderisa është thjesht një çështje që ka të bëjë me natyrën e trupit të ringjallur, për të cilën tani ne dimë fare pak),[106]9 unë gjithsesi mendoj se Besëlidhja e Re na siguron disa prova bindëse që do të na shtynin të kishim një mendim ndryshe nga pikëpamja e Herrit. Ai e pranon se disa herë, Jezusi tregoi se kishte një trup fizik të aftë për të ngrënë ushqim e të prekshëm, e që kishte mish e eshtra. Ai madje është dakord që në kohën e ngritjes së Jezusit në qiell, “Ai ishte një Jezus real me “mish e eshtra” (Luka 24:39) i Cili u mor lart përpara syve të dishepujve të Vet.”[107]10 E vetmja pyetje është nëse ky trup i Jezusit në kohë të tjera ekzistoi në një formë jofizike e jo të mishtë siç pretendon Harrisi. Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, na duhet të pyesim nëse tekstet e Besëlidhjes së Re rreth dukjes dhe zhdukjes së Jezusit, na detyrojnë të dalim në këtë përfundim. Nuk duket të jetë kështu.

“Luka” 24:31, që thotë se pasi Jezusi theu bukën dhe ia dha dy dishepujve, “ai u zhduk prej tyre”, nuk e kërkon me doemos daljen në atë përfundim. Shprehja greqisht e përdorur këtu për fjalën “zhduk” (ἄφαντος ἐγένετο) nuk haset gjetiu në Besëlidhjen e Re, por kur gjendet tek shkrimet e Diodor Sikulit (një historian i cili shkroi nga 60–30 para K.), e përdoret një herë për një person të quajtur Amfiaraus i cili me karrocën e vet, ra në një hendek e “u zhduk sysh,” e njëjta shprehje është përdorur në një vend tjetër për të folur rreth Atlasit të cilin era e fortë e rrëzoi nga një majë mali e që u “zhduk.”[108]11 Sido që të jetë, kjo shprehje nuk ka kuptimin që personi u bë jomaterial e as madje i padukshëm, por vetëm që ai u çua në një vend ku nuk e kapte syri i njeriut.[109]12 Po kështu, tek “Luka” 24:31, gjithçka që ne mund të themi në përfundim, është se dishepujt nuk e panë më Jezusin. Ndoshta Fryma e Zotit e largoi Atë (si në rastin e Filipit tek “Veprat” 8:39), apo ndoshta Ai iu hoq nga sytë (si në rastin e Tij me Moisiun dhe Elijën në Malin e Shndërrimit, “Mat.” 17:8, apo si me rastin e ushtrisë qiellore përreth Eliseut, 2 Mbretërve 6:17, apo [me sa duket] si me dishepujt që kaluan gardianët e burgut tek “Veprat” 5:19–23; 12:6, 10). Në asnjërin rast nuk kemi nevojë të dalim në përfundimin se trupi fizik i Jezusit u bë jofizik po ashtu sikurse nuk kemi përse të dalim në përfundimin që trupat e dishepujve u bënë jofizikë kur kaluan para gardianëve të burgut (Veprat 5:23; 12:10) dhe u arratisën. Kështu edhe “Luka” 24:31 nuk thotë se ndonjë transformim i ndodhi trupit të Jezusit, por thotë thjesht se dishepujt nuk mund ta shikonin më.[110]13

Sa për pretendimin që Jezusi kaloi përmes substancave materiale, kjo gjë nuk është vërtetuar në Besëlidhjen e Re. Siç edhe është shpjeguar më sipër, fakti që Jezusi u shfaq në një dhomë kur dyert ishin mbyllur apo kyçur (Gjoni 20:19, 26) mundej ose mund të mos mundej të nënkuptonte që Ai kaloi përmes një dere apo muri. Veçanërisht me lidhje këtu është çlirimi i parë i apostujve nga burgu: ata nuk kaluan përmes dyerve, por “një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, i nxori jashtë” (Veprat 5:19); megjithëkëtë, të nesërmen në mëngjes, punonjësit e sigurisë së burgut, raportuan duke thënë kështu: “Ne e gjetëm burgun të mbyllur me çdo siguri dhe rojat jashtë duke qëndruar përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda” (Veprat 5:23). Engjëlli kishte hapur dyert, apostujt kishin kaluar përmes dhe engjëlli i kishte mbyllur dhe kyçur përsëri dyert. Në mënyrë të ngjashme, kur Pjetri u çlirua nga burgu, ai nuk është se u dematerializua me qëllim për të depërtuar përmes vargonjve të kapura me dry me të cilat e kishin lidhur, por “zinxhirët i ranë nga duart” (Veprat 12:7).[111]14 Po kështu, pa dyshim që është e mundshme që dera u hap në mënyrë të mrekullueshme për Jezusin, apo madje që Ai kishte hyrë në dhomë bashkë me dishepujt, por përkohësisht u qe fshehur nga sytë.

Në lidhje me natyrën e trupit të ringjallur të Jezusit, shumë më vendimtare sesa tekstet  rreth shfaqjes dhe zhdukjes së Jezusit, janë tekstet të cilat tregojnë se Jezusi në mënyrë të qartë kishte një trup fizik me “mish e eshtra” (Luka 24:39), i cili mund të hante e të pinte, të thyente bukën, të përgatiste mëngjesin e të ishte i prekshëm. Në ndryshim nga tekstet mbi shfaqjen dhe zhdukjen e Jezusit, këto tekste nuk janë në gjendje të japin një shpjegim alternativ i cili të mohojë trupin fizik të Jezusit. Vetë Herrisi bie dakord se në këto tekste, Jezusi del se kishte një trup prej mishi dhe eshtrash. Por, çfarë kishin për qëllim t’u mësonin dishepujve këto dukje fizike në mos që trupi i ringjallur i Jezusit ishte padyshim një trup fizik? Nëse Jezusi u ringjall në të njëjtin trup fizik që edhe vdiq, dhe nëse Ai në mënyrë të përsëritur iu shfaq dishepujve në atë trup fizik, duke ngrënë e duke pirë me ta (Veprat 10:41) përgjatë dyzet ditëve, dhe nëse Ai u ngrit në qiell në po atë trup fizik (Veprat 1:9), dhe nëse engjëlli u tha aty për aty dishepujve se “Ky Jezus, që u mor nga mesi juaj në qiell, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë atë të shkojë në qiell” (Veprat 1:11), atëherë Jezusi ishte qartësisht duke i mësuar ata se trupi i Tij i ringjallur, ishte një trup fizik. Po qe se “forma e zakonshme” e trupit të Tij të ringjallur nuk ishte fizike, atëherë në këto dukje të përsëritura fizike, Jezusi do të ishte fajtor për çuarjen në drejtim të gabuar të mendimit të dishepujve (dhe të gjithë lexuesve të mëpastajshëm të Besëlidhjes së Re) duke i bërë të mendonin se trupi i Tij i ringjallur vazhdoi të ishte fizik kur në fakt nuk ishte. Po qe se Ai ishte zakonisht jofizik dhe do të bëhej jofizik përgjithmonë pasi të ngrihej lart, atëherë do të ishte shumë keqorientuese nga ana Jezusit të thoshte: “Shikoni duart e mia dhe këmbët e mia, se jam unë vetë. Më prekni dhe shikoni, sepse një frymë nuk ka mish e eshtra, si po shihni se unë kam” (Luka 24:39). Ai nuk tha: “...mish dhe eshtra, siç e shikoni se kam përkohësisht”! Do të kishte qenë gabim t’i mësoje dishepujt se Ai kishte një trup fizik kur në mënyrën e zakonshme të ekzistencës së Tij, në fakt Ai nuk e kishte një të tillë.

Po qe se Jezusi do të kishte dashur t’i mësonte ata që Ai mundej të materializohej dhe dematerializohej sipas dëshirës (ashtu sikurse Harrisi argumenton), atëherë Ai mundet që fare lehtë të ishte dematerializuar përpara syve të tyre, në mënyrë që ata të mund ta dokumentonin në mënyrë të qartë këtë ndodhi. Ose, Ai me lehtësi mund të kishte kaluar përmes një muri në sy të tyre, e jo t’ia kishte behur papritmas mes tyre. Me pak fjalë, nëse Jezusi dhe autorët e Besëlidhjes së Re do kishin dashur të na mësonin se trupi i ringjallur ishte me natyrë dhe në thelb jomaterial, ata mund ta kishin bërë këtë, por në vend të kësaj, ata dhanë shumë tregues të qartë se ai ishte me natyrë fizike dhe materiale, edhe pse ishte një trup i përsosur, i çliruar përgjithnjë nga dobësitë, sëmundjet dhe vdekja.

Në fund, ka një element më të madh doktrinar. Ringjallja fizike e Jezusit si dhe zotërimi i përjetshëm prej Tij i një trupi fizik të ringjallur, japin pohime të qarta të mirësisë së krijimit material që Perëndia bëri fillimisht: “Atëherë Perëndia pa të gjitha ato që kishte bërë dhe, ja, ishte shumë mirë” (Zan. 1:31). Ne, si meshkuj e femra të ringjallur, do të jetojmë përgjithnjë në “qiej të rinj dhe tokë të re, në të cilët banon drejtësia” (2 Pjetrit 3:13). Ne do të jetojmë në një tokë të ripërtërirë e cila do “të çlirohet nga skllavëria e prishjes” (Rom. 8:21) dhe do të bëhet si një kopsht Edeni i ri. Do të ketë një Jerusalem të ri, dhe njerëzit “do të sjellin lavdinë dhe nderin e kombeve në të” (Zbu. 21:26), dhe atje do të jetë “lumi i pastër i ujit të jetës, i shkëlqyer si kristali, që del prej fronit të Perëndisë dhe të Qengjit. Në mes të rrugës së qytetit, këtej e andej lumit, pema e jetës që jep dymbëdhjetë fruta, dhe jep çdo muaj një frutë” (Zbu. 22:1–2). Në këtë univers shumë material, fizik e të ripërtërirë, duket se do të na duhet të jetojmë si qenie njerëzore me trupa fizikë të përshtatshëm për jetën në krijimin e ripërtërirë fizik që Perëndia ka bërë. Në veçanti, trupi i ringjallur fizik i Jezusit konfirmon që fillimisht Perëndia e krijoi njeriun të mirë, jo si një frymë e thjeshtë si engjëjt, por si një krijesë me një trup fizik që ishte “shumë i mirë.” Ne nuk duhet të biem në gabimin e të menduarit se ekzistenca jomateriale është njëfarësoj një formë më e mirë ekzistence për krijesat:[112]15 kur Perëndia na bëri si kulmi i krijimeve të Tij, Ai na dha trupa fizikë. Në një trup të përsosur fizik, Jezusi u ngrit nga të vdekurit dhe tani mbretëron në qiell dhe do të kthehet për të na marrë e për të qenë me Të përgjithnjë.

3. Si Ati ashtu edhe Biri, Morën Pjesë në Ringjallje. Disa tekste pohojnë se qe pikërisht Perëndia Atë Ai që ringjalli Krishtin nga vdekja (Veprat 2:24; Rom. 6:4; 1 Kor. 6:14; Gal. 1:1; Efe. 1:20), por ka tekste të tjerë të cilët e tregojnë Jezusin tek merr pjesë në ringjalljen e Vet. Jezusi thotë: “Ati më do, sepse unë e jap jetën time që ta marr përsëri. Askush nuk e merr nga unë, por e jap nga vetja ime; unë kam pushtet ta lë dhe kam pushtet ta marr përsëri; këtë urdhërim e kam marrë nga Ati im” (Gjoni 10:17–18; kr. 2:19–21). Më e udhës do të ishte të dilnim në përfundimin se si Ati ashtu edhe Biri qenë përfshirë në ringjallje.[113]16 Me të vërtetë që Jezusi thotë: “Unë jam ringjallja dhe jeta” (Gjoni 11:25; kr. Heb. 7:16).[114]17

4. Rëndësia Doktrinare e Ringjalljes. 

a. Ringjallja e Krishtit Garanton Ripërtëritjen Tonë: Pjetri thotë se “na rilindi për një shpresë të gjallë me anë të ngjalljes së Jezu Krishtit prej së vdekurish” (1 Pjetrit 1:3). Këtu, ai, në mënyrë të shkoqur e lidh ringjalljen e Jezusit me ripërtëritjen apo rilindjen tonë. Kur Jezusi u ringjall, Ai kishte një cilësi të re jete, një “jetë ringjalljeje” në një trup njerëzor dhe një frymë njerëzore të cilat ishin plotësisht të përshtatura për bashkësi dhe bindje përgjithnjë ndaj Perëndisë. Në ringjalljen e Tij, Jezusi fitoi për ne një jetë të re njëlloj si e Tija. Ne nuk e marrim të tërë atë “jetë ringjalljeje” kur bëhemi të krishterë sepse trupi ynë mbetet ashtu si është, ende subjekt i dobësisë, mplakjes dhe vdekjes. Por, në frymën tonë, ne jemi bërë të gjallë me fuqi të re ringjalljeje.[115]18 Kështu, është në sajë të ringjalljes së Tij që Krishti fitoi për ne atë lloj të ri jete që ne marrim kur “rilindemi.” Kjo është arsyeja përse Pali mund të thotë se Perëndia “na dha jetë bashkë me Krishtin (ju jeni të shpëtuar me anë të hirit), edhe na ringjalli bashkë me të” (Efe. 2:5–6; kr. Kol. 3:1). Kur Perëndia e ringjalli Krishtin nga të vdekurit, Ai na mendoi si njëfarësoj të ringjallur “me Krishtin” dhe për rrjedhojë si meritues të dobive të ringjalljes së Krishtit. Pali thotë se qëllimi i Tij në jetë, është: “që ta njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes. . .” (Fil. 3:10). Pali e dinte se edhe në këtë jetë, ringjallja e Krishtit i dha fuqi të re për shërbesën e Krishterë si dhe bindjen ndaj Perëndisë.

Pali e lidh ringjalljen e Krishtit me fuqinë shpirtërore që punon brenda nesh kur u thotë efesianëve se ai po lutet që ata të njohin se “cila është madhështia e jashtëzakonshme e fuqisë së tij ndaj nesh, që besojmë, sipas veprueshmërisë së pushtetit të forcës së tij, të cilën e vuri në veprim në Krishtin, duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore” (Efe. 1:19–20). Këtu, Pali thotë se fuqia nëpërmjet të cilës Perëndia e ringjalli Krishtin nga të vdekurit, është e njëjta fuqi që punon brenda nesh. Pali për më tepër na shikon si të ringjallur në Krishtin kur thotë: “U varrosëm, pra, me të me anë të pagëzimit në vdekje, që, ashtu si Krishti u ringjall prej së vdekurish me anë të lavdisë së Atit, kështu edhe ne të ecim në risinë e jetës.... Kështu edhe ju, llogariteni veten të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Krishtin Jezus” (Rom. 6:4, 11). Kjo fuqi e re ringjalljeje brenda nesh, përfshin fuqinë për të korrur gjithnjë e më shumë fitore mbi mëkatin që ende kemi në jetën tonë—“mëkati nuk do të zotërojë më mbi ju” (Rom. 6:14; kr. 1 Kor. 15:17)—paçka se në këtë jetë, ne nuk do të jemi kurrë të përsosur. Kjo fuqi ringjalljeje përfshin gjithashtu fuqi për shërbesë në veprën e mbretërisë. Ishte pas ringjalljes së Jezusit që Ai u premtoi dishepujve të Vet: “Por do të merrni fuqi kur Fryma e Shenjtë do të vijë mbi ju dhe do të më bëheni dëshmitarë në Jerusalem dhe në gjithë Judenë dhe Samarinë dhe deri në skajin e dheut” (Veprat 1:8). Kjo fuqi e re dhe e intensifikuar për shpalljen e ungjillit dhe kryerjen e mrekullive, si dhe ngadhënjimin mbi kundërshtimin e armiqve, dishepujve iu dha pas ringjalljes së Krishtit prej të vdekjes, dhe qe pjesë e fuqisë së re të ringjalljes që karakterizoi jetën e tyre të krishterë.

b. Ringjallja e Krishtit Garanton Drejtësimin Tonë: Ka vetëm një pasazh në të cilin Pali në mënyrë të shkoqur e lidh ringjalljen e Krishti me drejtësimin tonë (apo marrjen e një deklarate sipas të cilës ne nuk jemi fajtorë por të drejtë përpara Perëndisë).[116]19 Pali thotë se Jezusi “u dorëzua për shkak të shkeljeve tona dhe u ringjall për drejtësimin tonë” (Rom. 4:25). Kur Krishti u ringjall, kjo ishte deklarata e Perëndisë si aprovim për veprën e shpengimit të Krishtit. Ngaqë Krishti “e përuli veten duke u bërë i bindur deri në vdekje, edhe deri në vdekje të kryqit” (Fil. 2:8), “Perëndia e lartësoi madhërisht. . .” (Fil. 2:9). Duke e ringjallur Krishtin, Perëndia Atë praktikisht po thoshte se Ai e aprovonte veprën e Krishtit të vuajtjes dhe vdekjes për mëkatet tona, që vepra e Tij u plotësua dhe se Krishti nuk kishte përse të qëndronte më i vdekur. Nuk mbetej më ndëshkim për t’u paguar për mëkatin, nuk mbetej më zemërim i Perëndisë për t’u mbajtur, nuk mbetej më faj apo detyrim për ndëshkim, të tëra këto ishin paguar tërësisht dhe nuk mbetej më asnjë faj. Në ringjallje, Perëndia po i thoshte Krishtit: “Unë e aprovoj atë që Ti ke bërë, dhe Ti gëzon favorin Tim.”

Kjo e shpjegon se si Pali mundet të thotë se Krishti u “ringjall për drejtësimin tonë” (Rom. 4:25). Nëse Perëndia “na ringjalli bashkë me të” (Efe. 2:6), atëherë, në sajë të bashkimit tonë me Krishtin, deklarata prej Perëndisë e aprovimit të Krishtit, është gjithashtu deklarata e Tij e aprovimit për ne. Kur Ati, në thelb i tha Krishtit: “I tërë ndëshkimi për mëkatet është paguar, dhe Unë nuk të gjej fajtor por si të drejtë përpara Meje,” me këtë, Ai po deklaronte atë që do të gjente zbatim tek ne gjithashtu me t’i besuar Krishtit për shpëtim. Në këtë mënyrë, ringjallja e Krishtit dha gjithashtu provën përfundimtare që Ai e kishte fituar drejtësimin tonë.

c. Ringjallja e Krishti garanton që edhe ne do të marrim trupa të përsosur të ringjallur: Besëlidhja e Re, disa herë e lidh ringjalljen e Jezusit me ringjalljen tonë përfundimtare trupore. “Perëndia edhe Zotin e ringjalli edhe ne do të na ringjallë përmes fuqisë së tij” (1 Kor. 6:14). Në mënyrë të ngjashme, “ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit, dhe do të na paraqesë bashkë me ju” (2 Kor. 4:14). Por diskutimi më i zgjeruar i lidhjes mes ringjalljes së Krishtit dhe asaj të tonës, gjendet tek “1 Korintasve” 15:12–58. Atje, Pali thotë se Krishti është “fryti i parë i atyre që kanë fjetur” (1 Kor. 15:20). Në quajtjen e Krishtit “fryti i parë” (Gr. ἀπαρχή, G569), Pali përdor një metaforë të marrë nga bujqësia për të treguar se ne do të jemi si Krishti. Ashtu sikurse “frytet e para” apo shija e parë e të korrës së pjekur tregon se si do të jetë pjesa tjetër e të korrës për atë sezon, po kështu Krishti, si “fryti i parë” tregon se si do të jenë trupat tanë të ringjallur kur, në të “korrën” përfundimtare të Perëndisë, Ai të na ringjallë nga të vdekurit dhe të na sjellë në praninë e Tij.[117]20

Pas ringjalljes së Jezusit, Ai ende kishte shenjat e gozhdëve në duart dhe këmbët e veta si dhe plagën e heshtës në brinjë (Gjoni 20:27). Njerëzit nganjëherë pyesin vetën nëse kjo nënkupton që vragat e dëmtimeve të rënda që ne kemi marrë në këtë jetë, do të mbeten gjithashtu tek trupat tanë të ringjallur. Përgjigja është se me shumë mundësi ne nuk do të na mbetet më ndonjë shenjë nga dëmtimet apo plagët që marrim në këtë jetë, por trupat tanë do të bëhen të përsosur, të “paprishshëm” dhe të ngritur “në lavdi.” Vragat e shkaktuara nga kryqëzimi i Jezusit janë unikale për shkak se ato janë një kujtues i përjetshëm i vuajtjeve të Tij dhe vdekjes për ne.[118]21 Fakti që Ai i ka ende ato vraga nuk është se domosdoshmërisht nënkupton se edhe ato të tonat do të na mbeten. Përkundrazi, të tërë do të shërohen, dhe të tërë do të bëhen të përsosur dhe të shëndetshëm.

5. Rëndësia etike e ringjalljes. Pali shikon gjithashtu se ringjallja gjen zbatim tek bindja jonë ndaj Perëndisë në këtë jetë. Pas një diskutimi të gjatë mbi ringjalljen, Pali e përfundon duke i inkurajuar lexuesit e Tij, me këto fjalë: “Prandaj, o vëllezërit e mi të dashur, qëndroni të fortë e të patundur, duke tepruar përherë në veprën e Zotit, duke e ditur se mundi juaj nuk është i kotë në Zotin” (1 Kor. 15:58). Është për shkak se Krishti u ringjall nga të vdekurit që edhe ne do të ringjallemi e që duhet të vazhdojmë të palëkundur në veprën e Zotit. Kjo është për shkak se gjithçka që ne bëjmë për t’i sjellë njerëzit në mbretëri dhe për t’i ndërtuar ata, me të vërtetë që do të ketë rëndësi të përjetshme, për shkak se të tërë ne do të ringjallemi në atë ditë kur Krishti të kthehet, dhe do të jetojmë me Të përgjithnjë.

Së dyti, Pali na inkurajon kur mendojmë për ringjalljen, që të përqendrohemi tek shpërblimi ynë i ardhshëm qiellor si qëllimi ynë. Ai e shikon ringjalljen si një kohë kur të tëra vështirësitë e kësaj jete do të shpaguhen. Por, nëse Krishti nuk është ringjallur, e nëse nuk ka ringjallje, atëherë “i kotë është besimi juaj; ju jeni ende në mëkatet tuaja, atëherë edhe ata që fjetën në Krishtin janë të humbur. Në qoftë se shpresojmë në Krishtin vetëm në këtë jetë, ne jemi më të mjerët e të gjithë njerëzve” (1 Kor. 15:17–19; kr. v. 32). Por, për shkak se Krishti është ringjallur, dhe për shkak se ne jemi ringjallur me Të, ne duhet që të kërkojmë për një shpërblim qiellor si dhe të kemi në mend gjërat që janë lart:

Në qoftë se, pra, u ringjallët me Krishtin, kërkoni ato gjëra që janë lart, ku Krishti është ulur në të djathtë të Perëndisë. Kini në mend ato që janë lart, jo ato që janë mbi tokë, sepse keni vdekur dhe jeta juaj është fshehur bashkë me Krishtin në Perëndinë. Kur të shfaqet Krishti, jeta jonë, atëherë edhe ju do të shfaqeni në lavdi bashkë me të. (Kol. 3:1–4)

Një zbatim i tretë etik i ringjalljes, është detyrimi për të reshtur së dhënuri të vetes tonë ndaj mëkatit në jetën tonë. Kur Pali thotë se ne duhet ta mendojmë veten “të vdekur për mëkatin, por të gjallë për Perëndinë, në Krishtin Jezus” në sajë të ringjalljes së Krishtit si dhe fuqisë së ringjalljes së Tij përbrenda nesh (Rom. 6:11), ai pastaj vazhdon që menjëherë më pas të thotë: “Le të mos mbretërojë, pra, mëkati në trupin tuaj të vdekshëm.... mos ia paraqitni gjymtyrët tuaja mëkatit” (Rom. 6:12–13). Fakti që ne kemi këtë fuqi të re të ringjallur mbi dominimin e mëkatit në jetën tonë, përdoret nga Pali si një arsye për të na nxitur që të mos mëkatojmë më.

B. Ngritja në qiell

1. Krishti u ngrit në një vend. Pas ringjalljes, Jezusi ishte në tokë për dyzet ditë (Veprat 1:3), pastaj Ai i drejtoi ata për në Betani, ngjitur me Jerusalemin, dhe “ngriti lart duart, i bekoi. Dhe ndodhi që, ndërsa ai po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngrit lart në qiell” (Luka 24:50–51).

Një tregim i ngjashëm është dhënë nga Luka në pjesën hyrëse të “Veprave”:

Mbasi i tha këto, ndërsa ata po e shikonin, u ngrit lart; dhe një re e mori prej syve të tyre. Dhe, si ata po i mbanin sytë e ngulur në qiell, ndërsa ai po largohej, ja dy burra në rroba të bardha qëndruan pranë tyre, dhe thanë: "Burra galileas, çfarë qëndroni e shikoni drejt qiellit? Ky Jezus, që u mor nga mesi juaj në qiell, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë atë të shkojë në qiell.” (Veprat 1:9–11)

Këto tregime përshkruajnë një ngjarje e cila ka qartësisht qëllim t’u tregojë dishepujve se Jezusi shkoi në një vend. Ai nuk është se papritur iu zhduk për të mos u parë më kurrë prej tyre, por gradualisht u ngjit lart ndërkohë që ata po e shikonin, dhe pastaj një re (me sa duket reja e lavdisë së Perëndisë) ua hoqi nga sytë. Por, engjëjt aty për aty thanë se Ai do të kthehej në të njëjtën mënyrë në të cilën Ai kishte shkuar në qiell. Fakti që Jezusi kishte një trup të ringjallur i cili ishte subjekt i kufizimeve hapësinore (nuk mund të ishte në dy vende njëkohësisht) do të thotë se Jezusi shkoi diku kur u ngrit në qiell.

Është për t’u habitur që edhe disa teologë ungjillorë, ngurrojnë të pohojnë që qielli është një vend apo se Jezusi u ngrit në një vendndodhje fikse diku në universin hapësirë-kohë. Është për t’u pranuar që ne tani nuk mund ta shikojmë se ku është Jezusi, por kjo nuk vjen ngaqë Ai kaloi në ndonjë “gjendje” eterike për të cilën nuk ka vendndodhje aspak në universin hapësinor-kohor, por më tepër ngaqë sytë tanë nuk janë në gjendje që të shikojnë botën e padukshme që ekziston kudo rreth nesh. Rreth nesh ka engjëj, por ne thjesht nuk mund t’i shikojmë për shkak se sytë tanë nuk e kanë atë kapacitet. Eliseu qe i rrethuar nga një ushtri engjëjsh dhe koçi të zjarrta që e mbronin atë nga sirianët në Dothan, por shërbëtori i Eliseut nuk ishte në gjendje t’i shikonte këto engjëj derisa Perëndia ia hapi sytë në mënyrë që të mund të shikonte gjërat që ekzistonin në atë dimension shpirtëror (2 Mbretërve 6:17). Po kështu, kur Stefani po vdiste, Perëndia i dha Atij një aftësi të veçantë që ta shikonte botën e cila tani është e fshehur për sytë tanë, sepse ai “i nguli sytë nga qielli, pa lavdinë e Perëndisë dhe Jezusin duke qëndruar në të djathtën e Perëndisë, dhe tha: "Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtë të Perëndisë”’ (Veprat 7:55–56). Edhe Jezusi Vetë tha: “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t'ju thosha: Po shkoj t'ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t'ju përgatis një vend, do të kthehem përsëri dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:2–3).

Sigurisht, ne tani nuk jemi në gjendje që të themi ekzaktësisht se ku është qielli. Shkrimi shpesh herë portretizon njerëz që ngrihen në qiell (ashtu si Jezusi dhe Elija) apo që zbresin nga qielli (si engjëjt në ëndrrën e Jakobit, “Zan.” 28:12), kështu që ne jemi të justifikuar po ta mendojmë qiellin si diku “përmbi” tokën. Është për t’u pranuar se toka është e rrumbullakët dhe se ajo rrotullohet, kështu që se ku është qielli, ne thjesht nuk jemi në gjendje që ta themi me më shumë përpikëri. Shkrimi vetë nuk na e tregon këtë. Por, theksimi i përsëritur i faktit që Jezusi shkoi diku (ashtu sikurse bëri Elija, “2 Mbretërve” 2:11), si dhe fakti që Jerusalemi i Ri do të zbresë nga qielli prej Perëndisë (Zbu. 21:2), të tëra këto të lënë të kuptosh se qartësisht ka një lokalizim të qiellit në universin hapësirë-kohë. Ata të cilët nuk besojnë në Shkrimet, mund të tallen me një ide të tillë dhe të pyesin veten se si mund të jetë kjo gjë, njësoj sikurse edhe kozmonauti i parë rus i cili zbriti nga hapësira dhe deklaroi se nuk e pa as Perëndinë e as parajsën gjëkundi, por kjo thjesht të tregon për verbërinë e syve të tyre ndaj botës së padukshme shpirtërore. Kjo nuk tregon se qielli nuk ekziston në një vend të caktuar. Faktikisht, ngritja e Jezusit në qiell, ka për qëllim që të na mësojë se qielli ekziston vërtetë si një vend në universin hapësinor-kohor. (Shiko kapitullin 57 për një diskutim të mëtejshëm mbi natyrën e qiellit.)

2. Krishti mori lavdi dhe nder që nuk kishte qenë i Tiji më parë si Perëndi-Njeri. Kur Jezusi u ngrit në qiell, Ai mori lavdi, nder dhe autoritet i cili nuk kishte qenë kurrë i Tiji më përpara, si një që ishte edhe Perëndi edhe njeri. Përpara se Jezusi të vdiste, Ai u lut kështu: “Më përlëvdo, ti o Atë, pranë teje, me lavdinë që unë e kisha pranë teje para se të bëhej bota” (Gjoni 17:5).[119]22 Në predikimin e Tij gjatë Rrëshajës, Pjetri tha se Jezusi u “ngrit në të djathtë të Perëndisë” (Veprat 2:33), dhe Pali deklaroi se “Perëndia e lartësoi madhërisht” (Fil. 2:9), dhe se Ai “u ngrit në lavdi” (1 Tim. 3:16; kr. Heb. 1:4). Krishti është tani në qiell me korret e engjëjve që i këndojnë lavde Atij me këto fjalë: “I denjë është Qengji i therur, të marrë fuqi, dhe pasuri, dhe urtësi, dhe forcë, dhe nder, dhe lavdi, dhe bekim!” (Zbu. 5:12).[120]23

3. Krishti u ul në të djathtë të Perëndisë (Ulja e Krishtit). Një aspekt specifik i ngjitjes së Krishtit në qiell dhe marrjes së nderimit, ishte fakti që Ai ul në të djathtë të Perëndisë. Kjo është quajtur nganjëherë qëndrimi i Tij në të djathtë të Perëndisë.

Besëlidhja e Vjetër parashikoi që Mesia do të ulej në të djathtë të Perëndisë: “ZOTI i thotë Zotërisë tim: «Ulu në të djathtën time, derisa t'i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua”’ (Ps. 110:1). Kur Krishti u ngjit përsëri në qiell, Ai mori plotësimin e atij premtimi: “mbasi e bëri, përmes vetes së tij, pastrimin e mëkateve tona, u ul në të djathtë të Madhërisë, në vendet e larta” (Heb. 1:3). Kjo mikpritje në praninë e Perëndisë, si dhe ulja në të djathtë të Perëndisë, është një tregues dramatik i plotësimit të veprës së shpengimit të Krishtit. Ashtu sikurse një qenie njerëzore do të ulet pas kryerjes së një pune të madhe për të shijuar kënaqësinë e kryerjes së saj, po kështu edhe Jezusi u ul në të djathtë të Perëndisë, duke demonstruar kësisoj në mënyrë të dukshme faktin që vepra e Tij e shpengimit qe përfunduar.

Plus tregimit për plotësimin e veprës së shpengimit që Krishti kreu, akti i uljes në të djathtë të Perëndisë është një tregues që Ai mori autoritet mbi universin. Pali thotë se Perëndia “duke e ringjallur prej së vdekurish dhe duke e vënë të ulej në të djathtën e tij në vendet qiellore, përmbi çdo principatë, pushtet, fuqi, zotërim dhe çdo emër që përmendet” (Efe. 1:20–21). Po kështu, Pjetri thotë se Jezusi “shkoi në qiell dhe është në të djathtë të Perëndisë mbasi i janë nënshtruar engjëj, pushtete dhe fuqi” (1 Pjetrit 3:22). Pali gjithashtu aludon për “Psalmin” 110:1 kur thotë se Krishti “duhet që ... të mbretërojë, derisa t'i vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e veta” (1 Kor. 15:25).

Një aspekt shtesë i autoritetit që Krishti mori nga Ati kur u ul në të djathtë të Tij, qe autoriteti për të derdhur Frymën e Shenjtë në kishë. Pjetri thotë në Ditën e Rrëshajës: “Ai, pra, duke qenë i ngritur në të djathtë të Perëndisë dhe duke marrë nga Ati premtimin e Frymës së Shenjtë, derdhi atë që ju tani shihni dhe dëgjoni” (Veprat 2:33).

Fakti që Jezusi tani ulet në të djathtë të Perëndisë në qiell, nuk do të thotë se Ai është përgjithmonë i “ngulur” atje apo se Ai nuk është aktiv. Ai shikohet tek qëndron në këmbë në të djathtë të Perëndisë (Veprat 7:56) si dhe duke ecur në mes të shtatë shandanëve të artë në qiell (Zbu. 2:1). Ashtu sikurse një mbret njerëzor ulet në fronin e vet mbretëror kur kurorëzohet, por pastaj aktivizohet në shumë veprimtari të tjera përgjatë çdo dite, po kështu edhe Krishti u ul në të djathtë të Perëndisë dhe kjo qe si një provë drastike e përfundimit të veprës së Tij shpenguese si dhe pranimit të autoritetit të Tij mbi universin, por ai është padyshim i angazhuar edhe në veprimtari të tjera në qiell gjithashtu.

4. Ngritja e Krishtit ka domethënie doktrinare për jetën tonë. Ashtu sikurse ringjallja ka rrjedhoja të thella për jetën tonë, po kështu edhe ngritja lart e Krishtit ka rrjedhoja të rëndësishme për ne. Së pari, përderisa ne jemi të bashkuar me Krishtin në çdo aspekt të veprës së Tij të shpengimit,[121]25 ngritja lart e Krishtit në qiell, është një pamje paraprake e ngritjes tonë lart në qiell me Të në të ardhmen. “Ne të gjallët, që mbetemi, do të rrëmbehemi njëkohësisht në retë me ata, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin” (1 Thes. 4:17). Autori i “Hebrenjve” dëshiron që ne ta vrapojmë garën e jetës me njohurinë që po ndjekim hapat e Jezusit dhe që si përfundim do të arrijmë në bekimet e jetës në qiell që Ai po shijon tani: “le të rendim me durim në garën që është përpara nesh, duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtë të fronit të Perëndisë” (Heb. 12:1–2). Edhe Jezusi Vetë thotë se Ai do të na marrë një ditë për të qenë me Të (Gjoni 14:3).

Së dyti, ngritja e Jezusit në qiell na jep sigurinë që shtëpia jonë përfundimtare do të jetë në qiell me Të. “Në shtëpinë e Atit tim ka shumë banesa; përndryshe do t'ju thosha: Po shkoj t'ju përgatis një vend. Dhe kur të shkoj e t'ju përgatis një vend, do të kthehem përsëri dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:2–3). Jezusi ishte një njeri si ne nga çdo drejtim, e megjithëkëtë, pa mëkat, dhe Ai ka shkuar përpara nesh në mënyrë që si përfundim, ne të mund ta ndjekim Atë atje dhe që të jetojmë me Të përgjithnjë. Fakti që Jezusi është ngritur tashmë në qiell dhe e arriti synimin që iu vu, na jep një siguri të madhe që edhe ne në fund do të shkojmë atje.

Së treti, për shkak të bashkimit tonë me Krishtin në ngritjen e Tij, ne tani jemi në gjendje që të kemi pjesë (pjesërisht) tek autoriteti i Krishtit mbi universin, e më vonë do të kemi më plotësisht pjesë në të. Kjo është ajo që Pali tregon kur thotë se Perëndia “na ringjalli bashkë me të dhe na vuri të ulemi bashkë me të në vendet qiellore në Krishtin Jezus” (Efe. 2:6). Fizikisht, sigurisht që ne nuk jemi të pranishëm në qiell, sepse ne mbetemi këtu në tokë hë për hë. Por, nëse ulja e Krishtit në të djathtë të Perëndisë i referohet marrjes së autoritetit prej Tij, atëherë fakti që Perëndia na ka bërë që të ulemi me Krishtin, do të thotë se edhe ne kemi në një farë mase pjesë në autoritetin që Krishti ka, autoritet për t’u ngritur kundër “frymërave të liga në vendet qiellore” (Efe. 6:12; kr. vgj. 10–18) Si dhe për të bërë luftë me armët të cilat janë “të fuqishme në Perëndinë për të shkatërruar fortesat” (2 Kor. 10:4). Kjo pjesë në autoritetin e Krishtit mbi universin do të jetë më plotësisht në zotërimin tonë në epokën që do të vijë: “A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj?” (1 Kor. 6:3). Për më tepër, ne do të kemi pjesë me Krishtin në autoritetin e Tij mbi krijimin që Perëndia ka bërë (Heb. 2:5–8).[122]26 Jezusi premton: “Dhe kujt fiton dhe i ruan deri në fund veprat e mia, do t'i jap pushtet mbi kombet; dhe ai do t'i qeverisë ata me një shufër hekuri dhe ata do të thyhen si enë argjile, sikurse mora edhe unë pushtet nga Ati im” (Zbu. 2:26–27). Ai premton gjithashtu: “Atij që fiton do t'i jap të ulet me mua në fronin tim, sikurse edhe unë fitova dhe u ula me Atin tim në fronin e tij.” (Zbu. 3:21). Këto janë premtime të mahnitshme rreth pjesës tonë të ardhshme në uljen e Krishtit në të djathtë të Perëndisë, premtime të cilat nuk do t’i kuptojmë plotësisht deri në epokën që do të vijë.

C. Gjendjet e Jezus Krishtit

Kur flasim për jetën, vdekjen dhe ringjalljen e Krishtit, vërejmë se teologët nganjëherë kanë folur për “gjendjet e Jezus Krishtit.” Me këtë ata nënkuptojnë marrëdhëniet e ndryshme që Jezusi kishte me ligjin e Perëndisë për sa i takon njerëzimit, me zotërimin e autoritetit si dhe me marrjen e nderimit për Vete. Në përgjithësi, dy gjendje (përulësia dhe përlëvdimi) janë të dallueshme. Kështu, doktrina e “gjendjes së dyfishtë të Krishtit” është mësimi sipas të cilit, Krishti përjetoi së pari gjendjen e përulësimit e pastaj gjendjen e përlartësimit.

Përbrenda përulësimit të Krishtit janë përfshirë mishërimi, vuajtja, vdekja dhe varrosja e Tij. Nganjëherë, një aspekt i pestë (zbritja në ferr) përfshihet, por siç u shpjegua më lart, pozita që mbrohet në këtë libër është ajo që ai koncept nuk gjen mbështetje tek Shkrimi.

Në përlartësimin e Krishtit, ka gjithashtu katër aspekte: ringjallja e Tij, ngritja e Tij në qiell, ulja në të djathtë të Perëndisë dhe kthimi me lavdi dhe pushtet. Shumë teologji sistematike e përdorin gjendjen e përulësisë si dhe gjendjen e përlëvdimit si kategori të gjera për të organizuar diskutimin e tyre për veprën e Jezusit.[123]27

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     Ndërkohë që lexoni këtë kapitull, cilat aspekte të mësimit të Biblës rreth një trupi të ringjallur ishin të reja për mendjen tuaj? A të vjen në mendje ndonjë karakteristikë e trupit të ringjallur të cilin ti veçanërisht me zor pret të marrësh? Si të bën të ndjehesh mendimi që do të kesh një trup të tillë?

2.     Çfarë gjërash do të doje të bëje tani, por që e shikon veten që nuk je në gjendje që t’i bësh për shkak të dobësisë apo kufizimit të trupit tënd fizik? A mendon se këto veprimtari do të ishin të përshtatshme për jetën tënde në qiell? A do të jesh në gjendje që t’i bësh ato atëherë?

3.     Kur u rilinde, ti more një jetë të re shpirtërore përbrenda. Po ta mendosh këtë jetë të re si pjesë të fuqisë ringjallëse të Krishtit që është në punë brenda teje, si do të të inkurajonte kjo që ta jetoje jetën e krishterë si dhe për sa i takon shërbimit ndaj nevojave të njerëzve?

4.     Bibla thotë se tani ti je i ulur në vendet qiellore në Krishtin Jezus (Efe. 2:6). Ndërkohë që përsiatesh mbi këtë fakt, si mendon se do të ndikojë ai tek jeta jote e lutjes si dhe angazhimi yt në luftën shpirtërore kundër forcave demonike?

5.     Kur mendon për Krishtin i Cili është tani në qiell, a të bën kjo që të përqendrosh më shumë vëmendje në gjërat të cilat do të kenë rëndësi të përjetshme? A e rrit kjo sigurinë tënde që ti një ditë prej ditësh do të jesh me Të në parajsë? Si ndjehesh rreth mbretërimit të ardhshëm me Krishtin mbi kombet si dhe mbi engjëjt gjithashtu?

TERMA TË VEÇANTË

ngjitja lart

përlatësimi i Krishtit

përulësimi i Krishtit

i pakorruptueshëm

i ngritur në lavdi

i ngritur në fuqi

ringjallje

ulje

trup frymëror

gjendjet e Jezus Krishtit

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 195–196

1930 Thomas, 73–87

2. Arminiane (Ueslejane ose Metodiste)

1875–1876 Pope, 3:401–406

1987–1990 Oden, 451–526

3. Baptiste

1767 Gill, 1:583–602

1907 Strong, 706–710, 1015–1023

1917 Mullins, 44–46, 158–164, 472–478

1983–1985 Erickson, 769–779

1987–1994 Lewis/Demarest, 2:437–496

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 5:231–279

1949 Thiessen, 243–250

1986 Ryrie, 267–274

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 2:324–330

1934 Mueller, 295–300

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1861 Heppe, 488–509

1871–1873 Hodge, 2:626–638

1887–1921 Warfield, SSW 1:178–202; PWC 535–548

1937–1966 Murray, CW 1:40–43; CW 4:82–91

1938 Berkhof, 344–355

1962 Buswell, 2:32–40

7. Ripërtëritëse (apo karizmatike/Pentakostale)

1988–1992 Williams, 1:381–413

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 192–196

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 1:405–417

Vepra të Tjera

Bray, G.L. “Ngjitja Lart si dhe Ulja Qiellore e Krishtit (Ascension and Heavenly Session of Christ).” Tek FRT (NDT) fq. 46–47.

Craig, William Lane. Biri Ngrihet: Provat Historike për Ringjalljen e Jezusit (The Son Rises: The Historical Evidence for the Resurrection of Jesus). Chicago: Moody, 1981.

Fuller, Daniel P. Besimi dhe Historia e Pashkës (Easter Faith and History). Grand Rapids: Eerdmans, 1965.

Gaffin, Richard B., Jr. Ringjallja dhe Shpengimi: Një Studim në Soteriologjinë e Palit (Resurrection and Redemption: A Study in Paul’s Soteriology). Më përpara e njohur si: Pika Qendrore e Ringjalljes: Një Studim në Soteriologjinë e Palit (The Centrality of the Resurrection: A Study in Paul’s Soteriology). Phillipsburg, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1978.

Habermas, G.R. “Ringjallja e Krishtit (Resurrection of Christ).” Tek FUT (EDT) fq. 938–941.

_______, dhe Anthony Flew. A u Ringjall Jezusi nga të Vdekurit? Debati i Ringjalljes (Did Jesus Rise From the Dead? The Resurrection Debate). Redaktuar nga Terry L. Miethe. New York: Harper and Row, 1987.

Harris, Murray J. Nga Varri në Lavdi: Ringjallja në Besëlidhjen e Re, Përfshi këtu një Përgjigje ndaj Norman L. Geisler (From Grave to Glory: Resurrection in the New Testament, Including a Response to Norman L. Geisler). Grand Rapids: Zondervan, 1990.

_______. “Ringjallja, e Përgjithshmja (Resurrection, General).” Tek FRT (NDT) fq. 581–582.

Ladd, George E. Unë Besoj në Jezusin e Ringjallur (I Believe in the Resurrection of Jesus). Grand Rapids: Eerdmans, 1975.

Macleod, D. “Ringjallja e Krishtit (Resurrection of Christ).” Tek FRT (NDT) fq. 582–585.

Morison, Frank. Kush e Lëvizi Gurin (Who Moved the Stone)? London: Faber and Faber, 1930; ribotim, Grand Rapids: Zondervan, 1958.

O’Donovan, Oliver. Ringjallja dhe Rendi Moral (Resurrection and Moral Order). Leicester: Inter-Varsity Press, 1986.

Ross, A. “Ngjitja Lart e Krishtit (Ascension of Christ)” Tek FUT (EDT) fq. 86–87.

Swete, Henry Barclay. Krishti i Ngjitur Lart: Një Studim në Mësimet më të Hershme të Krishtera (The Ascended Christ: A Study in the Earliest Christian Teaching). London: Macmillan, 1910.

Tenney, Merrill C. Realiteti i Ringjalljes (The Reality of the Resurrection). New York: Harper and Row, 1963.

Toon, Peter. Ngjitja Lart e Zotit Tonë (The Ascension of Our Lord). Nashville: Thomas Nelson, 1984.

Wenham, John. Enigma Lindore (The Easter Enigma). London: Paternoster, 1984.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“1 Korintasve” 15:20–23: Por tashti Krishti u ringjall prej së vdekurish, dhe u bë fryti i parë i atyre që kanë fjetur. Sepse, ashtu si erdhi vdekja me anë të një njeriu, kështu erdhi dhe ringjallja e të vdekurve me anë të një njeriu. Sepse, ashtu sikurse në Adamin të gjithë vdesin, kështu të gjithë do të ngjallen në Krishtin, por secili sipas radhës së vet: Krishti, fryti i parë, pastaj ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij.

HIMN

“KRISHTI, ZOTI, ËSHTË RINGJALLUR SOT (CHRIST THE LORD IS RISEN TODAY)”

“Krishti, Zoti është ringjallur sot,” a-le-lu-ja!

Njerëzit dhe engjëjt a rrinë pa thënë dot; a-le-lu-ja!

Britma gëzimi lëshoni dhe trumbetave bjeruni; a-le-lu-ja!

Këndoni ju o qiej, dhe ti o tokë iso mbaji; a-le-lu-ja!

Të kota roja, vula dhe guri; a-le-lu-ja!

I ka shpërthyer portat e ferrit Krishti: a-le-lu-ja!

Vdekja më ringjalljen e Tij dot nuk e pengoi; a-le-lu-ja!

Krishti parajsën tani na mundësoi. A-le-lu-ja!

Mbreti ynë i lavdishëm sërish jeton; a-le-lu-ja!

O vdekje, ku tani thumbi yt qëndron? Al-le-lu-ja!

Tani që Ai vdiq, shpirtin tonë të shpëtonte; a-le-lu-ja!

o varr, ku është fitorja jote,? A-le-lu-ja!

Ngrihemi tani atje ku Krishti na ka drejtuar, a-le-lu-ja!

Duke ndjekur Kreun tonë të përlëvduar; a-le-lu-ja!

Të bërë si Ai, si Ai edhe ngrihemi; a-le-lu-ja!

Të tonat janë kryqi, varri dhe qielli. A-le-lu-ja!

Zotit të tokës dhe qiellit i qoftë lavdi! A-le-lu-ja!

Ty të dyja të dhënshin lavdi; a-le-lu-ja!

Ty tani me ngadhënjim të kemi përshëndetur!

Lavdi, Ty që je ringjallur! A-le-lu-ja!

Autori: Charles Wesley, 1739

Pen
>