General
Text

Kapitulli 2: Fjala e Perëndisë

Lesson 4 Chapter 1 Module 3

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Çfarë nënkuptohet me frazën “Fjala e Perëndisë”? Faktikisht, kjo frazë merr disa kuptime të ndryshme në Bibël. Është e udhës të bëjmë që në fillim të këtij studimi, një dallim të qartë mes këtyre kuptimeve të ndryshme.

A. “Fjala e Perëndisë” si një person: Jezus Krishti

Nganjëherë, Bibla i referohet Birit të Perëndisë si “Fjala e Perëndisë.” Tek “Zbulesa” 19:13, Gjoni shikon Zotin Jezus të ringjallur në qiell dhe thotë: “emri i tij quhet: “Fjala e Perëndisë.” Në mënyrë të ngjashme, në fillim të ungjillit të Gjonit, lexojmë: “Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte me Perëndinë, dhe Fjala ishte Perëndi” (Gjoni 1:1). Është e qartë që Gjoni po flet për Birin e Perëndisë këtu, sepse tek vargu 14 ai thotë: “Dhe Fjala u bë mish dhe ndenji ndër ne dhe ne soditëm lavdinë e tij, si lavdia e të vetëmlindurit nga Ati, plot hir e të vërtetë.” Këto vargje (dhe ndoshta “1 Gjonit” 1:1) janë të vetmet raste në të cilat Bibla i referohet Perëndisë Bir si “Fjala” apo “Fjala e Perëndisë,” kështu që përdorimi i kësaj fraze, me këtë kuptim, nuk haset rëndom. Megjithëkëtë, kjo gjithsesi lë të kuptohet se ndër pjesëtarët Trinisë, është veçanërisht Perëndia Bir, që në personin e Vet si dhe me fjalët e Veta, ka rolin e komunikimit të karakterit të Perëndisë ndaj nesh si dhe të shprehjes së vullnetit të Perëndisë për ne.

B. “Fjala e Perëndisë” si ligjëratë nga Perëndia

1. Dekretet e Perëndisë. Nganjëherë, fjalët e Perëndisë marrin formën e dekreteve të fuqishme të cilat bëjnë që ngjarjet të ndodhin, apo që madje shkaktojnë krijimin e gjërave. “Pastaj Perëndia tha: «U bëftë drita!». Dhe drita u bë” (Zan. 1:3). Madje, duke folur fjalën e Tij të fuqishme, Perëndia krijoi botën shtazore: Dhe Perëndia tha: «Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të vet: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, sipas llojit të vet». Dhe kështu u bë” (Zan. 1:24). Kështu, psalmisti mund të thotë: “Qiejt u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij” (Psa. 33:6).

Këto fjalë të fuqishme e krijuese të Perëndisë, shpesh quhen dekrete të Perëndisë. Një dekret i Perëndisë, është një fjalë e Perëndisë që bën që diçka të ndodhë. Këto dekrete të Perëndisë, përfshijnë jo vetëm ngjarjet e krijimit fillestar, por gjithashtu ekzistencën e vazhdueshme të të tëra gjërave, sepse “Hebrenjve” 1:3 na tregon që Krishti është në mënyrë të pandërprerë “duke i mbajtur të gjitha me fjalën e fuqisë së tij.”

2. Fjalët e Perëndisë të adresuara personalisht. Perëndia nganjëherë komunikon me njerëzit në botë, duke u folur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Këto mund të quhen raste adresimi personal të Fjalës së Perëndisë. Shembuj të kësaj hasen përgjatë gjithë Shkrimit. Në fillim të krijimit, Perëndia i flet Adamit: “Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: «Ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur me siguri”’ (Zan. 2:16–17). Pas mëkatit të Adamit dhe Evës, Perëndia vazhdon të vijë dhe t’u flasë drejtpërdrejtë dhe personalisht atyre, duke u shqiptuar fjalët e mallkimit (Zan. 3:16–19). Një shembull tjetër i spikatur i adresimit në mënyrë të drejtpërdrejtë e personalisht të Perëndisë ndaj njerëzve në tokë, gjendet tek dhënia e Dhjetë Urdhëresave: “Atëherë Perëndia shqiptoi tërë këto fjalë, duke thënë:  «Unë jam Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga vendi i Egjiptit, nga shtëpia e skllavërisë. Mos ki perëndi të tjerë para meje”’ (Eks. 20:1–3). Në Besëlidhjen e Re, në pagëzimin e Jezusit, Perëndia At foli me një zë nga qielli, duke thënë: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin gjeta pëlqim” (Mat. 3:17).

Në këtë si dhe në një sërë rastesh të tjera ku Perëndia foli fjalë të adresuara personalisht ndaj individësh, ishte e qartë për dëgjuesit që këto ishin faktikisht fjalët e Perëndisë: se po dëgjonin zërin e Perëndisë Vetë, dhe që për rrjedhojë, ata po dëgjonin fjalë të cilat kishin autoritet absolut hyjnor dhe se ishin absolutisht të besueshme. Të mos i besoje apo të mos i bindeshe ndonjërës prej atyre fjalëve, do të thoshte të mos i besoje ose të mos i bindeshe Perëndisë, dhe për rrjedhojë, do të kishte qenë mëkat.

Paçka se fjalët e adresimit personalisht të Perëndisë shikohen gjithnjë në Shkrim si fjalët aktuale të Perëndisë, ato janë gjithashtu fjalë “njerëzore” në atë që ato janë folur në gjuhën e zakonshme njerëzore e cila është e kuptueshme aty për aty. Fakti që këto fjalë janë shprehur me gjuhë njerëzore, nuk e kufizon nga asnjë drejtim karakterin apo autoritetin e tyre hyjnor. Ato vazhdojnë të mbeten tërësisht fjalët e Perëndisë, të folura me zërin e Vetë Perëndisë.

Disa teologë kanë argumentuar duke thënë se përderisa gjuha njerëzore është gjithnjë në një farë mënyrë e “papërsosur,” çfarëdo mesazhi që Perëndia na drejton neve, në gjuhë njerëzore, duhet kufizuar gjithashtu në autoritetin dhe vërtetësinë e tij. Por këto pasazhe, bashkë me shumë të tjerë të cilat dokumentojnë raste të fjalëve të Perëndisë të adresuara personalisht ndaj individëve, nuk të lënë të kuptosh ndonjë kufizim në autoritetin apo të vërtetësisë së fjalëve të Perëndisë kur ato janë folur me gjuhë njerëzore. E vërteta është faktikisht e kundërta sepse këto fjalë i obligojnë gjithnjë në mënyrë absolute dëgjuesit, që ata t’i besojnë ato e t’u binden plotësisht atyre. Të mos besosh apo të mos i bindesh ndonjë pjese të tyre, do të thotë të mos i besosh apo të mos i bindesh Perëndisë Vetë.

3. Fjalët e Perëndisë si ligjëratë e folur përmes buzësh njerëzore. Shpesh herë, në Shkrime, shikojmë që Perëndia ngre profetë përmes të cilëve Ai flet. Edhe një herë tjetër, është e dukshme se paçka se këto janë fjalë njerëzore, të folura në një gjuhë të zakonshme njerëzore, nga qenie të zakonshme njerëzore, autoriteti dhe vërtetësia e këtyre fjalëve nuk zbehet kurrsesi. Edhe këto janë ende tërësisht fjalë të Perëndisë.

Tek “Ligji i Përtërirë” 18, Perëndia i thotë Moisiut:

Unë do të nxjerr për ta një profet nga gjiri i vëllezërve të tyre dhe do të vë në gojën e tij fjalët e mia, dhe ai do t'u thotë atyre të gjitha ato që unë do t'i urdhëroj. Dhe do të ndodhë që, nëse dikush nuk i dëgjon fjalët e mia që ai thotë në emrin tim, unë do t'i kërkoj llogari. Por profeti që pretendon të thotë në emrin tim një gjë të cilën unë nuk e kam urdhëruar ta thotë ose që flet në emër të perëndive të tjera, ai profet do të vritet (L. i P. 18:18-20)

Deklarata të ngjashme Perëndia i bëri edhe Jeremias: “Pastaj Zoti shtriu dorën e tij dhe preku gojën time; mandej Zoti më tha: "Ja, unë i vura fjalët e mia në gojën tënde”’ (Jer. 1:9). Perëndia i thotë Jeremisë: “Do t’u thuash tërë ato që do të urdhëroj” (Jer. 1:7; shiko gjithashtu “Eks.” 4:12; “Num.” 22:38; “1 Sam.” 15:3, 18, 23; “1 Mbret.” 20:36; “2 Kron.” 20:20; 25:15–16; Isa. 30:12–14; “Jer.” 6:10–12; 36:29–31; etj.). Kushdo që pretendoi se po fliste në emër të Zotit, por që faktikisht nuk kishte marrë ndonjë kumt prej Tij, ndëshkohej rëndë (Ezek. 13:1–7; L. i P. 18:20–22).

Kështu, fjalët e Perëndisë të folura përmes buzësh njerëzore, qenë konsideruar po aq autoritare dhe të vërteta sa edhe fjalët e Perëndisë të adresuara personalisht. Nuk kishte zbehje të autoritetit të këtyre fjalëve kur u folën përmes buzësh njerëzore. Të mos i besoje apo të mos i bindeshe ndonjërës prej tyre, do të thoshte të mos i besoje ose të mos i bindeshe Perëndisë Vetë.

4. Fjalët e Perëndisë në formë të shkruar (Bibla). Përveç fjalëve të dekreteve të Perëndisë, fjalëve të Perëndisë të adresuara personalisht, si dhe fjalëve të Perëndisë të folura përmes gojës së njerëzve, në Shkrim gjejmë gjithashtu shumë raste në të cilat fjalët e Perëndisë u vunë në formë të shkruar. E para e këtyre gjendet në tregimin e dhënies së dy pllakave të gurta në të cilat u shkruan Dhjetë Urdhëresat: “Kur Zoti mbaroi së foluri me Moisiun në malin Sinai, i dha dy pllaka të dëshmisë, pllaka guri, të shkruara me gishtin e Perëndisë” (Eks. 31:18). “Pllakat ishin vepër e Perëndisë dhe shkrimi i tyre ishte shkrimi i Perëndisë, i gdhendur mbi pllaka” (Eks. 32:16; 34:1, 28).

Shkrimet e mëtejshme u bënë nga Moisiu:

Kështu Moisiu e shkroi këtë ligj dhe ua dorëzoi priftërinjve, bijve të Levit, që mbajnë Arkën e Besëlidhjes të Zotit dhe të gjithë pleqve të Izraelit. Pastaj Moisiu i urdhëroi ata duke thënë: «Në fund të çdo shtatë vjetëve... do të lexosh këtë ligj para tërë Izraelit, në veshët e tërë izraelitëve...që të dëgjojnë dhe të mësojnë të kenë frikë nga Zoti, Perëndia juaj, dhe të kenë kujdes të zbatojnë tërë fjalët e këtij ligji, kështu që bijtë e tyre që ende nuk e njohin, të dëgjojnë Zotin, Perëndinë tuaj, dhe të kenë frikë prej tij...” (L. i P. 31:9–13)

Ky libër që shkroi Moisiu, më pas u vendos përbri arkës së besëlidhjes: “Kur Moisiu mbaroi së shkruari në një libër tërë fjalët e këtij ligji, u dha këtë urdhër levitëve që mbanin Arkën e Besëlidhjes të Zotit, duke thënë: «Merreni këtë libër të ligjit dhe vendoseni në Arkën e Besëlidhjes të Zotit, Perëndisë tuaj, me qëllim që të mbetet si një dëshmi kundër teje”’ (L. i P. 31:24–26).

Shtesa të mëtejshme iu bënë këtij libri të fjalëve të Perëndisë. “Pastaj Jozueu shkroi këto gjëra në librin e ligjit të Perëndisë” (Joz. 24:26). Perëndia e urdhëroi Isainë: “Tani eja, shkruaje këtë mbi një rrasë të vogël dhe shkruaje në një libër, që të mbetet për ditët e ardhshme, përgjithnjë, përjetë” (Isa. 30:8). Edhe një herë, Perëndia i tha Jeremisë: “Shkruaji në një libër tërë fjalët që të kam thënë” (“Jer.” 30:2; kr. “Jer.” 36:2–4, 27–31; 51:60). Në Besëlidhjen e re, Jezusi u premton dishepujve të Tij që Fryma e Shenjtë do t’u kujtonte fjalët të cilat Ai, Jezusi, kishte thënë (Gjoni 14:26; kr. 16:12–13). Pali mund të thotë që pikërisht ato fjalë që ai u shkruan korintasve, janë “urdhërime të Zotit” (1 Kor. 14:37; kr. 2 Pjetrit 3:2).

Duhet vërejtur edhe një herë tjetër, që këto fjalë konsiderohen ende fjalë të Perëndisë Vetë, edhe pse ato janë shkruar kryesisht nga qenie njerëzore, dhe gjithnjë në gjuhë njerëzore. Megjithëkëtë, ato janë absolutisht autoritare dhe absolutisht të vërteta. Të mos u bindesh atyre apo të mos i besosh ato, është një mëkat i rëndë e që sjell gjykimin nga Perëndia (1 Kor. 14:37; Jer. 36:29–31).

Nga shkruarja e fjalëve të Perëndisë, rrjedhin disa dobi. Së pari, ekziston një ruajtje më e saktë e fjalëve të Perëndisë për brezat e mëvonshëm. Të bazohesh tek kujtesa dhe kalimi gojë më gojë i atyre fjalëve, është një metodë më pak e besueshme për ruajtjen e këtyre fjalëve përgjatë historisë, sesa kur ato janë shprehur me shkrim (kr. L. i P. 31:12–13). Së dyti, mundësia për inspektim të përsëritur të fjalëve që janë të shkruara, të bën të mundur studim dhe diskutim të kujdesshëm të tyre, gjë që çon në një kuptim më të mirë, si dhe në një bindje më të plotë ndaj tyre. Së treti, Fjalët e Perëndisë të shprehura me shkrim, janë të disponueshme ndaj shumë më tepër njerëzve sesa kur ruhen thjesht përmes kujtesës dhe përsëritjes gojazi. Ato mund të inspektohen në çdo kohë nga kushdo, dhe nuk janë të disponueshme në mënyrë të kufizuar tek vetëm ata që i kanë mësuar përmendësh, apo ata që kanë mundësi të jenë të pranishëm kur ato recitohen me gojë. Kështu, besueshmëria, qëndrueshmëria, dhe disponueshmëria e formës në të cilën fjalët e Perëndisë janë ruajtur, përmirësohen të tëra ndjeshëm kur ato shkruhen. Megjithëkëtë, nuk ka asnjë tregues që autoriteti apo besueshmëria e tyre të jetë zbehur për pasojë.

C. Fokusi i studimit tonë

Nga të tëra format e Fjalës së Perëndisë,[1]1 fokusi i studimit tonë në teologjinë sistematike, është Fjala e Perëndisë në formë të shkruar, d.m.th. Bibla. Kjo është ajo formë e Fjalës së Perëndisë e cila është e disponueshme për studim, për interpretim publik, për shqyrtim të përsëritur, dhe si bazë për diskutim të ndërsjellët. Ajo na tregon dhe na drejton për tek Fjala e Perëndisë si një person, specifikisht, tek Jezus Krishti, të Cilin ne tani nuk e kemi të pranishëm me trup në tokë. Kësisoj, ne nuk jemi më në gjendje që të vërejmë dhe imitojmë jetën dhe mësimet e Tij si dorë e parë.

Format e tjera të Fjalës së Perëndisë, nuk janë të përshtatshme si bazë kryesore për studimin e teologjisë. Ne nuk i dëgjojmë fjalët e dekreteve të Perëndisë, e për pasojë nuk mund t’i studiojmë ato drejtpërdrejtë, por vetëm përmes vëzhgimit të efekteve të tyre. Fjalët e Perëndisë të adresuara personalisht janë të pazakonta, edhe në Shkrimin vetë. Për më tepër, edhe nëse do të dëgjonim disa fjalë të adresuara personalisht ndaj nesh nga Perëndia sot, ne nuk do të kishim siguri që kuptimi ynë i tyre, kujtesa jonë rreth tyre, si dhe dëshmia pasuese e jonë për to, do të ishte tërësisht e saktë. Gjithashtu ne nuk do të ishim aty për aty të gatshëm që të tejçonim tek të tjerët sigurinë që ai komunikim ishte nga Perëndia, edhe po të ketë qenë. Fjalët e Perëndisë që janë folur përmes buzëve njerëzore reshtën së dhënuri kur kanoni i Besëlidhjes së Re u përmbyll.[2]2 Kështu, këto forma të tjera të fjalëve të Perëndisë, janë të papërshtatshme për t’u marrë si bazë kryesore për studim në teologji.

Më e udhës për ne është që t’i studiojmë fjalët e Perëndisë siç i kemi të shkruara në Bibël. Është pikërisht Fjala e shkruar e Perëndisë ajo që Ai na urdhëron të studiojmë. I “bekuar” është ai njeri i cili “mendon” mbi ligjin e Perëndisë “ditë e natë” (Psa. 1:1–2). Fjalët e Perëndisë drejtuar Jozueut, gjejnë gjithashtu zbatim për ne: “Ky libër i ligjit mos u ndaftë kurrë nga goja jote, por mendohu për të ditë e natë, duke kërkuar të veprosh sipas të gjitha atyre që janë shkruar, sepse atëherë do të kesh sukses në veprimet e tua, atëherë do të përparosh” (Joz. 1:8). Është Fjala e Perëndisë në formën e Shkrimit të shkruar që është e “frymëzuar nga Perëndia” si dhe “i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim në  drejtësi” (2 Tim. 3:16).

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     A mendon se do të kushtoje më shumë vëmendje nëse Perëndia do të të fliste nga qielli apo përmes zërit të një profeti të gjallë sesa po të të fliste nga fjalët e shkruara të Shkrimit? A do t’i besoje apo bindeshe fjalëve të atilla me më gatishmëri nga ç’ke për Shkrimet? A mendon se niveli yt i tanishëm i reagimit ndaj fjalëve të shkruara të Shkrimit, është një nivel i përshtatshëm? Çfarë hapash pozitivë mund të hedhësh për ta bërë qëndrimin tënd ndaj Shkrimit më të ngjashëm me llojin e qëndrimit që Perëndia dëshiron që ti të kesh?

2.     Kur mendon rreth mënyrave të shumta me anë të të cilave Perëndia flet, si dhe shpeshtësinë me të cilën Perëndia komunikon me krijesat e Tij përmes këtyre mjeteve, në çfarë përfundimesh mund të dalësh për sa i takon natyrës së Perëndisë dhe gjërave që i sjellin Atij kënaqësi?

TERMA TË VEÇANTË

dekret

adresim personal

Fjalë e Perëndisë

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.) Subjekti i këtij kapitulli nuk është trajtuar hollësisht në shumë teologji sistematike, por një material i ngjashëm shpesh trajtohet në seksionin rreth autoritetit të Fjalës së Perëndisë: shiko bibliografinë në fund të kapitullit 4 për atë temë.

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopale)

1882–1892 Litton, 9–10

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1940 Wiley, 1:124–165

3. Baptiste

1917 Mullins, 137–153

6. Të Reformuar (ose Presbiteriane)

1861 Heppe, 12–21

1889 Shedd, 1:61–70

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

Nuk ka një trajtim posaçëm.

Vepra të Tjera

Kline, Meredith. Struktura e Autoritetit Biblik (The Structure of Biblical Authority). Grand Rapids: Eerdmans, 1972.

Kuyper, Abraham. Parime të Teologjisë së Shenjtë (Principles of Sacred Theology). Përkth. nga J.H. de Vries. Grand Rapids: Eerdmans, 1968, fq. 405–412 (botuar fillimisht me titullin Enciklopedia e Teologjisë së Shenjtë (Encyclopedia of Sacred Theology) më 1898).

McDonald, H.D. Teoritë e Zbulesës: Një Studim Historik (Theories of Revelation: An Historical Study), 1860–1960. Grand Rapids: Baker, 1979.

_______. “Fjalë, Fjalë e Perëndisë, Fjalë e Zotit (Word, Word of God, Word of the Lord.” Tek [3]EDT fq. 1185–1188.

Packer, J.I. “Shkrim (Scripture).” Tek [4]NDT fq. 585–87.

Pinnock, C.H. “Zbulesë (Revelation).” Tek NDT fq. 585–587.

Vos, Geerhardus. Teologji Biblike: Besëlidhja e Vjetër dhe e Re (Biblical Theology: Old and New Testaments). Grand Rapids: Eerdmans, 1948, fq. 28–55; 321–327.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Ps.” 1:1–2: Lum njeriu që nuk ecën sipas këshillës së të pabesëve, që nuk ndalet në rrugën e mëkatarëve dhe nuk ulet bashkë me tallësit, por gjen kënaqësinë e tij në ligjin e Zotit dhe mendon thellë ditë e natë mbi ligjin e tij.

HIMN

“NDANI BUKËN E JETËS (BREAK THOU THE BREAD OF LIFE)”

Ky himn është një lutje në të cilën i kërkohet Zotit që të na japë jo bukë fizike por ushqim shpirtëror nga “buka e jetës,” një metaforë kjo e cila i referohet si Fjalës së shkruar të Perëndisë (“faqja e shenjtë,” v. 1) ashtu edhe ndaj Krishtit Vetë, “Fjalës së Gjallë” (shiko vgj. 1, 3).

Bukën e jetës mua më ndaj o i dashur Zot,

Ashtu siç buzë detit ua ndave dishepujve të Tu të qëmot’

Përgjatë faqes së shenjtë, të kërkoj o Zot,

Fryma ime, o Fjala e Gjallë, digjet për Ty sot,

Zot i dashur, për mua, për mua, bekoje të vërtetën,

Ashtu sikurse pranë Galilesë bekove bukën;

Atëherë e gjithë zgjedha do të marrë fund, të tëra prangat do të bien;

Dhe unë o gjithçka në gjithçka që kam do të gjej paqen.

O Zot, për mua, Ti je buka e jetës,

Fjala Jote e shenjtë, shpëtuesja ime e të vërtetës;

Më jep të ha e të jetoj me Ty, e atje lart të rri;

Më mëso ta dua të vërtetën Tënde, sepse Ti je dashuri.

Frymën Tënde, o Zot të më dërgosh dëshiroj,

Të m’i prekë sytë e të më bëjë të shikoj:

Brenda Fjalës Tënde të vërtetën e fshehur më trego,

Dhe në Librin Tënd, Zotin që ta shikoj më dëfto.

Autorja: Mary A. Lathbury, 1877

Pen
>