General
Text

Kapitulli 8: Katër karakteristikat e Shkrimit: (4) Mjaftueshmëria

Lesson 10 Chapter 7 Module 3

A mjafton Bibla për të ditur atë që Perëndia dëshiron që ne të mendojmë apo të bëjmë?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

A duhet të kërkojmë për fjalë të tjera të Perëndisë përveç atyre që kemi në Shkrim? Doktrina e mjaftueshmërisë së Shkrimit, i jep përgjigje kësaj pyetjeje.

A. Përkufizim i mjaftueshmërisë së Shkrimit

Mjaftueshmërinë e Shkrimit ne mund ta përkufizojmë si më poshtë: Mjaftueshmëria e Shkrimit do të thotë që Shkrimi përmban të tëra fjalët e Perëndisë që Ai kishte për qëllim që njerëzit e Tij të kenë në secilën fazë të historisë shpenguese, e që tani ai përmban gjithçka që na duhet të na thotë Perëndia për shpëtimit, për t’i besuar Atij përsosmërisht, dhe për t’iu bindur Atij përsosmërisht.

Ky përkufizim thekson faktin që vetëm tek Shkrimi ne duhet të kërkojmë për fjalët që Perëndia na drejton. Ai gjithashtu na kujton që Perëndia e konsideron atë që na ka treguar në Bibël si të mjaftueshme për ne, dhe se ne duhet të gëzohemi në zbulesën e madhe që Ai na ka dhënë dhe të jemi të kënaqur me të.

Një mbështetje e konsiderueshme nga Shkrimi dhe një shpjegim i kësaj doktrine, gjendet tek fjalët e Palit drejtuar Timoteut, “dhe se, që nga fëmijëria i njeh Shkrimet e Shenjta, të cilat mund të të bëjnë të urtë për shpëtimin me anë të besimit në Krishtin Jezus” (2 Tim. 3:15). Konteksti tregon që “shkrimet e shenjta” këtu nënkupton fjalët e shkruara të Shkrimit (2 Tim. 3:16). Ky është një tregues që nënkupton se fjalët e Perëndisë të cilat ne kemi në Shkrim, janë të tëra fjalët e Perëndisë që na nevojiten me qëllim për t’u shpëtuar: këto fjalë janë në gjendje që të na bëjnë të të urtë “për shpëtimin.” Kjo është e konfirmuar nga pasazhe të tjerë të cilat flasin për fjalët e Shkrimit si mënyra që Perëndia përdor për të na sjellë në shpëtim (Jakobi 1:18; 1 Pjetrit 1:23).

Pasazhe të tjerë nënkuptojnë që Bibla është e mjaftueshme për të na pajisur për të jetuar jetën e krishterë. Edhe një herë tjetër, Pali i shkruan Timoteut duke i thënë: “I gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia dhe i dobishëm për mësim, bindje, ndreqje dhe për edukim me drejtësi, që njeriu i Perëndisë të jetë i përkryer, tërësisht i pajisur për çdo vepër të mirë” (2 Tim. 3:16–17).

Këtu Pali nënkupton që një arsye përse Perëndia bëri që Shkrimi të shkruhet, është që të na përgatisë që të mund të jemi të “pajisur për çdo vepër të mirë.” Nëse ka ndonjë “vepër të mirë” që Perëndia dëshiron që të krishterët të bëjnë, ky pasazh tregon se Perëndia ka siguruar mënyrën për të në Fjalën e Tij për t’i trajnuar të krishterët në atë vepër. Kësisoj, nuk ka “vepra të mira” që Perëndia dëshiron që ne të bëjmë veç atyre që jepen mësim diku në Shkrim: ai mund të na pajisë për çdo vepër të mirë.

Një mësim i ngjashëm gjendet tek “Psalmi” 119: “Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin në ligjin e Zotit!” (v. 1). Ky varg tregon një barasvlershmëri mes të qenurit “i pa njollë” dhe “ecjen në ligjin e Zotit” sepse të pa njollë janë ata të cilët ecin sipas ligjit të Zotit. Këtu kemi përsëri një tregues që na thotë edhe një herë tjetër që gjithçka që Perëndia kërkon prej nesh, është dokumentuar në fjalën e Tij të shkruar: të jemi të pa njollë përpara Perëndisë do të thotë thjesht të bëjmë gjithçka që Bibla na urdhëron.

Atëherë, për të qenë moralisht të përsosur përpara Perëndisë, çfarë duhet të bëjmë ne përmbi atë që Perëndia na urdhëron në Shkrime? Asgjë! Asgjë fare! Po qe se ne thjesht u përmbahemi fjalëve të Shkrimit, ne do të jemi “të panjollë” dhe do të jemi duke bërë “çdo vepër të mirë” që Perëndia pret prej nesh.

B. Ne mund të gjejmë gjithçka që Perëndia ka thënë rreth një teme të caktuar, dhe mund të gjejmë përgjigje për pyetjet tona

Sigurisht, ne e kuptojmë që nuk do t’u bindemi kurrë në mënyrë të përsosur të tëra Shkrimeve në këtë jetë (shiko Jakobi 3:2; 1 Gjonit 1:8–10; dhe kapitullin 24, më poshtë). Kështu, në fillim mund të mos duket shumë e rëndësishme të themi që gjithçka që na duhet të bëjmë është ajo që Perëndi na urdhëron në Bibël, përderisa ne gjithsesi nuk do të jemi kurrë në gjendje t’i bindemi tërësisht asaj në këtë jetë. Por e vërteta e mjaftueshmërisë së Shkrimit është e një rëndësie të madhe për jetën tonë të krishterë, sepse ajo na aftëson për ta përqendruar kërkimin tonë për fjalët e Perëndisë tek vetëm Bibla dhe na shpëton nga detyra e pafundme e rrëmimit nëpër shkrimet e të krishterëve përgjatë gjithë historisë, apo nëpër tërë mësimet e kishës, apo përmes tërë ndjenjave dhe mbresave subjektive që na vijnë në mendje dita ditës,[93]1 me qëllim që të gjejmë atë që Perëndia kërkon prej nesh. Në një kuptim shumë praktik, kjo do të thotë që ne jemi në gjendje që të arrijmë në përfundime të sakta për shumë prej mësimeve të Shkrimit. Për shembull, paçka se kërkon punë, është e mundshme të gjejmë të tëra pasazhet biblike të cilat janë të lidhura drejtpërsëdrejti me çështjet e martesës dhe divorcit apo me përgjegjësitë e prindërve ndaj fëmijëve apo me marrëdhënien mes një të krishteri dhe qeverisë civile.

Për më tepër, kjo doktrinë nënkupton që është e mundshme të mbledhim të tëra pasazhet të cilat kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me çështjet doktrinare të tilla si shpengimi apo personi i Krishtit apo vepra e Frymës së Shenjtë në jetën e besimtarit sot. Në këtë si dhe në qindra çështje të tjera morale dhe doktrinare, mësimi biblik rreth mjaftueshmërisë së Shkrimit, na jep besim se do të jemi në gjendje të gjejmë atë që Perëndia kërkon prej nesh për të menduar apo për të bërë në këto fusha. Në shumë prej këtyre fushave, ne mund të arrijmë bindjen që ne, bashkë me shumicën dërrmuese të kishës përgjatë historisë, kemi gjetur dhe formuluar me saktësi atë që Perëndia dëshiron që ne të mendojmë apo bëjmë. Thënë thjeshtë, doktrina e mjaftueshmërisë së Shkrimit na tregon se është e mundshme që të studiojmë teologji sistematike dhe etikat, dhe të gjejmë përgjigje për pyetjet tona.

Në këtë pikë, ne ndryshojmë nga teologët katolikë romakë të cilët do të thoshin se nuk kemi gjetur gjithçka që Perëndia na thotë për ndonjë temë të caktuar, derisa të kemi dëgjuar mësimin zyrtar të kishës përgjatë historisë së saj. Kësaj ne do t’i përgjigjeshim duke thënë se paçka se historia e kishës mund të na ndihmojë të kuptojmë atë që Perëndia na thotë në Bibël, përgjatë historisë së kishës, Perëndia kurrë nuk u ka shtuar mësimeve apo urdhëresave të Shkrimit. Askund përgjatë historisë së kishës jashtë Shkrimit, nuk gjejmë që Perëndia të ketë shtuar ndonjë gjë që kërkon prej nesh ta besojmë apo ta bëjmë. Shkrimi është i mjaftueshëm për të na pajisur “për çdo vepër të mirë,” dhe për të ecur në mënyra që janë “pa njollë” përpara Perëndisë.

Në këtë pikë, ne ndryshojmë gjithashtu nga teologët joungjillorë të cilët nuk janë të bindur që Bibla është Fjala e Perëndisë në një kuptim unikal apo absolut, dhe që për rrjedhojë nuk shqyrtojnë vetëm Biblën por edhe vepra të tjera të hershme kristiane, në përpjekje për të gjetur jo dhe aq atë që Perëndia i tha njerëzimit, por më tepër atë që të krishterët e hershëm përjetuan në marrëdhënien e tyre me Perëndinë. Ata nuk do të pritnin të mbërrinin në një përfundim të vetëm të unifikuar rreth asaj që Perëndia dëshiron që ne të mendojmë apo të bëjmë në lidhje me ndonjë çështje të caktuar, por që të zbulojnë një larmi mendimesh dhe këndvështrimesh të mbledhura rreth disa ideve kryesore unifikuese. Të tëra këndvështrimet që të krishterët e hershëm kanë mbajtur në cilëndo prej kishave të hershme, tani do të ishin potencialisht këndvështrime të vlefshme për të krishterët e sotëm. Kësaj ne do t’i përgjigjeshim me faktin që kërkimi ynë për përgjigje ndaj çështjeve teologjike dhe etike, nuk është një kërkim për të gjetur atë që besimtarë të ndryshëm kanë menduar në historinë e kishës, por një kërkim për të gjetur e kuptuar atë që Perëndia Vetë na thotë me fjalët e Tij, të cilat gjenden tek Shkrimi dhe vetëm tek Shkrimi.

C. Sasia e Shkrimeve të dhëna, ishte e mjaftueshme për secilën fazë të historisë së shpengimit

Doktrina e mjaftueshmërisë së Shkrimit nuk nënkupton që Perëndia nuk mund t’u shtojë më shumë fjalë atyre që Ai u ka thënë tashmë njerëzve të Tij. Përkundrazi, ajo nënkupton që njerëzit nuk mund t’i shtojnë me iniciativën e tyre ndonjë fjalë atyre që Perëndia ka folur tashmë. Për më tepër, nënkupton që faktikisht, Perëndia nuk i ka folur njerëzimit më fjalë nga ato të cilat Ai do të kërkonte që ne t’i besonim apo t’u bindeshim por që nuk janë prej atyre që kemi tashmë në Bibël.

Kjo pikë është e rëndësishme, sepse na ndihmon të kuptojmë se si Perëndia mund t’i thotë njerëzve të Tij që fjalët e Tij drejtuar atyre, ishin të mjaftueshme në shumë pika të ndryshme të historisë së shpengimit, dhe se si Ai do mundej që gjithsesi t’u shtonte atyre fjalëve më vonë. Për shembull, tek “Ligji i Përtërirë” 29:29 Moisiu thotë: “Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë, por gjërat e shfaqura janë për ne dhe për bijtë tanë përgjithnjë, me qëllim që të zbatojmë tërë fjalët e këtij ligji.”

Ky varg na kujton që Perëndia ka marrë gjithnjë iniciativën në zbulimin ndaj nesh të gjërave. Ai ka vendosur se çfarë të zbulojë dhe çfarë të mos zbulojë. Në secilën fazë të historisë së shpengimit, gjërat që Perëndia kishte zbuluar, ishin për popullin e Tij në atë kohë të caktuar, dhe ata duhej që të studionin të besonin e t’u bindeshin atyre gjërave. Me përparimin e mëtejshëm në historinë e shpengimit, u shtuan më shumë prej fjalëve të Perëndisë, duke e dokumentuar dhe interpretuar atë histori (shiko kapitullin 3 më sipër në lidhje me zhvillimin e kanonit).

Kështu, në kohën e vdekjes së Moisiut, pesë librat e parë të Besëlidhjes tonë të Vjetër, qenë të mjaftueshme për popullin e Perëndisë në atë kohë. Por, Perëndia i drejtoi autorët e mëvonshëm që të shtonin edhe të tjerë libra, në mënyrë që Shkrimi të ishte i mjaftueshëm për besimtarët në kohët e mëpasshme. Për të krishterët sot, fjalët nga Perëndia që ne kemi tog si në Besëlidhjen e Re ashtu edhe në Besëlidhjen e Vjetër, janë të mjaftueshme për ne gjatë epokës së kishës. Pas vdekjes, ringjalljes dhe ngritjes lart të Krishtit, si dhe pas themelimit të kishës së hershme ashtu sikurse është dokumentuar në Besëlidhjen e Re dhe përmbledhja e librave të kanonit të Besëlidhjes së Re, nuk ka ndodhur ndonjë vepër e mëtejshme qendrore shpenguese prej Perëndisë në histori (vepra këto që kanë një lidhje të drejtpërdrejtë me të tërë njerëzit e Perëndisë për të tëra kohët në vazhdim), dhe kësisoj, nuk janë dhënë fjalë të mëtejshme nga Perëndia për të dokumentuar dhe për t’i interpretuar këto fakte për ne.

Kjo do të thotë se ne mund të citojmë tekste nga Shkrimi kudo nga kanoni për të treguar që parimi i mjaftueshmërisë së zbulesës së Perëndisë ndaj njerëzve të Tij në çdo kohë të caktuar, ka mbetur njëlloj. Në këtë kuptim, këto vargje të cilat bëjnë fjalë për mjaftueshmërinë e Shkrimit në periudhat më të hershme, janë të zbatueshme drejtpërsëdrejti edhe ndaj nesh, edhe pse shtrirja e Biblës të cilës ato i referohen në situatën tonë, është më e madhe sesa shtrirja e Shkrimit të cilit ato i referoheshin në kontekstin origjinal. Tekstet e mëposhtme nga Shkrimi kësisoj gjejnë zbatim tek ne edhe nga kjo anë:

Nuk do t`i shtoni asgjë atyre që unë ju urdhëroj dhe nuk do t`u hiqni asgjë, por zotohuni të zbatoni urdhrat e Zotit, Perëndisë tuaj, që unë ju porosis. (L. i P. 4:2)

Do të kujdeseni të zbatoni tërë gjërat që ju urdhëroj; nuk do t`u shtoni asgjë  dhe asgjë nuk do t`u hiqni. (L. i P. 12:32)

Çdo fjalë e Perëndisë është pastruar me zjarr. Ai është një mburojë për atë që gjen strehë tek ai. Mos u shto asgjë fjalëve të tij, që të mos të të qortojë dhe të dalësh gënjeshtar. (F. e Urta 30:5–6)

Po u dëshmoj të gjithëve atyre që dëgjojnë fjalët e profecisë së këtij libri: nëse ndokush do t`i shtojë këtyre gjërave, Perëndia do të shtojë mbi të plagët e përshkruara në këtë libër. Dhe nëse dikush heq nga fjalët e librit të kësaj profecie, Perëndia do t`i heqë pjesën e tij nga libri i jetës nga qyteti i shenjtë, dhe nga gjërat që janë përshkruar në këtë libër. (Zbu. 22:18–19)[94]2

D. Zbatimet praktike të mjaftueshmërisë së Shkrimit

Doktrina e mjaftueshmërisë së Shkrimit ka një sërë zbatimesh praktike për jetën tonë të krishterë. Lista e mëposhtme ka për synim që të na vijë në ndihmë, por nuk pretendon të jetë e plotë.

1. Mjaftueshmëria e Shkrimit duhet të na inkurajojë, ndërkohë që ne përpiqemi të zbulojmë atë që Perëndia do të donte që ne të mendonim (rreth një çështjeje të caktuar doktrinare) apo që të bënim (në një situatë të caktuar). Ne duhet të inkurajohemi që gjithçka që Perëndia dëshiron të na thotë rreth asaj çështjeje, duhet gjendur tek Shkrimi. Kjo nuk do të thotë që Bibla i përgjigjet të tëra pyetjeve që mund të na vijnë në mendje, sepse “Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë” (L. i P. 29:29). Por nënkupton ama që kur ne jemi duke u përballur me një problem vërtetë të rëndësishëm për jetën tonë të krishterë, ne mund t’i qasemi Shkrimit me bindjen që përmes tij, Perëndia do të na sigurojë udhëzimin për atë problem që kemi.

Sigurisht që do të ketë raste kur përgjigjja që ne gjejmë është që Shkrimi nuk i përgjigjet drejtpërsëdrejti pyetjes tonë. (Ky do të ishte rasti për shembull, nëse do të përpiqeshim të gjejmë nga Shkrimi çfarë “rendi adhurimi” të ndjekim të dielave në mëngjes, apo nëse do të ishte më mirë të uleshim në gjunjë apo ndoshta të qëndronim ngritur kur të luteshim, apo se në ç’kohë duhet t’i hamë vaktet tona gjatë ditës, etj.) Në këto raste, ne duhet të dalim në përfundimin që Perëndia nuk na ka kërkuar që të mendojmë apo të veprojmë në ndonjë mënyrë të caktuar në lidhje me atë çështje (me përjashtim ndoshta, në lidhje me parimet më të përgjithshme për sa i takon qëndrimeve dhe synimeve tona). Por në shumë raste të tjera, do të gjejmë udhëzime të drejtpërdrejta dhe të qarta nga Zoti, që të na pajisin për “për çdo vepër të mirë” (2 Tim. 3:17).

Ndërkohë që ne vazhdojmë jetën tonë, një shprehi e kryer shpesh rreth hulumtimit të Shkrimit për të gjetur udhëzim në të, do të rezultojë në një aftësi të shtuar për të gjetur përgjigje të sakta e të formuluara me kujdes ndaj problemeve dhe pyetjeve tona. Një rritje përgjatë gjithë jetës në kuptimin e mësimeve të Biblës, do të përfshijë kësisoj rritjen në aftësinë e kuptimit siç duhet të mësimeve të Biblës dhe në zbatimin e tyre ndaj pyetjeve specifike.

2. Mjaftueshmëria e Shkrimit na kujton që ne nuk duhet t’i shtojmë asgjë Shkrimit dhe që nuk duhet të konsiderojmë asnjë shkrim tjetër si të njëvlershëm me Shkrimin. Ky parim shkelet nga pothuajse të tëra kultet dhe sektet. Për shembull, Mormonët, pretendojnë se e besojnë Biblën, por ata gjithashtu shpallin autoritet hyjnor për Librin e Mormonit. Kulti Shkencëtarët e Krishterë po kështu pretendon se e beson Biblën, por praktikisht ata e mbajnë librin Shkenca dhe Besimi me një Çelës për tek Shkrimet (Science and Health With a Key to the Scriptures) shkruar nga Meri Beikër Edi (Mary Baker Eddy), si të barabartë me Shkrimin apo edhe më lart në autoritet se Shkrimi. Përderisa këto pretendime shkelin urdhëresat e Perëndisë për të mos i shtuar gjë fjalëve të Tij, ne nuk duhet të mendojmë se ndonjë fjalë shtesë nga Perëndia të drejtuar ndaj nesh do të gjendej në këto shkrime. Edhe në kishat e krishtera, një gabim i ngjashëm me këtë nganjëherë bëhet kur njerëzit shkojnë përtej asaj që Shkrimit thotë dhe pohojnë me bindje të fortë ide të reja rreth Perëndisë apo qiellit, duke i bazuar mësimet e tyre jo tek Shkrimi por tek spekulimet e tyre, e madje edhe tek përjetime të pretenduara për vdekjen dhe riardhjen në jetë.

3. Mjaftueshmëria e Shkrimit na tregon gjithashtu që Perëndia nuk kërkon prej nesh që të besojmë ndonjë gjë për Të apo për veprën e Tij të shpengimit e cila nuk gjendet në Shkrim. Ndër shkrimet e kohës së kishës së hershme, ka disa përmbledhje të thënieve të supozuara të Jezusit të cilat nuk janë ruajtur në Ungjij. Ka shumë gjasa që të paktën disa prej “thënieve të Jezusit” që gjenden tek këto shkrime, të jenë dokumentime të sakta të cilat Jezusi i tha faktikisht (paçka se tani është e pamundur për ne që të përcaktojmë me një shkallë të lartë probabiliteti se cilat janë këto thënie). Por nuk ka vërtetë shumë rëndësi për jetën tonë të krishterë, nëse nuk lexomë kurrë ndonjë prej këtyre thënieve, sepse Perëndia ka bërë që në Shkrime të dokumentohet gjithçka që na duhet të dimë për fjalët dhe veprat e Jezusit, me qëllim për t’i besuar e për t’iu bindur Atij në mënyrë të përsosur. Paçka se këto përmbledhje të thënieve kanë një vlerë të kufizuar në kërkimin gjuhësor dhe ndoshta në studimin e historisë së kishës, ato nuk kanë vlerë të drejtpërdrejtë për ne në mësimin e asaj që duhet të besojmë rreth jetës dhe mësimeve të Krishtit, apo në formulimin e bindjeve tona doktrinare apo etike.

4. Mjaftueshmëria e Shkrimit na tregon se asnjë zbulesë moderne nga Perëndia nuk duhet të vendoset në të njëjtin nivel me Shkrimin për sa i takon autoritetit. Në kohë të ndryshme përgjatë historisë së kishës, dhe veçanërisht në lëvizjen karizmatike moderne, njerëzit kanë pretenduar që Perëndia ka dhënë zbulesa përmes tyre, në dobi të kishës. Sido që t’i vlerësojmë pretendime të tilla,[95]3 ne duhet të bëjmë kujdes që të mos lejojmë kurrë (as në teori e as në praktikë) vënien e zbulesave të tilla në një nivel të barabartë me Shkrimin.[96]4 Ne duhet të këmbëngulim që Perëndia nuk kërkon prej nesh që të besojmë ndonjë gjë rreth Tij apo veprave të Tij në botë, e cilat përmbahet në këto zbulesa por jo tek Shkrimi. Gjithashtu, ne duhet të këmbëngulim që Perëndia nuk kërkon prej nesh t’i bindemi ndonjë direktive morale që na ka ardhur përmes mënyrash të tilla, por që nuk janë konform Shkrimit. Bibla përmban gjithçka që na duhet që Perëndia të na tregojë për besimin dhe bindjen me përsosmëri ndaj Tij.[97]5

Duhet vërejtur gjithashtu në këtë pikë që kurdoherë që janë shfaqur sfida ndaj mjaftueshmërisë së Shkrimit në formën e kërkesave që dokumente të tjerë të vendosen në një nivel me Shkrimit (qoftë nga kategoria e literaturës jashtë biblike të krishterë e shekullit të parë, nga mësimet e akumuluara të Kishës Katolike romake, apo nga libra prej kultesh të ndryshme të tilla si Libri i Mormonit), rezultati ka qenë gjithnjë (1) heqja e theksit nga mësimet e Biblës vetë dhe (2) fillimi i dhënies mësim të disa gjërave të cilat bien ndesh me Shkrimin. Ky është një rrezik për të cilin kisha duhet që në mënyrë të vazhdueshme të mbetet syçelë.

5. Në lidhje me jetesën e jetës së krishterë, mjaftueshmëria e Shkrimit na kujton që asgjë nuk është mëkat përveç atyre që janë të ndaluara nga Shkrimi qoftë të thëna shkoqur, qoftë të nënkuptuara. Të ecësh në ligjin e Zotit do të thotë të jesh “pa njollë” (Ps. 119:1). Për rrjedhojë, ne nuk duhet të shtojmë urdhra të tjerë ndalimi përmbi ato që janë deklaruar tashmë në Shkrim. Hera herës, mund të shfaqen situata në të cilat do të ishte e gabuar për shembull, që një i krishterë individual të pinte kafe apo Koka Kola, apo të shkonte në kinema, apo të hante mish të ofruar më përpara idhujve (shiko 1 Kor. 8–10), por nëse nuk mund të tregohet një mësim specifik apo ndonjë parim i përgjithshëm i Shkrimit i cili i ndalon përgjithmonë këto (apo ndonjë veprimtari tjetër) për të tërë besimtarët, ne duhet të këmbëngulim se këto veprimtari nuk janë të mëkatshme në vetvete dhe se ato nuk janë të ndaluara në të tëra rrethanat nga Perëndia ndaj njerëzve të Tij.[98]6

Ky është gjithashtu një parim i rëndësishëm sepse ekziston gjithnjë prirja ndër besimtarët që të fillojnë të shpërfillin kërkimin rregullisht e për çdo ditë të Shkrimit për të gjetur atje drejtim, e në vend të kësaj të fillojnë të jetojnë mbi bazën e një tërësie rregullash të shkruara e të pashkruara (apo traditash denominacionale) rreth asaj që një person bën apo nuk bën në jetën e krishterë.

Për më tepër, kurdoherë qe ne i shtojmë listës së mëkateve që janë të ndaluara nga Shkrimi vetë, do t’i bëhet dëm kishës si dhe jetëve të besimtarëve individualë. Fryma e Shenjtë nuk do të fuqizojë bindje ndaj rregullave të cilat nuk kanë aprovimin e Perëndisë në Shkrimin e shenjtë, e as besimtarët në përgjithësi nuk do të gjejnë kënaqësi në bindjen ndaj urdhëresave të cilat nuk janë në përputhje me ligjet e Perëndisë të shkruara në zemrat e tyre. Në disa raste, të krishterët, mundet që në mënyrë të përsëritur e me zell t’i kërkojnë Perëndisë për “fitore” mbi mëkate të supozuara të cilat faktikisht nuk janë fare mëkate, e megjithëkëtë, nuk do t’u jepet “fitore”, pasi qëndrimi apo veprimi në fjalë, është në fakt jo një mëkat dhe nuk është i pakënaqshëm ndaj Perëndisë. Rezultati i kësaj mund të jetë përgjithësisht një dekurajim i madh në lutje dhe pezmatim në jetën e krishterë,.

Në raste të tjera, mosbindja e vazhduar apo madje e shtuar ndaj këtyre “mëkateve” të reja, do të vijë për pasojë, bashkë me një ndjenë faji dhe për pasojë një tëhuajtje ndaj Perëndisë. Shpesh herë krijohet një këmbëngulje gjithnjë e më e pakompromentushme dhe legaliste ndaj këtyre rregullave të reja nga ana e atyre që i ndjekin ato, si dhe përbashkësia e vërtetë ndër besimtarët në kishë do të venitet. Ungjillëzimi shpesh herë do të pengohet, sepse shpallja në heshtje e ungjillit që vjen nga jetët e besimtarëve, në fund do të duket (për të jashtmit) se përfshin të paktën kërkesa shtesë me të cilat personi duhet të përshtatet me këtë model uniform të jetës me qëllim për t’u bërë një pjesëtar i trupit të Krishtit.

Një shembull i qartë i një shtese ndaj urdhëresave të Shkrimit, gjendet tek kundërshtimi nga Kisha Katolike Romake ndaj metodave “artificiale” të kontrollit të lindjeve, një linjë veprimi kjo e cila nuk gjen një mbështetje të vlefshme në Shkrim. Mosbindja e përhapur gjerësisht, tëhuajtja dhe ndjenja e një faji të mosqenë, kanë qenë rezultati i kësaj linje veprimi. Megjithëkëtë, e tillë është prirja e natyrës njerëzore saqë bën rregulla të tillë shembujt të tjerë të të cilëve me shumë mundësi mund të gjenden në traditat e shkruara dhe të pashkruara të pothuajse çdo denominacioni.

6. Mjaftueshmëria e Shkrimit na thotë gjithashtu se Perëndia nuk na kërkon asgjë që nuk është urdhëruar në Shkrim qoftë drejtpërsëdrejti, qoftë tërthorazi. Kjo na kujton që fokusi i kërkimit tonë për vullnetin e Perëndisë, duhet të jetë Shkrimi, e jo kërkimi i udhëzimit përmes lutjes për rrethanat e ndryshuara apo ndjenjat e ndryshuara apo udhëzime të drejtpërdrejta nga Fryma e Shenjtë, shkëputur nga Shkrimi. Do të thotë gjithashtu që nëse dikush pretendon se ka një mesazh nga Perëndia ku na tregohet se çfarë duhet të bëjmë, ne nuk duhet të supozojmë kurrë se është mëkat të mos i bindesh një mesazhi të tillë nëse ai mund të konfirmohet nga zbatimi i vetë Shkrimit ndaj situatës tonë.

Zbulimi i kësaj të vërtete të madhe mund të sjellë gëzim dhe paqe të jashtëzakonshme në jetën e mijëra të krishterëve të cilët kalojnë orë të panumërta duke kërkuar vullnetin e Perëndisë jashtë Shkrimit, e që shpesh janë të pasigurt për nëse e kanë gjetur atë apo jo. Faktikisht, shumë të krishterë sot, kanë shumë pak besim në aftësinë e tyre për të zbuluar me ndopak siguri vullnetin e Perëndisë. Kësisoj, mbetet pak vend për përpjekje për të bërë vullnetin e Perëndisë (sepse kush mund ta dijë vullnetin e Tij tek e fundit?) dhe pak rritje në shenjtëri përpara Perëndisë.

E vërteta duhet të jetë e kundërta. Të krishterët të cilët janë të bindur për mjaftueshmërinë e Shkrimit, duhet të fillojnë me zell të kërkojnë dhe gjejnë vullnetin e Perëndisë në Shkrim. Ata duhet të jenë të zellshëm dhe rregullisht të rriten në bindje ndaj Perëndisë, duke gjetur liri dhe paqe të madhe në jetën e krishterë. Ata duhet të jenë në gjendje të thonë njëzëri me psalmistin:

Kështu do të respektoj ligjin tënd vazhdimisht,

përjetë,

Do të ec në liri,

sepse kërkoj urdhërimet e tua....

Paqe të madhe kanë ata që e duan ligjin tënd,

nuk ka asgjë që mund t`i rrëzojë. (Ps. 119:44–45, 165)

7. Mjaftueshmëria e Shkrimit na kujton që në mësimet tona doktrinare dhe etike, ne duhet të theksojmë atë që Shkrimi thekson dhe të jemi të kënaqur me atë që Perëndia na ka treguar në Shkrimin e shenjtë. Ka disa tema rreth të cilave Perëndia na ka treguar pakgjë apo kurrgjë në Bibël. Ne duhet të mbajmë mend që “Gjërat e fshehta i përkasin Zotit, Perëndisë tonë” (L. i P. 29:29) dhe që Perëndia na ka zbuluar në Shkrim, ekzaktësisht atë që Ai mendoi se është ajo që na duhet. Ne duhet ta pranojmë këtë dhe të mos mendojmë se Shkrimi është diçka më e paktë nga çfarë duhet të jetë, apo të fillojmë të urojmë që Perëndia të na kishte dhënë shumë më tepër informacion rreth temave për të cilat ka shumë pak referenca Shkrimesh. Sigurisht, do të ketë disa situata kur do të përballemi me një problem të caktuar i cili kërkon një vëmendje të madhe, shumë më të madhe sesa theksi që merr në mësimin e Shkrimit. Por këto situata duhet të jenë relativisht jo të shpeshta dhe nuk duhet të përbëjnë vazhdën e përgjithshëm të jetës apo shërbesës tonë.

Është karakteristikë e shumë kulteve fakti që ato theksojnë pjesë apo mësime të mjegullta të Shkrimit (p.sh. theksi që Mormonët i vënë pagëzimit për të vdekurit, një temë kjo e cila përmendet në vetëm një varg të Biblës [1 Kor. 15:29], në një frazë ku kuptimi i saktë i saj, tani është me sa duket i pamundur për t’u përcaktuar me saktësi). Por një gabim i ngjashëm u bë nga një brez i tërë studiuesish liberalë të Besëlidhjes së Re në pjesën e parë të shekullit të kaluar, të cilët i kushtuan pjesën më të madhe të jetës së tyre hulumtuese, një kërkimi të kotë për burimet “pas” tregimeve ungjillore që kemi ne sot, apo për të kërkuar për thëniet “autentike” të Jezusit.

Fatkeqësisht, një model i ngjashëm shpesh është shfaqur ndër ungjillorët përbrenda denominacionesh të ndryshme. Çështje doktrinare të cilat i kanë ndarë denominacionet ungjillore protestante nga njëra-tjetra, kanë qenë pothuajse në mënyrë të pandryshuar çështje të cilat Bibla i thekson fare pak, dhe çështje në të cilat përfundimet tona duhen nxjerrë përmes deduktimesh logjike shumë më tepër se përmes deklaratash të drejtpërdrejta të Biblës. Për shembull, mospajtime jetëgjatë mes denominacionesh kanë ndodhur apo kanë vazhduar të ndodhin rreth formës së “duhur” të drejtimit të kishës, natyrës së saktë të pranisë së Krishtit në Darkën e Zotit, sekuencën e saktë të ngjarjeve që kanë të bëjnë me kthimin e Krishtit, kategoritë e personave që do të pranohen në Darkën e Zotit, mënyrën në të cilën Perëndia planifikoi që meritat e vdekjes së Krishtit do të gjenin zbatim tek besimtarët si subjektet e duhur për pagëzim dhe nuk do të zbatoheshin tek jobesimtarët, kuptimin e saktë të “pagëzimit në Frymën e Shenjtë,” e kështu me radhë.

Ne nuk duhet të themi që këto çështje janë tërësisht të parëndësishme, e as që Shkrimi nuk na jep ndonjë zgjidhje për ndonjë prej tyre (me të vërtetë që në lidhje me shumë prej tyre, një zgjidhje specifike do të mbrohet në kapitujt pasues të këtij libri). Sidoqoftë, përderisa të tëra këto tema marrin relativisht pak vëmendje të drejtpërdrejtë në Shkrime, është ironike dhe tragjike që drejtuesit denominacionalë, shpesh do t’i kushtojnë një pjesë të mirë të jetës së tyre, çështjeve minore doktrinare në të cilat denominacionet e tyre mendojnë ndryshe nga të tjerët. A është një përpjekje e tillë e motivuar me të vërtetë nga një dëshirë për të sjellë unitet kuptueshmërie në kishë, apo ajo mund të burojë deri diku nga krenaria njerëzore, një dëshirë për të ruajtur autoritetin mbi të tjerët, dhe një përpjekje për vetë-drejtësim i cili shkakton pakënaqësi tek Perëndia, dhe si përfundim joedukues për kishën?

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

1.     Në procesin e rritjes në jetën e krishterë dhe thellimin në marrëdhënien tënde me Perëndinë, përafërsisht sa theks i ke vënë leximit të Biblës vetë, dhe sa leximit të librave të tjerë të krishterë. Në kërkimin për të njohur vullnetin e Perëndisë për jetën tënde të përditshme, cili është theksi përkatës që i ke vënë leximit të Shkrimit vetë si dhe leximit të librave të tjerë të krishterë? A mendon se doktrina e mjaftueshmërisë së Shkrimit do të të bëjë ta vësh theksin më shumë tek leximi i Shkrimit vetë?

2.     Cilat janë disa prej pyetjeve doktrinare apo morale për të cilat po mendohesh? A e ka shtuar ky kapitull bindjen tënde për aftësinë e Shkrimit për të siguruar një përgjigje të qartë për disa prej këtyre pyetjeve?

3.     A ke uruar ndonjëherë që Bibla të thoshte më shumë nga ç’thotë për një temë të caktuar? Ose që të thoshte më pak nga ç’thotë? Çfarë mendon se e ka motivuar këtë dëshirë tënde? Pasi ke lexuar këtë kapitull, si do t’i qaseshe dikujt që shpreh një dëshirë të tillë sot? Si tregohet mençuria e Perëndisë në faktin që Ai nuk zgjodhi ta bënte Biblën shumë më të gjatë e as shumë më të shkurtër nga ç’është?

4.     Nëse Bibla përmban gjithçka që na duhet për të na treguar t’i bindemi Atij në mënyrë të përsosur, cili është roli i të mëposhtmes për të na ndihmuar të gjejmë vullnetin e Perëndisë për ne: këshilla nga të tjerët; predikime apo kurse Bible; ndërgjegjet tona; ndjenjat tona; drejtimin nga Fryma e Shenjtë ndërkohë që e ndjejmë atë tek nxit dëshirat tona të brendshme dhe mbresat subjektive tonat, ndryshimet në rrethana, dhuratën e profecisë (nëse mendon se mund të funksionojë sot)?

5.     Në dritën e këtij kapitulli, si do ta gjeje vullnetin e “përsosur” të Perëndisë për jetën tënde? A është e mundur që të ketë më shumë se një zgjedhje të “përsosur” në shumë prej vendimeve që ndërmarrim? (Shqyrto “Ps.” 1:3 dhe “1 Kor.” 7:39 në kërkimin për një përgjigje.)

6.     A ka patur raste kur i ke kuptuar aq mirë parimet e Shkrimit në lidhje me një situatë specifike, por nuk i ke njohur faktet e situatës aq mirë sa duhet për të ditur se si t’i zbatosh me saktësi ato parimet të Shkrimit? Në kërkimin për të njohur vullnetin e Perëndisë, a mund të ketë gjëra të tjera që të duhet të njohësh me përjashtim të (a) mësimit të Shkrimit dhe (b) fakteve të situatës në fjalë, bashkë me (c) aftësinë në zbatimin me saktësi të (a) tek (b)? Cili është atëherë roli i lutjes në kërkimin për udhëzim? Për çfarë duhet të lutemi?

TERMA TË VEÇANTË

i patëmetë

mjaftueshmëria e Shkrimit

BIBLIOGRAFIA

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaljane)

1930 Thomas, 120–123

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 1:206–209

1983 Carter, 1:290–291

3. Baptiste

1767 Gill, 1:25–30

1983–1985 Erickson, 256–259

4. Dispensacionaliste

1947 Chafer, 1:60

5. Luterane

1917–1924 Pieper, 1:317–319

1934 Mueller, 137–138

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:93–96 (1.9)

1861 Heppe, 28–31

1871–1873 Hodge, 1:182–183

1937–1966 Murray, CW 1:16–22; PC 11–26

1938 Berkhof, Intro. 167–169

7. E Ripërtëritjes (apo Karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 1:43–44

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott (pa trajtim të posaçëm)

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 1:62–77

Vepra të Tjera

Friesen, Garry, dhe J. Robin Maxson. Vendimmarrja dhe Vullneti i Perëndisë (Decision Making and the Will of God). Portland, Ore.: Multnomah, 1981.

Packer, J.I. “Shkrimi (Scripture).” Tek FRT (NDT) fq. 627–631.

Weeks, Noel. Mjaftueshmëria e Shkrimit (The Sufficiency of Scripture). Edinburgh and Carlisle, Pa.: Banner of Truth, 1988.

PASAZH PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH NGA SHKRIMI

“Psalmi” 119:1: Lum ata që kanë një rrugë pa njollë dhe që ecin në ligjin e Zotit!

HIMN

“SA THEMEL I FORTË (HOW FIRM A FOUNDATION)”

Ka pak apo aspak himne që trajtojnë specifikisht mjaftueshmërinë e Shkrimit, e kjo ndoshta për shkak se të krishterët nuk kanë arritur të kuptojnë ngushëllimin dhe paqen e madhe që kjo doktrinë sjell në jetën e krishterë. Por vargu i parë i himnit të mëposhtëm përmban një deklaratë të kësaj doktrine. Ajo fillon duke na treguar që Perëndia ka hedhur një themel të qëndrueshëm për besimin tonë në Fjalën e Tij. Pastaj thotë: “Çfarë mund të të thotë më tepër Ai nga tashmë ç’të ka folur . . .?” Premtimet e pasura dhe të plota të Perëndisë përmes Shkrimit, janë të mjaftueshme për të gjitha nevojat tona në çdo rrethanë. Kjo duhet të përbëjë një arsye të  madhe për t’u gëzuar! Vargjet vijuese përmbajnë citime, parafrazime dhe aludime ndaj premtimeve të Perëndisë të cilat janë të shpërndara në të tërë Shkrimin, shumë syresh nga “Isaia”. Vargjet 2–6 janë të tëra të shkruara si fjali të cilat janë folur nga Perëndia drejt nesh, dhe kur ne i këndojmë, duhet ta mendojmë veten sikur po këndojmë fjalët e premtimeve të Perëndisë ndaj të tjerëve në grigjë për rehatinë dhe inkurajimin e tyre.

O ju shenjtorë të Zotit, sa themel i palëkundur,

për besimin tuaj në Fjalën e Tij të shkëlqyer është hedhur!

Çfarë mund të të thotë më tepër Ai nga tashmë ç’të ka folur,

Juve që për të gjetur strehë, tek Jezusi jeni turrur?

Juve që për të gjetur strehë, tek Jezusi jeni turrur?

 “Mos ki frikë, Unë jam me ty, toruan nuk ke për ta humbur;

Unë, Unë jam Perëndia yt, dhe pa u ndihmuar s’ke për të mbetur;

Të qëndrueshëm do të të bëj, do të të forcoj dhe ndihmoj,

Me drejtësinë Time, lart do të të mbaj, dorën Time të gjithëfuqishme do të t’tregoj,

Me drejtësinë Time, lart do të të mbaj, dorën Time të gjithëfuqishme do të t’tregoj.

“Kur përmes ujërash të thellë Unë të thërras që të kalosh,

Nën lumenjtë e pikëllimeve nuk do ndodhë që të përfundosh;

Sepse Unë do të jem me ty që telashet e tua të t’i bekoj,

Shqetësimet e tua më të mëdha, të t’i shenjtëroj,

Shqetësimet e tua më të mëdha, të t’i shenjtëroj.

“Kur përmes sprovash të zjarrta shtegu yt do të kalojë,

Hiri im i gjithëmjaftueshëm, ty do të të mjaftojë;

Flaka nuk do të të bëjë dëm; Me të Unë vetëm synoj,

Zgjyrën tënde të konsumoj, dhe floririn tënd të rafinoj,

Zgjyrën tënde të konsumoj, dhe floririn tënd të rafinoj.

“Të tërë njerëzit e Mi do të provojnë edhe në moshë të vjetër,

Dashurinë Time sovrane, të përjetshme, të pandryshueshme si asnjë tjetër;

Dhe kur flokët e thinjur tempujt ku ata mblidhen do zbukurojnë,

Si qengja ata mbi kraharorin Tim do të qëndrojnë,

Si qengja ata mbi kraharorin Tim do të qëndrojnë.

“Shpirti që tek Jezusi është mbështetur për të gjetur çlodhje,

Unë nuk,Unë nuk do ta braktis në duar të armiqve;

Ai shpirt, paçka se gjithë ferrin ta shkundë do të rreket,

Kurrën e kurrës i harruar prej Meje nuk do të mbetet,

Kurrën e kurrës i harruar prej Meje nuk do të mbetet.”

Nga: Përzgjedhje Himnesh (Selection of Hymns) 1787 e Ripponit.

Pen
>