General
Text

Kapitulli 55: Mijëvjeçari

Lesson 57 Chapter 2 Module 9

Mijëvjeçari

Çfarë është mijëvjeçari? Kur ndodh ai? A do të kalojnë të krishterët përmes mundimit të madh?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Fjala mijëvjeçar do të thotë “njëmijë vjet” (nga Lat. millennium “njëmijë vjet”). Ky term vjen nga “Zbulesa” 20:4–5, ku thuhet se disa persona të caktuar “u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet. Por të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë derisa të mbusheshin të një mijë vjetët.” M’u përpara kësaj deklarate, lexojmë se një engjëll zbret nga qielli dhe e kap djallin “dhe e lidhi për një mijë vjet dhe e hodhi atë në humnerë, dhe e mbylli atë dhe vulosi mbi të, që të mos i mashtrojë më kombet, derisa të përfundohen të një mijë vjetët” (Zbu. 20:2–3).

Përgjatë gjithë historisë së kishës, ka patur tre pikëpamje kryesore rreth kohës si dhe natyrës së këtij “mijëvjeçari.”

A. Shpjegimi i tre pikëpamjeve kryesore

1. Jomijëvjeçarizmi . Pikëpamja e parë e cila duhet shpjeguar këtu, jomijëvjeçarizmi është faktikisht më e thjeshta. Ajo mund të tregohet e skicuar si në figurën 55.1:

Krishti

Jomijëvjeçarizmi

Nuk ka mijëvjeçar të ardhshëm

EPOKA E KISHËS

GJENDJA E PËRJETSHME

“Zbulesa” 20:1-6 është tani

Ringjallja e besimtarëve

Ringjallja e jobesimtarëve

Gjykimi

Qielli i ri, toka e re

Figura 55.1: Jomijëvjeçarizmi

Sipas kësaj pikëpamjeje, pasazhi tek “Zbulesa” 20:1–10 përshkruan epokën e kishës së tanishme. Kjo është një epokë në të cilën ndikimi i Satanit mbi kombet, është reduktuar ndjeshëm në mënyrë që ungjilli të mund të predikohet në mbarë botën. Ata për të cilët thuhet se po mbretërojnë me Krishtin për një mijë vjetshin, janë të krishterë të cilët kanë vdekur dhe që po mbretërojnë tashmë me Krishtin në qiell. Mbretërimi i Krishtit në mijëvjeçar sipas kësaj pikëpamjeje, nuk është një mbretërim fizik këtu në tokë por më tepër mbretërimi qiellor për të cilin Ai foli kur tha: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë” (Mat. 28:18).

Kjo pikëpamje është quajtur “jomijëvjeçariste” për shkak se ajo i përmbahet pikëpamjes se nuk ka mijëvjeçar të ardhshëm për të ardhur. Përderisa jomijëvjeçaristët besojnë se “Zbulesa” 20 është duke u përmbushur tani në epokën e kishës, ata janë të mendimit se “mijëvjeçari” i përshkruar atje është duke ndodhur tashmë. Kohëzgjatja e saktë e epokës së kishës nuk mund të bëhet e ditur, dhe shprehja “një mijë vjet” është thjesht një figurë letrare për një periudhë të gjatë kohore në të cilën qëllimet e përsosura të Perëndisë do të arrihen.

Sipas kësaj pozite, epoka e tanishme e kishës do të vazhdojë deri në kohën e kthimit të Krishtit (shiko figurën 55.1). Kur Krishti të kthehet, do të ketë një ringjallje si të besimtarëve ashtu edhe të jobesimtarëve. Trupat e besimtarëve do të ngjallen për t’u bashkuar me frymët e tyre dhe do të hyjnë përgjithnjë në shijimin e plotë të parajsës. Jobesimtarët do të ngjallen për t’u përballur me gjykimin përfundimtar si dhe me dënimin e përjetshëm. Besimtarët do të qëndrojnë gjithashtu përpara selisë së gjykatës së Krishtit (2 Kor. 5:10), por ky gjykim do të përcaktojë vetëm shkallët e shpërblimit në qiell, sepse vetëm jobesimtarët do të dënohen përjetësisht. Në këtë kohë, do të fillojnë edhe qiejt e rinj dhe toka e re. Menjëherë pas gjykimit përfundimtar, do të fillojë dhe vazhdojë përgjithnjë gjendja e përjetshme.

Kjo skemë është mjaft e thjeshtë për shkak se të tëra ngjarjet e fundit të kohërave ndodhin njëherësh, menjëherë pas kthimit të Krishtit. Disa jomijëvjeçaristë thonë se Krishti do mund të kthehet në çfarëdo kohe, ndërkohë që të tjerë (të tillë si Berkhof [Berkhofi]) thonë se disa shenja të caktuara ende nuk janë përmbushur.

2. Pas-mijëvjeçarizmi. Sipas kësaj pikëpamjeje, Krishti do të kthehet pas mijëvjeçarit. Pikëpamja pas-mijëvjeçariste mund të paraqitet si në figurën 55.2.

KRISHTI

PAS-MIJËVJEÇARIZMI

KRISHTI VJEN PAS MIJËVJEÇARIT

EPOKA E KISHËS>>MIJËVJEÇARI

GJENDJA E PËRJETSHME

Ringjallja e besimtarëve

Ringjallja e jobesimtarëve

Gjykimi

Qielli i ri, toka e re

Figura 55.2: Pas-mijëvjeçarizmi

Sipas kësaj pikëpamjeje, përparimi i ungjillit dhe rritja e kishës do të shtohet gradualisht, derisa një pjesë gjithnjë e më e madhe e popullsisë së botës do të jetë e krishterë. Si rezultat, do të ketë ndikime të konsiderueshme të krishtera në shoqëri, shoqëria do të funksionojë gjithnjë e më shumë në përputhje me standardet e Perëndisë dhe gradualisht një “epokë mijëvjeçare” paqeje edhe drejtësie do të ndodhë në botë. Ky “mijëvjeçar” do të zgjasë për një periudhë të gjatë kohore (jo domosdoshmërisht një mijë vjet me plot kuptimin e fjalës), dhe si përfundim, në fund të kësaj periudhe, Krishti do të kthehet në tokë, besimtarët dhe jobesimtarët do të ringjallen, gjykimi përfundimtar do të kryhet, dhe do të ketë një qiell të ri dhe një tokë të re. Pastaj ne do të hyjmë në gjendjen e përjetshme.

Karakteristika kryesore e pas-mijëvjeçarizmit është se ajo e shikon me shumë optimizëm fuqinë e ungjillit për të ndryshuar jetë dhe për të sjellë shumë gjëra të mira në botë. Besimi në pas-mijëvjeçarizmin ka prirjen të shtohet në kohët kur kisha është duke përjetuar një rizgjim të madh frymëror, kur nuk ka luftë dhe konflikte ndërkombëtare, si dhe kur duket se një përparim i madh është duke u bërë në mposhtjen e të keqes dhe vuajtjeve në botë. Por, pas-mijëvjeçarizmi në formën e tij më të përgjegjshme nuk është i bazuar thjesht në vëzhgimin e ngjarjeve në botën përreth nesh, por tek argumente nga pasazhe të ndryshme të Shkrimit të cilat do të merren në shqyrtim më poshtë.

3. Para-mijëvjeçarizmi. 

a. Para-mijëvjeçarizmi klasik ose historik: Sipas pikëpamjes “para-mijëvjeçariste” Krishti do të kthehet përpara mijëvjeçarit.[26]1 Kjo pikëpamje ka një histori të gjatë që prej shekujve më të hershëm e tutje. Ajo mund të paraqitet si në figurën 55.3.

Krishti

PARA-MIJËVJEÇARIZMI

KLASIK

KRISHTI KTHEHET PËRPARA MIJËVJEÇARIT

“Rrëmbimi” i besimtarëve për të qenë me Krishtin

--MENJËHERË--

BES   KRISHT

EPOKA E KISHËS  M

BES BES

MIJËVJEÇAR

GJENDJA E PËRJETSHME

Ringjallja e besimtarëve

Ringjallja e jobesimtarëve

(Toka e përtërirë)

Gjykimi

(Toka e përtërirë)*

Para-mijëvjeçaristët klasikë kanë mendime të ndryshme për nëse toka e përtërirë do të fillojë në mijëvjeçar ose në gjendjen e përjetshme

Figura 55.3: Para-mijëvjeçarizmi klasik ose historik

Sipas kësaj pikëpamjeje, epoka e tanishme e kishës do të vazhdojë derisa, ndërkohë që i afrohet fundit, një kohë mundimi dhe vuajtjesh të mëdha do të vijnë në tokë (M-ja në figurën më lart simbolizon mundimin e madh).[27]2 Pas asaj kohe mundimi të madh në fund të epokës së kishës, Krishti do të kthehet në tokë për të ngritur një mbretëri njëmijë vjeçare. Kur të kthehet, besimtarët të cilët kanë vdekur do të ngjallen, trupat e tyre do të ribashkohen me frymën e tyre, dhe këta besimtarë do të mbretërojnë me Krishtin në tokë për njëmijë vjet. (Disa para-mijëvjeçaristë e marrin këtë si një njëmijë vjeçar me kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, ndërsa të tjerë e marrin si një shprehje simbolike të një periudhe më të gjatë kohore.) Gjatë kësaj kohe, Krishti do të jetë fizikisht i pranishëm në tokë në trupin e Tij të ringjallur, dhe do të mbretërojë si Mbret mbi të gjithë botën. Besimtarët të cilët janë ringjallur, dhe ata të cilët qenë në tokë kur Krishti të kthehet, do të marrin trupin e tyre të përlëvduar e të ringjallur, i cili nuk do të vdesë kurrë, dhe në këto trupa të ringjallur ata do të jetojnë në tokë dhe do të mbretërojnë me Krishtin. Nga jobesimtarët të cilët mbeten në tokë, shumë (por jo të tërë) do të kthehen tek Krishti dhe do të shpëtohen. Jezusi do të mbretërojë me drejtësi të përsosur dhe në tokë do të ketë gjithandej paqe. Shumë para-mijëvjeçaristë i përmbahen qëndrimit që toka do të ripërtërihet dhe ne faktikisht në këtë kohë do të shikojmë qiejt e rinj dhe tokën e re (por nuk është thelbësore për para-mijëvjeçarizmin që ta mbajë këtë pozitë, sepse mund të jesh para-mijëvjeçarist dhe të besosh që qiejt e rinj dhe toka e re nuk do të vijnë deri pas gjykimit përfundimtar). Në fillim të kësaj kohe, Satani do të lidhet dhe do të flaket në humnerë në mënyrë që të mos ketë ndikim në tokë gjatë mijëvjeçarit (Zbu. 20:1–3).

Sipas pikëpamjes para-mijëvjeçare, në fund të njëmijë vjetëve, Satani do të zgjidhet nga humnera dhe do të bashkojë forcat me shumë jobesimtarë të cilat i janë nënshtruar për së jashtmi mbretërimit të Krishtit, por që për së brendshmi kanë qenë duke vluar në rebelim ndaj Tij. Satani do t’i mbledhë këta njerëz kryeneçë për betejë kundër Krishtit, por ata do të mposhten përfundimisht. Krishti pastaj do të ngjallë të tërë jobesimtarët të cilët kanë vdekur përgjatë historisë, dhe ata do të qëndrojnë përpara Tij për gjykimin përfundimtar. Pasi të jetë kryer gjykimi përfundimtar, besimtarët do të hyjnë në gjendjen e përjetshme.

Duket se para-mijëvjeçarizmi ka patur prirjen të bëhet më i mirënjohur ndërkohë që kisha ka përjetuar përndjekje, dhe ndërkohë që vuajtjet dhe e keqja janë shtuar në tokë. Por, si në rastin e pas-mijëvjeçarizmit, argumentet për pozitën para-mijëjveçare nuk bazohen tek vëzhgimi i ngjarjeve të tanishme, por tek pasazhe specifike të Shkrimit, veçanërisht (por jo ekskluzivisht) “Zbulesa” 20:1–10.

b. Para-mijëvjeçarizmi para mundimor (ose Para-mijëvjeçarizmi dispensacional): Një larmi tjetër para-mijëvjeçarizmi ka fituar një popullaritet të gjerë në shekujt e nëntëmbëdhjetë dhe të njëzet, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara. Sipas kësaj pozite, Krishti do të kthehet jo vetëm përpara mijëvjeçarit (kthimi i Krishtit është para-mijëvjeçar), por gjithashtu do të ndodhë përpara mundimit të madh (kthimi i Krishtit është para-mundimor). Kjo pozitë është e ngjashme me pozitën klasike para-mijëvjeçare të përmendur më lart, por me një ndryshim të rëndësishëm: ajo do të shtojë një tjetër kthim të Krishtit përpara kthimit të Tij për të mbretëruar në tokë në mijëvjeçar. Ky kthim thuhet se është një kthim i fshehtë i Krishtit për t’i nxjerrë besimtarët nga bota.[28]3 Pikëpamja para-mundimore mund të paraqitet si në figurën 55.4.

KRISHTI

PARA-MIJËVJEÇARIZMI PARA-MUNDIMOR

KRISHTI VJEN PËRPARA

“Rrëmbimi” i besimtarëve

MIJËVJEÇARIT DHE

për të qenë me Krishtin

PËRPARA MUNDIMIT

  • 7 Vjet -

BES.   KRI

EPOKA E KISHËS

BES   BES

MIJËVJEÇARI

GJENDJA E PËRJETSHME

Ringjallja e besimtarëve

Ringjallja e jobesimtarëve

Gjykimi

Qielli i ri, toka e re

Figura 55.4: Para-mijëvjeçarimi para-mundimor

Sipas kësaj pikëpamjeje, epoka e kishës do të vazhdojë derisa papritur, befas dhe fshehtas, Krishti do të kthehet deri në afërsi të tokës, dhe pastaj do të marrë tërë besimtarët tek Vetja: “të vdekurit në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që mbetemi, do të rrëmbehemi njëkohësisht në retë me ata, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin” (1 Thes. 4:16–17). Krishti pastaj do të kthehet në qiell me besimtarët të cilët janë hequr nga toka. Kur kjo të ndodhë, do të ketë një mundim të madh në tokë për një periudhë shtatë vjeçare.[29]4

Gjatë kësaj periudhe shtatë vjeçare mundimesh, shumë prej shenjave të cilat u parashikuan se do t’i paraprinin kthimit të Krishtit, do të përmbushen.[30]5 Mbledhja e madhe brenda e plotësisë së popullit jude, do të ndodhë ndërkohë që ata i besojnë Krishtit si Mesi për ta. Në mesin e vuajtjeve të mëdha do të ketë shumë ungjillëzim efektiv, të kryer veçanërisht nga të krishterët e rinj judenj. Në fund të mundimeve, Krishti pastaj do të kthehet me shenjtorët e Tij për të mbretëruar në tokë për një mijë vjet. Pas kësaj periudhe mijëvjeçare, do të ketë një rebelim i cili do të çojë në mposhtjen përfundimtare të Satanit dhe forcave të tij, dhe pastaj do të vijë ringjallja e jobesimtarëve, gjykimi i fundit, si dhe fillimi i gjendjes së përjetshme.

Duhet të përmendet edhe një karakteristikë e mëtejshme e para-mijëvjeçarizmit para-mundimor: Kjo pikëpamje gjendet pothuajse në mënyrë ekskluzive ndër dispensacionalistët të cilët dëshirojnë të ruajnë një dallim të qartë mes kishës dhe Izraelit. Ky këndvështrim para-mundimor, lejon ruajtjen e dallimit përderisa kisha është hequr nga bota përpara kthimit në masë në besim të popullit jude. Këta judenj, për rrjedhojë mbeten një grup i veçantë nga kisha. Një karakteristikë tjetër e para-mijëvjeçarizmit para-mundimor është këmbëngulja e tij në interpretimin e profecive biblike “me kuptim të drejtpërdrejtë atje ku është e mundur.” Kjo gjen veçanërisht zbatim tek profecitë e Besëlidhjes së Vjetër në lidhje me Izraelin. Ata të cilët kanë këtë pikëpamje, thonë se ato profeci të bekimeve të ardhshme prej Perëndisë ndaj Izraelit, do të përmbushen gjithsesi ndër popullin jude vetë. Ato nuk duhet të “spiritualizohen” duke e gjetur përmbushjen e tyre tek kisha. Së fundi, një tipar tërheqës rreth para-mijëvjeçarizimit para-mundimor, është që ai i lejon njerëzit të këmbëngulin që kthimi i Krishtit mund të ndodhë “nga çasti në çast” dhe për rrjedhojë i jep hakën forcës së plotë të pasazheve të cilat na inkurajojnë për të qenë gati për kthimin e Krishtit, ndërkohë që ende lejon për një përmbushje të drejtpërdrejtë të shenjave që i paraprijnë kthimit të Krishtit, përderisa thotë se këto do të ndodhin gjatë mundimit të madh.

Përpara shqyrtimit të argumenteve për këto tre (ose katër) pozita, është e rëndësishme që të kuptojmë se interpretimi i hollësive të pasazheve profetike në lidhje me ngjarjet e ardhshme, shpesh herë është një detyrë komplekse dhe e vështirë, e cila përfshin shumë faktorë të ndryshueshëm. Për rrjedhojë, shkalla e sigurisë e cila i bashkëngjitet përfundimeve tona në këtë fushë, do të jetë më e vogël sesa me shumë doktrina të tjera. Paçka se unë do të mbështes një pozitë (para-mijëvjeçarizmin klasik), unë mendoj se është gjithashtu e rëndësishme për ungjillorët të kuptojnë se kjo fushë studimi është e ndërlikuar dhe t’u ofrojnë një masë të madhe hiri të tjerëve të cilët kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me mijëvjeçarin dhe periudhën e mundimit të madh.

B. Një shqyrtim i argumenteve për jomijëvjeçarizmin

Në favor të pikëpamjes jomijëvjeçariste, janë parashtruar argumentet e mëposhtëm:

1. Kur e shikojmë të tërë Biblën, jomijëvjeçaristët do të thonë: Vetëm një pasazh (Zbu. 20:1–6) duket se na mëson një mbretërim të ardhshëm tokësor njëmijë vjeçar të Krishtit, dhe ai pasazh vetë është i mjegullt. Është mungesë mençurie që një doktrinë të tillë madhore ta bazojmë në vetëm një pasazh që ka një interpretim të paqartë dhe subjekt gjerësisht polemikash.

Por si e kuptojnë jomijëvjeçaristët “Zbulesën” 20:1–6? Interpretimi jomijëvjeçarist e shikon këtë pasazh si me referencë ndaj epokës së tanishme të kishës. Pasazhi është ky që vijon:

Dhe pashë një engjëll që zbriste nga qielli, duke pasur çelësin e humnerës dhe një zinxhir të madh në dorën e tij. Dhe e kapi dragoin, gjarprin e lashtë, që është djalli dhe Satani, dhe e lidhi për një mijë vjet dhe e hodhi atë në humnerë, dhe e mbylli atë dhe vulosi mbi të, që të mos i mashtrojë më kombet, derisa të përfundohen të një mijë vjetët; pas këtyre ai duhet zgjidhur për pak kohë.

Dhe pashë frone, dhe ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha të gjykojnë edhe pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për hir të dëshmisë së Jezusit dhe për hir të fjalës së Perëndisë, dhe të cilët nuk e kishin adhuruar bishën, dhe as figurën e saj dhe nuk kishin marrë damkë mbi ballin e tyre dhe në dorën e tyre. Dhe u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet. Por të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë derisa të mbusheshin të një mijë vjetët. Kjo është ringjallja e parë. I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ngjalljen e parë. Mbi ata, vdekja e dytë nuk ka pushtet, por do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet.

Sipas interpretimit jomijëvjeçarist[31]6 lidhja e Satanit në vargjet 1–2 është lidhja e cila ndodhi gjatë shërbesës tokësore të Jezusit. Ai foli për lidhjen e të fortit në mënyrë që Ai të mund t’ia plaçkitë shtëpinë (Mat. 12:29) dhe Ai tha se Fryma e Perëndisë qe në atë kohë e pranishme me fuqi për të ngadhënjyer mbi forcat demonike: “Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me anë të Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj” (Mat. 12:28). Po kështu, në lidhje me thyerjen e fuqisë së Satanit, gjatë shërbesës së Tij, Jezusi tha: “Unë e shikoja Satanin që po binte nga qielli si një rrufe” (Luka 10:18).

Jomijëvjeçaristi thotë se lidhja e Satanit tek “Zbulesa” 20:1–3 bëhet për një qëllim specifik: “që të mos i mashtrojë më kombet” (v. 3). Kjo është ekzaktësisht ajo që ndodhi kur Jezusi erdhi dhe ungjilli filloi të shpallej jo thjesht ndaj judenjve, por, pas Rrëshajës, ndaj të tëra kombeve të botës. Në fakt, veprimtaria mbarë-botërore misionare e kishës, si dhe prania e kishës në pjesën më të madhe ose në të tëra kombet e botës, tregon se fuqia që Satani kishte në Besëlidhjen e Vjetër për të “mashtruar kombet” dhe për t’i mbajtur ato në errësirë, është thyer.

Sipas pikëpamjes jomijëvjeçariste, skena e përshkruar në vargun 4 zhvillohet në qiell: Gjoni tha: “pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për hir të dëshmisë së Jezusit ... u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet” (v. 4). Përderisa Gjoni shikon “shpirtra” dhe jo trupa fizikë, është argumentuar se kjo skenë duhet të jetë duke ndodhur në qiell. Kur teksti thotë se “u kthyen në jetë,” me këtë nuk do që të thotë se ata morën një ringjallje trupore. Me shumë mundësi thjesht do të thotë se “ata jetonin,” përderisa forma foljore aoriste ἔζησαο (nga ζάω, G2409) mundet që fare mirë të interpretohet si një deklaratë e një ngjarjeje e cila ndodhi përgjatë një periudhe të gjatë kohore. (Folja e përdorur për “mbretëruan” është gjithashtu një dëftore aoriste dhe i referohet një ngjarjeje mbi njëmijë vjeçare, kështu që folja “u kthyen në jetë” duhet të ketë një kuptim të ngjashëm.) Nga ana tjetër, disa interpretues jomijëvjeçaristë, do ta merrnin foljen ἔζησαο që do të thotë “ata erdhën në jetë” me kuptimin e ardhjes në ekzistencën qiellore në praninë e Krishtit si dhe me fillimin e mbretërimit me Të nga qielli.

Sipas kësaj pikëpamjeje, fraza “ringjallja e parë” (v. 5) i referohet vajtjes në qiell për të qenë me Zotin. Kjo nuk është një ringjallje trupore por një ardhje në praninë e Perëndisë në qiell. Në mënyrë të ngjashme, kur vargu 5 thotë: “të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë derisa të mbusheshin të një mijë vjetët”, kjo merret me kuptimin që ata nuk hynë në praninë e Perëndisë për gjykim deri sa erdhi fundi i mijëvjeçarit. Kështu, në të dyja vargjet 4 dhe 5, fraza “u kthyen në jetë” do të thotë “të hysh në praninë e Perëndisë.” (Një pikëpamje tjetër jomijëvjeçariste për “ringjalljen e parë” është se ajo i referohet ringjalljes së Krishtit dhe pjesëmarrjes së besimtarëve në ringjalljen e Krishti përmes bashkimit me Krishtin.)

2. Një argument i dytë shpesh i propozuar në favor të jomijëveçarizmit, është fakti që Shkrimi na jep mësim vetëm një ringjallje kur si besimtarët ashtu edhe jobesimtarët do të ngjallen, jo dy ringjallje (një ringjallje e besimtarëve përpara se të fillojë mijëvjeçari, dhe një ringjallje të jobesimtarëve për t’u gjykuar pas fundit të mijëvjeçarit). Ky është një argument i rëndësishëm, për shkak se pikëpamja para-mijëvjeçare kërkon dy ringjallje të veçanta, të ndara nga njëmijë vjet.

Provat në favor të një ringjallje të vetme, gjenden në tre pasazhet e fundit. Jezusi thotë: “po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij dhe do të dalin prej tyre ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e gjyqit” (Gjoni 5:28–29). Këtu Jezusi flet për një “orë” të vetme kur si besimtarët, ashtu edhe jobesimtarët do të dalin nga varret. Në mënyrë të ngjashme, kur Pali është në gjyq përpara Feliksit ai shpjegon se ka shpresë në Perëndinë që kundërshtarët e tij judenj do të pranojnë gjithashtu “do të ketë një ringjallje të të vdekurve, qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve” (Veprat 24:15). Edhe një herë, ai flet për një ringjallje të vetme si të besimtarëve, ashtu edhe të jobesimtarëve. Së fundi, lexojmë tek Danieli: “Shumë nga ata që flenë në pluhurin e tokës do të zgjohen, disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të përjetshme” (Dan. 12:2).

3. Ideja e besimtarëve të përlëvduarve dhe e mëkatarëve që jetojnë së bashku në tokë, është tepër e vështirë për t’u pranuar. Berkhofi thotë: “Është e pamundur të kuptojmë se si një pjesë e tokës së vjetër dhe e njerëzimit mëkatar, mund të ekzistojë krahas tokës së re dhe një njerëzimi që përlëvdohet. Si do munden shenjtorët e përsosur në trupa të përlëvduar të kenë bashkësi me mëkatarët në mish? Si do munden mëkatarët e përlëvduar të jetojnë në këtë atmosferë të ngarkuar me mëkat dhe mes skenave të vdekjes dhe kalbjes?”[32]7

4. Nëse Krishti vjen në lavdi për të mbretëruar në tokë, atëherë si do munden njerëzit të vazhdojnë në mëkat? Sapo Jezusi të jetë faktikisht i pranishëm në trupin e Tij të ringjallur, dhe të mbretërojë si Mbret mbi botë, a nuk duket si shumë pa gjasa që njerëzit të vazhdojnë ta refuzojë, dhe që e keqja dhe rebelimi të shtohen në tokë derisa si përfundim Satani të mund t’i mbledhë kombet për betejë kundër Krishtit?[33]8

5. Duket se për një mijëvjeçar të tillë nuk ekziston një qëllim bindës. Pasi epoka e kishës të ketë përfunduar dhe Krishti të jetë kthyer, cila do të ishte arsyeja për vonimin e nisjes së gjendjes së përjetshme?

6. Si përfundim, jomijëvjeçaristët thonë se Shkrimi duket se nënkupton që të tëra ngjarjet madhore që do të vijnë përpara gjendjes së përjetshme, do të ndodhin të tëra njëherësh. Krishti do të kthehet, do të ketë një ringjallje të besimtarëve dhe jobesimtarëve, gjykimi përfundimtar do të ndodhë, dhe një qiell i ri dhe tokë e re do të krijohen. Atëherë ne do të hyjmë menjëherë në gjendjen e përjetshme, pa një mijëvjeçar të ardhshëm.[34]9

Në këtë pikë, ne mund t’i përgjigjemi shkurtimisht këtyre argumenteve jomijëvjeçaristë, paçka se në disa pika, një përgjigje më e plotë do të parashtrohet mbi bazën e argumenteve për para-mijëvjeçarizmin.

1. Si përgjigje ndaj kundërshtimit që ka vetëm një pasazh i cili jep mësim një mijëvjeçar të ardhshëm tokësor, mund të jepen një sërë komentesh:

a. Mjafton që Bibla ta thotë një gjë vetëm një herë që ajo të quhet e vërtetë dhe diçka që ne duhet ta besojmë. Historia e ngatërrimit të gjuhëve në kullën e Babelit për shembull, jepet mësim vetëm tek “Zanafilla” 11:1–9, e megjithatë, ne e besojmë si të vërtetë sepse është Shkrimi që na e mëson. Në mënyrë të ngjashme, edhe nëse një pasazh i vetëm do të na mësonte për mbretërimin e ardhshëm njëmijë vjeçar të Krishtit, ne do ta besonim gjithsesi.

Për më tepër, nuk është për t’u habitur që kjo doktrinë të na mësohet qartësisht në librin e “Zbulesës”. Kishte pak a shumë një situatë të ngjashme në fund të epokës së Besëlidhjes së Vjetër. E tërë Besëlidhja e Vjetër nuk ka një mësim të hollësishëm në lidhje me Mesinë që do të vinte dy herë, një herë si Mesia i vuajtur që do të vdiste dhe ringjallej duke fituar shpëtimin tonë, dhe më pas si një Mbret ngadhënjimtar për të mbretëruar mbi botën. Ardhja e parë dhe e dytë e Krishtit mund të aludohet tek profetët e Besëlidhjes së Vjetër, por ato nuk jepen asgjëkund shkoqur mësim, për shkak se Perëndia nuk e pa të nevojshme që të zbulonte atë masë hollësish rreth planit të Tij të shpengimit përpara se të ndodhte. Në mënyrë të ngjashme, në një sërë librash të Besëlidhjes së Vjetër dhe asaj të Re deri në kohën e shkrimit të “Zbulesës”, ka aludime rreth një mijëvjeçari të ardhshëm tokësor përpara gjendjes së përjetshme, por mësimi i shkoqur rreth tij u la deri kur Gjoni shkroi “Zbulesën”. Përderisa “Zbulesa” është libër i Besëlidhjes së Re i cili në mënyrë më të shkoqur na mëson rreth gjërave të ardhshme, është me vend që kjo zbulesë më e shkoqur e mijëvjeçarit të ardhshëm të vihej në këtë pikë të Biblës.

b. Si përgjigje ndaj supozimeve se pasazhi i cili jep mësim një mijëvjeçar është i mjegullt, para-mijëvjeçaristët thonë se ata nuk e shikojnë aspak të mjegullt. Ata thonë se një përparësi e pozitës para-mijëvjeçariste, është që e merr “Zbulesën” 20:1–6 me një kuptim të drejtpërdrejtë: teksti thotë që Satani do të lidhet dhe do të hidhet në humnerë për një mijë vjet, ndërkohë që para-mijëvjeçaristi thotë se po vjen koha kur Satani do të lidhet dhe do të hidhet në një humnerë për një mijë vjet. Teksti flet për një mbretërim njëmijë vjeçar të Krishtit, ndërkohë që para-mijëvjeçaristi pret një mbretërim të ardhshëm njëmijë vjeçar të Krishtit në tokë. Ai flet për ata që u ngritën në “ringjalljen e parë,” ndërkohë që para-mijëvjeçaristi thotë se do të ketë një ringjallje të parë të besimtarëve të cilët janë “të lum dhe të shenjtë” (Zbu. 20:6) dhe një ringjallje të dytë në fund të njëmijë vjetëve për “të vdekurit e tjerë” (v. 5). Sipas para-mijëvjeçaristëve, “paqartësia” hyn në pasazh vetëm atëherë kur interpretuesi përpiqet që të gjejë në të diçka ndryshe nga interpretimi i drejtpërdrejtë.

c. Së fundi, shumë para-mijëvjeçaristë janë të mendimit se një sërë pasazhesh të tjerë, veçanërisht në Besëlidhjen e Vjetër, kërkojnë prej nesh që të besojmë në një periudhë të ardhshme që është shumë më e madhe sesa epoka e tanishme, por kjo ende nuk ka të krahasuar me gjendjen e përjetshme (shiko Ps. 72:8–14; Isa. 11:2–9; 65:20; Zak. 14:6–21; 1 Kor. 15:24; Zbu. 2:27; 12:5; 19:15).[35]10 Këto pasazhe, thonë ata, portretizojnë një periudhë e cila i përngjan shumë mijëvjeçarit, në mënyrën se si e kuptojnë ata.

d. Në lidhje me interpretimin e “Zbulesës” 20:1–6 ashtu sikurse paraqitet nga jomijëvjeçaristët, ngrihen shumë vështirësi. Paçka se “Mateu” 12:28–29 dhe “Luka” 10:18 vërtetë flasin për një “lidhje” të Satanit gjatë shërbesës tokësore të Jezusit, lidhja e Satanit e përshkruar tek “Zbulesa” 20 duket se është shumë më e zgjeruar se kaq. Pasazhi nuk është se thjesht thotë që Satani është lidhur në këtë kohë, por flet për “humnerën” dhe thotë se engjëlli që zbriti nga qielli “e hodhi atë në humnerë, dhe e mbylli atë dhe vulosi mbi të, që të mos i mashtrojë më kombet, derisa të përfundohen të një mijë vjetët” (Zbu. 20:2–3). Këtu del në pah një veprimtari që është më tepër sesa thjesht një lidhje ose kufizim. Pamja e flakjes së Satanit në një humnerë dhe mbyllja dhe vulosja mbi të, paraqet një pamje të largimit tërësor të ndikimit të tij në tokë. Të thuash që Satani është tani në një humnerë të mbyllur dhe e vulosur përmbi, thjesht nuk përkon me situatën e botës së tanishme gjatë epokës së kishës, në të cilën veprimtaria e Satanit është ende shumë e fortë, e në të cilën ai “sillet rreth e qark si një luan vrumbullues duke kërkuar cilin mund të përpijë” (1 Pjetrit 5:8), në të cilën ai mund ta mbushë zemrën e dikujt që “të gënjejë Frymën e Shenjtë” (Veprat 5:3), dhe në të cilën “gjërat, që flijojnë paganët, ua flijojnë demonëve dhe jo Perëndisë” (1 Kor. 10:20).

Për më tepër, edhe pas lidhjes së Satanit gjatë shërbesës së Jezusit, mbetet e vërtetë që “perëndia i kësaj bote ua verboi mendimet e atyre që nuk besojnë, që drita e ungjillit të lavdisë së Krishtit, që është shëmbëllimi i Perëndisë, të mos ndriçojë tek ata” (2 Kor. 4:4). Kjo është arsyeja përse të krishterët duhet të përpiqen që të mos luftojnë “kundër gjakut dhe mishit, por kundër principatave, kundër pushteteve, kundër sunduesve të përbotshëm të errësirës së kësaj jete, kundër frymërave të liga në vendet qiellore” (Efe. 6:12). Kjo ndodh për shkak se edhe gjatë epokës së kishës, paçka se ungjilli është në gjendje që të vijë ngadhënjimtar dhe të thyejë forcat e shtypjes demonike me qëllim përhapjen e mbretërisë së Perëndisë, gjithsesi, ndikimi i Satanit nuk është hequr tërësisht nga bota: “fryma e antikrishtit ... tani është në botë” (1 Gjonit 4:3), dhe në fakt, “Ne dimë se jemi prej Perëndisë dhe se gjithë bota gjendet në ligësi” (1 Gjonit 5:19). Kjo temë e përsëritur në Besëlidhjen e Re, tema e veprimtarisë së vazhduar të Satanit në tokë përgjatë gjithë epokës së kishës, e bën tejet të vështirë të mendojmë që Satani është flakur në humnerë, dhe që ai është mbyllur dhe vulosur përmbi për njëmijë vjet. Kjo tablo mund të bëjë fjalë vetëm për largimin plotësisht të ndikimit aktiv të Satanit nga toka.

Por çfarë mund të thuhet në lidhje me faktin që jomijëvjeçaristët thonë që lidhja dhe burgosja e Satanit tek “Zbulesa” 20 thuhet të jetë “që të mos i mashtrojë më kombet” (v. 3)? A nuk do të thotë thjesht kjo gjë që ungjilli tani mund të predikohet në mënyrë efikase ndër kombet? Paçka se kjo frazë mund të ketë këtë kuptim, duket më e përputhshme me përdorimin e fjalës mashtroj (Gr. πλανάω, G4414), veçanërisht tek “Zbulesa”, po të themi se ky është një mashtrim i cili tani po zgjatet përgjatë gjithë epokës së kishës dhe që përfundon atëherë kur fillon mijëvjeçari. Satani quhet ai “që mashtron gjithë botën” (Zbu. 12:9) dhe magjia e Babilonisë thuhet se ka “mashtruar” të “gjithë kombet” përpara se gjykimi i saj të kryhet (Zbu. 18:23).[36]11 Për rrjedhojë, duket më me vend të themi që Satani tani është ende duke i mashtruar kombet, por në fillim të mijëvjeçarit, ky ndikim mashtrues do të hiqet. Pati një mashtrim edhe më të madh përpara se të vinte Krishti, por ka ende një mashtrim të ndjeshëm që ndodh sot.

Fakti që Gjoni pa “shpirtra” në vegimin e tij, nuk kërkon që kjo skenë të jetë duke u zhvilluar në qiell. Përderisa këto shpirtra janë persona të cilët në atë kohë “u kthyen në jetë” në “ringjalljen e parë” këta ne duhet t’i shikojmë si njerëz të cilët përfituan trupa të ringjallur dhe që filluan të mbretërojnë në tokë. Për më tepër, “Zbulesa” 20:1 tregon se kjo skenë është përqendruar tek ngjarjet në tokë, sepse thotë: “Dhe pashë një engjëll që zbriste nga qielli.” Por nëse engjëlli zbriste nga qielli, atëherë veprimtarinë e tij ai e zhvillon në tokë, dhe e tërë kjo skenë zhvillohet në tokë.

Disa jomijëvjeçaristë thonë se fraza “u kthyen në jetë” i referohet ardhjes në ekzistencë qiellore ose ardhjes në praninë e Perëndisë. Por, duhet shtruar pyetja: Ku e merr termi në greqisht ζάω (G2409, “jetoj”) ndonjëherë atë kuptim? Nuk ka asnjë shembull tjetër të asaj fjale në Besëlidhjen e Re që të marrë atë kuptim: “hynë në praninë e Perëndisë.”

Për më tepër, interpretimet jomijëvjeçariste të frazës “ringjallja e parë” janë jo bindëse. Fjala ringjallje (Gr. ἀνάστασις, G414) nuk ka asgjëkund tjetër kuptimin e “vajtjes në qiell” ose “shkuarjes në praninë e Perëndisë,” por më tepër nënkupton një trup të ringjallur. Ky është kuptimi me të cilin lexuesit e shekullit të parë do ta kishin marrë këtë fjalë. Pikëpamja tjetër jomijëvjeçariste, e cila e kupton “ringjallja e parë” si ringjalljen e Krishtit (dhe bashkimin tonë me Të) nuk duket se ka gjasa, për shkak se ata të cilët “u kthyen në jetë” janë ata të cilëve “u ishin prerë kokat për hir të dëshmisë së Jezusit” (v. 4), gjë që sugjeron një ringjallje trupore pas vdekjes.[37]12

2. A na mëson Shkrimi vetëm një ringjallje, pra që besimtarët dhe jobesimtarët do të ringjallen në të njëjtën kohë? A është e vështirë që ta pranojmë këtë kur e kuptojmë që “Zbulesa” 20 flet në mënyrë të shkoqur për “ringjalljen e parë,” duke nënkuptuar se do të ketë edhe një ringjallje të dytë? Duke folur për ata që erdhën në jetë dhe mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet, lexojmë: “Kjo është ringjallja e parë. I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ngjalljen e parë. Mbi ata, vdekja e dytë nuk ka pushtet,” (vgj. 5–6). Ky pasazh bën një dallim mes atyre që marrin pjesë në ringjalljen e parë dhe që janë bekuar, nga të tjerë që nuk marrin pjesë në të. Ata janë “të vdekurit e tjerë” dhe rrjedhoja është se “vdekja e dytë” (e cila është përballja me gjykimin përfundimtar dhe të qenurit të dënuar për ndëshkim të përjetshëm larg pranisë së Perëndisë) ka pushtet mbi ta, dhe ata do ta përjetojnë atë. Por nëse ky pasazh na mëson në mënyrë të qartë një ringjallje të parë, dhe fakti që pjesa tjetër e të vdekurve do vijë në jetë në fund të njëmijë vjetëve, tregon se ka një mësim të qartë mbi dy ringjalljet e veçanta këtu tek “Zbulesa” 20.

Sa për pasazhet e tjera të cilat jomijëvjeçaristët pretendojnë se mbështetin pikëpamjen sipas të cilët ka vetëm një ringjallje, duhet thënë se ato pasazhe nuk e përjashtojnë idenë e dy ringjalljeve, por ato thjesht nuk specifikojnë nëse ringjallja e besimtarëve dhe jobesimtarëve do të ndodhë ose jo në kohë të ndryshme. Në fakt, deklarata e Jezusit tek “Gjoni” 5, të lë të kuptosh mundësinë e dy ringjalljeve. Ai thotë se ata që janë në varre do të dalin, “ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e gjyqit” (Gjoni 5:28-29). Në këtë mënyrë, Jezusi në fakt flet për dy ringjallje të ndryshme.[38]13

Sa për “Danielin” 12:2, ai thjesht thotë se ata që flenë në pluhurin e tokës, do të zgjohen, “disa në një jetë të përjetshme, të tjerë në turpin dhe në poshtërsi të përjetshme,” por nuk specifikon nëse kjo do të ndodhë njëherësh ose në kohë të ndryshme. Thjesht thotë se të dy llojet e njerëzve do të ringjallen. E njëjta gjë vlen të thuhet për “Veprat” 24:15, ku Pali thotë se do të ketë “një ringjallje ... qoftë të të drejtëve, qoftë të të padrejtëve.” Kjo pohon faktin që të dy llojet e njerëzve do të ngjallen, por nuk e përjashton mundësinë që kjo të ndodhë në kohë të ndryshme. Të tërë këto vargje, në mungesë të “Zbulesës” 20:5–6, mundet por edhe nuk mundet të jenë duke folur për një ngjarje të vetme kohore të ringjalljes. Gjithsesi, mbi bazën e mësimit të shkoqur prej “Zbulesës” 20:5–6 rreth dy ringjalljeve, këto vargje duhen kuptuar se i referohen sigurisë për ndodhjen në të ardhmen të një ringjallje për cilindo lloj personi, pa specifikuar që ato ringjallje do të ndahen ose jo në kohë.

3. Ideja e besimtarëve të përlëvduar si dhe e mëkatarëve të cilët jetojnë së bashku në tokë gjatë mijëvjeçarit, neve na duket e çuditshme tani, por padyshim që nuk është e pamundur për Perëndinë që ta realizojë atë. Ne duhet të kuptojmë se Jezusi jetoi në tokë me një trup të përlëvduar për dyzet ditë pas ringjalljes së Tij, dhe dukshëm që kishte edhe shumë shenjtorë të tjerë të Besëlidhjes së Vjetër të cilët jetuan me trupa të përlëvduar në tokë gjatë asaj kohe (Mat. 27:53).[39]14 Me të vërtetë që do të jetë një lloj situate në botë e cila është shumë ndryshe dhe shumë më tepër përlëvduese e Perëndisë nga ç’është bota tani, por nuk duket se ne jemi të justifikuar në shpalljen që Perëndia nuk mundet e as nuk do të shkaktonte një gjendje të tillë. Padyshim që Ai do të mundte, dhe ka një sërë pasazhesh të cilat duket se lënë të kuptohet se Ai ka një qëllim dhe synime të mira në të bërin mirë ndaj nesh.

4. Pa dyshim që nuk është e pamundur që një rebelim i keq dhe i fshehtë të mund të vazhdojë në tokë pavarësisht pranisë trupore të Krishtit që mbretëron si Mbret. Ne duhet të mos harrojmë që Juda jetoi për tre vjet me Jezusin në mënyrën më të afërt të mundshme, dhe megjithëkëtë e tradhtoi Atë. Për më tepër, shumë farisenj i panë mrekullitë e Jezusit, dhe madje e panë Atë tek ringjallte njerëz, e megjithatë nuk besuan. Në fakt, edhe kur dishepujt ishin në praninë e Zotit Jezus të përlëvduar, lexojmë që “disa dyshuan” (Mat. 28:17). Një mosbesim i tillë i vazhdueshëm në pikërisht praninë e Krishtit, është i vështirë për t’u kuptuar, por ne duhet të mos harrojmë që Satani vetë ra nga pozita e përlartësuar në praninë e Perëndisë në qiell.

Kur jomijëvjeçaristët kundërshtojnë duke thënë se njerëzit nuk do mund të vazhdonin në mëkat në praninë e mbretërimit trupor të Krishtit në tokë, pozita e tyre thjesht nuk arrin të kuptojë natyrën e rrënjosur thellë dhe tejet irracionale të mëkatit. Gjithashtu ajo nuk arrin të kuptojë aspak faktin që madje edhe “prova masive” dhe “prova të pamohueshme” nuk mund të shkaktojnë me detyrim një kthim të mirëfilltë në besim. Pendesa e mirëfilltë dhe besimi shkaktohet nga puna aftësuese dhe bindëse e Frymës së Shenjtë në zemrat e njerëzve. Natyra irracionale e mëkatit është e atillë saqë ata të cilët janë “të vdekur në shkelje dhe në mëkate” shpesh do të vazhdojnë në rebelim dhe mosbesim edhe kur gjenden përballë një morie provash për të kundërtën.[40]15

Me këtë nuk dua të them që askush nuk do të kthehet në besim tek Krishti gjatë mijëvjeçarit. Pa dyshim që miliona njerëz do të bëhen të krishterë gjatë asaj kohe, dhe ndikimi i mbretërimit të Krishtit do të depërtojë në çdo aspekt të çdo shoqërie në botë. Megjithatë, njëkohësisht, nuk është aspak e vështirë të kuptojmë se si e liga dhe rebelimi do të rriten njëherësh.

5. Perëndia mund të ketë një sërë qëllimesh në mendje për një mijëvjeçar të ardhshëm, dhe jo e gjitha kjo mund të jetë e qartë për ne. Por padyshim që një mijëvjeçar i tillë duhet të tregojë përforcimin e qëllimeve të mira të Perëndisë në strukturat e shoqërisë veçanërisht në strukturat e familjes dhe qeverisë civile. Gjatë epokës së kishës, qëllimet e mira të Perëndisë, shikohen në radhë të parë në jetët individuale si dhe në bekimet që mund të vijnë tek ata të cilët besojnë në Krishtin. Deri në një farë mase tani (dhe në një masë më të madhe në kohën e rizgjimit frymëror), kjo ndikon tek qeveria civile, institucionet arsimore dhe korporatat, dhe në një masë më të madhe ndikon tek familja. Por, në asnjë prej këtyre strukturave, qëllimet e mira të Perëndisë nuk manifestohen deri në atë masë që do mundeshin, sa që të tregojnë mençurinë e madhe të Perëndisë dhe mirësinë jo vetëm të planeve të Tij për individët, por gjithashtu për strukturat shoqërore. Gjatë mijëvjeçarit bukuria e mençurisë së Perëndisë do të shfaqet për lavdinë e Tij nga të tëra këto struktura shoqërore.

Për më tepër, mijëvjeçari do të përligjë edhe më tej drejtësinë e Perëndisë. Fakti që disa vazhdojnë në mëkat dhe mosbesim, do të tregojë se “rebelimi i mëkatshëm ndaj Perëndisë nuk është pasojë e një shoqërie të ligë ose të një mjedisi të keq. Ai është pasojë e mëkatshmërisë të zemrave të njerëzve. Kështu, drejtësia e Perëndisë do të përligjet plotësisht në ditën e gjykimit përfundimtar.”[41]16 Me Satanin e lidhur për njëmijë vjet, fakti që mëkati mund të vazhdojë do të tregojë gjithashtu se fajin më të madh për mëkatin nuk e ka ndikimi demonik në jetën e njerëzve por mëkatshmëria e rrënjosur thellë në zemrën e njerëzve.

Së treti, e tërë suaza e Biblës na zbulon se është kënaqësia e mirë e Perëndisë shpalosja e qëllimeve të Tij si dhe zbulimi gjithnjë e më tepër i lavdisë së Tij gradualisht me kalimin e kohës. Nga thirrja e Abrahamit e deri tek lindja e Isakut, udhëtimi në Egjipt dhe eksodi, ngulmimi i popullit në tokën e premtuar, mbretëria e Davidit si dhe mbretëria e ndarë e Izraelit, mërgimi dhe kthimi me rindërtimin e tempullit, ruajtja e një mbetjeje besnike si dhe përfundimisht ardhja e Jezusit në mish, qëllimet e Perëndisë u panë gjithnjë e me tepër të lavdishme dhe të mrekullueshme. Edhe në jetën e Jezusit, zbulimi në mënyrë progresive i lavdisë së Tij mori tridhjetetre vjet, duke kulmuar në tre vitet e fundit të jetës së Tij. Pastaj në vdekjen, ringjalljen dhe ngritjen në qiell të Jezusit, u realizua përfundimi i shpengimit tonë. Megjithatë, përhapja e kishës nëpër të tëra kombet, tani ka zënë mbi 1,900 vjet, dhe ne nuk e dimë se edhe sa do të vazhdojë. E them të tërë këtë për të thënë se mënyra e Perëndisë nuk është për të realizuar të tëra qëllimet e mira menjëherë, por për t’i shpallur ato gradualisht me kalimin e kohës. Kjo vlen të thuhet edhe për jetët individuale të të krishterëve të cilët rriten për çdo ditë në hir dhe në përbashkësi me Perëndinë si dhe në ngjasim me Krishtin. Për rrjedhojë, nuk do të ishte befasuese po qe se përpara gjendjes së përjetshme, Perëndia të caktonte një hap përfundimtar në shpalosjen progresive të historisë së shpengimit. Kjo do t’i shërbente rritjes së lavdisë së Tij ndërkohë që njerëzit dhe engjëjt shikojnë të mahnitur mrekullinë e mençurisë dhe planit të Perëndisë.

6. Si përfundim, një kundërshtim kryesor ndaj jomijëvjeçarizmit, duhet të vazhdojë të jetë fakti që mund të propozojnë një shpjegim jo vërtetë të kënaqshëm të “Zbulesës” 20.[42]17

C. Një shqyrtim i argumenteve për pas-mijëvjeçarizmin

Argumentet në favor të pas-mijëvjeçarizmit janë si vijon:

1. Porosia e Madhe na shtyn që të pranojmë se ungjilli do të dalë me fuqi në botë dhe si përfundim do të rezultojë në një botë gjerësisht të krishterë. Jezusi e tha shkoqur: “Mua më është dhënë çdo pushtet në qiell e në tokë. Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj të gjitha kombet duke i pagëzuar në emër të Atit e të Birit e të Frymës së Shenjtë, duke i mësuar të mbajnë të gjitha sa ju kam urdhëruar. Dhe ja, unë jam me ju gjithë ditët, deri në mbarim të botës. Amen” (Mat. 28:18–20). Përderisa Krishti ka të tërë autoritetin në qiell dhe në tokë, dhe përderisa Ai premton se do të jetë me ne në plotësimin e kësaj porosie, ne do të pritnim që ajo do të ngjasë pa pengesa dhe si përfundim do të triumfonte në të tërë botën.

2. Shëmbëlltyrat e rritjes graduale të mbretërisë, tregojnë se si përfundim ajo do të mbushë tokën me ndikimin e saj. Këtu, pas-mijëvjeçaristët do të tregonin për nga kjo që vijon:

U shtroi atyre një shëmbëlltyrë tjetër, duke thënë: «Mbretëria e qiejve i ngjan një kokrre sinapi, të cilën e merr një njeri dhe e mbjell në arën e vet. Ajo, pra, është më e vogla nga të gjitha farërat; por, kur rritet, është më e madhe se lakrat, dhe bëhet një pemë, aq sa zogjtë e qiellit vijnë dhe gjejnë strehë në degët e saj» (Mat. 13:31–32)

Ne mundet që të vërejmë edhe vargun e mëposhtëm: “U tha atyre një shëmbëlltyrë tjetër: «Mbretëria e qiejve i ngjan majasë që e mori një grua dhe e fshehu me tri masa miell derisa u mbrujt plotësisht»”’ (Mat. 13:33). Sipas pas-mijëvjeçaristëve, të dyja këto shëmbëlltyra tregojnë se mbretëria do ta shtojë ndikimin e saj derisa të depërtojë dhe në një farë mase të transformojë të tërë botën.

3. Pas-mijëvjeçaristët do të argumentojnë gjithashtu se bota po bëhet më tepër e krishterë. Kisha është duke u rritur dhe duke u përhapur nëpër botën mbarë, dhe edhe atëherë kur është e përndjekur dhe e shtypur, ajo rritet në mënyrë mbresëlënëse në sajë të fuqisë së Perëndisë.[43]18

Në këtë pikë, ne duhet të bëjmë një dallim shumë të rëndësishëm gjithsesi. “Mijëvjeçari” të cilin pas-mijëvjeçaristët besojnë, është shumë ndryshe nga “mijëvjeçari” për të cilin flasin para-mijëvjeçaristët. Në një farë kuptimi, ata madje as që po diskutojnë të njëjtën temë. Ndërkohë që para-mijëvjeçaristët falsin për një tokë të përtërirë me Jezus Krishtin të pranishëm fizikisht e që mbretëron si Mbret, së bashku me besimtarët e përlëvduar në trupa të ringjallur, pas-mijëvjeçaristët janë thjesht duke folur për një tokë me shumë, shumë të krishterë të cilët ndikojnë në shoqëri. Ata nuk parashikojnë një mijëvjeçar që konsiston në një tokë të përtërirë ose në shenjtorë të përlëvduar ose në Krishtin e pranishëm në formë trupore për të mbretëruar (sepse ata mendojnë se këto gjëra do të ndodhin vetëm pasi Krishti të kthehet për të inauguruar gjendjen e përjetshme).[44]19 Për rrjedhojë, i tërë diskutimi i mijëvjeçarit është më tepër sesa thjesht një diskutim i rrjedhës së ngjarjeve që e rrethojnë atë. Kjo gjithashtu përfshin një diferencë të ndjeshme mbi natyrën e vetë kësaj periudhe kohore.

Në fakt, paçka se unë nuk jam në dijeni për ndonjë që ta ketë bërë këtë, nuk do qe e pamundur për dikë që të ishte një pas-mijëvjeçarist dhe një para-mijëvjeçarist njëherësh, me dy kuptime të ndryshme të termit mijëvjeçar. Dikush do mund të ishte bindshëm pas-mijëvjeçarist dhe të mendonte se ungjilli do të shtonte ndikimin e tij derisa bota të ishte gjerësisht e krishterë, dhe se pastaj, Krishti do të kthehej dhe do të krijonte një mbretërim real tokësor, duke i ringjallur besimtarët në mënyrë që të mbretërojnë me Të në trupat e përlëvduar. Ose, nga ana tjetër, një para-mijëvjeçarist shumë optimist, mundet që në mënyrë bindëse të adoptojë shumë prej mësimeve pas-mijëvjeçariste rreth natyrës gjithnjë e më të madhe të krishterë të kësaj epoke të tanishme.[45]20

Në përgjigje ndaj argumenteve të pas-mijëveçarizmit, mund të parashtrohen argumentet e mëposhtme:

1. Porosia e Madhe flet me të vërtetë për autoritetin që jepet në dorën e Krishtit, por që nuk nënkupton domosdoshmërisht që Krishti do ta përdorë atë autoritet për të shkaktuar kthimin në besim të pjesës më të madhe të popullsisë së botës. Të thuash që autoriteti i Krishtit është i madh, është thjesht një mënyrë tjetër e të thënurit që fuqia e Perëndisë është e pafundme, gjë të cilën askush nuk e mohon. Por çështja është masa në të cilën Krishti do të përdorë fuqinë e Tij për të shkaktuar rrije numerike të kishës. Ne mund të supozojmë se Ai do ta përdorë në një masë të plotë dhe do të shkaktojë një krishterëzim të mbarë botës, por një supozim i tillë është thjesht kaq, një supozim. Ai nuk është i bazuar tek një provë specifike në Porosinë e Madhe ose në tekstet e tjera të cilat flasin për autoritetin dhe fuqinë e Krishtit në këtë epokë të tanishme.[46]21

2. Shëmbëlltyrat e farës së sinapit dhe e majasë, na tregojnë se mbretëria e Perëndisë do të rritet gradualisht nga diçka shumë e vogël në diçka shumë të madhe, por nuk na tregojnë masën në të cilën mbretëria do të rritet. Për shembull, shëmbëlltyra e farës së sinapit, nuk na thotë që pema u rrit aq sa u përhap në mbarë botën. Gjithashtu shëmbëlltyra e majasë, thjesht flet për rritjen graduale e cila depërton në shoqërinë (siç ka bërë tashmë kisha), por nuk thotë asgjë rreth shkallës ose efektit që ai ndikim ka (nuk na thotë për shembull nëse në fund 5 përqind e brumit qe ndikuar nga majaja dhe 95 e brumit jo, ose 20 përqind qe ndikuar nga majaja dhe 80  përqind jo, ose 60 përqind qe ndikuar nga majaja dhe 40 përqind jo, e kështu me radhë). Kësisoj ajo thjesht po e shtrin shëmbëlltyrën përtej qëllimit të synuar të saj, për ta bërë të thotë më shumë sesa mbretëria do të rritet gradualisht dhe si përfundim do të ketë një ndikim në çdo shoqëri në të cilën ajo mbillet.

3. Si përgjigje ndaj argumentit që bota po bëhet më e krishterë, duhet thënë se bota po bëhet gjithashtu më e ligë. Nuk ka asnjë student të historisë ose të shoqërisë moderne që do të thoshte se njerëzimi ka bërë një përparim të madh përgjatë shekujve në mposhtjen e thellësisë së perversitetit si dhe shtrirjen e imoralitetit që mbetet në zemrat e njerëzve. Në të vërtetë, modernizimi në shoqëritë perëndimore në shekullin e njëzet, është shoqëruar shpesh jo nga përmirësimet morale por nga një nivel i paprecedent i abuzimet me drogën, pabesnikërisë martesore, pornografisë, homoseksualizmit, rebelimit ndaj autoriteteve, besëtytnisë (në astrologji dhe lëvizjen e Epokës së Re), materializëm, lakmi, vjedhje dhe falsitetin në të folur. Edhe ndër të krishterët që shpallin besimin e tyre ka një provë të përsëritur të papërsosmërisë së madhe në jetën e krishterë, veçanërisht në fushat e moralit personal dhe thellësisë së intimitetit me Perëndinë. Edhe në vendet kur të krishterët besimtarë të Biblës përbëjnë segmente të mëdha të popullatës, gjithsesi një mbretërie tokësore mijëvjeçare nuk ndodh aspak.[47]22 Është e vërtetë që rritja e kishës si përqindje e popullsisë së botës ka qenë mbresëlënëse në dekadat e fundit,[48]23 dhe ne duhet të inkurajohemi shumë nga kjo gjë. Është e mundshme që ne një ditë të shikojmë një ndikim shumë më të madh të krishterimit të mirëfilltë ndër grupe të shumta shoqërore, dhe nëse kjo gjë do të ndodhte, do ta bënte pozitën pas-mijëvjeçariste të dukej më bindëse. Por ngjarje të tilla mund të kuptohen përbrenda një suaze para-mijëvjeçare ose jo-mijëvjeçare, kështu që vendimi përfundimtar në lidhje me këto pozita konkurruese duhet të merret përsëri nga interpretimi i teksteve përkatëse biblike.

4. Si përfundim, ne duhet të vërejmë se ka një sërë pasazhesh të Besëlidhjes së Re të cilat duket se mohojnë në mënyrë të shkoqur pozitën pas-mijëvjeçare. Jezusi tha: “Hyni përmes derës së ngushtë, sepse e gjerë është dera dhe e hapur është udha që të çon në humbje, dhe shumë janë ata që hyjnë nëpër të. Sepse e ngushtë është dera dhe e shtrënguar është udha që çon në jetë! Dhe pak janë ata që e gjejnë!” (Mat. 7:13–14). Në vend që të japim mësim që një shumicë e botës do të bëhet e krishterë, Jezusi duket këtu të jetë duke thënë se ata të cilët janë shpëtuar do të jenë “pak” në krahasim me “shumë” të cilët udhëtojnë drejt shkatërrimit të përjetshëm. Në mënyrë të ngjashme, Jezusi pyet: “kur të vijë Biri i njeriut, a do të gjejë besim mbi tokë?” (Luka 18:8), një pyetje e cila sugjeron që toka nuk do të mbushet me ata të cilët besojnë, por në fakt do të dominohet prej atyre të cilët nuk kanë besim.

Në kundërshtim me këtë pikëpamje që bota do të përmirësohet gjithnjë e më tepër ndërkohë që ndikimi i kishës rritet, Pali parashikon që përpara se Krishti të kthehet, “rebelimi” do ndodhë dhe “njeriu i mëkatit” do të zbulohet, “biri i humbjes” i cili “ulet në tempullin e Perëndisë si perëndi, duke e paraqitur veten se është perëndi” (2 Thes. 2:3–4).[49]24

Kur i shkruan Timoteut rreth ditëve të fundit, Pali thotë:

Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira, sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, mendjemëdhenj, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të pashenjtë, pa dashuri të natyrshme, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s'e duan të mirën, tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më shumë se perëndidashës, të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj. (2 Tim. 3:1–5)

Ai thotë më tej:

Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus, do të përndiqen, por njerëzit e ligj dhe mashtrues do të përparojnë për keq, duke gënjyer dhe duke u gënjyer vetë ... Sepse do të vijë koha kur njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, sipas ëndjeve të veta, do të mbledhin grumbull mësues për të gudulisur veshët dhe do t'i largojnë veshët nga e vërteta e do t'i kthejnë drejt përrallave. (2 Tim. 3:12–13; 4:3–4)

Si përfundim dhe ndoshta në mënyrë më bindëse, “Mateu” 24:15–31 flet për një mundim të madh i cili do t’i paraprijë kohës së kthimit të Krishtit:

Sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë! Dhe, po të mos shkurtoheshin ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por për shkak të të zgjedhurve, ato ditë do të shkurtohen ... Por, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, dhe yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen. Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe atëherë të gjitha fiset e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe. (Mat. 24:21–30)

Ky pasazh paraqet një botë jo të kristianizuar por një botë vuajtjesh të mëdha dhe ligësie, një mundim të madh që i tejkalon të tëra periudhat e mëparshme të vuajtjeve në tokë. Nuk thotë që shumica dërrmuese e botës do ta mirëpresë Krishtin kur të vijë, por më tepër se kur shenja e Birit të njeriut të shfaqet në qiell: “atëherë të gjitha fiset e dheut do të mbajnë zi” (Mat. 24:30).

Përderisa “Mateu” 24 është një pasazh i tillë i vështirë nga pikëpamja pas-mijëvjeçariste, ka patur një sërë përpjekjesh për ta shpjeguar jo si një parashikim i ngjarjeve të cilat do të ndodhin m’u përpara ardhjes së dytë të Krishtit, por më tepër si diçka e cila kryesisht u përmbush në shkatërrimin e Jerusalemit në vitin 70 mbas K.

Për ta mbështetur këtë interpretim, pas-mijëvjeçaristët e trajtojnë pjesën më të madhe të elementëve të “Mateut” 24:29–31 si simbolike:[50]25 errësimi i diellit dhe i hënës, rënia e yjeve nga qielli, tronditja e fuqive të qiejve, nuk duhen kuptuar si ngjarje me kuptim të drejtpërdrejtë por si një ilustrim për ardhjen e Perëndisë për të gjykuar. Një ilustrim i ngjashëm për gjykimin thuhet se gjendet tek “Ezekieli” 32:7; “Joeli” 2:10; dhe “Amosi” 8:9—por këto pasazhe thjesht flasin për gjykimet e errësirës, dhe nuk përmendin rënien e yjeve nga qielli ose tronditjen e fuqive të qiejve. R.T. France përmend gjithashtu “Isaian” 13:10 dhe 34:4, të cilat flasin vërtetë për diellin dhe hënën që errësohen dhe që trupat qiellorë do të bien, por është larg të qenurit e sigurt që France është i saktë në pretendimin se këto pasazhe janë thjesht simbolike. Ato janë vënë në kontekste në të cilat ato do mund të kuptoheshin lehtësisht si parashikime të drejtpërdrejta të ndryshimeve kozmike të cilat i paraprijnë gjykimit përfundimtar. Kështu që nuk është aspak e dukshme që këto pasazhe janë thjesht ilustrime apokaliptike për gjykimin ndaj Jerusalemit.[51]26

Për më tepër, interpretimi i cili i shikon këto si deklarata thjesht simbolike, bëhet më i vështirë pasi deklarata e Jezusit vazhdon, sepse ai nuk flet vetëm për shenja në diell, hënë dhe yje, por Ai menjëherë pas kësaj thotë se: “atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut ... dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe” (Mat. 24:30). Në përputhje me interpretimin simbolik të mëparshëm të këtij pasazhi, France thotë se “të gjitha fiset e dheut” i referohet judenjve d.m.th. “të gjitha fiset (familjet) e dheut,”[52]27 d.m.th. tokës së Izraelit. Gjithashtu, ai thotë se referenca ndaj Birit të njeriut që vjen nga retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe, nuk i referohet kthimit të Krishtit, por ardhjes së Tij tek Ati në qiell “për të marrë përligjje dhe autoritet.”[53]28 France citon me aprovim deklaratën e G.B. Caird, i cili thotë se “ardhja e Birit të njeriut me retë e qiellit nuk u konceptua kurë si një formë primitive udhëtimi në distancë, por si një simbol për kthimin e fatit brenda historisë në të tëra nivelet kombëtare.”[54]29 Pastaj, dërgimi i engjëjve të Krishtit me një thirrje të fortë me bori për të mbledhur të zgjedhurit e Tij nga njëri skaj i qiellit tek tjetri, kuptohet si referencë ndaj lajmëtarëve të cilët predikojnë ungjillin nëpër botë. Mbledhja e të zgjedhurve atëherë është mbledhja e tyre në kishë përmes predikimit të ungjillit.

Sidoqoftë, mbi bazën e këtij interpretimi France nuk mund të tregojë në mënyrë të kënaqshme për faktin që Jezusi thotë se të tëra fiset e botës “do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe” (Mat. 24:30). Ky nuk është një ndërveprim i padukshëm qiellor në të cilin Krishti merr autoritet nga Perëndia Atë, por ajo që është parashikuar këtu është kthimi i Tij me fuqi dhe lavdi të madhe. Ata të cilët predikojnë ungjillin nuk janë quajtur kurrë gjetiu engjëj që i bien fort borisë. Gjithashtu, predikimi i ungjillit asgjëkund nuk është quajtur mbledhje e “të zgjedhurve të tij nga të katër erërat, nga një skaj i qiellit te tjetri” (Mat. 24:31). Për më tepër, kur Jezusi flet gjetiu për ardhjen në re, Ai nuk flet për ardhjen tek Perëndia Atë në qiell, por një ardhje tek njerëzit në tokë: “Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë, edhe ata që e tejshpuan; dhe të gjitha fiset e dheut do të vajtojnë mbi të.” (Zbu. 1:7). Për më tepër, kur Krishti të kthehet, Pali thotë që ne të gjallët “do të rrëmbehemi njëkohësisht në retë me ata, për të dalë përpara Zotit në ajër” (1 Thes. 4:17). Kur Krishti vjen me retë e lavdisë me fuqi dhe autoritet të madh, Ai vjen për të mbretëruar në tokë dhe ky është kuptimi i “Mateut” 24:30–31. (France nuk komenton mbi faktin që Jezusi thotë se fiset e tokës të cilët mbajnë zi “do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit” [v. 30]. Fakti që këto fise do të shikojnë ardhjen e Jezusit, e bën të vështirë të kuptojmë ndonjë interpretim simbolik ose të padukshëm qiellor këtu.) Për më tepër, grumbullimi i faktorëve të cilët ne i njohim nga tekste të tjera si të lidhura me kthimin e Krishtit (shenja kozmike, ardhja e Krishtit me pushtet, thirrja e fortë me bori, engjëjt që mbledhin të zgjedhurit) siguron një rast kumulativ për të besuarit e ardhjes së dytë të Krishtit, e jo thjesht një përfaqësim simbolik i marrjes së autoritetit prej Tij, është ajo që tregohet këtu. Gjithashtu, nëse “Mateu” 24 flet për ardhjen e dytë të Krishtit, pastaj flet për ardhjen e Tij pas një periudhe mundimi të madh, jo pasi një mijëvjeçar paqeje dhe drejtësie të jetë themeluar në tokë.[55]30

Së fundi, të tëra pasazhet të cilat tregojnë që Krishti do mund të kthehet shpejt dhe që ne duhet të jemi gati për kthimin e Tij në çfarëdo momenti,[56]31 duhet të konsiderohen si një argument i rëndësishëm ndaj pas-mijëvjeçarizmit gjithashtu. Sepse, nëse Krishti do mund të kthehet në çfarëdo kohe, dhe ne jemi gati për kthimin e Tij, pastaj periudha e gjatë e kërkuar për themelimin e mijëvjeçarit në tokë përpara se Krishti të kthehet, thjesht nuk mund të mendohet si një teori bindëse.

D. Një shqyrtim i argumenteve për para-mijëvjeçarizmin

Pozita e mbrojtur në këtë libër është para-mijëvjeçarizmi historik. Argumentet kundër pozitës para-mijëvjeçariste janë paraqitur në thelb në argumentet për jo-mijëvjeçarizimin dhe pas-mijëvjeçarizmin dhe për rrjedhojë nuk duhen raportuar sërish në një seksion të veçantë, por kundërshtimet e rastit ndaj këtyre argumenteve, do të shqyrtohen në vazhdimësi.

1. Ka një sërë pasazhesh të Besëlidhjes së Vjetër që duket se nuk janë të përshtatshme as për epokën e tanishme e as për gjendjen e përjetshme. Këto pasazhe nënkuptojnë disa faza të ardhshme në historinë e shpengimit që është shumë më e madhe sesa epoka e tanishme e kishës, por që ende nuk shikon largimin e gjithë mëkatit dhe rebelimit, si dhe vdekjen në tokë.

Duke folur për Jerusalemin në një kohë të ardhshme, Isaia thotë:

Nuk do të ketë më në të

asnjë fëmijë që të jetojë vetëm pak ditë,

as plak që nuk plotëson ditët e tij;

sepse i riu do të vdesë njëqind vjeç,

dhe mëkatari që nuk arrin të njëqind vjetët do të quhet i mallkuar. (Isa. 65:20)

Këtu lexojmë se nuk do të ketë më foshnje të cilët vdesin që kërthi, dhe nuk do të ketë më të moshuar që vdesin para kohe, diçka kjo shumë ndryshe nga kjo epokë e tanishme. Por vdekja dhe mëkati do të vazhdojnë të jenë të pranishme, sepse fëmija i cili është njëqind vjeç, do të vdesë dhe mëkatari i cili është njëqind vjeç “do të quhet i mallkuar.” Konteksti më i gjerë i këtij pasazhi mund të përziejë bashkë elemente të mijëvjeçarit dhe gjendjes së përjetshme (kr. vgj. 17, 25), por është në natyrën e profecisë së Besëlidhjes së Vjetër që të mos bëjë dallim mes ngjarjeve në të ardhmen, ashtu sikurse këto profeci nuk bëjnë dallim midis ardhjes së parë dhe të dytë të Krishtit. Për rrjedhojë, në kontekstin më të gjerë mund të ketë elementë të përzierë, por çështja mbetet se ky element i vetëm (foshnjat dhe të rriturit të cilët jetojnë më gjatë, fëmijët që vdesin njëqind vjeç, dhe mëkatarët që mallkohen), lënë të kuptohet që ka një kohë specifike në të ardhmen e cila është e ndryshme nga epoka e tanishme.

Isaia duket se parashikon një mbretëri mijëvjeçare në një vend tjetër kur thotë:

Ujku do të banojë bashkë me qengjin

dhe leopardi do të rrijë me kecin;

viçi, luani i vogël dhe bagëtia e majmur do të rrinë bashkë

dhe do të udhëhiqen nga një fëmijë.

Lopa do të kullosë bashkë me arushën,

të vegjlit e tyre do të rrinë bashkë

dhe luani do të ushqehet me kashtë si kau.

Foshnja e gjirit do të lozë mbi vrimën e gjarprit

dhe fëmija i zvjerdhur do të vërë dorën e tij në strofkën e nepërkës.

Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim

mbi tërë malin tim të shenjtë,

sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit,

ashtu si ujërat mbulojnë detin. (Isa. 11:6–9)

Ky pasazh flet qartë për një ripërtëritje substanciale të natyrës që ndodh shumë përtej epokës së tanishme, një kohë në të cilën “vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin” (v. 9). Megjithatë, në pikërisht vargun tjetër, Isaia thotë:

Atë ditë do të ndodhë që rrënja e Isait do të ngrihet si një flamur për popujt; kombet do ta kërkojnë dhe vendi i prehjes së tij do të jetë i lavdishëm.

Po atë ditë do të ndodhë që Zoti do të shtrijë dorën e tij për herë të dytë për të shpenguar mbetjen e popullit të tij, që shpëtoi nga Asiria dhe nga Egjipti, nga Pathrosi dhe Etiopia. (Isa. 11:10–11)

Këtu disa janë ende duke kërkuar Mesinë dhe dukshëm shpëtohen, dhe këtu gjithashtu Zoti është ende duke mbledhur mbetjen e njerëzve të Tij nga kombe të ndryshme të tokës. Për rrjedhojë nuk duket që gjendja e përjetshme ka filluar, megjithatë ndryshimi e natyrës tejkalon shumë më tepër gjithçka që do të ndodhë në këtë epokë të tanishme. A nuk nënkupton kjo një mbretëri të ardhshme mijëvjeçare?

“Psalm” 72 duket se shkon përtej mbretërimit të Salomonit dhe për të parashikuar lavditë e mbretërimit të Mesisë:

Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri

dhe nga lumi deri në skajet e tokës.

Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij

dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.

Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve

do t'i paguajnë haraçin;

mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas

do t'i ofrojnë dhurata.

Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë

dhe gjithë kombet do t'i shërbejnë.

Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që klith

dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.

Atij do t'i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin

dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.

Ai do të shpengojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna,

dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij. (Ps. 72:8–14) [57]32

Ky pasazh pa dyshim që flet për një mbretërim mesianik shumë më të gjatë se ai i përjetuar nga Davidi dhe Salmoni sepse kjo mbretëri e Mesisë shtrihet “deri në skajet e tokës” dhe “gjithë kombet do t'i shërbejnë” (vgj. 8, 11; vini re që psalmi gjithashtu thotë: “Ata do të të kenë frikë derisa të ketë diell dhe hënë, për të gjithë brezat” tek v. 5). Ky do të jetë një mbretërim me drejtësi dhe paanësi, por padyshim që nuk do të jetë gjendja e përjetshme. Ka ende “nevojtarë të cilët klithin” dhe “të mjerë që nuk ka se kush ta ndihmojë”; ka ende njerëz të cilët kanë nevojë të shpëtohen “nga shtypja dhe nga dhuna” (vgj. 12–14). Do të vazhdojë të ketë armiq të cilët “do të lëpijnë pluhurin” nën mbretërimin e këtij Mbreti të drejtë (v. 9). E tëra kjo flet për një epokë shumë më të ndryshme nga epoka e tanishme, por larg gjendjes së përjetshme në të cilën nuk ka më mëkat dhe as vuajtje.

Edhe Zakaria profetizon për një epokë të ardhshme në të cilën ka një transformim të madh në tokë në të cilën Zoti është Mbret mbi tërë botën, dhe në të cilën ka ende rebelim dhe mëkat, vuajtje dhe vdekje:

Perëndia im do të vijë, dhe gjithë të shenjtit e tij do të jenë me ty. Atë ditë do të ndodhë që nuk do të ketë më dritë; yjet e ndritshëm do të erren. Do të jetë një ditë unike, që njihet nga Zoti; nuk do të jetë as ditë, as natë, por aty nga mbrëmja do të ketë dritë.

Atë ditë do të ndodhë që nga Jerusalemi do të burojnë ujëra të gjalla: gjysma e tyre do të shkojë drejt detit lindor dhe gjysma drejt detit perëndimor; kështu do të jetë si në verë ashtu edhe në dimër.

Zoti do të jetë mbret mbi gjithë dheun; atë ditë do të jetë vetëm Zoti dhe vetëm emri i tij.

Kjo do të jetë plaga me të cilën Zoti do të godasë të gjithë popujt që kanë luftuar kundër Jerusalemit: ai do të bëjë që mishi i tyre të konsumohet ndërsa ata qëndrojnë në këmbë, sytë e tyre do të konsumohen në zgavrat e tyre dhe gjuha e tyre do të konsumohet në gojën e tyre, dhe pasuria e të gjitha kombeve përreth do të mblidhet tok: ar, argjend dhe veshje në sasi të madhe....

Dhe do të ndodhë që secili nga të mbijetuarit nga të gjitha kombet që kanë dalë kundër Jerusalemit do të dalë vit për vit për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive, dhe për të kremtuar Festën e Kasolleve. Dhe do të ndodhë që, në qoftë se ndonjë familje e dheut nuk do të shkojë në Jerusalem për të adhuruar Mbretin, Zotin e ushtrive, kurrfarë shiu nuk do të bjerë mbi to. (Zak. 14:5–17)

Edhe këtu përshkrimi nuk i përshtatet epokës së tanishme, sepse Zoti është Mbret mbi tërë tokën në këtë situatë. Por nuk përshtatet as me gjendjen e përjetshme për shkak të mosbindjes dhe rebelimit kundër Zotit që është paraqitur në mënyrë të qartë. Dikush mund të kundërshtojë duke thënë që kjo është një profeci tipike e Besëlidhjes së Vjetër e në të cilën ngjarje të ndryshme të ardhshme janë ndërthurur dhe nuk janë të dalluara veçmas në vegimin e profetit, paçka se ata mund të ndahen nga epoka të gjatë kur të ndodhin faktikisht. Sidoqoftë, është e vështirë që të bësh dallime të tilla në këtë pasazh për shkak se është specifikisht rebelim kundër Zotit i cili është Mbret mbi tërë botën e cila ndëshkohet përmes këtyre plagëve dhe mungesës së shiut.[58]33

2. Ka edhe pasazhe nga Besëlidhja e Re përveç “Zbulesës” 20 të cilat sugjerojnë një mijëvjeçar të ardhshëm. Kur Zoti Jezus i ringjallur i flet kishës së Tiatirës, Ai thotë: “Dhe kujt fiton dhe i ruan deri në fund veprat e mia, do t'i jap pushtet mbi kombet; dhe ai do t'i qeverisë ata me një shufër hekuri dhe ata do të thyhen si enë argjile, sikurse mora edhe unë pushtet nga Ati im” (Zbu. 2:26–27). Shëmbëlltyra e përdorur (do t'i qeverisë ata me një shufër hekuri; do të thyhen si enë argjile) nënkupton një mbretëri me dorë të fortë kundër rebelëve. Por kur do të marrin pjesë në këtë mbretërim besimtarët të cilët triumfojnë mbi të keqen? Ideja në fjalë i përshtatet mirë një mbretërie të ardhshme mijëvjeçare kur shenjtorët e përlëvduar mbretërojnë me Krishtin në tokë, por nuk përshtatet mirë me asnjë kohë të epokës së tanishme dhe as me gjendjen e përjetshme. (Ideja e qeverisjes së kombeve “me një shufër hekuri” gjendet gjithashtu tek “Zbu.” 12:5–6 dhe 19:15.)

Kur Pali flet për ringjalljen, ai thotë se çdo person do të marrë një trup të ringjallur sipas radhës së vet: “Krishti, fryti i parë, pastaj (ἔπειτα, G2083) ata që janë të Krishtit, në ardhjen e tij. Pastaj (εἶτα, G1663) do të vijë fundi, kur ai t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo sundim, çdo pushtet e fuqi. Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t'i vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e veta” (1 Kor. 15:23–25). Dy fjalët e përkthyera “pastaj” në këtë pasazh (ἔπειτα dhe εἶτα) që të dyja marrin kuptimin “pas asaj,” e jo kuptimin “njëkohësisht.” Për rrjedhojë ky pasazh e mbështet deri diku idenë që ashtu sikurse ka një interval kohor mes ringjalljes së Krishtit dhe ardhjes së Tij të dytë kur ne marrim një trup të ringjallur (v. 23), po kështu ka një interval kohor mes ardhjes së dytë të Krishtit dhe “fundit” (v. 24), kur Krishti t’ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë pasi ka mbretëruar për një farë kohe dhe t’i ketë vënë të gjithë armiqtë nën këmbët e Veta.[59]34

3. Me sfondin e një sërë pasazhesh të tjerë të cilat hedhin vështrimin ose sugjerojnë në mënyrë të qartë një kohë të ardhshme shumë më të madhe sesa epoka e tanishme, por më e shkurtër se gjendja e përjetshme, është me vend që ta shikojmë edhe një herë “Zbulesën” 20. Ka një sërë deklaratash këtu të cilat kuptohen më mirë si referenca ndaj mbretërimit të ardhshëm tokësor të Krishtit përpara gjykimit të përjetshëm.

a. Lidhja dhe burgimi i Satanit në humnerë (vgj. 2–3) nënkuptojnë një kufizim shumë më të madh të veprimtarisë së tij sesa çdo gjë tjetër që ne njohim në këtë epokë të tanishme (shiko diskutimin e mësipërm rreth jomijëvjeçarizmit).

b. Deklarata që ata të cilët janë besnikë “u kthyen në jetë” (v. 4) merret më mirë si një referencë ndaj një ringjalljeje trupore sepse vargu tjetër thotë: “Kjo është ringjallja e parë.” Folja ἔζησαο (from ζάω, G2409) “u kthyen në jetë,” është e njëjta folje dhe e njëjta formë foljore e përdorur tek “Zbulesa” 2:8, ku Jezusi e identifikon Veten si Ai i Cili “qe i vdekur dhe u kthye në jetë,” që këtu dukshëm i referohet ringjalljes së Tij.[60]35

c. Mbi bazën e një interpretim para-mijëvjeçarist, mbretërimi me Krishtin (tek “Zbu.” 20:4) është diçka e cila është ende për të ardhmen, jo diçka e cila po ndodh tani (siç pretendojnë jomijëvjeçaristët). Kjo është e përputhshme me pjesën tjetër të Besëlidhjes së Re, ku na thuhet shpesh herë se besimtarët do të mbretërojnë me Krishtit dhe do t’u jepet autoritet prej Tij për të mbretëruar në tokë (shiko “Luka” 19:17, 19; “1 Kor.” 6:3; “Zbu.” 2:26–27; 3:21). Por Shkrimi nuk thotë askund se besimtarët në gjendjen e ndërmjetme (midis vdekjes së tyre dhe kthimit të Krishtit) janë duke mbretëruar me Krishtin ose duke e ndarë mbretërimin me Të. Në fakt, “Zbulesa më përpara paraqet shenjtorë në qiell përpara kthimit të Krishtit, duke pritur poshtë altarit dhe duke i thirrur Zotit që të fillojë të gjykojë keqbërësit e tokës (Zbu. 6:9–10). Askund nuk thuhet se të krishterët janë tashmë duke mbretëruar me Krishtin.

Ata të cilët vijnë në jetë dhe mbretërojnë me Krishtin tek “Zbulesa” 20 përfshijnë njerëz “të cilët nuk e kishin adhuruar bishën, dhe as figurën e saj dhe nuk kishin marrë damkë mbi ballin e tyre dhe në dorën e tyre” (Zbu. 20:4). Kjo është një referencë ndaj atyre të cilët nuk iu përulën përndjekjes nga bisha e përmendur tek “Zbulesa” 13:1–18. Por nëse ashpërsia e përndjekjes tek “Zbulesa” 13 na bën të dalim në përfundimi se bisha nuk ka dalë ende në skenën botërore, por që kjo është diçka që i takon të ardhmes, atëherë përndjekja nga kjo bishë është ende e ardhshme gjithashtu. Dhe, nëse kjo përndjekje është ende e ardhshme, atëherë skena tek “Zbulesa” 20 ku ata “të cilët nuk e kishin adhuruar bishën ... dhe nuk kishin marrë damkë mbi ballin e tyre dhe në dorën e tyre” (Zbu. 20:4) është ende gjithashtu e ardhshme. Kjo do të thotë se “Zbulesa” 20:1–6 nuk e përshkruan epokën e tanishme të kishës por kuptohet më mirë si referencë ndaj një mbretërimi mijëvjeçar të Krishtit.

Këto faktorë ndërthuren për të bërë një tërësi argumentesh në favor të para-mijëvjeçarizmit. Nëse bindemi për këtë pozitë, vërtetë që është një pyetje rrjedhuese nëse periudha njëmijë vjeçare është menduar të jetë një mijëvjeçar me plot kuptimin e fjalës ose thjesht një periudhë e gjatë kohore e një kohëzgjatjeje të pacaktuar. Gjithashtu, paçka se mund të mos kemi shumë qartësi për të tëra detajet e natyrës së mijëvjeçarit, ne mund të jemi të sigurt në mënyrë të arsyeshme se do të ketë një mbretërim të ardhshëm tokësor të Krishtit që do të jetë tepër ndryshe nga kjo epokë e tanishme.

E. Koha e mundimit të madh

Për ata të cilët janë të bindur nga argumentet në favor të para-mijëvjeçarizmit, duhet përcaktuar edhe një pyetje e mëtejshme: A do të kthehet Krishti përpara apo pas “mundimit të madh”?

Shprehja “mundimi i madh” vetë, vjen nga “Mateu” 24:21 (dhe pasazhet paralele), ku Jezusi thotë: “Sepse atëherë do të ketë një mundim aq të madh, sa nuk ka ndodhur që nga krijimi i botës e deri më sot, dhe as nuk do të ketë më kurrë!” Para-mijëvjeçarizmi historik beson se Krishti do të kthehet pas atij mundimi, sepse pasazhi vazhdon kështu: Por, fill pas pikëllimit të atyre ditëve, dielli do të erret ... Dhe atëherë do të duket në qiell shenja e Birit të njeriut; dhe atëherë të gjitha fiset e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe.” (Mat. 24:29–30). Por, siç është shpjeguar më lart, në shekullin e nëntëmbëdhjetë dhe të njëzetë, u përhap një larmi para-mijëvjeçarizmi i cili i përmbahet një ardhjeje para-mundimore të Krishtit. Kjo shpesh herë është quajtur pikëpamja e “rrëmbimit para-mundimor”, sepse beson se kur Krishti të kthehet në fillim, kisha do të “rrëmbehet” ose që ne do të merremi në qiell për të qenë me Të.

Argumentet për një rrëmbim të tillë para-mundimor janë si më poshtë:[61]36

1. E tërë periudha e mundimit do të jetë një kohë derdhjeje e zemërimit të Perëndisë në botën mbarë. Për rrjedhojë nuk do të ishte e përshtatshme për të krishterët që të jenë në tokë në atë kohë.

2. Tek “Zbulesa” 3:10 Jezusi premton: “unë do të të ruaj ty nga ora e sprovës, që do të vijë mbi gjithë botën, për të provuar ata, që banojnë mbi dhe.” Ky pasazh lë të kuptohet se kisha do të hiqet nga bota përpara se të vijë ajo orë sprove.

3. Nëse Krishti kthehet pas mundimit dhe mposht të tërë armiqtë e Tij, atëherë nga do të vijnë jobesimtarët të cilët janë të domosdoshëm për popullimin e mbretërisë mijëvjeçare? Sidoqoftë, pozita para-mundimore, parasheh mijëra besimtarë judenj që bëhen të krishterë gjatë mundimeve dhe që do të futen në mbretërinë mijëvjeçare me trupa jo të përlëvduar.

4. Kjo pikëpamje e bën të mundshme të besojmë se Krishti mund të vijë në çdo moment (ardhja e Tij përpara mundimit) dhe megjithatë, që shumë shenja duhet të përmbushen përpara se Ai të vijë (ardhja e Tij pas mundimit të madh kur shenjat do të përmbushen).

Paçka se nuk është specifikisht një argument në favor të pozitës para-mundimore, duhet theksuar se para-mundimtaristët atëherë e shikojnë mësimin rreth mundimit të madh tek “Mateu” 24 si dhe paralajmërimet dhe inkurajimet që u bëhen besimtarëve në atë situatë si diçka që u zbatohet besimtarëve judenj gjatë mundimit, dhe jo ndaj kishës në përgjithësi.[62]37

Si përgjigje ndaj këtyre argumenteve, mund të bëhen deklaratat e mëposhtme:

1. Është e papërputhshme me përshkrimet e Besëlidhjes së Re të mundimit po të themi se të tëra vuajtjet të cilat ndodhin gjatë asaj kohe, janë specifikisht rezultat i zemërimit të Perëndisë. Një pjesë e mirë e vuajtjeve vijnë për shkak të faktit që ligësia është shtuar” (Mat. 24:12) si dhe faktit që përndjekja e kishës dhe kundërshtia nga Satani shtohet ndjeshëm gjatë kësaj periudhe. Sigurisht që të tërë të krishterët, qofshin besimtarë jojudenj ose judenj) do ta shmangin kurdoherë zemërimin e Perëndisë, por kjo nuk do të thotë se ata do të shmangin të tëra vuajtjet, edhe në kohë mundimesh intensive.

2. Fakti që Jezusi u thotë besimtarëve besnikë në kishën e Filadelfias (Zbu. 3:10) që Ai nuk do t’i lejojë të futen në orën e sprovës e cila po vjen në mbarë botën, nuk është provë e mjaftueshme për të thënë që e tërë kisha do të nxirret nga bota përpara mundimit të madh. Së pari, kjo deklaratë është bërë ndaj një kishe specifike (Filadelfia) dhe nuk duhet të gjejë zbatim tek e tërë kisha në një pikë të ardhshme në histori. Për më tepër “ora e sprovës, që do të vijë mbi gjithë botën” nuk ka përse t’i referohet kohës së mundimit të madh, por ka më tepër gjasa t’i referohet një kohe të madhe vuajtjeje dhe përndjekjeje që do të vinte mbi tërë Perandorinë Romake ose tërë botën e banuar. Së fundi, premtimi që kisha në Filadelfia do të mbrohet, nuk nënkupton që ata do të nxirren nga bota, por thjesht se do të mbahen besnikë dhe që do të ruhen për të mos u lënduar nga periudha e vuajtjes dhe sprovës.

3. Për pikëpamjen para-mundimore nuk është argument të thuhet se duhet të ketë disa njerëz në trupa jo të përlëvduar të cilët do të hyjnë në mijëvjeçar, për shkak se (nga pikëpamja pas-mundimore) kur Krishti vjen në fund të mundimit, Ai do të mposhtë të tëra forcat e mbledhura kundër Tij, por kjo nuk do të thotë se Ai do t’i vrasë ose asgjësojë të tëra ato. Shumë do thjesht dorëzohen pa i besuar Krishtit, dhe kësisoj do të hyjnë në mijëvjeçar si jobesimtarë. Gjithashtu, gjatë të tërë periudhës së mijëvjeçarit, pa dyshim që shumë do të kthehen tek Krishti e do të bëhet gjithashtu besimtarë.

4. Pikëpamja para-mundimore nuk është e vetmja e përputhshme me idetë që Krishti mund të kthehet në çfarëdo kohe kur ka shenja të cilat i paraprijnë kthimit të Tij. Pozita e paraqitur në kapitullin e mëparshëm (që nuk ka gjasa por është e mundur që shenjat të jenë përmbushur), është gjithashtu e përputhshme me këto ide.[63]38

Por, duhet thënë se prapa këtij argumenti të para-mundimtaristëve, me shumë mundësi është një çështje edhe më themelore: dëshira për të ruajtur një dallim mes kishës (që ata mendojnë se do të merret lart në qiell për të qenë me Krishtin) dhe Izraelit (që ata mendojnë se do të përbëjë popullin e Perëndisë në tokë gjatë mundimit, dhe pastaj gjatë mbretërisë mijëvjeçare). Por, ashtu sikurse vërejtëm në kapitullin e mëparshëm,[64]39 Besëlidhja e Re nuk e mbështet dallimin e këtij lloji mes Izraelit dhe kishës. Prandaj, kjo nuk nënkupton se është nevoja të bëhet një dallim mes këtyre grupeve në kohën e mundimit dhe të mijëvjeçarit.

Ka një variacion të pozitës para-mijëvjeçariste të rrëmbimit i cili njihet me emrin pikëpamja e rrëmbimit mes-mundimor. Është mbrojtur nga Gleason Archer në esenë e tij: “Argumentet për Pozitën e Rrëmbimit në Mes të Javës së Shtatëmbëdhjetë (The Case for the Mid-Seventieth-Week Rapture Position).”[65]40 Ai e shikon mundimin si të ndarë në dy gjysma. Tre e gjysmë të parat janë të karakterizuara nga zemërimi i njeriut dhe kisha është e pranishme në atë kohë. Tre vite e gjysmën e dytë janë karakterizuar nga zemërimi i Perëndisë, dhe gjatë asaj kohe, kisha nuk është e pranishme në tokë. Argumenti kryesor nga Shkrimit për mbështetjen e rrëmbimit mes-mundimor, është fakti se tek “Danieli” 7:25, 9:27, 12:7 dhe 11, si dhe tek “Zbulesa” 12:14, shtatë ditët ose kohët e treguara janë përgjysmuar, duke përmendur intervalin e tre e gjysmë kohërave ose tre e gjysmë ditëve si një javë simbolike, duke nënkuptuar një periudhë prej tre vjetësh e gjysmë, pas të cilës populli i Perëndisë do të shpëtohet nga mundimi i madh. Një argument tjetër në favor të kësaj pozite është se ai jep një ndjesi të shtuar të pritshmërisë së kthimit të Krishtit, përderisa tre vite e gjysmë është një periudhë më e shkurtër kohore sesa shtatë vitet.

Sidoqoftë, paçka se pasazhet tek Danieli flasin vërtetë për një ndërprerje në javën e shtatëmbëdhjetë të cilën Danieli parashikon për të ardhmen, ato nuk japin një tregues të qartë që aty nga mesi i javës besimtarët do të hiqen nga bota.[66]41 Është gjithashtu e vështirë të shikosh se pritshmëria e një mundimi tre vitesh e gjysmë të sigurojë një kuptim shumë më të madh të afërsisë së ngjarjes sesa bën pritshmëria e një mundimi shtatë vjeçar.

Si përfundim, disa kundërshtime ndaj pozitës para-mundimore të rrëmbimit, mund të deklarohen në formën e argumenteve në favor të pikëpamjes së rrëmbimit pas-mundimor (pikëpamja historike para-mijëvjeçare sipas të cilës Krishti do të kthehet pas një periudhe mundimesh në tokë):

1. Besëlidhja e Re nuk thotë asgjëkund qartë se kisha do të hiqet nga bota përpara mundimit të madh. Nëse kjo ngjarje me peshë do të ndodhte, ne të paktën do mund të pritnim që në Besëlidhjen e Re do të gjendeshin mësime të shkoqura të dhëna për këtë qëllim. Padyshim që Jezusi na thotë se Ai do të kthehet e do të na marrë për të qenë me Të (Gjoni 14:3), dhe Pali na thotë se ne do të rrëmbehemi njëkohësisht në retë ... për të dalë përpara Zotit në ajër (1 Thes. 4:17), dhe që ne do të ndryshohemi me një të pulitur syri si dhe që do të marrim trupa të ringjallur (1 Kor. 15:51–52), por secili prej këtyre pasazheve është kuptuar nga besimtarët përgjatë gjithë historisë sikur flet jo për një rrëmbim të fshehtë të kishës përpara mundimit, por për çdo rrëmbim të dukshëm publik (ose “rrëmbimi ... në retë”) e kishës për të qenë me Krishtin vetëm pak momente përpara ardhjes së Tij në tokë me ta për të mbretëruar gjatë mbretërisë mijëvjeçare (apo, sipas një pikëpamjeje jomijëvjeçariste, gjatë gjendjes së përjetshme).[67]42

Për më tepër, është shumë e vështirë që “1 Thesalonikasve” 4:17 ta kuptojmë si pasazhin e vetëm që flet në mënyrë të shkoqur për faktin që kisha do të “rrëmbehet ... në retë” (ose “merret lart”), si dhe për idenë e një ardhjeje të fshehtë. Ajo thotë: “Zoti vetë, me urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe të vdekurit në Krishtin do të ringjallen të parët” (1 Thes. 4:16). Për këto fjalë, Lion Moris (Leon Morris) me të drejtë thotë: “Mund të jetë që me këtë ai synon që ne të kuptojmë që rrëmbimi do të ndodhë në mënyrë të fshehtë, dhe se askush nuk pret që shenjtorët vetë të dinë se çfarë po ndodh. Por si zor se mund të dalësh në këtë konkluzion nga fjalët e tij. Është e vështirë të shikosh se si ai do mund ta përshkruante më qartë se kaq diçka që është e hapur dhe publike.”[68]43

Doktrina e rrëmbimit para-mundimor e një rrëmbimi para-mijëvjeçarist është një gjë e nxjerrë nga një sërë pasazhesh të cilat janë të tëra subjekt polemikash. Për më tepër, edhe nëse dikush beson se kjo doktrinë është në Shkrim, ajo do ishte dhënë mësim me aq pak qartësi saqë nuk u zbulua deri në shekullin e nëntëmbëdhjetë. Kjo e bën të mos duket të ketë gjasa.

2. Mundimi është i lidhur mjaft qartë me kthimin e Zotit në disa pasazhe. E para, boria e fortë e cila bie për të mbledhur të zgjedhurit tek “Mateu” 24:31, tingulli i borisë së Perëndisë tek “1 Thesalonikasve” 4:16, si dhe boria e fundit pas të cilës trupat tanë ndryshohen tek “1 Korintasve” 15:51–52, të tëra këto duket se janë e njëjta trumbetë, trumbeta e fundit e cila bie m’u përpara mijëvjeçarit. Nëse është me të vërtetë “boria e fundit” (1 Kor. 15:52), atëherë është e vështirë të shikosh se si një tjetër thirrje me bori të fortë (Mat. 24:31) mund ta pasojë atë shtatë vjet më vonë.

Plus kësaj, “Mateu” 24 është shumë i vështirë për t’u kuptuar si referencë jo ndaj kishës por ndaj judenjve të cilët do të shpëtohen gjatë mundimit. Jezusi u drejtohet dishepujve të tij (Mat. 24:1–4) dhe i paralajmëron ata për përndjekjen dhe vuajtjen që do të vijë. Ai u tregon atyre për mundimin e madh që do të vijë, dhe pastaj thotë se “fill pas pikëllimit të atyre ditëve” shenja kozmike do të shfaqen dhe “atëherë të gjitha fiset e dheut do të mbajnë zi dhe do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe” (Mat. 24:30). Por ka të ngjarë që Jezusi, duke ia thënë të tëra këto gjëra dishepujve të Tij, synonte që fjalët e Tij të gjejnë zbatim jo tek kisha por vetëm tek një mbretëri e ardhshme tokësore judenjsh të cilët do të kthehen në besim gjatë mundimit. Nga do mund ta kishin ditur dishepujt që ai e kishte një kuptim të tillë në mendje? Gjithashtu, nuk duket me gjasa që dishepujt këtu simbolizojnë një mbretëri të ardhshme judaike dhe jo kishën, me themelimin e të cilës ata qenë të lidhur në mënyrë kaq të integruar saqë ishin themeli i saj (Efe. 2:20).

3. Së fundi, Besëlidhja e Re nuk duket se e justifikon idenë e dy kthimeve të veçanta të Krishtit (një herë për kishën e Tij përpara mundimeve dhe pastaj shtatë vjet më vonë me kishën e Tij për të sjellë gjykim ndaj jobesimtarëve). Edhe një herë, asnjë pikëpamje e tillë nuk jepet mësim në mënyrë të shkoqur në ndonjë pasazh, por është thjesht një gjë e nxjerrë nga dallimet mes pasazheve të ndryshme të cilat përshkruajnë kthimin e Krishtit nga pikëpamje të ndryshme. Por nuk është aspak e vështirë që t’i shikojmë këto pasazhe si referuese ndaj një eventi të vetëm që ndodh në një kohë të caktuar.[69]44

Duket që gjëja më e mirë është që të dalim në përfundimin me pjesën më të madhe të kishës përgjatë historisë, që kisha do të kalojë përmes kohës së mundimit të madh të parashikuar nga Jezusi. Ne me shumë mundësi nuk do ta kishim zgjedhur këtë shteg për veten tonë, por vendimi nuk ishte në dorën tonë. Gjithashtu, nëse Perëndia dëshiron që ndonjë nga ne që jemi gjallë tani të mbetet në tokë deri në kohën e këtij mundimi të madh, atëherë ne duhet t’i kushtojmë vëmendje fjalëve të Pjetrit: “Në qoftë se ju fyejnë për emrin e Krishtit, lum ju, sepse Fryma e lavdisë dhe Fryma e Perëndisë prehet mbi ju” (1 Pjetrit 4:14), dhe, “edhe Krishti vuajti për ne, duke na lënë një shembull, që të ndiqni gjurmët e tij” (1 Pjetrit 2:21). Kjo ide që të krishterët duhet të përgatiten për të duruar vuajtjet, shikohet gjithashtu në fjalët e Palit që ne jemi bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, “nëse vuajmë bashkë me të, që edhe të përlëvdohemi bashkë” (Rom. 8:17). Gjithashtu, ne mund të kujtojmë se që nga koha e Noas deri në kohën e martirizimit të apostujve të hershëm, shpesh herë ka qenë mënyra e Perëndisë për të kaluar njerëzit e Tij përmes vuajtjeve në lavdi, sepse Ai bëri edhe këtë me Birin e Tij. “Sepse i kishte hije atij, për të cilin të gjitha janë dhe nëpërmjet të cilit të gjitha u bënë, duke çuar shumë bij në lavdi, ta bënte të përsosur me anë vuajtjesh, kreun e shpëtimit të tyre” (Heb. 2:10). Është nga Shpëtimtari i Cili Vetë vuajti më shumë se sa do të vuajë ndonjëherë cilido prej fëmijëve të Tij, duke qenë se kemi këshillën: “Mos ki frikë fare nga ato për të cilat do të vuash ... Ji besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës” (Zbu. 2:10).

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     Përpara se të lexonim këtë kapitull, a kishit ndonjë bindje se kthimi i Krishtit do të ishte jomijëvjeçarist, pas-mijëvjeçarit apo para-mijëvjeçarit? Gjithashtu, nëse do të ishte pas-mundimit apo para-mundimit? Nëse është kështu, si ka ndryshuar pikëpamja juaj tani, nëse ka ndryshuar ndopak?

2.     Shpjego mënyrën se si pikëpamja jote e tanishme rreth mijëvjeçarit, ndikon në jetën tënde të krishterë sot, shpjego mënyrën se si ti e shikoni ndikimin e mundimeve në jetën tënde të tanishme të krishterë.

3.     Si mendoni se do të ishte të jetuarit në tokë me një trup të përlëvduar dhe me Jezus Krishtin si mbret mbi të tërë botën? A mund të përshkruash në hollësi disa prej qëndrimeve dhe reagimeve emocionale që do të kesh ndaj situatave të ndryshme në një mbretëri të tillë? A je vërtetë i/e dëshiruar për një mbretëri të tillë? (Përgjigjet e tua do të variojnë disi në varësi të nëse ti pret ose jo një trup të përlëvduar gjatë mijëvjeçarit deri në gjendjen e përjetshme.)

4.     Cilat mund të jenë rezultatet si pozitive ashtu edhe negative të një pozite rrëmbimi para-mundimeve në jetën dhe qëndrimet e përditshme të të krishterëve? Në mënyrë të ngjashme, cilat mund të jenë rezultatet pozitive dhe negative të një pozite rrëmbimi pas mundimeve?

TERMA TË VEÇANTË

     jomijëvjeçarizëm

     para-mijëvjeçarizëm dispenasacional

     mundimi i madh

     para-mijëvjeçarizmi historik

     rrëmbimi mes-mundimor

     mijëvjeçar

     pas-mijëvjeçarizmi

     rrëmbimi pas-mundimor

     pas-mijëvjeçarizmi para-mundimor

     para-mijëvjeçarizmi

     rrëmbimi para-mundimor

     para-mijëvjeçarizmi para-mundimor

     rrëmbimi

BIBLIOGRAFIA

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 581–585

2. Arminiane (Ueslejane ose Metodiste)

1940 Wiley, 3:280–319

1983 Carter, 2:1118–1127

3. Baptiste

1767 Gill, 2:268–302

1907 Strong, 1010–1015

1917 Mullins, 466–472

1983–1985 Erickson, 1205–1224

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 4:264–278; 5:315–358

1949 Thiessen, 351–375, 391–395

1986 Ryrie, 439–452, 461–511

5. Luteriane

1934 Mueller, 621–625

6. E Reformuar (ose Presbiteriane)

1724–1758 Edwards, 2:278–313

1871–1873 Hodge, 3:861–868

1887–1921 Warfield, BD 643–664

1938 Berkhof, 695–707

1962 Buswell, 2:346–538

7. E Ripërtërirë (ose karizmatike/Pentakostale)

1988–1992 Williams, 3:421–444

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

(pa trajtim të hollësishëm)

Vepra të Tjera

Adams, Jay. Koha Është Afër (The Time Is at Hand). Phillipsburg, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1970. (Jomijëvjeçariste.)

Allis, O.T. Profecia dhe Kisha (Prophecy and the Church). Philadelphia: Presbyterian and Reformed, 1945. (Jomijëvjeçariste.)

Archer, Gleason, Paul Feinberg, Douglas Moo, dhe Richard Reiter. Rrëmbimi: Para-, Mes- apo Pas-mijëvjeçarist (The Rapture: Pre-, Mid-, or Post-tribulational?) Grand Rapids: Zondervan, 1984. (Përmban ese të argumentuara mirë nga tre pozita të ndryshme.)

Bauckham, R.J. “Mijëvjeçari (Millennium).” Tek FRT ([70]NDT) fq. 428–430.

Beechick, Allen. Rrëmbimi Para-Mundimor (The Pre-Tribulation Rapture). Denver: Accent, 1980.

Berkouwer, G.C. Kthimi i Krishtit (The Return of Christ). Përkth. nga James Van Oosterom. Red. nga Marlin J. Van Elderen. Grand Rapids: Eerdmans, 1972.

Boettner, Lorraine. Mijëvjeçari (The Millennium). Philadelphia: Presbyterian and Reformed, 1957. (Pas-mijëvjeçariste.)

Clouse, F.G. “Rrëmbimi i Kishës (Rapture of the Church).” Tek FUT ([71]EDT) fq. 908–910.

Clouse, Robert G., r[72]ed. Kuptimi i Mijëvjeçarit: Katër Pikëpamje (The Meaning of the Millennium: Four Views). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1977. (Kapitujt nga Ladd dhe Hoekema janë deklarata të shkëlqyera të pozitave para-mijëvjeçare dhe jomijëvjeçare.)

Davis, John Jefferson. Mbretëria Fitimtare e Krishtit (Christ’s Victorious Kingdom). Grand Rapids: Baker, 1986. (Ky është një argument i shkëlqyer për pozitën pas-mijëvjeçariste.)

Erickson, Millard. Opsione Bashkëkohore në Eskatologji (Contemporary Options in Eschatology). Grand Rapids: Baker, 1977.

Feinberg, Charles L. Mijëvjeçarizmi: Dy Pikëpamjet Kryesore (Millennialism: The Two Major Views). Chicago: Moody Press, 1980. (Para-mundimore para-mijëvjeçare [Pretribulational premillennial].)

Grier, W.J. Ngjarja e Rëndësishme (The Momentous Event). London: Banner of Truth, 1970.

Gundry, R.H. Kisha dhe Mundimi i Madh (The Church and the Tribulation). Grand Rapids: Zondervan, 1973. (Pas-mijëvjeçarizmi para-mundimor.)

Hendriksen, William. Më Shumë se Fitimtarë: Një Interpretim i Librit të Zbulesës (More Than Conquerors: An Interpretation of the Book of Revelation). London: Tyndale Press, 1962. (Jomijëvjeçare.)

Hoekema, Anthony A. Bibla dhe e Ardhmja (The Bible and the Future). Grand Rapids: Eerdmans, 1979, fq. 109–238. (Jomijëvjeçare.)

Kik, J. Marcellus. Një Eskatologji e Fitores (An Eschatology of Victory). Nutley, N.J.: Presbyterian dhe Reformed, 1974. (Pas-mijëvjeçariste.)

Ladd, George Eldon. Shpresa e Bekuar (The Blessed Hope). Grand Rapids: Eerdmans, 1956. (Klasike ose pas-mundimtariste para-mijëvjeçariste.)

Lightner, Robert P. Doracaku i Ditëve të Fundit: Një Udhëzues Gjithëpërfshirës për Kuptimin e Pikëpamjeve të Ndryshme të Profecisë. Çfarë Besohet nga Grupe të Ndryshme Rreth Profecisë dhe Arsyeja Përse (The Last Days Handbook: A Comprehensive Guide to Understanding the Different Views of Prophecy. Who Believes What About Prophecy and Why). Nashville, Tenn.: Thomas Nelson, 1990.

McClain, Alva J. Madhështia e Mbretërisë (The Greatness of the Kingdom). Grand Rapids: Zondervan, 1959. (Para-mundimore para-mijëvjeçariste.)

Murray, Iain. Shpresa Puritane (The Puritan Hope). London: Banner of Truth, 1971. (Pas-mijëvjeçariste.)

Pentecost, J. Dwight. Gjërat që do të Vijnë (Things to Come). Findlay, Ohio: Dunham, 1958. (para-mundimore para-mijëvjeçariste.)

Poythress, Vern. Të Kuptojmë Dispensacionalistët (Understanding Dispensationalists). Grand Rapids: Zondervan, 1987. (Jomijëvjeçare.)

Travis, S.H. “Eskatologji (Eschatology).” Tek FRT (NDT) fq. 228–231.

Vos, Geerhardus. Eskatologjia e Palit (The Pauline Eschatology). Grand Rapids: Eerdmans, 1961. (Jomijëvjeçariste.)

Walvoord, John F. Shpresa e Bekuar dhe Mundimi (The Blessed Hope and the Tribulation). Grand Rapids: Zondervan, 1976. (Para-mundimore para-mijëvjeçare.)

_______. Mbretëria Mijëvjeçare (The Millennial Kingdom). Findlay, Ohio: Dunham, 1959. (Para-mundimore para-mijëvjeçariste.)

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Zbulesa” 20:4–6: Dhe pashë frone, dhe ata u ulën mbi to dhe atyre iu dha të gjykojnë edhe pashë shpirtrat e atyre që u ishin prerë kokat për hir të dëshmisë së Jezusit dhe për hir të fjalës së Perëndisë, dhe të cilët nuk e kishin adhuruar bishën, dhe as figurën e saj dhe nuk kishin marrë damkë mbi ballin e tyre dhe në dorën e tyre. Dhe u kthyen në jetë e mbretëruan me Krishtin për një mijë vjet. Por të vdekurit e tjerë nuk u kthyen në jetë derisa të mbusheshin të një mijë vjetët. Kjo është ringjallja e parë. I lum dhe i shenjtë është ai që ka pjesë në ngjalljen e parë. Mbi ata, vdekja e dytë nuk ka pushtet, por do të jenë priftërinj të Perëndisë dhe të Krishtit dhe do të mbretërojnë me të për një mijë vjet.

HIMN

“JEZUSI DO TË MBRETËROJË KUDO KU NDRIÇON DIELLI (JESUS SHALL REIGN WHERE’ER THE SUN)”

Ky himn nga Isaac Watts përshkruan bukur mbretërimin e Krishtit mbi botën mbarë. Pavarësisht nëse bindjet tona vetjake mbi mijëvjeçarin na shtyjnë të kuptojmë këtë himn si referencë ndaj mijëvjeçarit ose gjendjes së përjetshme, sido që të jetë, ai jep një pamje të shkëlqyer të mbretërisë për të cilën zemra jonë është e dëshiruar dhe bekimet që do të vijnë kur Jezusi të jetë Mbret mbi botën mbarë.

Jezusi do të mbretërojë kudo ku dielli ndriçon

Ngado ku rrugën e tij qarkore ai përshkon;

Mbretëria e Tij nga njëri breg në tjetrin do shtrihet,

Derisa hëna e plotë dhe çerekshe dot mos të shihet.

Për Të lutje të pafundme do të jenë ofruar,

Dhe lavdet gëlojnë për ta kurorëzuar;

Emri i Tij si një parfum erëmirë do të ngrihet

Me çdo flijim mëngjesi që do të bëhet.

Të çdo gjuhe popuj dhe mbretëri

Me këngën më të ëmbël, do banojnë në dashurinë e Tij;

Dhe zërat foshnjorë do të shpallin me gjithë zemër

Bekimet e tyre të hershme ndaj të Tijit emër.

Bekimet janë me bollëk kudo ku Ai mbretëron;

I burgosuri kërcen i lumtur kur Ai prangat ia liron,

Të lodhurit gjejnë prehje të amshuar,

Dhe të tërë të vobektët janë tani bekuar.

Le që çdo krijesë të ngrihet e të sjellë

Ndere të veçanta Mbretit tonë përjetë,

Engjëjt zbresin me këngë përsëri,

Dhe nga toka përsërit me zë të lartë, ameni.

Autor: Isaac Watts, 1719

Pen
>