General
Text

Kapitulli 41: Vdekja dhe gjendja e ndërmjetme

Lesson 43 Chapter 11 Module 7

Vdekja dhe gjendja e ndërmjetme

Cili është qëllimi i vdekjes në jetën e krishterë? Çfarë i ndodh trupit dhe frymës tonë kur vdesim?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

  1. Përse vdesin të krishterët?

Trajtimi ynë i zbatimit të shpengimit, duhet të përfshijë një shqyrtim të vdekjes si dhe çështjen e mënyrës se si të krishterët duhet ta shikojnë vdekjen e tyre si dhe vdekjen e të tjerëve. Ne gjithashtu duhet të pyesim se çfarë na ndodh mes kohës kur vdesim dhe kohës që Krishti kthehet për të na dhënë trupa të rinj e të ringjallur.

1. Vdekja nuk është ndëshkim për të krishterët. Pali na thotë qartë se “nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Rom. 8:1). I gjithë ndëshkimi për mëkatet tona është paguar. Për rrjedhojë, paçka se ne e dimë se të krishterët vdesin, ne nuk duhet ta shikojmë vdekjen e të krishterëve si një ndëshkim nga Perëndia apo njëfarësoj si rezultat i ndëshkimit që ne meritojmë për shkak të mëkateve tona.[179]1 Është e vërtetë që ndëshkimi për mëkatin është vdekja, por ky ndëshkim nuk zbatohet më tek ne—as në lidhje me vdekjen fizike, e as në lidhje me vdekjen frymërore apo ndarjen nga Perëndia. E gjitha kjo është paguar nga Krishti. Për rrjedhojë, duhet të ketë një arsye tjetër e jo se bëhet fjalë për ndëshkim për mëkatet tona po qe se duam të kuptojmë përse të krishterët vdesin.

2. Vdekja është rezultati përfundimtar i jetesës në një botë të rënë. Me mençurinë e Tij të madhe, Perëndia vendosi që të mos zbatonte ndaj nesh përnjëherësh të tëra dobitë e veprës shpenguese të Krishtit. Përkundrazi, Ai ka zgjedhur të zbatojë dobitë e shpëtimit ndaj nesh gradualisht me kalimin e kohës (ashtu sikurse e kemi parë në kapitujt 33–40). Në mënyrë të ngjashme, ai nuk ka zgjedhur që ta largojë të tërë të keqen menjëherë nga bota, por të presë deri në gjykimin përfundimtar si dhe në krijimin e qiellit të ri dhe tokës së re (shiko kapitujt 56 dhe 57). Me pak fjalë, ne ende jetojmë në një botë të rënë dhe përjetimi ynë i shpëtimi është ende jo i plotë.

Aspekti i fundit i botës së rënë që do të hiqet, do të jetë vdekja. Pali thotë:

Pastaj do të vijë fundi, kur ai t'ia dorëzojë mbretërinë Perëndisë Atë, pasi të ketë asgjësuar çdo sundim, çdo pushtet e fuqi. Sepse duhet që ai të mbretërojë, derisa t'i vërë të gjithë armiqtë nën këmbët e veta. Armiku i fundit që do të asgjësohet është vdekja. (1 Kor. 15:26)

Kur Krishti të kthehet,

atëherë do të realizohet fjala që është shkruar:

“Vdekja u përpi nga fitorja.”

“O ferr, ku është fitorja jote?

O vdekje, ku është gjëmba jote?” (1 Kor. 15:54–55)

Por deri në atë kohë, vdekja mbetet një realitet edhe në jetën e të krishterëve. Paçka se vdekja nuk na vjen si një ndëshkim për mëkatet tona individuale (sepse ato janë paguar nga Krishti), ajo na vjen si rezultat i të jetuarit në një botë të rënë, ku efektet e mëkatit nuk janë hequr të tëra. Të lidhura me përjetimin e vdekjes janë rezultate të tjera të rënies të cilat i dëmtojnë trupat tanë fizikë si dhe sinjalizojnë praninë e vdekjes në botë. Të krishterët ashtu sikurse edhe jo të krishterët përjetojnë plakje, sëmundje, dëmtime si dhe fatkeqësi natyrore (si për shembull përmbytje, stuhi të dhunshme apo tërmete). Paçka se Perëndia shpesh herë u përgjigjet lutjeve për çlirimin e të krishterëve (si dhe jo të krishterëve) prej disa prej këtyre efekteve të rënies për një farë kohe (dhe me anë të kësaj tregon natyrën e mbretërisë së Tij të ardhshme), gjithsesi, të krishterët si përfundim i përjetojnë në një farë mase të tëra këto gjëra, si dhe derisa Krishti të kthehet, të tërë do të rritemi në moshë dhe do të vdesim. “Armiku i fundit” nuk është shkatërruar ende dhe Perëndia ka zgjedhur të na lejojë të përjetojmë vdekjen përpara se të fitojmë të tëra dobitë e shpëtimit të cilat janë fituar për ne.

3. Perëndia përdor përjetimin e vdekjes për të plotësuar shenjtërimin tonë. Përgjatë gjithë jetës tonë të krishterë, ne e dimë se nuk na duhet kurrë të paguajmë ndonjë ndëshkim për mëkatin, sepse e tëra kjo është marrë prej Krishtit (Rom. 8:1). Për rrjedhojë, kur vërtetë përjetojmë dhimbje dhe vuajtje në këtë jetë, nuk duhet të mendojmë kurrë se kjo vjen për shkak të ndëshkimit që Perëndia po na bën (për të na dëmtuar). Nganjëherë, vuajtja është thjesht rezultat i jetimit në një botë të mëkatshme të rënë dhe nganjëherë ajo vjen për shkak se Perëndia është duke na disiplinuar (për të mirën tonë), por në të tëra rastet, ne garantohemi nga “Romakëve” 8:28 që: “të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë të thirrur sipas qëllimit të tij”.

Qëllimi pozitiv për disiplinën e Perëndisë është bërë i qartë tek “Hebrenjve” 12, ku lexojmë:

Zoti ndreq atë që do.... ai na ndreq për të mirën tonë, që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij. Por çdo ndreqje aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u kthen një fryt të paqshëm drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të saj. (Heb. 12:6, 10–11)

Jo e gjithë disiplina ka për qëllim që të na korrigjojë nga mëkatet që kemi kryer; ajo mund të lejohet gjithashtu nga Perëndia për të na fortësuar me qëllim që të mund të fitojmë një aftësi më të madhe për t’i besuar Perëndisë e për t’i rezistuar mëkatit në shtegun sfidues të bindjes. Këtë e shikojmë të qartë në jetën e Jezusit, i Cili edhe pse ishte pa mëkat, megjithëkëtë “mësoi në ato që vuajti, bindjen” (Heb. 5:8).[180]2 Ai u bë i përsosur “në ato që vuajti” (Heb. 2:10). Për rrjedhojë, ne duhet të shikojmë të tëra vështirësitë dhe vuajtjet që na vijnë në jetë, si diçka që Perëndia na e sjell për të na bërë mirë për të forcuar besimin tonë tek Ai si dhe bindjen tonë ndaj Tij, dhe si përfundim, të rrisë aftësinë tonë për ta përlëvduar Atë.

Për pasojë, ne duhet ta shikojmë plakjen dhe dobësinë, dhe nganjëherë edhe sëmundjen që çon në vdekje, si një tjetër lloj disipline të cilën Perëndia e lejon që ne ta përjetojmë, me qëllim që nëpërmjet këtij procesi, shenjtërimi ynë të mund të shtohet dhe si përfundim të plotësohet kur shkojmë që të jemi në praninë e Zotit. Sfida që Jezusi i bën kishës në Smirnë, mund t’i parashtrohet çdo besimtari: “Ji besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës” (Zbu. 2:10). Pali thotë se qëllimi i tij në jetë është që të mund të bëhet si Krishti: “që ta njoh atë dhe fuqinë e ringjalljes së tij dhe bashkësinë në vuajtjet e tij, duke u barazuar me vdekjen e tij” (Fil. 3:10). Pali mendoi për mënyrën se si Jezusi vdiq, dhe e vuri si qëllim ndaj vetes që të tregoj të njëjtat karakteristika në jetën e tij kur erdhi koha për të që të vdiste—që në çfarëdo rrethane që ta gjente veten, ai, ashtu sikurse Krishti, të vazhdonte t’i bindej Perëndisë, t’i besonte Perëndisë, të falte të tjerët, e të kujdesej për nevojat e atyre që kishte përreth tij, kështu që në çdo gjë t’i sillte lavdi Perëndisë, madje edhe me vdekjen e vet. Për rrjedhojë, kur ishte në burg, pa ditur nëse do të vdiste atje apo nëse do të dilte gjallë, ai gjithsesi ishte në gjendje që të thoshte: “sipas të priturit tim me ngulm dhe shpresë, se nuk do të turpërohem në asgjë, por me çdo guxim, si gjithmonë edhe tani, Krishti do të madhërohet në trupin tim, qoftë me anë të jetës qoftë me anë të vdekjes” (Fil. 1:20).

Kuptimi që vdekja nuk është në asnjë mënyrë një ndëshkim për mëkatin, por thjesht diçka nëpër të cilën Perëndia na kalon me qëllim për të na bërë më shumë si Krishti, duhet të jetë një inkurajim i madh për ne. Kjo duhet të na largojë frikën prej vdekjes që mundon mendjet e jobesimtarëve (kr. Heb. 2:15). Megjithëkëtë, paçka se Perëndia do të sjellë të mira ndaj nesh përmes procesit të vdekjes, ne duhet që gjithsesi të mos harrojmë se vdekja nuk është e natyrshme; nuk është gjëja e duhur; dhe se në një botë të krijuar nga Perëndia, ajo nuk duhet të ekzistojë. Ajo është një armik, diçka të cilën Krishti do ta shkatërrojë përfundimisht (1 Kor. 15:26).

4. Përjetimi ynë i vdekjes e plotëson bashkimin tonë me Krishtin. Një arsye tjetër përse Perëndia na lejon që të përjetojmë vdekjen, duke mos na marrë menjëherë në qiell kur ne bëhemi të krishterë, është se përmes vdekjes ne imitojmë Krishtin në atë që Ai bëri dhe për rrjedhojë përjetojmë një përbashkësi më të madhe me Të. Pali mundet të thotë se ne jemi bashkëtrashëgimtarë me Krishtin “nëse vuajmë bashkë me të, që edhe të përlëvdohemi bashkë” (Rom. 8:17). Gjithashtu, Pjetri u thotë lexuesve të tij që të mos habiten për provën e zjarrit që u vjen atyre, por i inkurajon ata: “Gëzohuni, në atë masë që merrni pjesë në vuajtjet e Krishtit, që edhe në zbulesën e lavdisë së tij të mund të gëzoheni dhe të ngazëlleheni” (1 Pjetrit 4:13). Siç e vumë re më sipër, një bashkim i tillë me Krishtin në vuajtje, përfshin një bashkim me Të në vdekje gjithashtu (shiko Fil. 3:10). Jezusi është “kreu dhe plotësonjësi i besimit” (Heb. 12:2), dhe ne rendim në gjurmët e Tij ndërkohë që vrapojmë garën e jetës. Pjetri shkruan: “edhe Krishti vuajti për ne, duke na lënë një shembull, që të ndiqni gjurmët e tij” (1 Pjetrit 2:21).

5. Bindja jonë ndaj Perëndisë, është më e rëndësishme sesa ruajtja e jetës tonë. Nëse Perëndia përdor përvojën e vdekjes për ta thelluar besimin tonë tek Ai si dhe për të forcuar bindjen tonë ndaj Tij, atëherë është e rëndësishme që të kujtojmë se qëllimi i botës për ruajtjen e jetës fizike të dikujt me çdo çmim, nuk është qëllimi më i lartë për një të krishterë: bindja ndaj Perëndisë si dhe besnikëria ndaj Tij në çdo rrethanë është shumë më e rëndësishme. Kjo është arsyeja përse Pali mund të thoshte: “Sepse unë jam gati jo vetëm të lidhem, por edhe të vdes në Jerusalem për emrin e Zotit Jezus” (Veprat 21:13; kr. 25:11). Ai u tha pleqve efesianë: “Por unë nuk dua t'ia di fare, dhe as jetën time nuk e çmoj aq, sa ta kryej me gëzim vrapimin tim dhe shërbesën, që mora nga Zoti Jezus, të dëshmoj plotësisht ungjillin e hirit të Perëndisë” (Veprat 20:24).

Qe kjo bindje (se bindja ndaj Perëndisë është shumë më e rëndësishme sesa mbrojtja e jetës tonë), që i dha Palit kurajë për t’u kthyer në qytetin e Listras edhe pse atje sapo e kishin goditur me gurë për ta vrarë, dhe duke qenë se e kishin menduar të vdekur e kishin lënë (Veprat 14:20), dhe pastaj u kthye atje përsëri jo shumë kohë më pas (Veprat 14:21–22). Ai kaloi nëpër shumë vuajtje dhe rreziqe (2 Kor. 11:23–27), duke rrezikuar shpesh herë jetën e vet, me qëllim për t’iu bindur Krishtit plotësisht. Për rrjedhojë, në fund të jetës, me një notë ngadhënjimi të madh, ai mund të thoshte: “koha e nisjes sime arriti. Luftën e mirë e luftova, e përfundova vrapimin, e ruajta besimin” (2 Tim. 4:6–7). Po kjo bindje i fuqizoi shenjtorët e Besëlidhjes së Vjetër që të pranonin martirizimin më mirë sesa mëkatin: “të tjerë u torturuan, sepse nuk pranuan shpengimin, për të fituar një ringjallje më të mirë” (fjalë për fjalë: “që të mund të përftojnë një ringjallje më të mirë,” Heb. 11:35). Kjo bindje i dha gjithashtu Pjetrit si dhe apostujve të tjerë kurajë kur përballeshin me kërcënimin e vdekjes, që të thoshin: “Duhet t'i bindemi Perëndisë më shumë sesa njerëzve” (Veprat 5:29). Pa dyshim që kjo ishte çështja e urdhëresës së Jezusit ndaj kishës në Smirnë: “Ji besnik deri në vdekje dhe do të të jap kurorën e jetës” (Zbu. 2:10). Ne lexojmë gjithashtu se do të ketë gëzim në qiell kur shenjtorët besnikë të kenë mposhtur djallin “me anë të gjakut të Qengjit dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje” (Zbu. 12:11).

Bindja se ne mund ta nderojmë Zotin edhe me vdekjen tonë, dhe se besnikëria ndaj Tij është shumë më e rëndësishme sesa ruajtja e jetës tonë, i ka dhënë kurajë dhe i ka motivuar martirët përgjatë historisë së Kishës. Kur u përballën me një zgjedhje që ose të mbronin jetën e tyre por të mëkatonin, ose të heqin dorë nga jeta e tyre e të tregoheshin besnikë, ata zgjodhën që të heqin dorë nga jeta e tyre—“nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje” (Zbu. 12:11). Edhe në kohën kur ka pak përndjekje apo pak gjasa për martirizim, do të ishte mirë për ne që ta ngulitnim në mendje këtë të vërtetë njëherë e mirë, sepse nëse jemi të gatshëm që të heqim dorë edhe nga jeta jonë për hir të besnikërisë ndaj Perëndisë, do ta gjejmë shumë më të lehtë të heqim dorë edhe nga gjithçka tjetër për hir të Krishtit.

B. Si duhet ta mendojmë vdekjen tonë si dhe vdekjen e të tjerëve?

1. Vdekja jonë. Besëlidhja e Re na inkurajon që vdekjen tonë ta shikojmë jo me frikë por me gëzim duke patur parasysh se do të shkojmë për të qenë me Krishtin. Pali thotë: “na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë pranë Zotit” (2 Kor. 5:8). Kur ai është në burg, ende pa ditur nëse do të ekzekutohet apo lirohet, ai mund të thotë:

Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Por në qoftë se të jetuarit në mish bën që puna ime të sjellë fryt, atëherë nuk di ç'të zgjedh; sepse unë jam i shtrënguar nga të dyja: kam dëshirë të ndahem dhe të jem bashkë me Krishtin, shumë herë më mire. (Fil. 1:21–23)

Ne lexojmë gjithashtu fjalën e Gjonit tek “Zbulesa”, “Dhe dëgjova një zë prej qiellit që më thoshte: «Shkruaj: Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin; po, thotë Fryma, që të prehen nga mundimet e tyre; dhe veprat e tyre t'i ndjekin!’” (Zbu. 14:13).

Besimtarët nuk kanë përse të kenë frikë nga vdekja, për rrjedhojë, Shkrimi na siguron që madje as “vdekja” nuk do të na ndajë “nga dashuria e Perëndisë që është në Jezu Krishtin, Zotin tonë” (Rom. 8:38–39; kr. Ps. 23:4). Në fakt, Jezusi vdiq me qëllim që të mund të“çlironte të gjithë ata, që nga frika e vdekjes i ishin nënshtruar robërisë për tërë jetën” (Heb. 2:15).[181]3 Ky varg na kujton që një dëshmi e qartë për mungesën tonë të frikës nga vdekja do të sigurojë një dëshmi të fortë për të krishterët në një epokë që përpiqet të shmangë të folurin rreth vdekjes dhe që nuk ka ç’të thotë si përgjigje për të.

2. Vdekja e miqve dhe e të afërmve të krishterë. Ndërkohë që ne mund ta presim vdekjen tonë me një pritshmëri të gëzueshme të të qenurit në praninë e Krishtit, qëndrimi ynë do të jetë disi ndryshe kur përjetojmë vdekjen e miqve dhe të afërmve të krishterë. Në këto raste ne do të përjetojmë një pikëllim të mirëfilltë, por të përzierë me gëzim për faktin që ata kanë shkuar për të qenë me Zotin.

Nuk është gabim të shprehësh një pikëllim të vërtetë për humbjen e përbashkësisë me personat e dashur të cilët kanë vdekur, si dhe pikëllim gjithashtu për vuajtjen dhe vështirësinë të cilën ata mund të kenë kaluar përpara se të vdisnin. Nganjëherë, të krishterët mendojnë se do të tregonin mungesë besimi nëse vajtojnë thellë për një vëlla apo motër të krishterë që ka vdekur. Por, Shkrimi nuk e mbështet atë pikëpamje, për shkak se kur Stefani u godit me gurë, lexojmë se: “njerëz të devotshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të” (Veprat 8:2). Nëse padyshim ka patur siguri se dikush shkoi për të qenë me Zotin, ky ka qenë rasti i Stefanit. Ndërkohë që vdiq, ai tha: “Ja, unë po shoh qiejt e hapur dhe Birin e njeriut duke qëndruar në të djathtë të Perëndisë” (Veprat 7:56). Pastaj, kur po vdiste, ai u lut: “Zot Jezus, pranoje frymën time,” dhe, “O Zot, mos ua ngarko atyre këtë mëkat” (Veprat 7:59–60). Dhe, kjo ndodhi në Jerusalem, ndërkohë që të tërë apostujt ishin ende të pranishëm, ata apostuj të cilët e kishin parë Jezusin vetë pasi Ai qe ringjallur prej së vdekurish. Askush nuk e vinte në dyshim që Stefani ishte në qiell duke përjetuar një gëzim të madh në praninë e Zotit. Megjithëkëtë, pavarësisht kësaj, “njerëz të devotshëm e varrosën Stefanin dhe bënë gjëmë të madhe për të” (Veprat 8:2). Pikëllimi i tyre tregoi pikëllimin e mirëfilltë që ata ndjenë për humbjen e përbashkësisë me dikë të cilin e donin, dhe nuk qe e gabuar që ta shprehje këtë pikëllim, përkundrazi, ishte gjë e duhur. Edhe Jezusi, në varrin e Llazarit, “u përlot” (Gjoni 11:35), duke përjetuar pikëllim për faktin që Llazari kishte vdekur, që motra e tij dhe të tjerët po përjetonin një pikëllim të tillë, dhe gjithashtu, pa dyshim, për faktin që në botë ekzistonte vdekja, sepse ajo tek e fundit nuk është e natyrshme dhe nuk duhet të jetë në një botë të krijuar nga Perëndia.

Pleqësia efesiane, të cilën Pali e kishte mësuar personalisht për tre vjet, më vonë “e rroknin Palin për qafe dhe e puthnin, të rënduar sidomos për fjalën që kishte thënë, se nuk do ta shihnin më fytyrën e tij” (Veprat 20:37–38). Edhe Pali vetë, në të njëjtën letër në të cilën ai shprehu një dëshirë për t’u larguar nga kjo jetë e për të qenë me Krishtin, tha se po qe se Epafroditi do të kishte vdekur, ai do të kishte patur “trishtim mbi trishtim” (Fil. 2:27). Për më tepër, mbreti David, njeriu sipas zemrës së Perëndisë, njeriu i cili në psalmet e Tij shpesh herë foli për të jetuarit përgjithnjë me Perëndinë, gjithsesi u pikëllua shumë kur mësoi që Sauli dhe Jonathani kishte vdekur (2 Sam. 1:11–27).

Gjithsesi, pikëllimi që ne ndjejmë, është qartësisht i përzierë me shpresë dhe gëzim. Pali nuk u thotë thesalonikasve që ata nuk duhet të pikëllohen aspak në lidhje me personat e dashur për ta të cilët kanë vdekur, por shkruan: “që të mos trishtoheni si të tjerët që nuk kanë shpresë” (1 Thes. 4:13)—ata nuk duhet të pikëllohen në të njëjtën mënyrë, me të njëjtën dëshpërim të hidhur që kanë jobesimtarët. Por, padyshim që ata duhet të pikëllohen. Ai i siguron ata se Krishti “vdiq për ne që, o të zgjuar o të fjetur, të jetojmë njëkohësisht me të” (1 Thes. 5:10), dhe me këtë i inkurajon ata se ata që kanë vdekur kanë shkuar për të qenë me Zotin. Kjo është arsyeja përse Shkrimi mund të thotë: “Lum të vdekurit që këtej e tutje vdesin në Zotin... që të prehen nga mundimet e tyre” (Zbu. 14:13). Faktikisht, Shkrimi madje na thotë: “Është e çmueshme në sytë e ZOTIT vdekja e të shenjtëve të tij” (Ps. 116:15).

Për rrjedhojë, edhe pse kemi një pikëllim të mirëfilltë kur miq dhe të afërm të krishterë vdesin, ne gjithashtu mund të themi bashkë me Shkrimin: “O vdekje, ku është gjëmba jote? O ferr, ku është fitorja jote?... ta falënderojmë Perëndinë që na jep fitoren me anë të Zotit tonë Jezu Krisht” (1 Kor. 15:55–57). Edhe pse ne vajtojmë, vajtimi ynë duhet të jetë i përzierë me adhurimin e Perëndisë dhe me mirënjohje për jetën e personit të dashur i cili ka vdekur. Adhurimi është veçanërisht i rëndësishëm në këtë kohë, ashtu sikurse e shikojmë në shembujt e Davidit dhe të Jobit. Kur fëmija i Davidit vdiq, ai reshti së luturi për shëndetin e fëmijëve dhe adhuroi Perëndinë: “Atëherë Davidi u ngrit nga toka, u la, u vajos dhe ndërroi rrobat; pastaj shkoi në shtëpinë e Zotit dhe ra përmbys” (2 Sam. 12:20).

Në mënyrë të ngjashme, kur Jobi dëgjon për vdekjen e të dhjetë fëmijëve të tij,

Atëherë Jobi u ngrit, grisi mantelin e tij dhe rroi kokën; pastaj ra përmbys e adhuroi dhe tha: «Lakuriq dola nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. ZOTI ka dhënë dhe ZOTI ka marrë. Qoftë i bekuar emri i ZOTIT .” (Jobi 1:20–21)

3. Vdekja e jobesimtarëve. Kur jobesimtarët vdesin, pikëllimi që ne ndjejmë nuk është i përzierë me gëzimin e sigurisë që ata kanë shkuar për të qenë me Zotin përgjithnjë. Ky pikëllim, veçanërisht në lidhje me ata me të cilët ne kemi qenë të afërt, është shumë i thellë dhe real. Pali vetë, kur mendonte për disa prej vëllezërve të vet judenj të cilët e kishin refuzuar Krishtin, tha: “Unë them të vërtetën në Krishtin, nuk gënjej dhe ndërgjegjja ime me anë të Frymës së Shenjtë jep dëshmi bashkë me mua; kam një trishtim të madh dhe një dhembje të vazhdueshme në zemrën time. Sepse, do të doja të isha vetë i mallkuar, i ndarë nga Krishti, për vëllezërit e mi, për farefisin tim sipas mishit” (Rom. 9:1–3).

Megjithëkëtë, duhet thënë gjithashtu se ne shpesh nuk kemi siguri absolute që një person ka vazhduar deri sa ka vdekur të refuzojë t’i besojë Krishtit. Kur personi e di se po i afron vdekja, shpesh herë kjo do ta shtyjë të shqyrtojë mirë e mirë zemrën e vet dhe nganjëherë, fjalët e Shkrimit apo fjalët e dëshmisë së krishterë të cilat i ka dëgjuar kohë më parë, do t’i kujtohen dhe personi mund të vijë në një pendesë dhe besim të mirëfilltë. Pa dyshim, ne nuk kemi ndopak siguri që kjo gjë ka ndodhur nëse nuk ka prova të qarta për të, por është gjithashtu mirë që të kuptojmë se në shumë rate, ne kemi një njohuri vetëm me gjasa por jo absolute që ata të cilët ne i kemi njohur si jobesimtarë, kanë këmbëngulur në mosbesimin e tyre deri në pikën e vdekjes. Në disa raste, ne thjesht nuk e dimë.

Megjithatë, pasi një jo i krishterë ka vdekur, do të ishte gabim t’u tregoje të tjerëve që ne mendojmë se personi ka shkuar në parajsë. Kjo do të thoshte thjesht të jepje informacion që të çon në drejtim të gabuar si dhe siguri të rreme, si dhe të zbehim emergjencën e nevojës për ata të cilët janë ende gjallë që t’i besojnë Krishtit. Me sa kemi mundësi, është shumë më mirë që të përqendrohemi tek fakti që pikëllimi të cilin ne ndjejmë për humbjen e një personi të dashur për ne, bën që të reflektojmë mbi jetën dhe fatin tonë gjithashtu. Në fakt, kohët kur ne jemi në gjendje që të flasim si një mik të afërmit të një jobesimtari i cili ka vdekur, janë shpesh herë kohë kur Zoti do të hapë mundësinë për të folur për ungjillin me ata të cilët jetojnë ende.

Për më tepër, shpesh herë është shumë e dobishme në rrethana të tilla që të flasim me një mirënjohje të vërtetë për cilësitë e mira që kemi vënë re dhe që me anë të të cilave jemi inkurajuar në jetën e personit që ka vdekur.[182]4 Një shembull i mirë i kësaj, shikohet tek reagimi i Davidit kur Mbreti Saul vdiq. Paçka se Sauli qe bërë një mbret i keq, e kishte ndjekur këmba këmbës Davidin e qe përpjekur ta vriste atë shpesh herë, sapo Sauli vdiq, Davidi foli lirshëm dhe publikisht për gjërat e mira që Sauli kishte bërë:

Madhështia e Izraelit qëndron e vrarë në lartësitë e tua! Si është e mundur që ranë trimat!... Sauli dhe Jonathani... Ishin më të shpejtë se shqiponjat, më të fortë se luanët. Bija të Izraelit, vajtoni Saulin që ju vishte në luks me rroba flakë të kuqe, që i zbukuronte me ar veshjet tuaja. Vallë, si ranë trimat në mes të betejës! (2 Sam. 1:19–25)[183]5

C. Çfarë ndodh kur njerëzit vdesin?

1. Fryma e besimtarëve futet menjëherë në praninë e Perëndisë. Vdekja është një reshtje e përkohshme e jetës trupore dhe një ndarje e shpirtit nga trupi. Sapo një besimtar të ketë vdekur, paçka se trupi i tij apo i saj mbetet në tokë dhe varroset, në momentin e vdekjes shpirti (apo fryma) e atij besimtari shkon menjëherë e me gëzim në praninë e Perëndisë. Kur Pali mendon për vdekjen, ai thotë: “na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë pranë Zotit” (2 Kor. 5:8). Të kesh lënë trupin, do të thotë të jesh në shtëpi me Zotin. Ai gjithashtu thotë se dëshira e tij është që të “ndahem dhe të jem bashkë me Krishtin, shumë herë më mirë” (Fil. 1:23). Gjithashtu Jezusi i tha hajdutit që po vdiste në kryqin ngjitur me të Tijin: “Sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43).[184]6 Autori i Hebrenjve thotë se kur të krishterët mblidhen për të adhuruar, ata nuk është se thjesht hyjnë në praninë e Perëndisë në qiell, por edhe në praninë e “frymërave të të drejtëve që u bënë të përsosur” (Heb. 12:23).[185]7 Sidoqoftë, siç do ta shikojmë në më shumë detaje në kapitullin tjetër, Perëndia nuk do t’i lërë trupat tanë të vdekur në tokë përgjithnjë, sepse kur Krishti të kthehet, fryma e besimtarëve do të ribashkohet me trupat e tyre, trupat e tyre do të ringjallen dhe ata do të jetojnë me Krishtin në përjetësi.

a. Bibla nuk na mëson doktrinën e Purgatorit: Fakti që fryma e besimtarëve hyn menjëherë në praninë e Perëndisë, do të thotë se diçka e tillë si Purgatori nuk ekziston. Në mësimin Katolik Romak, purgatori është vendi ku fryma e besimtarëve shkon, me qëllim që të pastrohet edhe më shumë prej mëkatit, derisa ata të jenë gati për t’u pranuar në qiell. Sipas kësaj pikëpamjeje, vuajtjet e purgatorit nga mëkati derisa ata të jenë gati për t’u pranuar në qiell. Sipas kësaj pikëpamjeje, vuajtjet e purgatorit i ofrohen Perëndisë në vend të ndëshkimit për mëkatet që besimtarët duhet të kishin pësuar me kohë, por që nuk e kanë pësuar. Duke folur për purgatorin, Ott-i thotë:

Këto vuajtje operojnë në një mënyrë të atillë që vlera shlyese e veprave të mira ofrohet ndaj Perëndisë si zëvendësim për ndëshkimin e përkohshëm për mëkatet që frymërat e ngrata duhet ende që të shpaguajnë. Ky sistem vepron përmes ndjesës së ndëshkimeve të përkohshme të cilat vijnë si pasojë e mëkateve.[186]8

Por kjo doktrinë nuk na jepet mësim në Shkrime, dhe në fakt është e ndryshme me vargjet e cituara menjëherë më lart. Kisha Katolike Romake ka gjetur mbështetje për këtë doktrinë, jo në faqet e kanonit të Shkrimit siç e kemi përkufizuar në kapitullin 3 më lart, dhe ashtu sikurse Protestantët e kanë pranuar që në kohën e Reformimit, por në shkrimet e Apokrifës,[187]9 specifikisht tek “2 Makabenjve” 12:43–45:

[Juda Makabeu, drejtuesi i forcave judaike] i mblodhi nga secili burrë dy mijë drahma të argjendta, i dërgoi në Jerusalem të kushtohet flia për mëkat duke vepruar kështu shumë mirë e bujarisht, i shtyrë nga mendimi i ringjalljes. E njëmend, po të mos kishte shpresuar se do të ringjallen ata që u vranë, do të kishte qenë e tepërt dhe e kot të luteshin për të vdekur. Mandej ai e kishte parasysh se një shpërblim tepër i bukur i priste ata që vdesin në hirin e Zotit: mendim ky i shenjtë e i përshpirtshëm. Ja, pra, pse dha të kushtohet fli shpërblimi, që të çlirohen nga mëkati.

Këtu është e qartë se aprovohet lutja për të vdekurit, dhe gjithashtu bërja e një oferte ndaj Perëndisë për t’i çliruar të vdekurit nga mëkatet e tyre. Por, si përgjigje, duhet thënë se kjo literaturë nuk është e barabartë me Shkrimin në autoritet, dhe nuk duhet marrë si një burim autoritar doktrine. Për më tepër, ajo kontradikton deklaratat e qarta rreth largimit dhe të qenurit me Krishtin të cituara më lart, dhe për rrjedhojë, e kundërshton mësimin e qartë të Shkrimit të Besëlidhjes së Re. Për më tepër, kur flet për ofertën e Judës që bën “fli [Gr. ἐξηιλασμός (“pajtimore)] për të vdekurit” ajo kontradikton mësimin e qartë të Besëlidhjes së Re që vetëm Krishti bëri shlesë për ne. Si përfundim, ky pasazh tek “2 Makabenjve” është e vështirë që të përputhet madje edhe me mësimin Katolik Romak, për shkak se ai mëson që për ushtarët të cilët kishin vdekur në mëkatin vdekjeprurës të idhujtarisë (i cili nuk mund të falet, sipas mësimit Katolik) duhet të ofrohen lutje dhe flijime me idenë se ekziston mundësia që ata do të çlirohen nga vuajtja e tyre.

Teologjia Katolike Romake gjen mbështetje për doktrinën e purgatorit kryesisht në pasazhin e “2 Makabenjve” të cituar më lart, si dhe në mësimin e traditës së kishës.[188]10 Pasazhe të tjerë të cituar nga Otti në mbështetje të doktrinës së purgatorit, janë “2 Timoteut” 1:18; “Mateu” 5:26; “1 Korintasve” 3:15; dhe “Mateu” 12:32. Tek “2 Timoteut” 1:18, Pali thotë në lidhje me Onesiforin, “madje, kur erdhi në Romë, më kërkoi me shumë zell dhe më gjeti. Zoti i dhëntë të gjejë mëshirë nga ana e Zotit në atë ditë. Edhe sa më shërbeu në Efes, ti e di më mirë se të gjithë” (2 Tim. 1:17–18). Deklarata e atyre të cilët gjejnë mbështetje për doktrinën e purgatorit është se “Onesifori...me sa duket nuk qe më ndër të gjallët në kohën e Letrës së Dytë të Timoteut.”[189]11 Kjo duket se bazohet në faktin që Pali nuk i referohet Onesiforit vetë, por “shtëpisë së Onesiforit” (2 Tim. 1:16); sidoqoftë, ajo frazë nuk vërteton që Onesifori kishte vdekur, por vetëm se Pali po uronte bekime jo vetëm mbi të, por mbi të tërë shtëpinë e tij. Kjo nuk do të ishte gjë e pazakontë përderisa Onesifori kishte shërbyer në Efes ku Pali kishte punuar për tre vjet (2 Tim. 1:18; kr. 4:19). Të gjesh mbështetje për purgatorin tek ideja që Onesifori kishte vdekur tashmë, është thjesht të ndërtosh mbi një supozim i cili nuk mund të mbështetet me prova të qarta. (Nuk është e pazakontë për Palin që të shprehë një dëshirë që disa të krishterë të ishin të bekuar në Ditën e Gjykimit—shiko “1 Thes.” 5:23.)

Tek “Mateu” 12:32, Jezusi thotë: “Atij që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do t'i falet, as në këtë botë, as në atë të ardhme.” Ott-i thotë se kjo fjali “lë hapur mundësinë që mëkatet të falen jo vetëm në këtë botë, por edhe në atë që do të vijë.”[190]12 Sidoqoftë, ky është thjesht një gabim në arsyetim: të thuash që diçka nuk do të ndodhë në epokën që do të vijë, nuk nënkupton se mund të ndodhë në epokën që do të vijë![191]13 Ajo që nevojitet për të vërtetuar doktrinën e purgatorit, nuk është një deklaratë mohore si kjo, por një deklaratë pohore e cila thotë se njerëzit vuajnë me qëllim vazhdimin e pastrimit pasi të vdesin. Por ja që Shkrimi nuk na e thotë gjëkundi këtë.

Tek “1 Korintasve” 3:15 Pali thotë se në Ditën e Gjykimit, puna që të tërë kanë bërë do të gjykohet dhe provohet me zjarr, dhe pastaj ai thotë: “në qoftë se vepra e dikujt digjet, do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, por, si përmes zjarrit.” Por kjo nuk flet për një person i cili digjet apo që vuan ndëshkim, por thjesht për punën e tij që vihet në provë nëpërmjet zjarrit. Ajo gjë që është e mirë do të jetë si ar, argjend si dhe gurë të çmuar që do të mbeten përgjithnjë (v. 12). Për më tepër, Ott-i vetë e pranon që kjo është diçka e cila ndodh jo gjatë kësaj epoke por gjatë ditës së “gjykimit të përgjithshëm,”[192]14 dhe kjo gjë tregon edhe më tej se si zor se mund të përdoret si një argument bindës për purgatorin. Si përfundim, tek “Mateu” 5:26, pasi i paralajmëron njerëzit që të pajtohen shpejt me akuzuesit e tyre ndërkohë që janë rrugës për në gjykatë, se mos akuzuesi i dorëzon tek gjykatësi dhe gjykatësi tek roja dhe që të mos përfundojnë në burg, Jezusi pastaj thotë: “nuk do të dalësh prej andej pa e paguar edhe qindarkën e fundit.” Ott-i e kupton këtë si një mësim shëmbëlltyre, një “kusht i kufizuar në kohë për ndëshkimin në botën tjetër.”[193]15 Por, padyshim që nuk ka tregues në kontekst që kjo është një shëmbëlltyrë. Jezusi po jep mësime praktike rreth pajtimit të konflikteve njerëzore si dhe shmangies së situatave të cilat çojnë natyrshëm në zemërim si dhe dëmtim personal (shiko Mat. 5:21–26). Pasazhe të tjerë të Shkrimit janë përmendur nganjëherë në mbështetje të doktrinës së purgatorit[194]16 por thjesht nuk flasin aspak drejtpërsëdrejti rreth kësaj ideje, dhe mundet që fare lehtë të kuptohen në lidhje me ndëshkimin dhe çlirimin nga shqetësimet në këtë jetë, apo të një jete bekimi të përjetshëm me Perëndinë në qiell në jetën që do të vijë.

Një problem edhe më i rëndë me këtë doktrinë, është se sipas saj ne duhet t’i shtojmë diçka veprës shpëtuese të Krishtit, dhe se vepra e Tij shpenguese për ne, nuk mjafton për të paguar ndëshkimin për të tëra mëkatet tona, por kjo bie padyshim në kundërshtim me mësimin e Shkrimit.[195]17 Për më tepër, në një kuptim pastoral, doktrina e purgatorit ua zhvat besimtarëve ngushëllimin e madh që do të ishte i tyre në njohjen e faktit që ata të cilët kanë vdekur, kanë hyrë menjëherë në praninë e Zotit, si dhe në njohjen se edhe ata, kur të vdesin, do të “ndahen dhe jenë bashkë me Krishtin, (sepse kjo është) shumë herë më mirë” (Fil. 1:23).

b. Bibla nuk na mëson doktrinën e “Fjetjes së Frymës.” Fakti që fryma e besimtarëve hyn aty për aty në praninë e Perëndisë, nënkupton gjithashtu se doktrina e fjetjes së frymës, nuk është e saktë. Kjo doktrinë na mëson se kur besimtarët vdesin, ata hyjnë në një gjendje ekzistence të pavetëdijshme, dhe gjëja tjetër për të cilën ata janë të vetëdijshëm, do të jetë kur Krishti të kthehet e t’i ngjallë ata në amshim. Kjo doktrinë është dhënë mësim herë pas here nga ndokush gjatë historisë së kishës, përfshi këtu disa Anabaptistë gjatë kohës së Reformimit, si dhe disa Irvingjitë në Anglinë e shekullit të nëntëmbëdhjetë. Në fakt, një nga shkrimet e para të Xhon Kalvinit (John Calvin) ishte një trakt kundër kësaj doktrine, një doktrinë e cila nuk ka gjetur kurrë një pranim të gjerë në kishë.

Mbështetje për këtë doktrinë të fjetjes së frymës, është gjetur përgjithësisht në faktin që Shkrimi flet disa herë për gjendjen e vdekjes si “fjetje” apo “rënie në gjumë” (Mat. 9:24; 27:52; Gjoni 11:11; Veprat 7:60; 13:36; 1 Kor. 15:6, 18, 20, 51; 1 Thes. 4:13; 5:10). Për më tepër, disa pasazhe duket se na mësojnë se të vdekurit nuk janë në një ekzistencë të vetëdijshme (shiko Ps. 6:5; 115:17 [por shiko v. 18!]; Pred. 9:10; Isa. 38:19). Por kur Shkrimi e prezanton vdekjen si “fjetje” kjo është thjesht një shprehje metaforike e cila përdoret për të nënkuptuar se vdekja është vetëm e përkohshme për të krishterët, ashtu sikurse gjumi është i përkohshëm. Kjo gjë shikohet qartë, për shembull, kur Jezusi u flet dishepujve të Tij rreth vdekjes së Llazarit. Ai thotë: “Mikun tonë, Llazarin e ka zënë gjumi, por unë po shkoj ta zgjoj” (Gjoni 11:11). Ne duhet të vërejmë se Jezusi këtu nuk thotë: “Shpirti i Llazarit po fle,” gjithashtu, faktikisht, as ndonjë pasazh nga Shkrimi nuk thotë se fryma e një personi po fle apo është e pavetëdijshme (një deklaratë kjo e cila do të ishte e nevojshme për të vërtetuar doktrinën e fjetjes së frymës). Përkundrazi, Jezusi thjesht thotë se Llazari ka rënë në gjumë. Pastaj Gjoni shpjegon: “Jezusi u kishte folur për vdekjen e tij, kurse ata pandehnin se kishte folur për fjetjen e gjumit. Atëherë, pra, Jezusi u tha atyre haptas: «Llazari ka vdekur”’ (Gjoni 11:13–14). Pasazhet e tjera të cilat flasin për njerëzit që flejë kur vdesin, duhet që po kështu të interpretohen si një shprehje thjesht metaforike për të dhënë mësim se vdekja është e përkohshme.

Sa për pasazhet të cilat tregojnë se të vdekurit nuk e lavdërojnë Perëndinë, apo se ka një reshtje të veprimtarisë së vetëdijshme kur njerëzit vdesin, të tëra këto duhen kuptuar nga një pikëpamje e jetës në këtë botë. Nga këndvështrimi ynë duket se sapo njerëzit vdesin, ata nuk përfshihen më në këto veprimtari. Por, “Psalmi” 115 paraqet pikëpamjen e plotë biblike të këtij këndvështrimi. Ai thotë: “Nuk janë të vdekurit ata që lëvdojnë ZOTIN, as ata që zbresin në vendin e heshtjes.” Por pastaj ai vazhdon në pikërisht vargun tjetër me një kontrast ku tregohet se ata të cilët besojnë në Perëndinë, do ta bekojnë Zotin përgjithnjë: “Por ne do ta bekojmë Zotin, tani dhe përjetë. Aleluja!” (Ps. 115:17–18).

Si përfundim, pasazhet e cituara më lart të cilat demonstrojnë që fryma e besimtarëve shkon menjëherë në praninë e Perëndisë dhe që gëzon përbashkësi me Të atje (2 Kor. 5:8; Fil. 1:23; Luka 23:43; dhe Heb. 12:23) tregojnë të tëra se ekziston një vetëdije dhe përbashkësi me Perëndinë menjëherë pas vdekjes për besimtarin. Jezusi nuk tha: “Sot nuk do të humbësh vetëdijen për gjithçka që po ndodh,” por “Sot do të jesh me mua në parajsë” (Luka 23:43). Padyshim që perceptimi i parajsës e kuptuar në këtë kohë, nuk ishte e një ekzistence të pavetëdijshme, por e një bekimi dhe gëzimi të madh në praninë e Perëndisë.[196]18 Pali nuk tha: “Unë dëshiroj të largohem dhe të jem i pavetëdijshëm për një periudhë të gjatë kohore,” por përkundrazi: “Kam dëshirë të ndahem dhe të jem bashkë me Krishtin” (Fil. 1:23)—dhe ai padyshim e dinte se Krishti nuk ishte një Shpëtimtar i pavetëdijshëm e i fjetur, por një që jetonte në mënyrë vepruese e që mbretëron në qiell. Të jesh me Krishtin do të thotë të gëzosh bekimin e përbashkësisë në praninë e Tij, dhe kjo është arsyeja përse të ndahesh e të jesh me Të, ishte “shumë herë më mirë” (Fil. 1:23). Kjo është arsyeja përse ai thotë: “Na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë pranë Zotit” (2 Kor. 5:8).

Fakti se “Hebrenjve” 12:1 thotë: “duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmitarësh,” menjëherë pas një kapitulli të tërë të kaluar me diskutimin e besimit të shenjtorëve të Besëlidhjes së Vjetër të cilët kishin vdekur (Heb. 11), dhe fakti që autori na inkurajon që të vrapojmë garën e jetës me durim për shkak se ne jemi të rrethuar nga kjo re e madhe e dëshmitarëve, sugjeron edhe se ata të cilët kanë vdekur dhe që kanë shkuar përpara, kanë njëfarë vetëdijeje rreth asaj që po ndodh në botë. Shkrimi thotë shumë pak rreth kësaj, me shumë mundësi për shkak se nuk dëshiron që ne t’u flasim atyre që kanë vdekur, t’u lutemi atyre, apo t’i kontaktojmë ata në një mënyrë a një tjetër (vini re mëkatin e madh të Saulit në këtë gjë tek “1 Sam.” 28:7–25). Megjithëkëtë, “Hebrenjve” 12:1–2 na jep këtë ide të zbehtë, me shumë mundësi si një inkurajim ndaj nesh që të vazhdojmë gjithashtu që të jemi besnikë ndaj Perëndisë, ashtu sikurse ishin ata të cilët kanë vdekur dhe kanë shkuar në parajsë përpara nesh. Në mënyrë të ngjashme, në fund të “Hebrenjve” 12, autori na thotë se kur ne adhurojmë, ne hyjmë në praninë e Perëndisë në qiell, e ne nuk vijmë tek “frymërat e të drejtëve të cilët flenë në një gjendje të pavetëdijshme” por tek “moria e engjëjve, kuvendit të përgjithshëm dhe kishës së të parëlindurve që janë shkruar në qiej, dhe Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, dhe frymërave të të drejtëve që u bënë të përsosur, dhe Jezusit, ndërmjetësit të besëlidhjes së re” (Heb. 12:22–24).[197]19

“Zbulesa” 6:9–11 dhe 7:9–10 tregon gjithashtu qartë shpirtin apo frymën e atyre të cilët kanë vdekur e që kanë shkuar në qiell duke u lutur e duke adhuruar, sepse ata thërrasin me një zë të lartë: “Deri kur, o Zotëri, o i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata, që banojnë mbi dhe?” (Zbu. 6:10), dhe ata shikohen tek “qëndronin në këmbë përpara fronit dhe përpara Qengjit, të veshur me petka të bardha dhe me palma në duart e tyre. Dhe bërtisnin me zë të madh, duke thënë: «Shpëtimi është i Perëndisë tonë që është ulur mbi fron dhe i Qengjit!”’ (Zbu. 7:9–10). Të tëra këto pasazhe e mohojnë doktrinën e fjetjes së shpirtit, sepse ato e bëjnë të qartë që shpirti i besimtarëve përjeton një përbashkësi të vetëdijshme me Perëndinë në qiell menjëherë pas vdekjes.

c. A hynë besimtarët e Besëlidhjes së Vjetër menjëherë në praninë e Perëndisë? Disa kanë thënë se, paçka se fryma e besimtarëve që prej ringjalljes së Krishtit shkon menjëherë në praninë e Perëndisë në qiell, fryma e besimtarëve të cilët vdiqën përpara ringjalljes së Krishtit nuk gëzoi bekimet e qiellit por shkoi në një vend pritjeje që të plotësohet. Nganjëherë, kjo është quajtur limbus patrum ose thjesht limbo.[198]20 Kjo pikëpamje ka qenë veçanërisht e përhapur në teologjinë Katolike Romake, por është mbrojtur gjithashtu nga disa Luterianë. Një pjesë e mbështetjes për këtë doktrinë, vjen nga një pikëpamje e caktuar e idesë së zbritjes së Krishtit në ferr, pikëpamje të cilën e kemi diskutuar në një kapitull të mëparshëm.[199]21

Nuk ka shumë referenca nga Shkrimi të cilat flasin për gjendjen e besimtarëve të Besëlidhjes së Vjetër pasi ata vdiqën, por ato të cilat na japin ndonjë tregues të gjendjes së tyre, tregojnë të tëra në drejtim të një shijimi të menjëhershëm e të vetëdijshëm të pranisë së Perëndisë, e jo për një kohë pritjeje larg nga prania e Perëndisë. “Enoku eci me Perëndinë, por nuk u gjend më, sepse Perëndia e mori me vete” (Zan. 5:24; kr. Heb. 11:5). Elija nuk u çua në një vend në kufi me ferrin, por ai “u ngjit në qiell në një shakullinë” (2 Mbretërve 2:11; kr. Mat. 17:3, ku u shfaq Moisiu dhe Elija, e bisedonin me Jezusin). Edhe Davidi është i bindur se do “të banoj në Shtëpinë e ZOTIT ditë të gjata” (Ps. 23:6; kr. 16:10–11; 17:15; 115:18). Për më tepër, kur Jezusi u përgjigjet saducenjve, Ai i kujton ata që Perëndia thotë: “Unë jam Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhe Perëndia i Jakobit” dhe pastaj thotë: “Perëndia nuk është Perëndia i të vdekurve, por i të gjallëve” (Mat. 22:32), duke nënkuptuar për pasojë se Abrahami, Isaku dhe Jakobi po jetonin edhe në pikërisht atë moment, dhe se Perëndia ishte Perëndia i tyre. Për më tepër, në historinë e pasanikut dhe Llazarit, Jezusi nuk thotë se Llazari është i pavetëdijshëm, por tregon Abrahamin që thotë rreth Llazarit: “Tashti ai po përdëllehet këtu” (Luka 16:25). Abrahami vetë portretizohet si një person i cili banon me vetëdije në një vend që është shumë i dëshirueshëm, ku pasaniku dëshironte fort që të shkonte për vete, padyshim jo një vend në zgrip të ferrit. Është e rëndësishme të vëmë re se përderisa kjo është përpara ringjalljes së Krishtit, Llazari ishte në të njëjtën situatë me shenjtorët e Besëlidhjes së Vjetër.

Për rrjedhojë, duket se ka të ngjarë që besimtarët e Besëlidhjes së Vjetër gjithashtu hynë menjëherë në parajsë dhe shijuan një kohë përbashkësie me Perëndinë kur vdiqën. Sidoqoftë, mundet të ketë qenë fare mirë e vërtetë që bekime të shumta shtesë si dhe një gëzim më i madh t’u ketë ardhur kur Krishti u kthye në qiell pasi u ngrit nga toka. Por, kjo nuk do të thotë që ata u transportuan në parajsë për herën e parë, apo se kjo ishte hera e parë që ata shijuan bekimin e pranisë së Perëndisë.

d. A duhet të lutemi për të vdekurit? Si përfundim, fakti që fryma e besimtarëve shkon menjëherë në praninë e Perëndisë, do të thotë se ne nuk duhet të lutemi për të vdekurit. Paçka se kjo ide na është dhënë mësim tek “2 Makabenjve” 12:42–45 (shiko më lart), ajo nuk na mësohet asgjëkund në Bibël vetë. Për më tepër, nuk ka tregues se kjo ishte praktika e cilitdo të krishteri në kohën e Besëlidhjes së Re, e as nuk duhet të ketë qenë. Sapo besimtarët vdesin, ata hyjnë në praninë e Perëndisë dhe ata janë në një gjendje lumturie të përsosur me Të. Ç’të mirë do kishte që të luteshim për ta më tepër? Shpërblimi përfundimtar qiellor do të bazohet në veprat e bëra në këtë jetë, ashtu sikurse Shkrimi dëshmon në mënyrë të përsëritur (1 Kor. 3:12–15; 2 Kor. 5:10; etj.).[200]22 Për më tepër, shpirti i jobesimtarëve që vdesin shkon në një vend gjykimi dhe ndarjeje të përjetshme nga prania e Perëndisë. Edhe për ata nuk do të bënte punë të luteshin përderisa fati i tyre përfundimtar është përcaktuar nga mëkati i tyre si dhe nga rebelimi i tyre kundër Perëndisë në këtë jetë. Për rrjedhojë, të lutesh për të vdekurit do të thotë thjesht të lutesh për diçka që Perëndia na ka thënë se tashmë është vendosur.[201]23 Për më tepër, për të dhënë mësim që ne duhet të lutemi për të vdekurit, apo për të inkurajuar të tjerët që ta bëjnë këtë, do të ishte të inkurajoje shpresa të kota sipas të cilave, fati i njerëzve mund të ndryshohet pasi ata të vdesin, diçka kjo të cilën Shkrimi nuk na inkurajon askund që ta mendojmë. Kjo mund t’i shtyjë njerëzit në një ankth shumë të panevojshëm dhe të çojë dëm një kohë të madhe të kaluar kryesisht në lutje të cilat nuk do të kenë absolutisht asnjë rezultat, dhe për rrjedhojë, do të na shmangin vëmendjen nga lutjet të cilat do mund të bëheshin për ngjarjet e lidhura me këtë jetë, e që mund të kishin një efekt të madh në çuarjen përpara të punës së mbretërisë. Ne duhet të kalojmë kohë në lutje në përputhje me vullnetin e Perëndisë.

2. Shpirti i jobesimtarëve shkon menjëherë në dënim të përjetshëm. Shkrimi nuk na inkurajon kurrë të mendojmë se njerëzit do të kenë një shans të dytë për t’i besuar Krishtit pas vdekjes. Në fakt, situata është mjaft e kundërt. Historia e Jezusit rreth të pasurit dhe Llazarit, nuk na jep shpresë që njerëzit mund të kalojnë nga ferri në parajsë pasi të kenë vdekur: paçka se pasaniku në ferr thirri: “O atë Abraham, ki mëshirë për mua, dhe dërgoje Llazarin të lagë majën e gishtit të vet në ujë që të më freskojë gjuhën, sepse po vuaj tmerrësisht në këtë flakë,” Abrahami iu përgjigj: “midis nesh dhe jush është vendosur një humnerë e madhe, që ata që duan të kalojnë që këtej tek ju nuk munden; po ashtu askush nuk mund të kalojë që andej te ne” (Luka 16:24–26).

Libri i Hebrenjve e lidh vdekjen me pasojën e gjykimit në sekuencën e ngushtë: “duke qenë se është caktuar që njerëzit të vdesin një herë, dhe më pas vjen gjyqi...” (Heb. 9:27). Për më tepër, Shkrimi nuk e tregon kurrë gjykimin përfundimtar si të varur tek ndonjë gjë e bërë pasi ne vdesim, por vetëm mbi atë që ka ndodhur në këtë jetë (Mat. 25:31–46; Rom. 2:5–10; kr. 2 Kor. 5:10). Disa kanë argumentuar për një shans të dytë për të besuar në ungjillin mbi bazën e predikimit të Krishtit ndaj frymëve në burg tek “1 Pjetrit” 3:18–20 si dhe predikimi i ungjillit “edhe të vdekurve” tek“1 Pjetrit” 4:6, por ato janë interpretime të pamjaftueshme të vargjeve në fjalë, dhe po t’i shohim më nga afër, nuk e mbështetin një pikëpamje të tillë.[202]24

Ne duhet që gjithashtu të kuptojmë se ideja sipas të cilës do të ketë një shans të dytë për të pranuar Krishtin pas vdekjes, është e bazuar mbi supozimin që të gjithë meritojnë një shans për të pranuar Krishtin dhe se ndëshkimi i përjetshëm u vjen vetëm atyre të cilët me vetëdije vendosin që ta refuzojnë Atë. Por pa dyshim që ideja në fjalë nuk gjen mbështetjen e Shkrimit: të tërë ne jemi mëkatarë nga natyra dhe nga zgjedhja e jonë, dhe askush nuk meriton faktikisht ndonjë gjë nga hiri i Perëndisë e as ndonjë mundësi që të dëgjojë ungjillin e Krishtit. Këto mundësi vijnë vetëm për shkak të favorit të pamerituar që na jep Perëndia. Dënimi vjen jo vetëm për shkak të një refuzimi të vullnetshëm të Krishtit, por gjithashtu për shkak të mëkateve që kemi kryer si dhe rebelimit kundër Perëndisë që ato mëkate përfaqësojnë (shiko “Gjoni” 3:18).

Ideja që njerëzit kanë një shans të dytë për të pranuar Krishtin pas vdekjes do të shkatërronte gjithashtu pjesën më të madhe të motivimit për ungjillëzim dhe veprimtari misionare sot, dhe nuk është e përputhshme me zellin intensiv misionar që u ndje nga kisha e Besëlidhjes së Re si e tërë, dhe që u tregua veçanërisht në udhëtimet misionare të apostullit Pal.

Fakti që ka ndëshkim të vetëdijshëm për jobesimtarët pasi ata vdesin, dhe se ky ndëshkim vazhdon përgjithnjë, është padyshim një doktrinë e vështirë për t’u menduar prej nesh. Megjithëkëtë, pasazhet që na e japin atë mësim duken kaq të qarta saqë duket që ne duhet ta pohojmë po qe se duam të pohojmë atë që Shkrimi na mëson. Jezusi thotë se në ditën e gjykimit përfundimtar, Ai do t’u thotë atyre në të majtë: “Largohuni nga unë, të mallkuar, në zjarr të përjetshëm, të përgatitur për djallin dhe engjëjt e tij,” dhe Ai thotë se “ata do të shkojnë në mundim të përjetshëm, dhe të drejtët në jetën e përjetshme” (Mat. 25:41, 46).[203]25

Këto pasazhe tregojnë se ne nuk mund ta pranojmë si besnike ndaj Shkrimit doktrinën e asgjësimit. Kjo është një doktrinë që thotë se jobesimtarët, qoftë menjëherë sapo vdesin, ose përndryshe pasi vuajnë për një periudhë kohore, thjesht do reshtin së ekzistuari—Perëndia do t’i “asgjësojë” ata dhe ata nuk do të jenë më. Paçka se kjo ide fillimisht na tingëllon tërheqëse, dhe ajo shmang vështirësinë emocionale të lidhur me afirmimin e ndëshkimit të përjetshëm të vetëdijshëm për të këqijtë, gjithsesi, një ide e tillë nuk është pohuar në mënyrë të shkoqur në ndonjë pasazh të Shkrimit, dhe duket kaq qartë se bie në kundërshtim me ato pasazhe që e lidhin bekimin e përjetshëm të të drejtit me ndëshkimin e përjetshëm të të ligut (Mat. 25:46) dhe flasin për ndëshkimin që zgjat ndaj të ligut ditë e natë përgjithnjë (Zbu. 14:11; 20:10).[204]26

Paçka se jobesimtarët kalojnë në një gjendje ndëshkimi të përjetshëm sapo vdesin, trupat e tyre nuk do të ringjallen deri në ditën e gjykimit përfundimtar. Në atë ditë, trupat e tyre do të ringjallen dhe ribashkohen me shpirtin e tyre, dhe ata do të qëndrojnë përpara fronit të Perëndisë për gjykim përfundimtar që të shpallet mbi ta në trup (shiko Mat. 25:31–46; Gjoni 5:28–29; Veprat 24:15; dhe Zbu. 20:12, 15).[205]27

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     Ke menduar shumë rreth mundësisë së vdekjes tënde? A ka patur një element frike të lidhur me këto mendime? Nëse ke frikë në lidhje me vdekjen, çfarë frike ke konkretisht? A mendon se këto frikëra kanë ardhur nga ndikimi i botës përreth teje apo nga Shkrimi? Si do të të inkurajonin mësimet e Shkrimit që të merresh me këto frikëra?

2.     A i ka ndryshuar ky kapitull ndjenjat e tua rreth vdekjes tënde në ndonjë mënyrë a tjetër? A mundesh që me sinqeritet ta mendosh atë tani si diçka që do të të sjellë më afër me Krishtin e të rrisë besimin tënd tek Perëndia si dhe besnikërinë ndaj Tij? Si do t’i shprehje shpresat e tua në lidhje me vdekjen tënde?

3.     A mendon se do të kishe kurajën të refuzoje të mëkatoje edhe po qe se kjo do të thoshte të hidheshe tek luanët në një koloseum romak, apo të digjeshe në turrën e druve gjatë Reformimit, apo të flakeshe në burg për vite të tëra në ndonjë vend të huaj sot? A mendon se martirët e krishterë përgjatë gjithë historisë patën menduar se do të kishin kurajë të mjaftueshme kur të viheshin në provë? Çfarë u ndodhi atyre që i pajisi për këto vuajtje (lexo 1 Kor. 10:13)? Nëse mund të gjesh një kopje, mund ta shikosh të arsyeshme që të lexosh rrëfimin e martirizimit të Polikarpit, një dëshmi emocionuese kjo e besimit në Perëndi si dhe për besnikërinë e Perëndisë në shekullin e dytë mbas K.[206]28 A e ke fjetur mendjen që bindja ndaj Krishtit është më e rëndësishme sesa ruajtja e jetës tënde? Çfarë do të të bënte të nguroje për të besuar këtë apo për të vepruar mbi bindjen tënde?

4.     Nëse ke përjetuar vdekjen e një besimtari të cilin e ke dashur me zemër, a mendon se reagimi yt ndaj asaj vdekjeje ishte një pikëllim i përzierë me gëzim? Si ka ndihmuar ky kapitull të ndikojë mënyrën se si ti ndjehesh për këtë situatë (nëse ka ndikuar sadopak)?

5.     A ke besuar më përpara në doktrinën e purgatorit? Nëse ti nuk e beson më atë, a mund të përshkruash mënyrën se si kjo doktrinë të ka bërë të ndjehesh si dhe mënyrën se si t’i ndjehesh emocionalisht rreth faktit që kjo doktrinë nuk është e vërtetë e që vend të tillë si purgatori nuk ka?

6.     Nëse vdekja vetë shikohet si pjesë e procesit të shenjtërimit, atëherë si duhet ta konsiderojmë procesin e plakjes dhe dobësimit në këtë botë? A është kjo mënyra se si bota e shikon plakjen? Po ju?

TERMA TË VEÇANTË

asgjësueshmëria

përbashkësia e shenjtorëve

vdekja

limbo

limbus patrum

purgatori

fjetja e shpirtit

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 543–578

1930 Thomas, 298–310, 508–521

2. Arminiane (Uesleiane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 3:371–386

1892–1894 Miley, 2:430–439

1940 Wiley, 3:211–242

1983 Carter, 2:1109–1113

3. Baptiste

1767 Gill, 2:179–211

1887 Boyce, 437–451

1907 Strong, 982–1003

1917 Mullins, 458–462

1983–1985 Erickson, 1167–1184

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 4:413–415

1949 Thiessen, 333–336

1986 Ryrie, 518–520

5. Luterane

1917–1924 Pieper, 3:507–515

1934 Mueller, 613–619

6. E reformuar (apo Presbiteriane)

1724–1758 Edwards, 2:26–36

1871–1873 Hodge, 3:713–770

1878 Dabney, 817–829

1889 Shedd, 2b:591–640

1937–1966 Murray, CW 2:401–403; CW 3:242–246

1938 Berkhof, 668–694

1962 Buswell, 2:304–323

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentakostale)

1988–1992 Williams, 3:400–401, 450

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 445–450, 473–476, 482–485

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 2:1135–1147

Vepra të Tjera

Beckwith, Roger T. “Porgatori (Purgatory).” Tek FRT ([207]NDT) fq. 549–550.

Cooper, John W. Trupi, Shpirti dhe Jeta e Përjetshme: Antropologji Biblike dhe Debati  Monizëm-Dualizëm (Body, Soul and Life Everlasting: Biblical Anthropology and the Monism-Dualism Debate). Grand Rapids: Eerdmans, 1989, fq. 81–103, 121–253.

Davids, P.H. “Vdekja (Death).” Tek FUT ([208]EDT) fq. 299–300.

Feinberg, John S. “1 Pjetrit” 3:18-20, Mitologjia e Lashtë dhe Gjendja e Ndërmjetme (1 Peter 3:18–20, Ancient Mythology, and the Intermediate State).” WTJ. Vol. 48, nr. 2 (Fall 1986), fq. 303–336.

Grudem, Wayne. “Predikimi i Krishtit përmes Noeut: 1 Pjetrit 3:19-20 (Christ Preaching Through Noah: 1 Peter 3:19–20) në Dritën e Temave Dominante në Literaturën Judaike (in the Light of Dominant Themes in Jewish Literature).” Tek Letra e Parë e Pjetrit (The First Epistle of Peter). Tyndale New Testament Commentaries. Leicester: Inter-Varsity Press, and Grand Rapids: Eerdmans, 1988, fq. 203–239.

Harris, Murray J. “Vdekja (Death).” Tek FRT (NDT) f. 188.

_______. “Gjendja e Ndërmjetme (Intermediate State).” Tek FRT (NDT) fq. 339–340.

Hoekema, Anthony A. Bibla dhe e Ardhmja (The Bible and the Future). Grand Rapids: Eerdmans, 1979, fq. 79–108.

Smith, S.M. “Gjendja e Ndërmjetme (Intermediate State).” Tek FUT (EDT) fq. 562–564.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Filipianëve” 1:20–24: Sipas të priturit tim me ngulm dhe shpresë, se nuk do të turpërohem në asgjë, por me çdo guxim, si gjithmonë edhe tani, Krishti do të madhërohet në trupin tim, qoftë me anë të jetës qoftë me anë të vdekjes. Sepse për mua të jetuarit është Krishti dhe të vdekurit fitim. Por në qoftë se të jetuarit në mish bën që puna ime të sjellë fryt, atëherë nuk di ç'të zgjedh; sepse unë jam i shtrënguar nga të dyja: kam dëshirë të ndahem dhe të jem bashkë me Krishtin, shumë herë më mirë, por të qëndruarit në mish është më i nevojshëm për shkakun tuaj.

HIMN

“JEZUSI IM, TË DUA (MY JESUS I LOVE THEE)”

Jezusi im, të dua, e di që je i imi;

Për ty i hedh poshtë marrëzitë e mëkatit, të tëra.

Shpengues i hirshëm, për mua je shpëtimtari;

Jezusi im, më shumë se kurdoherë të dua për kaq shumë gjëra.

Të dua sepse Ti i pari më deshe,

Në kryqin e Kalvarit, bleve faljen time për mëkatet e mia, të tëra.

Të dua se gjembat në ballë i mbaje;

Jezusi im, më shumë se kurdoherë të dua për kaq shumë gjëra.

Do të të dua në jetë, në vdekje do të të dua;

Dhe do të të lavdëroj për çdo herë që frymë mora;

Edhe kur vesa e vdekjes e ftohtë mbi ballë të më bjerë mua:

Jezusi im, më shumë se kurdoherë të dua për kaq shumë gjëra.

Në shtëpi lavdie dhe në të pafund kënaqësi,

Unë do të të adhuroj përgjithnjë atje ku yjet vezullojnë të shumtë si rëra;

Unë do të këndoj me kurorën që në ballin tim ndri’:

Jezusi im, më shumë se kurdoherë të dua për kaq shumë gjëra.

Autor: William R. Featherstone, 1864

Pen
>