Kapitulli 37: Birësimi (Anëtarësia në familjen e Perëndisë)
Lesson 39 Chapter 7 Module 7
Birësimi (Pjesëmarrja në Familjen e Perëndisë)
Cilat janë dobitë e të qenurit një pjesëtar në familjen e Perëndisë?
SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET
Në rigjenerim, Perëndia na jep një jetë të re frymërore përbrenda. Në drejtësim, Perëndia na jep një status të duhur ligjor përpara Tij, por me birësimin, Perëndia na bën pjesëtarë të familjes së Tij. Për rrjedhojë, mësimi biblik mbi birësimin, përqendrohet shumë më tepër tek marrëdhënia personale që shpëtimi na jep me Perëndinë dhe njerëzit e Tij.
A. Prova nga Shkrimi për Birësimin
Birësimin mund ta përkufizojmë si më poshtë: Birësimi është një veprim i Perëndisë nëpërmjet të cilit Ai na bën pjesëtarë të familjes së Tij.
Gjoni e përmend birësimin në fillim të ungjillit të Tij, ku thotë: “por të gjithëve atyre që e pranuan, ai u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12). Në kontrast me këtë, ata të cilët nuk besojnë në Krishtin, nuk janë fëmijë të Perëndisë e as të birësuar në familjen e Tij, por janë “bij të zemërimit” (Efe. 2:3) si dhe “bijtë e mosbindjes” (Efe. 2:2; 5:6). Paçka se ata judenj të cilët e refuzuan Krishtin u përpoqën të pretendonin se Perëndia ishte ati i tyre (Gjoni 8:41), Jezusi u tha: “Po të ishte Perëndia Ati juaj, ju do të më donit.... Ju jeni nga djalli, që është ati juaj, dhe doni të bëni dëshirat e atit tuaj” (Gjoni 8:42–44).
Letrat pastorale të Besëlidhjes së re, përmbajnë një dëshmi të përsëritur të faktit se ne jemi tani fëmijë të Perëndisë në një kuptim të veçantë, pjesëtarë të familjes së Tij. Pali thotë:
Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë, janë bij të Perëndisë. Sepse ju nuk keni marrë një frymë skllavërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: "Aba, o Atë!". Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë që jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë; si trashëgimtarë të Perëndisë ashtu edhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë bashkë me të, që edhe të përlëvdohemi bashkë. (Rom. 8:14–17)
Por nëse ne jemi fëmijë të Perëndisë, a jemi atëherë të lidhur me njëri tjetrin si pjesëtarë të së njëjtës familjeje? Padyshim që po. Në fakt, ky birësim në familjen e Perëndisë na bën pjesëmarrës së bashku në një familje edhe me judenjtë besimtarë të Besëlidhjes së Vjetër, sepse Pali thotë se ne jemi gjithashtu bij të Abrahamit: “As sepse janë pasardhje e Abrahamit janë të gjithë bij; por: "Në Isakun do të quhet pasardhja jote". Do të thotë: nuk janë bijtë e Perëndisë ata që lindin prej mishi, por bijtë e premtimit llogariten si pasardhës.” (Rom. 9:7–8). Ai shpjegon më tej tek “Galatasve”: “Kurse ne, o vëllezër, jemi sikundër Isaku, bij të premtimit... nuk jemi bij të skllaves, por të së lirës” (Gal. 4:28, 31; kr. 1 Pjetrit 3:6, ku Pjetri i shikon gratë besimtare si vajza të Sarës në besëlidhjen e re).
Pali shpjegon se ky status i birësimit si bij të Perëndisë, nuk u realizua plotësisht në besëlidhjen e vjetër. Ai thotë se “para se të vinte besimi, ne ruheshim nën ligjin... ligji qe mësuesi ynë për te Krishti, që ne të drejtësohemi prej besimit. Por, mbasi erdhi besimi, nuk jemi më nën mësues, sepse të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit në Krishtin Jezus” (Gal. 3:23–26). Me këtë nuk po themi se Besëlidhja e Vjetër e shmangte plotësisht të folurën rreth Perëndisë si Ati ynë, sepse Perëndia e quajti veten Atë i bijve të Izraelit, dhe ata vetë i quajti fëmijë të Tij në një sërë pasazhesh (Ps. 103:13; Isa. 43:6–7; Mal. 1:6; 2:10). Por edhe pse kishte një vetëdije rreth Perëndisë si Atë për popullin e Izraelit, dobitë dhe privilegjet e plota të pjesëmarrjes në familjen e Perëndisë, si dhe realizimi i plotë i asaj pjesëmarrjeje, nuk erdhi derisa Krishti erdhi dhe derisa Fryma e Birit të Perëndisë u derdh në zemrat tona, dhe i dëshmon frymës sonë që jemi bij të Perëndisë.
Çfarë provash shikojmë në jetën tonë që ne jemi fëmijë të Perëndisë? Pali shikon prova të qarta në faktin që Fryma e Shenjtë dëshmon në zemrat tona se ne jemi fëmijë të Perëndisë: “Por, kur erdhi plotësimi i kohës, Perëndia dërgoi Birin e tij, të lindur prej gruaje, të vënë nën ligj, që të shpengonte ata që ishin nën ligj, që ne të fitojmë birërinë. Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: "Abba, Atë!” Prandaj ti nuk je më skllav, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar i Perëndisë, përmes Krishtit” (Gal. 4:4–7).
Letra e parë e Gjonit i vë një theks të madh statusit tonë si fëmijë të Perëndisë: “Shikoni ç'dashuri të madhe na ka dhënë Ati, që të quhemi bij të Perëndisë.... Të dashur, tani jemi bij të Perëndisë” (1 Gjonit 3:1–2; Gjoni i quan shpesh herë lexuesit e tij “fëmijë” apo “fëmijë të vegjël”).[78]1
Paçka se Jezusi na quan “vëllezër” të Tij (Heb. 2:12) dhe për rrjedhojë, nga një anë Ai është vëllai ynë i madh në familjen e Perëndisë (kr. Heb. 2:14), si dhe mund të quhet “i parëlinduri në mes të shumë vëllezërve” (Rom. 8:29), Ai gjithsesi bën kujdes që të bëjë një dallim të qartë mes mënyrës në të cilën Perëndia është Ati ynë qiellor, si dhe mënyrës në të cilën Ai është në raport me Perëndinë Atë. Mari Magdalenës, Ai i thotë: “Unë po ngjitem tek Ati im dhe Ati juaj, te Perëndia im dhe Perëndia juaj” (Gjoni 20:17), duke bërë kësisoj një dallim të qartë mes kuptimit shumë më të madh dhe të përjetshëm në të cilin Perëndia është Ati i Tij, si dhe kuptimit në të cilin Perëndia është Ati ynë.
Paçka se Besëlidhja e Re thotë se ne jemi tani fëmijë të Perëndisë (1 Gjoni 3:2), ne duhet të vërejmë gjithashtu se ka një kuptim tjetër në të cilin birësimi ynë është ende i ardhshëm për shkak se ne nuk do të marrim dobitë dhe privilegjet e plota të birësimit derisa Krishtit të kthehet, e ne të marrim trupa të rinj të ringjallur. Pali flet më vonë për këtë, me një kuptim më të plotë të birësimit kur thotë: “Dhe jo vetëm kaq, por edhe ne vetë që kemi frytin e parë të Frymës, psherëtijmë në veten tonë, duke pritur me durim birërimin, shpengimin e trupit tonë” (Rom. 8:23). Këtu Pali e shikon marrjen e trupave të ringjallur si plotësim të privilegjeve tona të birësimit, në mënyrë që ai të mund t’i referohet me fjalët: “birësimi ynë si bij.”
B. Birësimi pason kthimin në besim, dhe është rezultat i besimit shpëtues
Fillimisht ne mund të mendojmë se do të bëheshim fëmijët e Perëndisë nëpërmjet rigjenerimit, përderisa ilustrimi i të qenurit të “rilindur” në rigjenerim, na bën të mendojmë për fëmijët që lindin në një familje njerëzore. Por Besëlidhja e Re nuk e lidh kurrë birësimin me rigjenerimin: në të vërtetë, ideja e birësimit është e kundërt me idenë e të lindurit në një familje!
Përkundrazi, Besëlidhja e Re e lidh birësimin me besimin shpëtues, dhe thotë si përgjigje ndaj besimit tonë në Krishtin, Perëndia na ka birësuar në familjen e Tij. Pali thotë: “të gjithë ju jeni bij të Perëndisë me anë të besimit në Krishtin Jezus” (Gal. 3:23–26). Edhe Gjoni shkruan: “Por të gjithëve atyre që e pranuan, ai u dha pushtet të bëhen bij të Perëndisë, atyre që besojnë në emrin e tij” (Gjoni 1:12).[79]2 Këto dy vargje e bëjnë të qartë se birësimi pason kthimin në besim dhe është reagimi i Perëndisë ndaj besimit tonë.
Një kundërshtim ndaj kësaj mund të nxirret nga deklarata e Palit: “Dhe, duke qenë se jeni bij, Perëndia dërgoi Frymën e Birit të tij në zemrat tuaja që thërret: "Abba, Atë!”’ (Gal. 4:6). Dikush mund ta kuptojë këtë varg me kuptimin se fillimisht Perëndia na birësoi si bij dhe së dyti, Ai na dha Frymën e Shenjtë për të sjellë rigjenerimin në zemrat tona. Por disa vargje më përpara, Pali kishte thënë se ne jemi bërë bij të Perëndisë “me anë të besimit” (Gal. 3:26). Për rrjedhojë, deklarata e Palit tek “Galatasve” 4:6 kuptohet më mirë jo si referencë ndaj dhënies së Frymës së Shenjtë në momentin e rigjenerimit, por më tepër si një veprimtari shtesë e Frymës së Shenjtë në të cilën Ai fillon t’i dëshmojë frymës tonë si dhe të na sigurojë që ne jemi pjesëtarë të familjes së Perëndisë. Kjo vepër e Frymë së Shenjtë, na jep sigurinë e birësimit tonë, dhe në këtë kuptim Pali thotë se, pasi jemi bërë bij, Perëndia bëri që Fryma e Shenjtë e Tij përbrenda zemrave tona, të thërrasë: “Aba, o Atë!” (kr. Rom 8:15–16).
C. Birësimi është ndryshe nga drejtësimi
Paçka se birësimi është një privilegj që na vjen në kohën që ne bëhemi të krishterë (Gjoni 1:12; Gal 3:26; 1 Gjonit 3:1–2), gjithsesi, ai është një privilegj që është i ndryshëm nga drejtësimi si dhe i ndryshëm nga rigjenerimi. Në rigjenerim, ne bëhemi të gjallë nga ana frymërore, në gjendje për t’u lidhur me Perëndinë në lutje dhe adhurim, si dhe në gjendje për të dëgjuar Fjalën e Tij me zemra pranuese. Por, është e mundur që Perëndia të ketë krijesa të cilat janë të gjalla nga ana frymërore, e megjithatë jo pjesëtarë të familjes së Tij e që nuk ndajnë privilegjet e veçantë të pjesëtarëve të familjes, engjëjt, për shembull, bien në atë kategori.[80]3 Për rrjedhojë, do të kishte qenë e mundshme për Perëndinë që të vendoste të na jepte rigjenerim pa privilegjet e mëdha të birësimit në familjen e Tij.
Për më tepër, Perëndia mund të na kishte dhënë drejtësim pa privilegjin e birësimit në familjen e Tij, sepse Ai mund ta na kishte falur mëkatet e të na kishte dhënë një qëndrim të drejtë ligjor përpara Tij, pa na bërë fëmijë të Tij. Është e rëndësishme që të kuptojmë këtë për shkak se kjo gjë na ndihmon të kuptojmë se sa të mëdha janë privilegjet tona në birësim. Rigjenerimi ka të bëjë me jetën tonë të brendshme frymërore. Drejtësimi ka të bëjë me qëndrimin tonë përpara ligjit të Perëndisë. Por birësimi ka të bëjë me marrëdhënien tonë me Perëndinë si Ati ynë, dhe në birësim na jepen shumë prej bekimeve më të mëdha që do të përjetojmë përgjatë gjithë përjetësisë. Kur fillojmë të kuptojmë shkëlqyeshmërinë e këtyre bekimeve, si dhe kur e vlerësojmë faktin që Perëndia nuk ka detyrim për të na dhënë ndonjë prej tyre, atëherë do të jemi në gjendje që të thërrasim bashkë me apostullin Gjon: “Shikoni ç'dashuri të madhe na ka dhënë Ati, që të quhemi bij të Perëndisë” (1 Gjonit 3:1).
D. Privilegjet e birësimit
Dobitë apo privilegjet të cilat shoqërojnë birësimin, shikohen së pari në mënyrën se si Perëndia hyn në raport me ne, dhe pastaj edhe në mënyrën se si ne hyjmë në raport me njëri tjetrin si vëllezër dhe motra në familjen e Perëndisë.
Një nga privilegjet më të mëdha të birësimit tonë është që jemi në gjendje t’i flasim Perëndisë e të hyjmë në raport me Të si një Atë i mirë dhe i dashur. Ne duhet të lutemi: “Ati ynë që je në qiej” (Mat. 6:9), si dhe duhet të kuptojmë se nuk jemi “më skllav, por bir” (Gal. 4:7). Për rrjedhojë, ne me Perëndinë jemi në raport jo si një skllav është ndaj skllavopronarit, por ashtu sikurse një fëmi është në raport me atin e tij apo të saj. Në fakt, Perëndia na jep një dëshmi të brendshme nga Fryma e Shenjtë që na bën që në mënyrë instinktive ta quajmë Perëndinë, atin Tonë. “Kur thërrasim: “Aba, o Atë!’ Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë që jemi bij të Perëndisë” (Rom. 8:15–16). Kjo marrëdhënie ndaj Perëndisë si Ati ynë është themeli i shumë bekimeve të tjera të jetës së krishterë, dhe kthehet në mënyrën kryesore në të cilën ne krijojmë raport me Perëndinë. Padyshim që është e vërtetë që Perëndia është Krijuesi ynë, gjykatësi ynë, Zoti dhe Mjeshtri ynë, mësuesi ynë, siguruesi dhe mbrojtësi ynë, si dhe Ai që përmes kujdesit të Tij provanor ruan ekzistencën tonë. Por roli që është më simbolik, si dhe roli që tejçon privilegjet më të larta të përbashkësisë me Perëndinë në amshim, është roli i Tij si Ati ynë qiellor.
Fakti që Perëndia hyn në raport me ne si Atë, tregon shumë qartë se Ai na do (1 Gjonit 3:1), se Ai na kupton (“Ashtu si një baba është i mëshirshëm me bijtë e tij, kështu është i mëshirshëm ZOTI me ata që kanë frikë prej tij. Sepse ai e njeh natyrën tonë dhe nuk harron që ne jemi pluhur” [Ps. 103:13–14]), dhe se ai kujdeset për nevojat tona (“Sepse paganët i kërkojnë të gjitha këto; Ati juaj qiellor, pra, e di mirë se ju keni nevojë për këto të gjitha,” Mat. 6:32). Për më tepër, në rolin e Tij si Ati ynë, Perëndia na jep shumë dhurata të mira: “Nëse pra, ju, që jeni të ligj, dini t'u jepni dhurata të mira bijve tuaj, aq më tepër Ati juaj, që është në qiej, do t'u japë gjëra të mira atyre që ia lypin atij!” (Mat. 7:11). Ai veçanërisht na jep dhuratën e Frymës së Shenjtë për të na ngushëlluar si dhe për të na fuqizuar për shërbesë si dhe për jetimin e jetës së Krishterë (Luka 11:13).[81]4 Faktikisht, nuk është se Perëndia na jep dhurata vetëm në këtë jetë, por Ai gjithashtu na jep një trashëgimi të madhe në qiell për shkak se ne jemi bërë bashkë-trashëgimtarë me Krishtin. Pali thotë: “Prandaj ti nuk je më skllav, por bir; dhe në qoftë se je bir, je edhe trashëgimtar” (Gal. 4:7); faktikisht ne jemi: “trashëgimtarë të Perëndisë ashtu edhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit” (Rom. 8:17). Si trashëgimtarë ne kemi të drejtën për të patur një “ trashëgim të paprishshëm, të panjollë dhe të pafishkur, që është ruajtur në qiejt për ju,” (1 Pjetrit 1:4) trashëgimi e cila është e madhe si dhe e përjetshme. Të tëra privilegjet dhe bekimet e mëdha të qiellit janë grumbulluar për ne dhe na janë vënë në dispozicion për shkak se ne jemi fëmijët e Mbretit, pjesëtarë të familjes mbretërore, princër e princesha që do të mbretërojnë me Krishtin mbi qiejt dhe tokën e re (Zbu. 2:26–27; 3:21). Si një shijim paraprak i këtij privilegji të madh, engjëjt edhe tani që flasim dërgohen për të na shërbyer (Heb. 1:14).
Është në kontekstin e kësaj marrëdhënieje me Perëndinë si Ati ynë qiellor që ne duhet të kuptojmë lutjen që Jezusi u tha dishepujve që të bëjnë përditë: “Ati ynë që je në qiej... na i fal fajet tona, siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë” (Mat. 6:9–12, përkthimi i autorit). Kjo lutje e përditshme për faljen e mëkateve, nuk është një lutje që Perëndia të na japë drejtësimin vazhdimisht përgjatë gjithë jetës tonë, sepse drejtësimi është një ngjarje që ndodh një herë e që shfaqet menjëherë pasi ne i besojmë Krishtit me besim shpëtues. Përkundrazi, lutja për faljen e mëkateve çdo ditë, është një lutje që marrëdhënia atërore me Perëndinë, e cila është ndërprerë nga mëkati i cili solli pakënaqësi tek Ai, të rimëkëmbet dhe që Ai lidhet përsëri me ne si një Atë i Cili gjen kënaqësi tek fëmijët e Tij të cilët Ai i do. Lutja: “Na i fal fajet tona,” për rrjedhojë, është një lutje në të cilën ne lidhemi në raport jo ndaj Perëndisë si gjykatës i përjetshëm i universit, por ndaj Perëndisë si Atë. Ajo është një lutje në të cilën ne dëshirojmë të rimëkëmbim bashkësinë e hapur me Atin tonë, bashkësi e cila është shkelur për shkak të mëkatit (shiko gjithashtu “1 Gjonit” 1:9; 3:19–22).
Privilegji i të qenurit i drejtuar nga Fryma e Shenjtë, është gjithashtu një dobi e birësimit. Pali lë të kuptohet se kjo është një dobi morale nëpërmjet të cilës Fryma e Shenjtë na vë dëshira për t’iu bindur Perëndisë e për të jetuar në përputhje me vullnetin e Tij. Ai thotë: “të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë, janë bij të Perëndisë” (Rom. 8:14), dhe këtë ai e jep si arsye përse të krishterëve u thuhet: “i vrisni veprat e trupit” nëpërmjet Frymës së Shenjtë që punon përbrenda tyre (v. 13; vini re “sepse” në fillim të v. 14). Ai e shikon Frymën e Shenjtë si drejtuesin dhe udhëzuesin e fëmijëve të Perëndisë në shtigjet e bindjes ndaj Perëndisë.
Një privilegj tjetër i bindjes në familjen e Perëndisë, paçka se ne nuk e shohim gjithnjë atë si privilegj, është fakti se Perëndia na disiplinon si fëmijë të Tij. “Biri im, mos e përçmo ndreqjen e Zotit dhe mos e humb zemrën, kur ai të qorton, sepse Zoti ndreq atë që do; dhe fshikullon çdo bir që ai pranon” (Heb. 12:5–6, citim i “F. e Urta” 3:11–12). Autori i “Hebrenjve” shpjegon: “Perëndia sillet me ju si me bij; sepse cili është ai bir të cilin s'e ndreq i ati?... për të mirën tonë, që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij” (Heb. 12:7, 10). Ashtu sikurse fëmijët tokësorë bëhen më të bindur e të drejtë kur disiplinohen prej etërve të tyre tokësorë, po kështu edhe ne rritemi në drejtësi dhe shenjtëri kur disiplinohemi nga Ati ynë qiellor.
E lidhur me disiplinën atërore të Perëndisë, është fakti se si fëmijë të Perëndisë si dhe bashkë-trashëgimtarë me Krishtin, ne kemi privilegjin e ndarjes si në vuajtjet e Tij ashtu edhe në lavdinë e mëpastajshme të Tij. Ashtu sikurse “Duhej që Krishti të vuajë dhe të hyjë në lavdinë e tij” (Luka 24:26), kështu Perëndia na jep privilegjin e ecjes në të njëjtin shteg që eci Krishti, duke duruar vuajtjet në jetën e Tij në mënyrë që ne të mund të merrnim lavdi të madhe në jetën që do të vijë: “nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë; si trashëgimtarë të Perëndisë ashtu edhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë bashkë me të, që edhe të përlëvdohemi bashkë” (Rom. 8:17).
Përveç këtyre privilegjeve të mëdha të cilat kanë të bëjnë me marrëdhënien tonë ndaj Perëndisë si dhe përbashkësinë tonë me Të, ne kemi gjithashtu privilegjet e birësimit të cilat ndikojnë tek mënyra se si ne hyjmë në raport me njëri tjetrin si dhe ndikojnë tek sjellja jonë vetjake. Ngaqë ne jemi fëmijët e Perëndisë, marrëdhënia jonë me njëri tjetrin, është shumë më e thellë si dhe intime sesa marrëdhënia që për shembull engjëjt kanë me njëri tjetrin, sepse të tërë ne jemi pjesëtarë të së njëjtës familjeje. Shpesh herë, Besëlidhja e Re u referohet të krishterëve si “vëllezër” dhe si “motra” në Krishtin (Rom. 1:13; 8:12; “1 Kor.” 1:10; 6:8; “Jakobi” 1:2; “Mat.”12:50; “Rom.” 16:1; “1 Kor.” 7:15; “Filemon” 1:2; “Jakobi” 2:15). Plus kësaj, vargjet e shumta në të cilat kishave të tëra u referohemi si “vëllezër” nuk duhet kuptuar sikur i referohet vetëm njerëzve të grigjës, por janë më tepër referenca të përgjithshme ndaj të tërë kishës, dhe me përjashtim të rastit ku konteksti në mënyrë të shkoqur nënkupton tjetër gjë, duhet marrë me kuptimin: “vëllezër dhe motra në Zotin.” Përcaktimi “vëllezër” është kaq i zakonshëm tek letrat, saqë duket se është mënyra mbizotëruese në të cilën autorët e Besëlidhjes së Re u referohen të krishterëve të tjerë të cilëve po u shkruajnë. Kjo tregon vetëdijen e fortë që ata kishin për natyrën e kishës si familje e Perëndisë. Në fakt, Pali i thotë Timoteut që të ketë një raport me kishën e Efesit si dhe me individët përbrenda kishës, ashtu sikurse do të kishte me një familje të madhe: “Mos e qorto ashpër një plak, por këshilloje si një atë, dhe të rinjtë si vëllezër, plakat si nëna, të rejat si motra, me plot dëlirësi” (1 Tim. 5:1–2).[82]5
Ky koncept i kishës si familja e Perëndisë, duhet të na japë një pikëpamje të re të veprës së kishës; është “vepër familjare,” dhe pjesëtarët e ndryshëm të familjes, nuk duhet të konkurrojnë kurrë me njëri tjetrin e as të pengojnë njëri tjetrin në përpjekjet e tyre, por duhet ta inkurajojnë njëri tjetrin e të jenë mirënjohës për çfarëdo të mire apo përparimi që i ndodh cilitdo pjesëtari të familjes, sepse të tërë po i kontribuojnë familjes së mirë të besimit si dhe nderit të Perëndisë, Atit tonë. Në fakt, ashtu sikurse pjesëtarët e një familjeje tokësore shpesh kanë kohë të gëzueshme si dhe përbashkësi kur ata punojnë së bashku në një projekt të vetëm, po kështu edhe kohët tona të punës së bashkë në ndërtimin e kishës, duhet të jenë kohë gëzimi të madh si dhe përbashkësie me njëri tjetrin. Për më tepër, ashtu sikurse pjesëtarët e një familjeje tokësore i nderojnë prindërit e tyre si dhe përmbushin qëllimin e një familjeje më tepër kur me zell i mirëpresin cilindo vëlla apo motër të cilët janë të sapo birësuar në atë familje, po kështu ne duhet të mirëpresim cilindo pjesëtar të familjes së Krishtit me zell e me dashuri.
Një aspekt tjetër i pjesëmarrjes në familjen e Perëndisë është se ne, si fëmijët e Perëndisë, duhet të imitojmë Atin tonë në qiell në të gjitha sjelljet tona. Pali thotë: “Bëhuni pra imitues të Perëndisë, si bij të dashur” (Efe. 5:1). Pjetri i bën jehonë kësaj teme kur thotë: “Si bij të bindur, mos iu përshtatni lakmive të mëparshme kur ishit në padijen tuaj, por ashtu si është i shenjtë ai që ju thirri, jini edhe ju të shenjtë në gjithë sjelljen tuaj, sepse është shkruar: "Jini të shenjtë, sepse unë jam i shenjtë”’ (1 Pjetrit 1:14–16). Si Pjetri ashtu edhe Pali e kuptojnë se është e natyrshme për fëmijët që të imitojnë etërit e tyre tokësorë. Ata i referohen kësaj ndjenje të natyrshme që fëmijët kanë, me qëllim që të na kujtojë se ne duhet të imitojmë Atin tonë qiellor—me të vërtetë që kjo duhet të jetë diçka të cilën ne e duam në mënyrë të natyrshme e në të cilën gjejmë kënaqësi. Nëse Perëndia, Ati ynë në qiell, është i shenjtë, ne duhet të jemi të shenjtë ashtu sikurse fëmijët e bindur.
Kur ne ecim në shtigjet e një sjellje të drejtë, ne e nderojmë Atin tonë qiellor dhe i sjellim Atij lavdi. Kur veprojmë në një mënyrë e cila është e kënaqshme për Perëndinë, ne duhet të sillemi në atë mënyrë që të tjerët “të shohin veprat tuaja të mira dhe ta lëvdojnë Atin tuaj që është në qiej” (Mat. 5:16). Pali i inkurajon filipianët që të mbajnë një sjellje me pastërti përpara jobesimtarëve “që të jeni të paqortueshëm dhe të pastër, bij të Perëndisë të patëmetë në mes të një brezi dredharak dhe të çoroditur, në mes të të cilit ju ndriçoni si pishtarë në botë” (Fil. 2:15). Me të vërtetë që një model i përputhshëm qëndrimi të moralshëm është gjithashtu provë që ne jemi me të vërtetë fëmijët të Perëndisë. Gjoni thotë: “Në këtë njihen bijtë e Perëndisë dhe bijtë e djallit; kushdo, që nuk bën drejtësinë nuk është prej Perëndisë, as ai, që nuk do vëllanë e vet.” (1 Gjonit 3:10).
PYETJE PËR ZBATIM VETJAK
1. Hidh vështrimin prapa tek lista e privilegjeve të cilat vijnë me birësimin tonë si fëmijë të Perëndisë. A ke menduar më përpara për këto si automatikisht të tuat për shkak se ke rilindur sërish? A mund të përshkruash se si do të ishte jeta jonë e përjetshme nëse do të kishim rigjenerim dhe drejtësim si dhe shumë privilegje të tjera të cilat vijnë me shpëtimin, por jo birësim në familjen e Perëndisë? Tani, si ndjehesh për faktin që Perëndia të ka birësuar në familjen e Tij krahasuar me mënyrën se si je ndjerë përpara se të lexoje këtë kapitull?
2. A është përmirësuar marrëdhënia jote me familjen tënde njerëzore apo është bërë më e vështirë si rezultat i bërjes tënde i krishterë? Nëse marrëdhënia jote me familjen tënde tokësore është bërë më e vështirë, si e ke parë vërtetësinë e “Markut” 10:29–30 në jetën tënde si i krishterë?
3. Nganjëherë, njerëzit kanë patur etër jo të dashur apo mizorë, kanë parë se e kaluara e tyre e bën të vështirë të menduarit e tyre rreth Perëndisë dhe raportin me Të si një Atë qiellor. Si do mundet “Hebrenjve” 12:10, “Mateu” 7:11, si dhe “Luka” 11:13, të cilat vënë në kontrast etërit e mëkatshëm tokësorë me Atin tonë të përsosur në qiell, do mund të ndihmojë në atë situatë? A mundet që “1 Pjetrit” 1:18 të jetë e dobishme edhe në këtë situatë? Si do mundet që një person i cili ka patur një baba mizor e jo të dashur tokësor të mund të veprojë për të fituar një vlerësim gjithnjë e më të mirë të asaj se kush është Perëndia si dhe se çfarë lloj Ati është Ai? A mendon se ndonjë prej atyre të krishterëve të shekullit të parë kishte patur një baba mizor e jo të dashur, apo nuk e kishte patur fare gjallë babanë? Çfarë mësimesh të Besëlidhjes së Vjetër do t’i kishin ndihmuar ata në këtë pikë? A mendon se njerëzit të cilët kanë patur etër të ligj tokësorë, kanë një ndjenjë të brendshme të dhënë nga Perëndia për se si duhet të jetë një baba i mirë?
4. Mendo për ata që janë pjesëtarë të kishës tënde. A të ka ndihmuar ky kapitull t’i mendosh ata si thjesht vëllezërit dhe motrat e tua (ose nëse ata janë më të vjetër, si “baballarë” dhe “mama” për ty)? Si mendon se një vlerësim i shtuar i kësaj ideje të kishës si familje do të ishte i dobishëm për kishën tënde? Si do mund të inkurajoje një vlerësim më të madh të kësaj ideje?
5. A ka kisha jote ndonjë kuptim konkurrimi me kishat e tjera të cilat mund të tejkalohet nga një vlerësim më i madh i doktrinës së birësimit?
6. Në familjen njerëzore, kur një prej fëmijëve kryen një krim dhe ndëshkohet publikisht për të, e tërë familja turpërohet. Nga ana tjetër, kur një pjesëtar familjeje nderohet për një arritje të jashtëzakonshme, e gjithë familja është krenare për këtë dhe gëzohet. Si të bën të ndjehesh kjo analogji e ngjarjeve në një familje njerëzore për nivelin tënd personal të shenjtërisë së jetës, si dhe mënyrën se si ajo pasqyrohet tek pjesëtarët e tjerë të familjes tënde frymërore? Si të bën të ndjehesh rreth nevojës për shenjtëri personale ndër vëllezërit dhe motrat e tua në kishë? A ke vetë personalisht një dëshirë të fortë të brendshme për të imituar Atin tënd qiellor në sjelljen tënde (Efe. 5:1; 1 Pjetrit 1:14–16)?
7. A e ndjen Frymën e Shenjtë përbrenda teje të dëshmojë me frymën tënde se je një fëmi i Perëndisë (Rom. 8:15–16; Gal. 4:6)? A mund të përshkruash se si është ajo ndjesi?
8. A ndjen ndonjë diskriminim ndaj të krishterëve të racave të tjera apo të niveleve të tjera sociale apo ekonomike? A mund të kuptosh se si doktrina e birësimit duhet të fashitë dallime të tilla në kishë (shiko Gal. 3:26–28)? A mund të shikosh gjithashtu se si doktrina e birësimit do të thotë se as burrat e as gratë nuk duhet ta mendojnë gjininë tjetër si më të rëndësishme apo më pak të rëndësishme në kishë (shiko Gal. 3:28)?
TERMA TË VEÇANTË
birësim
BIBLIOGRAFI
(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229).
Shënim: Shumë teologji sistematike nuk e trajtojnë birësimin si një temë të veçantë por përfshijnë një diskutim të privilegjeve të birësimit në një diskutim të drejtësimit dhe rezultateve të tij.)
Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore
1. Anglikane (Episkopaliane)
1882–1892 Litton (pa trajtim të hollësishëm)
2. Arminiane (Uesleiane apo Metodiste)
1875–1876 Pope, 3:1–27
1892–1894 Miley, 2:337–338
1940 Wiley, 2:402–439
1960 Purkiser, 297–298
3. Baptiste
1767 Gill, 1:288–291; 2:93–107
1887 Boyce, 404–409
1917 Mullins, 401–409
1983–1985 Erickson, 961–966
4. Dispensacionale
1947 Chafer, 3:241–243
1949 Thiessen, 278–282
1986 Ryrie, 301–302, 306–307
5. Luteriane
1917–1924 Pieper, 2:408–409
6. E Reformuar (apo Presbiteriane)
1937–1966 Murray, CW 2:223–34; RAA 132–140
1962 Buswell, 2:212–213
Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak
1. Katolike Romake: Tradicionale
1955 Ott (pa trajtim të hollësishëm)
2. Katolike Romake: Pas-Vatikanit II
1980 McBrien (pa trajtim të hollësishëm)
Vepra të Tjera
Davids, P.H. “Birësim (Adoption)” Tek FUT (EDT) f. 13.
Murray, John. “Birësim (Adoption).” Tek Shpengimi i Realizuar dhe i Zbatuar (Redemption Accomplished and Applied). Grand Rapids: Eerdmans, 1955, fq. 132–140.
PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH
“Romakëve” 8:14–17: Sepse të gjithë ata që udhëhiqen nga Fryma e Perëndisë, janë bij të Perëndisë. Sepse ju nuk keni marrë një frymë skllavërie, që të keni përsëri frikë, po keni marrë frymën e birërisë, me anë të së cilës ne thërrasim: "Aba, o Atë!". Vetë Fryma i dëshmon frymës sonë që jemi bij të Perëndisë. Dhe nëse jemi bij, jemi dhe trashëgimtarë; si trashëgimtarë të Perëndisë ashtu edhe bashkëtrashëgimtarë të Krishtit, nëse vuajmë bashkë me të, që edhe të përlëvdohemi bashkë.
HIMN
“Fëmijë të Atit Qiellor (Children of the Heavenly Father)”
Ati qiellor, të gjithë në gji
Të sigurt i mbledh fëmijët e Tij;
As në qiell yjet e as zogjtë në fole
Në një strehë të tillë nuk kanë gjetur kurrë pre.
Perëndia për të Vetët kujdeset dhe ushqen,
Në oborret e Tij të shenjtë ata begatohen;
Nga të tërë të këqijat Ai i shpëton,
Në krahët e Tij të fuqishëm Ai i lart i çon.
As jeta e as vdekja kurrë fëmijët e Zotit
S’do t’i ndajë dot prej Tij në mot të motit;
Ndaj tyre Ai tregon hirin e Tij,
Dhe pikëllimin e tyre Ai plotësisht e di.
Lavdërojeni Zotin ju njerëz të shumë,
Mbrojtësi juaj nuk dremit kurrë;
Mbrojtësit të juaj kur t’i dëshirohet
Çdo armik duhet t’i dorëzohet.
Edhe kur jep e edhe kur merr,
Perëndia fëmijët e Tij nuk i harron në terr;
I vetmi qëllimi i Tij i dashur
Është t’i ruajtur ata të shenjtë dhe të pastër.
Autor: Caroline V. Sandell Berg, rreth. 1855
(Përkth. Ernst W. Olson, 1925)
Teksti © Bordi i Botimeve, Kisha Luterane në Amerikë. Ribotuar me leje nga Augsburg Fortress.