Kapitulli 25: Besëlidhjet midis Perëndisë dhe njeriut
Lesson 27 Chapter 5 Module 5
Besëlidhjet mes Perëndisë dhe Njeriut
Cilat parime përcaktojnë mënyrën se si Perëndia hyn në raport me ne?
SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET
Në ç’raport hyn Perëndia me njeriun? Që prej krijimit të botës, marrëdhënia e Perëndisë me njeriun qe përkufizuar nga kërkesa dhe premtime specifike. Perëndia u tregon njerëzve se si Ai dëshiron që ata të veprojnë dhe gjithashtu bën premtime për se si Ai do të veprojë ndaj atyre në rrethana të ndryshme. Bibla përmban një sërë përmbledhjesh të dispozitave të cilat përkufizojnë marrëdhëniet e ndryshme mes Perëndisë dhe njeriut të cilat shfaqen në Shkrim, dhe shpesh i quan këto përmbledhje “besëlidhje.” Në lidhje me besëlidhjet mes Perëndisë dhe njeriut në Shkrim, mund të japim përkufizimin e mëposhtëm: Besëlidhja është një marrëveshje ligjore e imponuar në mënyrë hyjnore mes Perëndisë dhe njeriut, e cila parashtron kushtet për marrëdhënien e tyre.
Paçka se ky përkufizim përfshin fjalën marrëveshje me qëllim për të treguar se ka dy palë: Perëndia dhe njeriu, të cilët duhet të hyjnë në dispozitat e marrëdhënies, fraza “e imponuar në mënyrë hyjnore” është ndërkallur gjithashtu për të treguar se njeriu nuk mund të negociojë kurrë me Perëndinë, apo të ndryshojë termat e besëlidhjes. Ai mundet vetëm që të pranojë detyrimet e besëlidhjes ose t’i refuzojë ato. Ndoshta kjo është arsyeja që përkthyesit në greqisht të Besëlidhje së Vjetër (përkthim i njohur me titullin Septuaginta), dhe në gjurmët e tyre edhe autorët e Besëlidhjes së Re, nuk përdorën fjalën e zakonshme greke për kontrata apo marrëveshje në të cilat të dyja palët ishin të barabarta (συνθήκη), por përkundrazi, zgjodhën një fjalë më pak të zakonshme, διαθήκη (G1347) e cila theksonte faktin që dispozitat e besëlidhjes parashtroheshin vetëm nga njëra prej palëve. (Faktikisht, fjala διαθήκη shpesh herë përdorej për t’iu referuar një “testamenti” apo “amaneti” që një person linte me qëllim ndarjen e pronave të tij apo saj pas vdekjes.)
Ky përkufizim gjithashtu vëren që besëlidhjet janë të “pandryshueshme.” Ato mund të ndërrohen apo të zëvendësohen nga një besëlidhje tjetër, por nuk mund të ndryshohen pasi janë lidhur. Paçka se mund të ketë patur shumë detaje shtesë të specifikuara në besëlidhjet që Perëndia ka bërë me njerëzit përgjatë historisë së Shkrimit, elementi qendror në thelbin e të gjithave, është premtimi: “Unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im” (Jer. 31:33; 2 Kor. 6:16; etj.).
Përderisa marrëdhënia besëlidhore mes Perëndisë dhe njeriut shfaqet në forma të ndryshme përgjatë gjithë Shkrimit, nga “Zanafilla” tek “Zbulesa”, një trajtim i kësaj teme mund të vendoset në disa pika të ndryshme në studimin e teologjisë sistematike. Unë e kam vendosur këtu në fund të trajtimit të njeriut, si i krijuar (në shëmbëlltyrën e Perëndisë) dhe njeriut, si i rënë në mëkat, por përpara diskutimit të personit dhe punës së Krishtit.
A. Besëlidhja e Veprave
Disa e kanë vënë në pikëpyetje nëse është apo jo e përshtatshme që të flasim për një besëlidhje veprash të cilën Perëndia kishte me Adamin dhe Evën në kopshtin e Edenit. Fjala aktuale besëlidhje nuk është përdorur në tregimin e “Zanafillës”. Megjithëkëtë, pjesët thelbësore të besëlidhjes janë të tëra aty—një përkufizim i qartë i palëve të përfshira, një tërësi dispozitash ligjore të detyrueshme të cilat përcaktojnë kushtet e marrëdhënies së tyre, premtimi për bekime në rast bindjeje, dhe kushtet për përfitimin e atyre bekimeve. Për më tepër, “Osea” 6:7, duke iu referuar mëkateve të Izraelit, thotë: “Por, si Adami, ata kanë shkelur besëlidhjen” ([99]RSV [100]mgj.; po kështu [101]NIV, [102]NASB).[103]1 Ky pasazh, e konsideron Adamin në ekzistencë në një marrëdhënie besëlidhore të cilën ai pastaj e shkeli në kopshtin e Edenit. Plus kësaj, tek “Romakëve” 5:12–21, Pali e shikon si Adamin ashtu edhe Krishtin, si kreun e popullit të cilin ata përfaqësojnë, diçka kjo e cila do të ishte tërësisht e përputhshme me idenë që Adami është në një besëlidhje përpara rënies në mëkat.
Në Kopshtin e Edenit, duket mjaft qartë se pati një tërësi dispozitash detyruese ligjore, të cilat përkufizonin kushtet e marrëdhënies mes Perëndisë dhe njeriut. Dy palët janë të evidentuar ndërkohë që Perëndia i flet Adamit dhe i jep atij urdhëresa. Kërkesat e marrëdhënies janë të përkufizuara qartësisht tek urdhëresat të cilat Perëndia i jep Adamit dhe Evës (Zan. 1:28–30; kr. 2:15) dhe në një urdhëresë të drejtpërdrejtë drejtuar Adamit: “Ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj, ke për të vdekur me siguri” (Zan. 2:16–17).
Në këtë deklaratë të bërë ndaj Adamit rreth pemës së njohurisë së të mirës dhe të keqes, ka një premtim për ndëshkimin për mosbindje—vdekja, e kuptuar më mirë si nënkuptuese e një vdekjeje në një kuptim të gjerë fizik, shpirtëror, dhe vdekje e përjetshme e ndarje nga Perëndia.[104]2 Në premtimin e ndëshkimit për shkak të mosbindjes, është i nënkuptuar një premtim për bekim në rast bindjeje. Ky bekim do të konsistonte në mos-prekjen nga vdekja, dhe nënkuptimi është që bekimi do të ishte e kundërta e “vdekjes.” Ai do të përfshinte jetë fizike që nuk ka fund, si dhe jetë shpirtërore në lidhje me një marrëdhënie me Perëndinë e cila do të vazhdonte përgjithnjë. Prania e “pemës së jetës... në mes të kopshtit” (Zan. 2:9) simbolizonte gjithashtu premtimin e jetës së përjetshme me Perëndinë nëse Adami dhe Eva do t’i kishin plotësuar kushtet e një marrëdhënieje besëlidhore, duke iu bindur tërësisht Perëndisë derisa Ai të vendoste që koha e tyre e provës të kishte mbaruar. Pas rënies në mëkat, Perëndia e largoi Adamin dhe Evën nga kopshti, pjesërisht për arsyen që ata të mos ishin në gjendje që të merrnin nga pema e jetës që “duke ngrënë nga ajo, të jetonin përgjithnjë” (Zan. 3:22).
Një provë tjetër që marrëdhënia besëlidhore me Perëndinë në kopsht përfshin një premtim për jetë të përjetshme po qe se Adami dhe Eva do t’i ishin bindur në mënyrë të përsosur, është fakti që edhe në besëlidhjen e Re, Pali flet a thua se bindja e përsosur, po të ishte e mundur, do të çonte faktikisht në jetë. Ai flet për një “urdhërim që u dha për jetë” (Rom. 7:10; fjalë për fjalë, “urdhërimi që u dha për jetë”) dhe me qëllim për të demonstruar faktin që ligji nuk bazohet tek besimi, ai citon “Levitikun” 18:5 për të thënë rreth dhënies së ligjit: “Njeriu që do t'i bëjë ato, do të rrojë nëpërmjet tyre” (Gal. 3:12; kr. Rom. 10:5).
Besëlidhjet e tjera në Shkrim, përgjithësisht kanë një “shenjë” të jashtme të lidhur me to (si për shembull rrethprerja, apo pagëzimi dhe Darka e Zotit). Asnjë “shenjë” për besëlidhjen e veprave nuk është caktuar në mënyrë të qartë si e tillë tek “Zanafilla”, por nëse do të thonim gjithsesi emrin e njërës, me shumë mundësi do të ishte pema e jetës në mes të kopshtit. Duke marrë nga ajo pemë, Adami dhe Eva do të merrnin nga premtimi i jetës së përjetshme që Perëndia do të jepte. Fryti vetë nuk kishte veti magjike por do të ishte një shenjë përmes të cilës Perëndia për së jashtmi do të garantonte ndodhjen e realitetit të brendshëm.
Përse është e rëndësishme që të flasim për marrëdhënien mes Perëndisë dhe njeriut në kopsht si një marrëdhënie besëlidhore? Kjo sepse na kujton për faktin që kjo marrëdhënie, përfshin urdhëresat e bindjes si dhe premtimin e bekimit për bindje, e nuk qe diçka që ndodhi në mënyrë automatike në marrëdhënien mes Krijuesit dhe krijesës. Perëndia nuk bëri ndonjë besëlidhje të tillë me kafshët që Ai krijoi për shembull.[105]3 Gjithashtu, as natyra e njeriut siç e krijoi Perëndia nuk kërkon që Perëndia të ketë ndonjë bashkësi me njeriun apo që Perëndia të bëjë ndonjë premtim në lidhje me marrëdhënien e Tij me njerëzit apo t’i japë njeriut ndonjë udhëzim të qartë për atë që ai duhet të bëjë. E gjitha kjo ishte shprehje e dashurisë atërore të Perëndisë për burrin dhe gruan që Ai kishte krijuar. Për më tepër, kur e specifikojmë këtë marrëdhënie si “besëlidhje,” kjo na ndihmon të shikojmë paralelizmat e qartë mes kësaj dhe marrëdhënieve pasuese që Perëndia kishte me popullin e Tij. Nëse të tërë elementët e një besëlidhjeje janë të pranishëm (përcaktimi i qartë i palëve të përfshira, deklaratë e kushteve të besëlidhjes dhe një premtim i bekimit për bindje dhe ndëshkimit për mosbindje), atëherë duket se nuk ka arsye përse të mos i referohemi asaj si një besëlidhje, sepse ajo ashtu ishte me të vërtetë
Paçka se besëlidhja që ekzistonte përpara rënies, është referuar me terma të ndryshëm (si për shembull Besëlidhja Adamike, apo Besëlidhja e Natyrës), emërtimi më i dobishëm duket se është “besëlidhja e veprave,” përderisa pjesëmarrja në bekimet e besëlidhjes varet qartësisht nga bindja apo “veprat” në anën e Adamit dhe Evës.
Ashtu sikurse në të tëra besëlidhjet që Perëndia bën me njeriun, po ashtu edhe këtu nuk ka negocim mbi dispozitat. Perëndia në mënyrë sovrane e imponon këtë besëlidhje mbi Adamin dhe Evën, dhe ata nuk kanë mundësi të ndryshojnë hollësitë. Zgjedhja e vetme që ata kanë, është t’i përmbahen ose ta shkelin atë.
A është ende në fuqi besëlidhja e veprave? Nga disa anë të rëndësishme, po, është. Pikë së pari, Pali nënkupton që bindja e përsosur ndaj ligjeve të Perëndisë, po të jetë e mundur, do të çonte në jetë (shiko Rom. 7:10; 10:5; Gal. 3:12). Ne duhet që gjithashtu të vëmë re se ndëshkimi për këtë besëlidhje është ende në fuqi, sepse “paga e mëkatit është vdekja” (Rom. 6:23). Kjo nënkupton që besëlidhja e veprave është ende në fuqi për çdo qenie njerëzore veçmas Krishtit, paçka se nuk ka asnjë qenie njerëzore që mund të përmbushë dispozitat e saj e të fitojë bekim përmes saj. Së fundi, ne duhet të vërejmë që Krishti iu bind në mënyrë të përsosur besëlidhjes së veprave për ne, përderisa Ai nuk kreu mëkat (1 Pjetrit 2:22) por iu bind tërësisht Perëndisë për ne (Rom. 5:18–19).
Nga ana tjetër, ka disa aspekte në të cilat besëlidhja e veprave nuk mbetet në fuqi: (1) Ne nuk përballemi më me urdhëresën specifike për të mos ngrënë nga pema e njohurisë së të mirës dhe të keqes. (2) Përderisa të tërë ne kemi një natyrë mëkatare (si të krishterët ashtu edhe jo të krishterët), ne nuk jemi në gjendje që të përmbushim dispozitat e besëlidhjes së veprave me forcat tona, dhe të marrim bekimin e tyre—në mënyrën se si kjo besëlidhje gjen zbatim të drejtpërdrejtë tek njerëzit, ajo sjell vetëm ndëshkime. (3) Për të krishterët, Krishti ka përmbushur me sukses dispozitat e kësaj besëlidhjeje një herë e përgjithmonë, dhe ne kemi dobitë e kësaj jo përmes bindjes aktuale nga ana jonë, por duke u besuar meritave të veprës së Krishtit. Faktikisht, që të krishterët e sotëm ta mendojnë veten si të detyruar të përpiqen për të fituar favorin e Perëndisë nëpërmjet bindjes, do të ishte si ta shkëpusje veten nga shpresa e shpëtimit. “Të gjithë ata që janë prej veprave të ligjit janë nën mallkim.... që me anë të ligjit askush nuk drejtësohet përpara Perëndisë, është e qartë (Gal. 3:10–11). Të krishterët janë çliruar nga besëlidhja e veprave në sajë të veprës së Krishtit, dhe përfshirjes së tyre në besëlidhjen e re, besëlidhjen e hirit (shiko më poshtë).
B. Besëlidhja e Shpengimit
Teologët flasin për një lloj tjetër besëlidhjeje, një besëlidhje e cila nuk është mes Perëndisë dhe njeriut, por mes pjesëtarëve të Trinisë. Këtë besëlidhje ata e quajnë “besëlidhja e shpengimit.” Ajo është një marrëveshje ndërmjet Atit, Birit dhe Frymës së Shenjtë, mbi bazën e të cilës Biri mori përsipër të bëhej njeri, të jetë përfaqësuesi ynë, t’u bindej kushteve të besëlidhjes së veprave për ne, dhe që të paguante ndëshkimin për mëkatin, të cilin e meritonim ne. A na mëson Shkrimi ekzistencën e saj? Po, sepse Shkrimi flet për një plan dhe qëllim specifik të Perëndisë për të cilin qe rënë dakord nga Ati, Biri dhe Fryma e Shenjtë me qëllim për të fituar shpengimin tonë.
Nga ana e Atit, kjo “besëlidhje shpengimi” përfshinte një marrëveshje për t’i dhënë Birit një popull të cilin Ai do ta shpengonte për ta patur për Vete (Gjoni 17:2, 6), për të dërguar Birin për të qenë përfaqësuesi i tyre (Gjoni 3:16; Rom. 5:18–19), për të përgatitur një trup për Birin tek i cili Ai të banonte si njeri (Kol. 2:9; Heb. 10:5), për ta pranuar Atë si përfaqësues të popullit të Tij të cilin Ai e kishte shpenguar (Heb. 9:24), dhe për t’i dhënë Atij të tërë autoritetin në qiell dhe në tokë (Mat. 28:18), përfshi këtu autoritetin për të derdhur Frymën e Shenjtë me fuqi për të zbatuar shpengimin e popullit të Vet (Veprat 1:4; 2:33).
Nga ana e Birit, kishte një marrëveshje që Ai do të vinte në botë si njeri dhe do të jetonte si njeri nën ligjin e Moisiut (Gal. 4:4; Heb. 2:14–18), dhe që Ai do të ishte tërësisht i bindur ndaj të tëra urdhëresave të Atit (Heb. 10:7–9), duke u bërë i bindur deri në vdekje, edhe deri në vdekje të kryqit (Fil. 2:8). Biri ra gjithashtu dakord që do të mblidhte për Vete një popull në mënyrë që asnjë nga ata që Ati i kishte dhënë, të mos humbte (Gjoni 17:12).
Roli i Frymës së Shenjtë në besëlidhjen e shpengimit, nganjëherë nënvlerësohet në diskutimet e kësaj teme, por padyshim që ishte rol unikal dhe thelbësor. Ai pranoi që të bënte vullnetin e Atit dhe të përmbushte dhe fuqizonte Krishtin për të kryer shërbesën e Tij në tokë (Mat. 3:16; Luka 4:1, 14, 18; Gjoni 3:34), si dhe për të akorduar dobitë e punës shpenguese të Krishtit tek populli i Tij pasi Krishti të kthehej në qiell (Gjoni 14:16–17, 26; Veprat 1:8; 2:17–18, 33).
Referimi ndaj marrëveshjes ndër pjesëtarët e Trinisë si një “besëlidhje,” na kujton se kjo ishte diçka e ndërmarrë në mënyrë vullnetare nga Perëndia, e jo diçka në të cilën Ai duhej të hynte për shkak të natyrës së Vet. Sidoqoftë, kjo besëlidhje është gjithashtu ndryshe nga besëlidhjet mes Perëndisë dhe njeriut për shkak se palët hyjnë në të si të barabarta, ndërsa në besëlidhjet me njeriun, Perëndia është Krijuesi sovran i Cili imponon dispozitat e besëlidhjes përmes dekretit të lëshuar prej Atij Vetë. Nga ana tjetër, kjo i përngjan besëlidhjeve që Perëndia bën me njerëzit, në atë që ajo ka elementët (duke specifikuar palët, kushtet dhe bekimet e premtuara) përbërës të një besëlidhjeje.
C. Besëlidhja e Hirit
1. Elementët thelbësorë. Kur njeriu nuk arriti që të fitonte bekimin e ofruar në besëlidhjen e veprave, Perëndisë iu desh që të krijonte një mënyrë tjetër, një përmes të cilës njeriu mund të shpëtohej. Pjesa tjetër e Shkrimit, pas historisë së rënies tek “Zanafilla” 3, është historia e Perëndisë që realizon në histori planin e mahnitshëm të shpengimit, përmes të cilit njerëzit mëkatarë mund të vijnë në bashkësi me Të. Edhe një herë tjetër, Perëndia përkufizon në mënyrë të qartë dispozitat e një besëlidhjeje e cila do të specifikojë marrëdhënien mes Tij dhe atyre që Ai do të shpengojë. Në këto specifikime, gjejmë ca variacione të hollësishme përgjatë gjithë Besëlidhjes së Vjetër dhe asaj të Re, por elementët thelbësore të një besëlidhjeje, janë të tërë të pranishëm, dhe natyra e këtyre elementëve mbetet e njëjta përgjatë gjithë Besëlidhjes së Vjetër dhe asaj të Resë.
Palët e kësaj besëlidhjeje të hirit, janë Perëndia dhe populli të cilin Ai do të shpengojë. Por në këtë rast, Krishti përmbush një rol të veçantë si “ndërmjetës” (Heb. 8:6; 9:15; 12:24) në të cilin Ai përmbush kushtet e besëlidhjes për ne dhe për rrjedhojë na pajton me Perëndinë. (Nuk kishte ndërmjetës mes Perëndisë dhe njeriut në besëlidhjen e veprave.)
Kushti (apo detyrimi) i pjesëmarrjes në besëlidhjen e besimit në veprën e Krishtit, shpenguesit (Rom. 1:17; 5:1; etj.). Kjo kërkesë e besimit në punën shpenguese të Mesisë, qe gjithashtu kusht për përftimin e bekimeve të besëlidhjes në Besëlidhjen e Vjetër, ashtu sikurse Pali e demonstron qartësisht përmes shembujve të Abrahamit dhe Davidit (Rom. 4:1–15). Ata, ashtu sikurse besimtarët e tjerë të Besëlidhjes së Vjetër, u shpëtuan duke parë përpara në kohë drejt veprës së Mesisë i Cili do të vinte, dhe duke i besuar Atij.[106]4
Por ndërkohë që kushti i fillimit të besëlidhjes së hirit është gjithnjë besimi vetëm në veprën e Krishtit, kushti i vazhdimit në atë besëlidhje thuhet të jetë bindja ndaj urdhëresave të Perëndisë. Paçka se kjo bindje as në Besëlidhjen e Vjetër dhe as në Besëlidhjen e Re nuk na fiton ndonjë meritë me Perëndinë, gjithsesi, nëse besimi ynë në Krishtin është i vërtetë, ai do të prodhojë bindje (shiko Jakobi 2:17), dhe bindja ndaj Krishtit në Besëlidhjen e Re shikohet si provë e nevojshme që ne jemi me të vërtetë besimtarë si dhe pjesëtarë të besëlidhjes së re (shiko 1 Gjonit 2:4–6).
Premtimi i bekimeve në besëlidhje, qe një premtim i jetës së përjetshme me Perëndinë. Ky premtim u përsërit në mënyrë të shpeshtë përgjatë gjithë Besëlidhjes së Vjetër dhe asaj të Re. Perëndia premtoi se Ai do të ishte Perëndia i tyre dhe se ata do të ishin populli i Tij. “Dhe do të caktoj besëlidhjen time midis meje dhe teje, si dhe me pasardhjen tënde, nga një brez në një brez tjetër; kjo do të jetë një besëlidhje e përjetshme, me të cilën unë do të marr përsipër të jem Perëndia yt dhe i pasardhjes sate pas teje” (Zan. 17:7). “Unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im” (Jer. 31:33). “Ata do të jenë për mua populli im dhe unë do të jem për ta Perëndia i tyre... Do të bëj me ta një besëlidhje të përjetshme” (Jer. 32:38–40; kr. Ezek. 34:30–31; 36:28; 37:26–27). Kjo temë vazhdohet edhe në Besëlidhjen e Re gjithashtu: “Do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im” (2 Kor. 6:16; kr. një temë të ngjashme tek vgj. 17–18; gjithashtu 1 Pjetrit 2:9–10). Duke folur për besëlidhjen e re, autori i “Hebrenjve” citon “Jereminë” 31: “Do të jem Perëndia i tyre dhe ata do të jenë populli im” (Heb. 8:10). Ky bekim gjen përmbushje në kishë, që është populli i Perëndisë, por gjen përmbushjen e tij më të madhe në qiellin e ri dhe në tokën e re, ashtu sikurse Gjoni shikon në vegimin e tij të epokës që do të vijë: “Ja tabernakulli i Perëndisë me njerëzit! Dhe ai do të banojë me ta; edhe ata do të jenë populli i tij dhe vetë Perëndia do të jetë bashkë me ta, Perëndi i tyre” (Zbu. 21:3).
Shenja dalluese e kësaj besëlidhjeje (simboli i jashtëm, fizik i përfshirjes në besëlidhje) ndryshon në Besëlidhjen e Vjetër nga ajo në Besëlidhjen e Re. Në Besëlidhjen e Vjetër, shenja e jashtme e fillimit të marrëdhënies së besëlidhjes, ishte rrethprerja. Shenja e vazhdimit të marrëdhënies besëlidhore, qe vazhdimi i kremtimit të tërë festivaleve dhe ligjeve ceremoniale që Perëndia i dha popullit në kohë të ndryshme. Në Besëlidhjen e Re, shenja e fillimit të një marrëdhënieje besëlidhore, është pagëzimi, ndërkohë që shenja e vazhdimit në atë marrëdhënie, është pjesëmarrja në Darkën e Zotit.
Arsyeja përse kjo besëlidhje është quajtur “besëlidhje e hirit” është se ajo është bazuar tërësisht në “hirin” e Perëndisë, apo në favorin e pamerituar ndaj atyre që Ai shpengon.
2. Forma të ndryshme të Besëlidhjes. Paçka se elementët thelbësor të besëlidhjes së hirit mbeten të njëjtë përgjatë historisë së popullit të Perëndisë, dispozitat specifike të besëlidhjes variojnë nga një kohë në tjetrën. Në kohën e Adamit dhe Evës, ekzistonte vetëm një aludim i zbehtë i mundësisë së një marrëdhënieje me Perëndinë e gjetur kjo në premtimin rreth farës së gruas tek “Zanafilla” 3:15 dhe në sigurimin me hir nga Perëndia të veshjeve për Adamin dhe Evën (Zan. 3:21). Besëlidhja që Perëndia bëri me Noeun pas përmbytjes (Zan. 9:8–17) nuk qe një besëlidhje e cila premtonte të tëra bekimet e jetës së përjetshme apo bashkësisë shpirtërore me Perëndinë, por thjesht një në të cilën Perëndia i premtoi të tërë njerëzimit dhe krijimit shtazor, që toka nuk do të shkatërrohej më nga përmbytja. Në këtë kuptim, besëlidhja me Noeun, paçka se padyshim që varet nga hiri i Perëndisë apo nga favori i pamerituar i dhënë nga Perëndia, del të jetë mjaft ndryshe tek palët e përfshira (Perëndia dhe tërë njerëzimi, jo thjesht të shpenguarit), kushtin e vënë (nga njeriu nuk kërkohet besim apo bindje), dhe bekimi që është premtuar (që toka nuk do të shkatërrohet përsëri nga përmbytja, padyshim, një premtim i ndryshëm ky nga jeta e përjetshme). Shenja e besëlidhjes (ylberi) është gjithashtu ndryshe në atë që ai nuk kërkon pjesëmarrje aktive apo vullnetare nga ana e njeriut.
Por, duke filluar me besëlidhjen e Abrahamit (Zan. 15:1–21; 17:1–27), elementët thelbësorë të besëlidhjes së hirit, janë të tërë të pranishëm. Faktikisht, Pali mund të thotë se “Shkrimi... ia dha më përpara Abrahamit lajmin e mirë” (Gal. 3:8). Për më tepër, Luka na thotë se Zakaria, babai i Gjon Pagëzorit, profetizoi që ardhja e Gjon Pagëzorit për të përgatitur rrugën për Krishtin, qe fillimin i punës së Perëndisë për të përmbushur premtimet e lashta të besëlidhjes me Abrahamin (“për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t'u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë, betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,” Luka 1:72–73). Kështu që premtimet e besëlidhjes dhënë Abrahamit, mbeten në fuqi, ashtu sikurse ato gjetën plotësinë në Krishtin (shiko Rom. 4:1–25; Gal. 3:6–18, 29; Heb. 2:16; 6:13–20).[107]5
Çfarë është atëherë “besëlidhja e vjetër” në krahasim me “besëlidhjen e re” në Krishtin? Nuk bëhet fjalë për të tërë Besëlidhjen e Vjetër sepse besëlidhjet me Abrahamin dhe Davidin nuk quhen kurrë “të vjetra” në Besëlidhjen e Re. Përkundrazi, vetëm besëlidhja me Moisiun e bërë në Malin Sinai (Eks. 19–24) është quajtur “besëlidhja e vjetër” (2 Kor. 3:14; kr. Heb. 8:6, 13), që të zëvendësohet nga “besëlidhja e re” në Krishtin (Luka 22:20; 1 Kor. 11:25; 2 Kor. 3:6; Heb. 8:8, 13; 9:15; 12:24). Besëlidhja e Moisiut qe një administrim[108]6 i ligjeve të hollësishme të shkruara, të dhënë për një farë kohe për të kufizuar mëkatet e popullit, si dhe për të qenë një kujdestar i cili do t’i drejtonte njerëzit tek Krishti. Pali thotë: “Atëherë, pse u dha ligji? Ai u shtua për shkak të shkeljeve, derisa të vinte pasardhësi të cilit i qe bërë premtimi” (Gal. 3:19), dhe, “Ligji qe mësuesi ynë për te Krishti” (Gal. 3:24).
Ne nuk duhet të supozojmë se për njerëzit e kohës nga Moisiu e deri tek Krishti, nuk kishte hir të disponueshëm, sepse premtimi i shpëtimit nëpërmjet besimit që Perëndia kishte bërë ndaj Abrahamit, mbeti në fuqi:
Edhe premtimet iu bënë Abrahamit edhe pasardhësit të tij... ligji, që erdhi katërqind e tridhjetë vjet më pas, nuk e zhvleftëson besëlidhjen e miratuar më parë nga ana e Perëndisë në Krishtin, në mënyrë që të prishë premtimin. Sepse, në qoftë se trashëgimia është prej ligjit, nuk është më prej premtimit. Por Perëndia ia dha atë Abrahamit me anë të premtimit. (Gal. 3:16–18)
Për më tepër, paçka se sistemi i flijimit i besëlidhjes së Moisiut faktikisht nuk i hiqte mëkatet (Heb. 10:1–4), ai ishte një hije e mbajtjes prej Krishtit të mëkateve, që ishte kryeprifti i përsosur e që ishte gjithashtu flijimi i përsosur (Heb. 9:11–28). Gjithsesi, vetë besëlidhja e Moisiut, me gjithë ligjet e veta të imtësishme, nuk mund t’i shpëtonte njerëzit. Nuk është se ligjet ishin të gabuara në vetvete, sepse ato u dhanë nga një Perëndi i shenjtë, por ato nuk kishin fuqi për t’u dhënë njerëzve një jetë të re, dhe njerëzit nuk ishin në gjendje që t’u bindeshin atyre në mënyrë të përsosur: “A është ligji atëherë kundër premtimeve të Perëndisë? Kurrë mos qoftë! Sepse po të ishte dhënë një ligj që mund të jepte jetë, drejtësia do të ishte me të vërtetë prej ligjit” (Gal. 3:21). Pali e pranon që Fryma e Shenjtë që punon brenda nesh, mund të na fuqizojë për t’iu bindur Perëndisë në një mënyrë që ligji i Moisiut nuk mund ta bënte kurrë, sepse ai thotë se Perëndia “na bëri të aftë të jemi shërbenjës të besëlidhjes së re, jo të shkronjës, por të Frymës, sepse shkronja vret, por Fryma jep jetë” (2 Kor. 3:6).
Besëlidhja e Re në Krishtin, atëherë, është shumë më e mirë për shkak se ajo përmbush premtimet e bëra tek “Jeremia” 31:31–34, siç është cituar tek “Hebrenjve” 8:
Po tani Krishti mori një shërbesë edhe më të shquar, sepse është ndërmjetësi i një besëlidhjeje më të mirë, që bazohet mbi premtime më të mira, sepse, në qoftë se besëlidhja e parë do të qe e patëmetë, nuk do të kërkohej vend për një të dytë.
Sepse Zoti, duke i qortuar, thotë:
"Ja po vijnë ditët, thotë Zoti,
kur do të bëj një besëlidhje të re me shtëpinë e Izraelit
dhe me shtëpinë e Judës,
jo si besëlidhja, që bëra me etërit e tyre,
ditën, që i mora për dore
për t'i nxjerrë jashtë nga toka e Egjiptit
sepse ata nuk qëndruan në besëlidhjen time,
dhe unë nuk u kujdesa për ta, thotë Zoti.
Dhe kjo do të jetë besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit
pas atyre ditëve, thotë Zoti:
Unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre
dhe do t'i shkruaj në zemrat e tyre,
dhe do të jem Perëndia i tyre
dhe ata do të jenë populli im.
Dhe nuk do të mësojë gjithkush të afërmin e tij,
dhe gjithkush vëllanë e tij, duke thënë: ``Njihe Zotin!'',
sepse të gjithë do të më njohin,
nga më i vogli e deri te më i madhi prej tyre,
sepse unë do të jem i mëshirshëm për padrejtësitë e tyre
dhe nuk do të kujtoj më mëkatet e tyre
he paudhësitë e tyre
Kur flet për një besëlidhje të re, ai e trajton të parën si të vjetruar, dhe ajo që është vjetruar dhe e dalë nga përdorimi, është gati për t’u zhdukur. (Heb. 8:6–13)
Në këtë besëlidhje të re, ka bekime shumë më të mëdha sepse Jezusi, Mesia ka ardhur. Ai ka jetuar, vdekur dhe është ringjallur ndër ne, duke shlyer një herë e mirë për të tëra mëkatet tona (Heb. 9:24–28).Ai na e ka zbuluar Perëndinë më plotësisht (Gjoni 1:14; Heb. 1:1–3); Ai ka derdhur Frymën e Shenjtë mbi të tërë njerëzit e Tij në fuqinë e besëlidhjes së re (Veprat 1:8; 1 Kor. 12:13; 2 Kor. 3:4–18); Ai ka shkruar ligjet e Tij në zemrat tona (Heb. 8:10). Kjo besëlidhje e re është “besëlidhja e përjetshme” (Heb. 13:20) në Krishtin, e përmes kësaj besëlidhjeje ne do të kemi përgjithnjë bashkësi me Perëndinë, dhe Ai do të jetë Perëndia ynë e ne do të jemi populli i Tij.
PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL
1. Përpara se të lexonit këtë kapitull, a kishit menduar për marrëdhënien tuaj me Perëndinë në formën e një “besëlidhjeje”? A të jep ndonjë shkallë më të madhe sigurie apo ndonjë ndjenjë siguri në marrëdhënien tënde me Perëndinë fakti që Ai e drejton atë marrëdhënie mbi bazën e një tërësie premtimesh të cilat Ai nuk do t’i ndryshojë kurrë?
2. Nëse do ta mendoje marrëdhënien mes Perëndisë dhe vetes tënde personalisht në lidhje me një besëlidhjes, nëpërmjet të cilës ti dhe Perëndia janë të vetmet palë të përfshira, atëherë, cilat do të ishin kushtet e kësaj besëlidhjeje mes teje dhe Perëndisë? A je tani duke i përmbushur këto kushte? Çfarë roli luan Krishti në marrëdhënien besëlidhore midis teje dhe Perëndisë? Cilat janë bekimet që Perëndia të premton nëse i plotëson këto kushte? Cilat janë shenjat e pjesëmarrjes në këtë besëlidhje? A e rrit kjo kuptueshmëri e besëlidhjes vlerësimin tënd për pagëzimin dhe Darkën e Zotit?
TERMA TË VEÇANTË
besëlidhje
besëlidhja e hirit
besëlidhja e shpengimit
besëlidhja e veprave
besëlidhja e re
besëlidhja e vjetër
BIBLIOGRAFI
(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)
Seksione në teologjitë sistematike ungjillore
1. Anglikane (Episkopaliane)
1882–1892 Litton (pa trajtim të posaçëm)
1930 Thomas, 134–141
2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)
1983 Carter, 1:476–483
3. Baptiste
1767 Gill, 1:300–359, 491–530
1887 Boyce, 247–258
4. Dispensacionale
1947 Chafer, 7:96–99
1949 Thiessen, 199–205
1986 Ryrie, 453–460
5. Luterane
1934 Mueller (pa trajtim të posaçëm)
6. E Reformuar (apo Presbiteriane)
1861 Heppe, 281–319, 371–409
1871–1873 Hodge, 2:117–122, 354–377
1878 Dabney, 292–305, 429–463
1889 Shedd, 2a:148–167
1937–1966 Murray, CW 2:47–59, 123–131
1938 Berkhof, 211–218, 262–301
1962 Buswell, 1:307–320
7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentekostale)
1988–1992 Williams, 1:275–304
Seksione në teologjitë sistematike përfaqësuese të Katolicizmit Romak
1. Katolike Romake: Tradicionale
1955 Ott (pa trajtim të posaçëm)
2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II
1980 McBrien (Pa trajtim të posaçëm)
Vepra të Tjera
Archer, G.L. “Besëlidhje (Covenant).” Tek FUT ([109]EDT) fq. 276–278.
Collins, G.N.M. “Teologji Federale (Federal Theology).” Tek FUT (EDT)fq. 413–414.
Dumbrell, W.J. Besëlidhje dhe Krijim (Covenant and Creation). Nashville: Thomas Nelson, 1984.
Fuller, Daniel P. Ungjilli dhe Ligji: Kontrast apo Vazhdimësi? Hermenautikat e Dispensacionalizmit dhe Teologjisë së Besëlidhjes (Gospel and Law: Contrast or Continuum? The Hermeneutics of Dispensationalism and Covenant Theology). Grand Rapids: Eerdmans, 1980.
Jocz, Jakob. Besëlidhja: Një Teologji e Destinimit Njerëzor (The Covenant: A Theology of Human Destiny). Grand Rapids: Eerdmans, 1968.
Kaiser, Walter C., Jr. Drejt një Teologjie të Besëlidhjes së Vjetër (Toward An Old Testament Theology). Grand Rapids: Zondervan, 1978.
Martens, Elmer. Projekti i Perëndisë: Një Përqendrim tek Teologjia e Besëlidhjes së Vjetër (God’s Design: A Focus on Old Testament Theology). Grand Rapids: Baker, 1981.
McComiskey, Thomas E. Besëlidhjet e Premtimit: Një teologji e Besëlidhjeve të Besëlidhjes së Vjetër (The Covenants of Promise: A Theology of the Old Testament Covenants). Grand Rapids: Baker, 1985.
Murray, John. Besëlidhja e Hirit (Covenant of Grace). London: Tyndale, 1954.
Osterhaven, M.E. “Teologjia e Besëlidhjes (Covenant Theology).” Tek FUT (EDT) fq. 279–280.
Pentecost, J. Dwight. Ardhtë Mbretëria (Thy Kingdom Come). Wheaton, Ill.: Scripture Press, 1990.
Peters, G.N.H. Mbretëria Teokratike (The Theocratic Kingdom). 3 vol. New York: Funk and Wagnalls, 1952 (botuar për herë të parë më 1884).
Rayburn, R.S. “Besëlidhja, e Reja (Covenant, The New).” Tek FUT (EDT) fq. 278–279.
Robertson, O. Palmer. Krishti i Besëlidhjeve (The Christ of the Covenants). Grand Rapids: Baker, 1980.
Ryrie, C.C. Dispensacionalizmi Sot (Dispensationalism Today). Chicago: Moody, 1965.
VanGemeren, Willem. Përparimi i Shpengimit (The Progress of Redemption). Grand Rapids: Zondervan, 1988.
PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH
“Hebrenjve” 8:10:
“Dhe kjo do të jetë besëlidhja që unë do të bëj me shtëpinë e Izraelit
pas atyre ditëve, thotë Zoti:
Unë do t'i shtie ligjet e mia në mendjet e tyre
dhe do t'i shkruaj në zemrat e tyre,
dhe do të jem Perëndia i tyre
dhe ata do të jenë populli im
HIMN
“BESO DHE BINDU (TRUST AND OBEY)”
Ky himn na kujton që shijimi i bekimeve të Perëndisë, varet nga vazhdimi ynë në përmbushjen e kushteve të besimit dhe bindjes, siç edhe përcaktohen në Besëlidhjen e Re, që është dëshmia e shkruar e dispozitave të besëlidhjes së re që Perëndia ka bërë me ne.
Kur ecim me Zotin në dritën e Fjalës së Tij,
Në rrugën tonë, çfarë lavdie që hedh Ai!
Ndërkohë që zbatojmë vullnetin e Tij të mirë, Ai ende banon në ne,
Dhe me të tërë që do t’i besojnë dhe binden Atij.
Korri:
Beso dhe bindu, se rrugë tjetër nuk ka
Të jesh i lumtur në Jezusin, përveçse duke besuar e duke u bindur.
Asnjë hije nuk do të ngrihet, asnjë re në qiej,
Buzëqeshja e Tij shpejt ka për ta davaritur;
Asnjë dyshim apo frikë, asnjë psherëtimë apo lot,
Nuk mund të zërë vend ndërkohë që ne besojmë dhe bindemi.
Për asnjë barrë që ne mbajmë, asnjë pikëllim që ne kalojmë,
Mundimin tonë Ai nuk e lë pa shpaguar me të Tijën pasuri;
Asnjë pikëllim e asnjë humbje, asnjë vrenjtje apo mundim,
Por gjëja më e mirë është që ne të besojmë e të bindemi.
Por ne nuk mund të provojmë kurrë kënaqësinë e dashurisë së Tij
Derisa gjithçka në altar t’ia parashtrojmë Atij;
Sepse favori që Ai na tregon, dhe gëzimi që na dhuron,
Janë për ata të cilët do të binden e do të besojnë.
Pastaj në përbashkësi të ëmbël ne të tërë do të ulemi tek këmbët e Tij,
Ose përbri Tij rrugës do të shkojmë;
Çfarë të thotë Ai do të bëjmë, atje ku Ai të na dërgojë, do të shkojmë,
Kurrë mos ki frikë, vetëm beso dhe bindu.
Autori: James H. Sammis, vd. 1919