Kapitulli 54: Kthimi i Krishtit: Kur dhe si do të kthehet?
Lesson 56 Chapter 1 Module 9
Kthimi i Krishtit: Kur dhe Si?
Kur dhe si do të kthehet Krishti? A mund të kthehet Ai nga çasti në çast?
SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET
Ndërkohë që fillojmë njësinë e fundit të këtij libri, i kthehemi shqyrtimit të ngjarjeve që do të ndodhin në të ardhmen. Studimi i ngjarjeve të ardhshme shpesh quhet “eskatologji,” term ky i cili vjen nga fjala greqisht ἔσχατος (G2274) që do të thotë “i fundit.” Studimi i eskatologjisë pra, është studimi i “gjërave të fundit.”
Jobesimtarët mund të bëjnë parashikime të arsyeshme rreth ngjarjeve të ardhshme bazuar tek vazhdat e ndodhive të kaluara, por në natyrën e përvojës njerëzore është e qartë që qeniet njerëzore, nga vetja e tyre nuk mund ta dinë të ardhmen. Për rrjedhojë, jobesimtarët nuk mund të kenë një njohuri të sigurt për çfarëdo ngjarje të ardhshme. Por, të krishterët të cilët i besojnë Biblës, janë në tjetër situatë. Paçka se ne nuk mund të dimë gjithçka për të ardhmen, Perëndia di gjithçka për të dhe Ai na ka treguar në Shkrim për ngjarjet kryesore që do të ndodhin në historinë e universit. Rreth këtyre ngjarjeve që ndodhin, ne mund të kemi një bindje absolute për shkak se Perëndia nuk gabon e as gënjen kurrë.
Në lidhje me të ardhmen tonë personale si individë, ne tashmë i kemi diskutuar mësimet e Shkrimit në kapitullin 41 (mbi vdekjen dhe gjendjen e ndërmjetme) dhe kapitullin 42 (mbi përlëvdimin). Studimi i këtyre ngjarjeve të ardhshme të cilat do t’u ndodhin individëve, nganjëherë quhet “eskatologji personale.” Megjithatë, Bibla flet gjithashtu për disa ngjarje madhore të caktuara të cilat do të kenë ndikim në të gjithë universin. Specifikisht, ajo na tregon për ardhjen e dytë të Krishtit, mijëvjeçarin, gjykimin përfundimtar, ndëshkimin e përjetshëm ndaj jobesimtarëve si dhe shpërblimin e përjetshëm për besimtarët dhe jetën me Perëndinë në qiellin dhe tokën e re. Studimi i këtyre ngjarjeve, nganjëherë është quajtur “eskatologji e përgjithshme.” Në këtë kapitull do të studiojmë çështjen e kthimit të Krishtit, ose “ardhjen e dytë” të Tij. Kapitujt vijues do të trajtojnë temat e mbetura në studimin e gjërave të fundit.
Ka patur shumë debate, shpesh herë të nxehta, në historinë e kishës në lidhje me pyetje që kanë të bëjnë me të ardhmen. Në këtë kapitull ne do të fillojmë me aspekte të ardhjes së dytë të Krishtit me të cilat të tërë ungjillorët janë të një mendjeje, dhe pastaj në fund do të kalojmë tek një çështje e debatuar: nëse Krishti mundet ose jo të kthehet nga çasti në çast. Pastaj, në kapitullin e mëpasshëm, do të diskutojmë çështjen e mijëvjeçarit, një temë e cila që prej një kohe shumë të gjatë ka qenë burim mosmarrëveshjesh ndër të krishterët.
A. Krishti do të kthehet befasisht, personalisht, në mënyrë të dukshme dhe në trup
Jezusi shpesh herë foli për kthimin e Tij. “Edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni” (Mat. 24:44). Ai tha: “do të kthehem përsëri dhe do t'ju marr pranë meje, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju” (Gjoni 14:3). Menjëherë pasi Jezusi u ngrit në qiell, dy engjëj u thanë dishepujve: “Ky Jezus, që u mor nga mesi juaj në qiell, do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë atë të shkojë në qiell” (Veprat 1:11). Pali jepte këtë mësim: “Zoti vetë, me urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli” (1 Thes. 4:16). Autori i “Hebrenjve” shkroi që Krishti “do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin me durim për shpëtim” (Heb. 9:28). Jakobi shkroi: “ardhja [1]1 e Zotit u afrua” (Jakobi 5:8). Pjetri tha: “dita e Zotit do të vijë si një vjedhës” (2 Pjet. 3:10). Gjoni shkroi: “kur të shfaqet ai, do të jemi të ngjashëm me të, sepse do ta shohim atë sesi është” (1 Gjonit 3:2). Dhe libri i Zbulesës ka referenca të shpeshta ndaj kthimit të Krishtit, duke e mbyllur me premtimin e Jezusit: “Po, unë vij shpejt,” dhe përgjigjen e Gjonit: “Amen. Po, eja, Zoti Jezus.” (Zbu. 22:20).
Atëherë, kjo temë, është përmendur shpesh herë përgjatë gjithë Besëlidhjes së Re. Është shpresa mbizotëruese në kishën e Besëlidhjes së Re. Këto vargje parashikojnë një kthim të beftë të Krishtit, kthim i cili do të jetë dramatik dhe i dukshëm (“Ja, ai vjen me retë dhe çdo sy do ta shohë,” Zbu. 1:7). Pasazhet janë aq të shkoqitura saqë nuk lejojnë idenë (dikur të mirënjohur në qarqet liberale Protestante) që Krishti Vetë nuk do të kthehet, por thjesht që Fryma e Krishtit, duke nënkuptuar me këtë një pranim të mësimit të Tij dhe një imitim të mënyrës së Tij të jetesës me dashuri, do të kthehej gjithnjë e më shumë në tokë. Nuk janë mësimet e Tij e as mënyra e qëndrimit të Tij, por “Zoti vetë” Ai që do të zbresë nga qielli (1 Thes. 4:16). Është Jezusi Vetë “që u mor nga mesi juaj në qiell” i Cili “do të kthehet në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë atë të shkojë në qiell” (Veprat 1:11). Shfaqja e Tij nuk do të jetë thjesht një ardhje frymërore për të banuar në zemrat e popullit të Tij, por do të jetë një kthim personalisht dhe fizikisht “në të njëjtën mënyrë, me të cilën e keni parë atë të shkojë në qiell.”
B. Ne duhet të jemi të dëshiruar për kthimin e Krishtit
Përgjigja e Gjonit në fund të “Zbulesës”, duhet të karakterizojë qëndrimin e zemrave të të krishterëve të të gjitha kohërave: “Amen. Po, eja, Zoti Jezus.” (Zbu. 22:20). Krishterimi i vërtetë na përgatit që “të rrojmë me maturi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krisht” (Titit 2:12–13).[2]2 Pali thotë: “qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim me durim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht” (Fil. 3:20).[3]3 Termi “Maran-athaa” tek “1 Korintasve” 16:22 në mënyrë të ngjashme ka kuptimin: “Eja Zoti ynë!” (1 Kor. 16:22).
A presin të krishterët faktikisht si të dëshiruar për kthimin e Krishtit? Sa më tepër që të krishterët ngatërrohen në shijimin e gjërave të mira të kësaj jete, dhe sa më shumë që të lënë pas dore bashkësinë e mirëfilltë të krishterë si dhe marrëdhënien e tyre vetjake me Krishtin, aq më pak ata do të presin me padurim kthimin e Tij. Nga ana tjetër, shumë të krishterë të cilët po përjetojnë vuajtje ose përndjekje, ose të cilët janë më të moshuar dhe të ligësht, si dhe ata, ecja e përditshme e të cilëve me Krishtin është jetike dhe e thelluar, do të kenë një dëshirim më të theksuar për kthimin e Tij. Kështu, deri diku, shkalla në të cilën ne faktikisht me zor presim për kthimin e Krishtit, është një masë e gjendjes frymërore e jetës tonë në këtë moment. Ajo gjithashtu na jep një mënyrë matjeje të shkallës në të cilën ne e shikojmë botën siç është, ashtu sikurse e shikon Perëndia, në zgjedhë ndaj mëkatit dhe në rebelim kundër Perëndinë si dhe nën pushtetin e të ligut (1 Gjonit 5:19).
Por a do të thotë kjo se ne nuk duhet të ndërmarrim projekte afat-gjatë? Nëse një shkencëtar që është i krishterë e që me plot dëshirë pret për kthimin e Krishtit, atëherë a duhet që ai apo ajo të fillojë një projekt kërkimor dhjetë-vjeçar? Apo, a duhet që një i krishterë të nisë një kurs tre-vjeçar në seminarin teologjik ose në një kolegj Bible? Po sikur Krishti të kthehej në ditën përpara diplomimit nga ai institucion, përpara se të ketë ndonjë shans për të kushtuar një pjesë të konsiderueshme të kohës personale në shërbesën aktuale?
Padyshim që ne duhet ta përkushtojmë veten në veprimtari afat-gjata. Është pikërisht për këtë arsye që Jezusi nuk na lejon ta dimë kohën faktike të kthimit të Tij (shiko më poshtë): Ai dëshiron që ne të angazhohemi në bindje ndaj Tij, pavarësisht profesionit tonë në jetë, deri në momentin e kthimit të Tij. Të “jini gati” për kthimin e Krishtit (Mat. 24:44) do të thotë që me besnikëri t’i bindesh Atij në të tashmen dhe të angazhohesh në mënyrë aktive në çfarëdo pune që Ai na ka thirrur për të bërë. Në natyrën e situatës, përderisa ne nuk e dimë se kur Ai do të kthehet, në atë ditë padyshim që do të ketë disa misionarë të cilët sapo do të jenë nisur për në fushën e misionit, por të cilët nuk do të arrijnë kurrë në destinacion. Do të ketë disa njerëz që do të jenë në vitin e tyre të fundit të seminarit biblik, por që nuk do ta përdorin kurrë trajnimin e tyre në pastorimin e një kishe. Do të ketë disa hulumtues të cilët atë ditë do të dorëzojnë dizertacionet e tyre të doktoraturës, frytin e viteve të tëra hulumtimesh por të cilat nuk do të botohen kurrë e të cilat nuk do të kenë kurrë ndikim në botë. Por të tërë atyre njerëzve që janë të krishterë, Jezusi do t’u thotë: “Të lumtë, shërbëtor i mirë dhe besnik; ishe besnik mbi pak gjëra, unë do të të vë mbi shumë gjëra; hyr në gëzimin e zotit tënd” (Mat. 25:21).
C. Ne nuk e dimë se kur do të kthehet Krishti
Ka një sërë pasazhesh të cilat tregojnë se nuk e dimë e as mund ta dimë se kur do të kthehet Krishti. “Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni” (Mat. 24:44). “Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini as ditën as orën në të cilën vjen Biri i njeriut” (Mat. 25:13). Për më tepër, Jezusi tha: “Por sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë koha” (Marku 13:32–33).
Po të thuash se ne nuk mund ta dimë ditën e as orën, por mund ta dimë muajin dhe vitin, kjo do ishte vetëm një shmangie e forcës së këtyre pasazheve. Fakti mbetet që Jezusi po vjen “në atë orë kur ju nuk mendoni” (Mat. 24:44), dhe “në atë orë që nuk e mendoni” (Luka 12:40). (Në këto vargje, fjala “orë” [ὥρα, G6052] kuptohet më mirë po të merret në kuptimin e përgjithshëm, për t’iu referuar kohës kur diçka do të ndodhë, jo domosdoshmërisht një periudhe gjashtëdhjetë minutëshe kohore.)[4]4 Qëllimi i këtyre pasazheve është të na tregojë që Jezusi po na thotë se ne nuk mund ta dimë se kur Ai do të kthehet. Përderisa Ai do të kthehet në një kohë të papritur, ne duhet të jemi gati kurdoherë për kthimin e Tij.
Rezultati praktik i kësaj është që kushdo që pretendon të dijë specifikisht se kur do të kthehet Jezusi, duhet që në mënyrë automatike të konsiderohet i gabuar. Dëshmitarët e Jehovait kanë bërë shumë parashikime për datat specifike të kthimit të Krishtit, dhe të tëra ato kanë dalë të gabuara.[5]5 Por të tjerë në historinë e kishës kanë bërë parashikime të tilla gjithashtu, nganjëherë duke pretenduar të kenë njohuri të thelluara të reja në profecitë biblike dhe nganjëherë duke pretenduar se kishin marrë zbulime vetjake nga Jezusi Vetë në të cilat u është treguar koha e kthimit të Tij. Është për të ardhur keq që shumë njerëz janë mashtruar nga këto pretendime për shkak se nëse njerëzit janë të bindur që Krishti do të kthehet (për shembull) brenda një muaji, ata do të fillojnë të tërhiqen nga të tëra përkushtimet afat-gjata. Ata do t’i nxjerrin fëmijët e tyre nga shkolla, do të shesin shtëpitë e tyre e do ta lënë punën, si dhe do të heqin dorë nga projektet afat-gjata, qoftë në kishë, qoftë gjetiu. Ata mund të kenë fillimisht një zell të shtuar për ungjillëzim dhe lutje, por natyra e paarsyeshme e sjelljes së tyre do të zhbëjë çfarëdolloj ndikimi ungjillor që ata mund të kenë. Për më tepër, ato janë thjesht duke mos iu bindur mësimit të Shkrimit që na thotë se data e kthimit të Krishtit nuk mund të dihet, gjë që nënkupton që edhe lutja dhe bashkësia e tyre me Perëndinë do të pengohet gjithashtu. Kushdo që pretendon të dijë datën në të cilën Krishti do të kthehet, nga çfarëdo burimi qoftë, duhet të refuzohet si i pasaktë.[6]6
D. Të tërë ungjillorët janë të një mendjeje për sa i takon rezultateve të kthimit të Krishtit
Pavarësisht mendimeve të ndryshme që kanë për hollësitë, të tërë të krishterët të cilët e pranojnë Biblën si autoritetin më të lartë, janë të një mendjeje që rezultati përfundimtar dhe më i madh i kthimit të Krishtit, do të jetë gjykimi i jobesimtarëve si dhe shpërblimi përfundimtar i besimtarëve, dhe që besimtarët do të jetojnë me Krishtin në një qiell të ri dhe në një tokë të re përgjatë gjithë përjetësisë. Perëndia Atë, Bir dhe Frymë e Shenjtë, do të mbretërojë dhe do të adhurohet në një mbretëri që nuk merr fund kurrë, e në të cilën nuk do të ketë më mëkat, pikëllim ose vuajtje. Këto detaje ne do t’i diskutojmë më plotësisht në kapitujt vijues.
E. Ka mosmarrëveshje në lidhje me hollësitë e ngjarjeve të të ardhmes
Gjithsesi, të krishterët kanë mendime të ndryshme për sa u takon hollësive specifike që çojnë dhe pasojnë menjëherë kthimin e Krishtit. Specifikisht, ka pikëpamje të ndryshme për sa i takon natyrës së mijëvjeçarit dhe marrëdhënies së kthimit të Krishtit me mijëvjeçarin, sekuencën e kthimit të Krishtit si dhe periudhën e mundimit të madh që do të vijë mbi botë, si dhe çështjen e shpëtimit të judenjve (dhe marrëdhënien mes judenjve që janë shpëtuar dhe kishës).
Përpara se të marrim në shqyrtim në më tepër hollësi disa prej këtyre pyetjeve, është e rëndësishme që të pohojmë qëndrimin e mirëfilltë ungjillor të atyre të cilët kanë qëndrime të ndryshme mbi këto çështje. Ungjillorët të cilët u përmbahen këtyre qëndrimeve të ndryshme, janë të tërë të të njëjtit mendim se Shkrimi është i pagabueshëm, dhe ata janë zotuar që të besojnë çfarëdo gjëje që jepet mësim nga Shkrimi. Dallimet mes tyre kanë të bëjnë me interpretimin e pasazheve të ndryshme të lidhura me këto ngjarje, por dallimet e tyre në të menduarin rreth këtyre çështjeve, duhen parë si çështje të rëndësisë dytësore dhe jo si divergjenca në çështjet kryesore doktrinare.
Gjithsesi, ia vlen t’i kushtojmë kohë studimit të këtyre pyetjeve në më tepër hollësi, edhe sepse mund të fitojmë njohuri të mëtejshme të thella në natyrën e ngjarjeve që Perëndia ka planifikuar dhe që na ka premtuar, si dhe për shkak se ka ende shpresë që një unitet më i madh mund të krijohet në kishë kur ne biem dakord t’i shqyrtojmë këto çështje përsëri në më tepër hollësi si dhe të angazhohemi në diskutime rreth tyre.
F. A mund të kthehet Krishti nga çasti në çast?
Një nga fushat me mosmarrëveshje të konsiderueshme është ajo rreth çështjes nëse Krishti mund të kthehet nga çasti në çast ose jo. Nga njëra anë, ka shumë pasazhe të cilat na inkurajojnë që të jemi gati për shkak se Krishti do të kthehet në një orë që ne nuk e presim. Nga ana tjetër, ka një sërë pasazhesh të cilat tregojnë për disa ngjarje specifike të cilat do të ndodhin përpara se Krishti të kthehet. Ka patur mënyra të ndryshme të zgjidhjes së tensionit në dukje mes këtyre dy grupe pasazhesh, për të cilat disa të krishterë dalin në përfundimin se Krishti mundet që edhe të kthehet nga çasti në çast, ndërkohë që të tjerë dalin në përfundimin se Ai nuk mund të kthehet për të paktën edhe pa kaluar një brez tjetër njerëzor, për shkak se do të duhej aq kohë për përmbushjen e disa ngjarjeve të parashikuara të cilat duhet të ndodhin përpara kthimit të Tij.
1. Vargje të cilat parashikojnë një ardhje të papritur të Krishtit. Me qëllim për të ndjerë forcën e përbashkët të pasazheve të cilat parashikojnë se Krishti do mund të vinte shumë shpejt, është e udhës që ato thjesht t’i renditim këtu me rregull:
Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini në cilën orë do të vijë Zoti juaj. Por dijeni këtë, se ta dinte i zoti i shtëpisë në çfarë ore të natës do të vijë vjedhësi, do të rrinte zgjuar dhe nuk do të lejonte t'i shpërthehej shtëpia. Prandaj edhe ju jini gati, sepse Biri i njeriut do të vijë në atë orë kur ju nuk mendoni». (Mat. 24:42–44; kr. vgj. 36–39)
I zoti i këtij shërbëtori do të vijë në atë ditë që ai nuk e pret dhe në atë orë që ai nuk e di. (Mat. 24:50)
Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini as ditën as orën. (Mat. 25:13)
Por sa për atë ditë dhe atë orë, askush nuk e di, as engjëjt në qiell, as Biri, por vetëm Ati. Tregoni kujdes, rrini zgjuar dhe lutuni, sepse nuk e dini kur do të jetë koha. (Marku 13:32–33)
Është sikurse një njeri i cili, duke u nisur për rrugë, la shtëpinë e vet duke u dhënë autoritet shërbëtorëve të tij, secilit në detyrën e tij dhe portierin e urdhëron të rrijë zgjuar. Rrini zgjuar, pra, sepse nuk e dini kur do të vijë i zoti i shtëpisë: në mbrëmje a në mesnatë, kur këndon gjeli a në mëngjes; që ai, duke u kthyer papritmas, të mos ju gjejë në gjumë. Tani, këtë që po ju them juve, ua them të gjithëve: Rrini zgjuar! (Marku 13:34–37)
Edhe ju pra, jini gati, sepse Biri i njeriut vjen në atë orë që nuk e mendoni. (Luka 12:40)
Maran-athaa! (1 Kor. 16:22)
Sepse qytetaria jonë është në qiejt, prej nga edhe presim me durim Shpëtimtarin, Zotin Jezu Krisht. (Fil. 3:20)
Sepse ju vetë e dini shumë mirë se dita e Zotit do të vijë kështu, si vjedhësi natën. (1 Thes. 5:2)
Na mëson ... të rrojmë me maturi, me drejtësi dhe me perëndishmëri në këtë jetë, duke pritur shpresën e lume dhe të shfaqurit e lavdisë së të madhit Perëndi dhe të Shpëtimtarit tonë, Jezu Krisht. (Titit 2:12–13)
Të nxisim njëri-tjetrin, aq më tepër se e shihni ditën që po afrohet. (Heb. 10:25)
Jini zemërgjerë, pra, vëllezër, deri në ardhjen e Zotit ... forconi zemrat tuaja, sepse ardhja e Zotit u afrua.... ja, gjykatësi qëndron para derës. (Jakobi 5:7–9)
Fundi i të gjithave u afrua. (1 Pjetrit 4:7)
Dhe dita e Zotit do të vijë si një vjedhës natën; atë ditë qiejt do të shkojnë me krismë, por elementet do të shpërbëhen nga të nxehtit dhe toka dhe veprat, që janë në të, do të digjen krejt. (2 Pjetrit 3:10)
Koha është afër. (Zbu. 1:3)
Ja, unë vij shpejt. (Zbu. 22:7)
Ja, unë vij shpejt, dhe shpërblimi im me mua, për t'i dhënë gjithsecilit, sikundër do të jetë vepra e tij. (Zbu. 22:12)
Ai që dëshmon për këto gjëra, thotë: «Po, unë vij shpejt. Amen». Po, eja, Zoti Jezus. (Zbu. 22:20)
Çfarë do të themi për këto pasazhe? Nëse nuk do të kishte pasazhe në Besëlidhjen e Re rreth shenjave të cilat do t’i paraprinin kthimit të Krishtit, ne me shumë mundësi që nga këto pasazhe të sapo cituara do të dilnim në përfundimin që Jezusi mund të vijë nga çasti në çast. Në këtë mënyrë, ne mund të themi se kthimi i Krishtit është i afërt.[7]7 Do të dukej se e zbeh forcën e urdhëresave për të qenë gati dhe për të ndenjur zgjuar po qe se kishte arsye të mendoje se Krishti nuk do të vijë së shpejti.
Përpara se të shikojmë pasazhet mbi mëkatet të cilat i paraprijnë ardhjes së Krishtit, duhet shqyrtuar edhe një problem tjetër në këtë pikë. A e kishin gabim Jezusi si dhe autorët e Besëlidhjes së Re në pritshmërinë e tyre që Ai do të kthehej së shpejti? A nuk menduan dhe dhanë mësim ata se ardhja e dytë e Krishtit do të ndodhte brenda pak vitesh? Në fakt, një pikëpamje shumë e përhapur ndër studiuesit liberalë të Besëlidhjes së Re, ka qenë që Jezusi në mënyrë të gabuar dha mësim se do të kthehej së shpejti.
Por asnjë prej teksteve të sapo cituara nuk e kërkon këtë interpretim. Tekstet të cilat thonë të jemi gati, nuk tregojnë se sa gjatë do të na duhet të presim, dhe gjithashtu këto tekste nuk thonë se Jezusi po vjen në një kohë që ne nuk e presim. Sa për tekstet të cilat thonë që Jezusi po vjen “shpejt,” ne duhet ta kuptojmë se profetët biblikë shpesh flasin në lidhje me “shikimin e ngjarjeve të profetizuara si më të afërta,” që i shikon eventet e ardhshme por nuk shikon kohën e ndërmjetme përpara se të ndodhin këto ngjarje.
George Ladd thotë:
Profetët ishin shumë pak të interesuar në kronologji, dhe e ardhmja shikohej gjithnjë si e afërt... profetët e Besëlidhjes së Vjetër i përzien perspektivat e afërta dhe të larta në mënyrë që të formonin një kanavacë të vetme. Profecia biblike nuk është kryesisht tre por dy dimensionale; ajo ka lartësi dhe gjerësi po nuk preokupohet shumë për thellësinë, d.m.th. kronologjinë e ngjarjeve të ardhme ... e largëta shikohet përmes tejdukshmërisë së asaj që është pranë. Është e vërtetë që kisha e hershme jetoi me pritshmëri të kthimit të Zotit, dhe është natyra e profecisë biblike që e bëri të mundshme që çdo brez të jetojë me pritshmërinë e ardhjes së fundit.[8]8
Edhe Pjetri na kujton që Zoti ka një pikëpamje të ndryshme për kohën nga ajo e jona, kështu që “shpejt” për Të mund të mos jetë ajo që presim ne: “Por një gjë të mos harroni, të dashur: se pranë Zotit një ditë është si një mijë vjet, dhe një mijë vjet si një ditë. Zoti nuk vonon plotësimin e premtimit të tij, siç mendojnë disa se të ishte vonesë” (2 Pjetrit 3:8–9).
2. Shenja të cilat i paraprijnë kthimit të Krishtit. Grupi tjetër i teksteve që duhet marrë në konsideratë, tregon për një sërë shenjash të cilat Shkrimi thotë se do t’i paraprijnë kohës së kthimit të Krishtit. Në fakt, Berkhof-i thotë: “Sipas Shkrimit, një sërë ngjarjesh të rëndësishme duhet të ndodhin përpara kthimit të Zotit, dhe për rrjedhojë, kthimi i Tij nuk mund të quhet i afërt.”[9]9
Këtu, do të ishte e ndihmueshme po t’i renditnim këto pasazhe të cilat në mënyrën më të drejtpërdrejtë i referohen shenjave të cilat duhet të ndodhin përpara kthimit të Krishtit.
a. Predikimi i Ungjillit ndaj të tëra kombeve:
Më parë duhet që të përhapet ungjilli ndër gjithë kombet. (Mark 13:10; kr. Mat. 24:14)
b. Mundimi i madh:
Por, kur të dëgjoni për luftëra dhe për ushtima luftërash, mos u shqetësoni; sepse këto gjëra duhet të ndodhin; por nuk do të jetë ende mbarimi. Në fakt do të ngrihet komb kundër kombi dhe mbretëri kundër mbretërie; do të ketë tërmete në vende të ndryshme, do të ketë zi buke dhe turbullira. Këto janë fillimi i dhembjeve të lindjes. (Marku 13:7–8; kr. Mat. 24:15–22; Luka 21:20–24)
Sepse në ato ditë do të jetë një mundim i madh, më i madhi që ka ndodhur që nga zanafilla e krijimit që kreu Perëndia deri më sot, dhe të tillë nuk do të ketë më kurrë. Dhe, nëse Zoti nuk do t'i kishte shkurtuar ato ditë, asnjë mish nuk do të shpëtonte; por Zoti i shkurtoi ato ditë për shkak të të zgjedhurve, që ai i zgjodhi. (Marku 13:19–20)
c. Profetët e rremë që kryejnë shenja dhe mrekulli:
Sepse do të ngrihen krishtër të rremë dhe profetë të rremë dhe do të bëjnë shenja e mrekulli për të gënjyer, po të jetë e mundur, edhe të zgjedhurit. (Marku 13:22; kr. Mat. 24:23–24)
d. Shenja në qiell:
Por në ato ditë, pas atij mundimi, dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë ndriçimin e vet; yjet e qiellit do të bien dhe fuqitë që janë në qiej do të lëkunden. Atëherë do ta shohin Birin e njeriut duke ardhur në re, me pushtet të madh e me lavdi. (Marku 13:24–26; kr. Mat. 24:29–30; Luka 21:25–27)
e. Ardhja e Njeriut të Mëkatit dhe rebelimi: Pali u shkruan thesalonikasve që Krishti nuk do të vijë pa u zbuluar fillimisht njeriu i mëkatit, dhe pastaj Zoti Jezus do ta shkatërrojë me ardhjen e Tij. Ky “njeri i mëkatit” nganjëherë identifikohet me bishën tek “Zbulesa” 13, dhe nganjëherë quhet antikrisht, i fundit dhe më i ligu i serisë së “antikrishtëve” të përmendur tek “1 Gjonit” 2:18. Pali shkruan:
Lidhur me ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht ... ajo ditë nuk do të vijë, pa ardhur më parë rënia dhe pa u zbuluar njeriu i mëkatit, biri i humbjes, kundërshtari, ai që ngre veten lart mbi gjithçka që quhet Perëndi ose objekt adhurimi, aq sa të ulet në tempullin e Perëndisë si perëndi, duke e paraqitur veten se është perëndi ... Dhe tani e dini atë që e ndalon të zbulohet në kohën e vet. Sepse misteri i paudhësisë është tashmë në veprim, duke pritur vetëm derisa të hiqet nga mesi ai që e ndalon tashti. Dhe atëherë do të zbulohet ky i paudhë, të cilin Zoti do ta zhdukë me hukatjen e gojës së tij dhe do ta asgjësojë me të dukurit e ardhjes së tij. Ardhja e atij të paudhi do të bëhet sipas veprueshmërisë së Satanit, me çdo vepër të fuqishme, shenja dhe mrekulli të rreme, dhe me çdo mashtrim padrejtësie për ata që humbin, sepse nuk pranuan dashurinë për të vërtetën që të shpëtoheshin. (2 Thes. 2:1–10)
f. Shpëtimi i Izraelit: Pali flet për faktin që shumë judenj nuk i kanë besuar Krishtit, por ai thotë se dikur në të ardhmen, një numër i madh i tyre do të shpëtohet:
Edhe nëse rrëzimi i tyre është pasuri për botën dhe humbja e tyre është pasuri për kombet, sa më tepër do të jetë plotësia e tyre! (Rom. 11:12)[10]10
Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të mos e dini këtë mister që të mos mbaheni për të mençur se i ndodhi një ngurtësim i pjesshëm Izraelit derisa të ketë hyrë tërësia e johebrenjve, dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet. (Rom. 11:25–26)
g. Përfundime nga këto shenja të cilat i paraprijnë kthimit të Krishtit: Ndikimi i këtyre pasazheve duket se është e qartë se siç u përmend më lart, shumë të krishterë e kanë ndjerë që Krishti thjesht nuk mund të kthehet nga çasti në çast.[11]11 Ndërkohë që shikojmë listën e shenjave të dhëna më lart, duket se nuk do të nevojiteshin shumë argumente për të demonstruar se pjesa më e madhe e këtyre eventeve ose ndoshta të tëra ato, nuk kanë ndodhur ende. Ose, të paktën kjo është ajo që duket se kështu është bazuar në leximin e parë të këtyre paragrafëve.[12]12
3. Zgjidhje të mundshme. Si mund të pajtojmë pasazhet të cilat duket se na paralajmërojmë për të qenë gati për shkak se Krishti mund të kthehet në mënyrë të papritur, me pasazhet të cilat nënkuptojnë se ka një sërë eventesh të rëndësishme dhe të dukshme të cilat duhet të ndodhin përpara se Krishti të mund të kthehet? Janë propozuar një sërë zgjidhjesh.
Njëra zgjidhje është që të themi se Krishti nuk mund të vijë nga çasti në çast. Kjo është pozita që merr Luis Berkhofi (Louis Berkhof) me fjalinë e cituar më lart. Se sa kohë do të kalojë përpara se Krishti të kthehet, varet nga vlerësimi yt për se sa kohë do të duhet që disa prej shenjave të përmbushen, si për shembull predikimi i ungjillit ndaj tërë kombeve, ardhja e mundimit të madh, dhe mbledhja e numrit të plotë të judenjve të cilët do të shpëtohen.
Vështirësia me të cilën hasemi në këtë këndvështrim, është e dyfishtë. Së pari, kjo në fakt duket se e shfuqizoi forcën e paralajmërimeve të Jezusit të cilat na thonë se duhet të rrimë zgjuar, të jemi të gatshëm dhe që Ai po kthehet në një orë në të cilën ne nuk e presim. Çfarë force ekziston në një paralajmërim për të qenë gati për ardhjen e Krishtit në një kohë të papritur kur ne e dimë se kjo ardhje nuk mund të ndodhë edhe për shumë vjet? Ndjenja e pritshmërisë urgjente të kthimit të Krishtit, zbehet ndjeshëm ose mohohet kryekëput në këtë pozitë, dhe ky rezultat duket mjaft i kundërt me qëllimin e Jezusit në dhënien e këtyre paralajmërimeve.
Së dyti, kjo pozitë duket se i përdor këto shenja në një mënyrë pothuajse të kundërt nga mënyra se si Jezusi synonte që ato të përdoreshin. Shenjat janë dhënë në mënyrë që kur t’i shikojmë, ato të intensifikojnë pritshmërinë tonë për kthimin e Krishtit. Jezusi tha: “Dhe, kur të fillojnë të ndodhin këto, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse shpengimi juaj po afrohet” (Luka 21:28). Gjithashtu, paralajmërimet janë dhënë për të shmangur mundësinë që besimtarët të shkojnë në drejtim të gabuar e të ndjekin mesi të rremë: “Kini kujdes që të mos ju mashtrojë njeri. Sepse do të vijnë shumë në emrin tim duke thënë: ``Unë jam!''; dhe do të mashtrojnë shumë veta ... Atëherë, nëse dikush do t'ju thotë: ``Ja, Krishti është këtu!''; ose ``Është atje'', mos e besoni” (Mark 13:5–6, 21). Kështu, shenjat jepen për të mos lejuar mundësinë që të krishterët të habiten prej këtyre ngjarjeve mbresëlënëse, për t’i siguruar ata që Perëndia i di ato të gjitha paraprakisht, dhe për t’i ruajtur ata nga të ndjekurit e mesive të rremë të cilët nuk vijnë në një mënyrë dramatike, të dukshme dhe pushtuese të botës siç do të vijë Jezusi Vetë. Por shenjat nuk na jepen për të na bërë të mendojmë se: Jezusi nuk mundet të vijë edhe për disa vjet. Nuk ka tregues që Jezusi i dha këto shenja me qëllim për t’u siguruar të krishterëve një arsye për të mos qenë të gatshëm për kthimin e Tij me qëllim për t’i inkurajuar ata që të mos presin që Ai mund të vijë në çfarëdo kohe! Po të përdorim shenjat të cilat do t’i paraprijnë kthimit të Krishtit në këtë mënyrë (siç bën Berkhof-i për shembull), kjo do të thotë t’i përdorim ato në një mënyrë që Jezusi nuk synonte kurrë të përdoreshin. Për rrjedhojë nuk duket bindëse të themi që Krishti nuk mund të vijë në çfarëdo kohe.
Zgjidhja tjetër kryesore ndaj këtij problemi është të themi se Krishti me të vërtetë mund të vijë në çfarëdo kohe dhe t’i pajtojë të dyja këto grupe pasazhesh nga drejtime të ndryshme. (1) Njëra mënyrë se si t’i pajtojmë ato, është të themi se Besëlidhja e re flet për dy kthime të ndryshme të Krishtit ose për dy ardhje të dyta të Krishtit,[13]13 d.m.th. një ardhje e fshehtë në të cilin Krishti i nxjerr të krishterët nga bota (një ardhje “për shenjtorët e Tij”), dhe pastaj, pasi shtatë vitet e mundimeve të kenë ndodhur në botë, është një ardhje e dukshme, publike triumfatore (një ardhje “bashkë me gjithë shenjtorët e tij”) në të cilën Krishti vjen për të mbretëruar në botë. Gjatë intervalit shtatë-vjeçar, të tërë shenjat të cilat nuk janë përmbushur ende (mundimi i madh, profetët e rremë me shenja dhe mrekulli, antikrishti, shpëtimi i Izraelit dhe shenjat në qiej) do të përmbushen, në mënyrë që të mos ketë aspak tension mes pritjes për ardhjen e cila mund të ndodhë “nga çasti në çast” dhe kuptimit që një ardhje e mëvonshme do të paraprihet nga shumë shenja.[14]14
Problemi me këtë zgjidhje është se është e vështirë të dallojmë dy ardhje të veçanta të Krishtit nga pasazhet të cilat parashikojnë kthimin e Tij. Megjithatë, ne nuk do ta diskutojmë këtë çështje këtu, por do ta trajtojmë në kapitullin tjetër, kur marrim parasysh pikëpamjen para-mundimore para-mijëvjeçare të kthimit të Krishtit.[15]15 Duhet vënë re gjithashtu se kjo zgjedhje është nga ana historike e kohëve të fundit, sepse ishte e panjohur në historinë e kishës përpara se të propozohej në shekullin e kaluar nga John Nelson Darby (1800–1882). Kjo duhet të na bëjë të vetëdijshëm për faktin se kjo zgjidhje nuk është e vetmja e mundshme për sa i takon tensionit të paraqitur nga pasazhet e cituara më lart.
(2) Një zgjidhje tjetër është të themi se të tëra shenjat janë përmbushur dhe për rrjedhojë, Krishti në fakt mund të kthehet në çfarëdo momenti. Sipas kësaj pikëpamjeje, mund të kërkohet për plotësime të mundshme të këtyre shenjave në ngjarjet e kishës së hershme, edhe në shekullin e parë. Në një farë mënyre, mund të thuhet se ungjilli me të vërtetë që iu predikua të tëra kombeve, profetë të rremë dolën dhe kundërshtuan ungjillin, pati mundim të madh në përndjekjen e kishës e cila vuajti nën duart e disa prej perandorëve romake, njeriu i mëkatit ishte faktikisht perandori Nero, dhe numri i plotë i judenjve të cilët do të shpëtohen, është plotësuar gradualisht përgjatë historisë së kishës, përderisa Pali madje e paraqet veten si një shembull të fillimit të kësaj mbledhjeje të popullit jude (Rom. 11:1). Ne do të diskutojmë në më shumë hollësi në seksionin e mëposhtëm pikëpamjen që shenjat të cilat i paraprijnë kthimit të Krishtit mund të jenë përmbushur tashmë,[16]16 por këtu ne mundet që thjeshtë të vërejmë se shumë njerëz nuk e kanë parë bindëse asnjë pikëpamje që thotë se ato kanë ndodhur, për shkak se këto shenja atyre u duken se tregojnë për evente shumë më të mëdha sesa ato që kanë ndodhur në shekullin e parë.
(3) Ka një tjetër mënyrë të mundshme të pajtimit të këtyre dy grupeve të pasazheve. Kjo do të ishte të thonim se nuk ka gjasa por është e mundshme që këto shenja të jenë përmbushur tashmë dhe për rrjedhojë ne thjesht nuk mund ta dimë me siguri në çfarëdo pike qoftë në histori nëse të tëra shenjat janë përmbushur ose jo. Kjo pozitë është tërheqëse sepse merr seriozisht qëllimin primar për shenjat, qëllimin primar për paralajmërimet, si dhe faktin që ne nuk duhet ta dimë kur Krishti do të kthehet. Në lidhje me shenjat, qëllimi i tyre kryesor është të intensifikojë pritshmërinë tonë për kthimin e Krishtit. Për rrjedhojë, kurdoherë që ne shikojmë tregues të gjërave që u përngjajnë këtyre shenjave, pritshmëria jonë për kthimin e Krishtit, do të ngrihet dhe intensifikohet. Në lidhje me paralajmërimet për të qenë gati, mbrojtësit e kësaj pozite do të thonin se Krishti do mund të kthehej në çfarëdo kohe (përderisa ne nuk mund të jemi të sigurt se shenjat nuk janë përmbushur), dhe kështu ne duhet të jemi gati, paçka se nuk ka të ngjarë që Krishti të kthehet menjëherë tani (për shkak se duket se ka një sërë shenjash të pa përmbushura ende). Si përfundim. Kjo pozitë është e qëndrimit që ne nuk mund ta dimë se kur do të kthehet Krishti, dhe që Ai po vjen në atë orë kur ju nuk mendoni.
Por a është e mundshme që këto shenja të jenë përmbushura tashmë? Ne mund t’i shqyrtojmë ato njëra pas tjetrës. Në secilin rast, përfundimi ynë do të jetë se është pa gjasa, por e mundshme që shenja në fjalë të jetë përmbushur tashmë.
a. Predikimi i ungjillit ndaj të tëra kombeve: A i është predikuar ungjilli të tëra kombeve? Me shumë mundësi jo, përderisa ka shumë grupe gjuhësore dhe fise të cilat nuk e kanë dëgjuar ndonjëherë ungjillin. Për rrjedhojë, nuk ka të ngjarë që kjo shenjë të jetë përmbushur. Sidoqoftë, Pali flet tek “Kolosianëve” për përhapjen në mbarë botën të ungjillit. Ai flet për “ungjillit që erdhi te ju, si edhe në gjithë botën, dhe po jep fryt” (Kol. 1:5–6). Ai gjithashtu flet për “ungjillin, që ju keni dëgjuar dhe që i është predikuar çdo krijese nën qiell; të cilit unë, Pali, iu bëra shërbenjës” (Kol. 1:23). Në këto vargje, ai padyshim që nuk nënkupton se çdo krijesë e gjallë ka dëgjuar shpalljen e ungjillit, por shpallja ka dalë në mbarë botën dhe se në një kuptim simbolik në fund, ungjilli është predikuar në mbarë botën ose ndaj të gjitha kombeve.[17]17 Për rrjedhojë, paçka se nuk ka gjasa por është e mundur, kjo shenjë u përmbush fillimisht në shekullin e parë dhe është përmbushur në një kuptim më të gjerë shumë herë që prej asaj kohe.
b. Mundimi i madh: Edhe një herë, duket se ka gjasa që gjuha e Shkrimit tregon për një periudhë vuajtjesh që do të vijnë në tokë, e cila është shumë më e madhe se çfarëdo gjëje tjetër që është përjetuar tashmë. Por duhet pranuar që shumë njerëz e kanë kuptuar paralajmërimin e Jezusit për mundimin e madh, si referencë ndaj rrethimit prej romakëve të Jerusalemit gjatë Luftërave të judenjve në vitet 66–70 mbas K.[18]18 Vuajtjet gjatë luftës ishin me të vërtetë të tmerrshme dhe mund të jenë ajo që u përshkrua nga Jezusi në parashikimin e këtij mundimi. Në fakt, që prej shekullit të parë, ka patur shumë periudha përndjekjeje të dhunshme dhe intensive ndaj të krishterëve, dhe madje edhe në shekullin tonë, një pjesë e mirë e tij ka ndodhur nëpër pjesë të mëdha të globit, ku të krishterët janë përndjekur në mënyrë të tmerrshme në ish Bashkimin Sovjetik, në Kinën komuniste dhe në vendet myslimane. Do të ishte e vështirë t’i bindje disa të krishterë në këtë shekull të cilët kanë përjetuar dekada të tëra përndjekjeje për besimin e tyre, dhe që e dinë që përndjekja ka prekur mijëra të krishterë të tjerë nëpër segmente të mëdha të botës, që një mundim i madh i tillë nuk ka ndodhur ende. Ata kanë qenë të dëshiruar e janë lutur për vite me radhë që Krishti të vijë e t’i çlirojë ata nga mundimi që ata janë duke hequr.
Edhe një herë e them, paçka se ne mund të mendojmë se fjalët e Jezusit nënkuptojnë gjasat e një përndjekjeje edhe më të madhe që po vjen në të ardhmen, është e vështirë të jemi të sigurt për këtë. Duket me vend që të dalim në përfundimin se nuk ka gjasa por është e mundur që parashikimi për një mundim të madh të ketë qenë përmbushur tashmë.
c. Krishtër të rremë dhe profetë të rremë: Në lidhje me krishtërit e rremë si dhe profetët e rremë të cilët do të kryejnë shenja dhe mrekulli, cilido misionar që ka punuar ndër popuj ku magjia dhe veprimtaria demonike janë të shfrenuara, do të dëshmojë aty për aty që “shenjat dhe mrekullitë” në dukje, janë kryer shpesh herë nga fuqitë demonike të cilat kundërshtojnë përhapjen e ungjillit. Pa dyshim që mrekulli demonike si dhe shenja të rreme janë kryer prej shekujsh të paktën që prej kohës që magjistarët në oborrin mbretëror të faraonit bënë shenja të rreme si karshillëk ndaj veprave të fuqishme të Moisiut (Eks. 7:11; 8:7; kr. veprimtarinë e Simon magjistarit tek “Veprat” 8:9–11). Pavarësisht formës specifike që marrin, të tilla vepra të fuqishme mashtruese, shoqërohen pothuajse gjithnjë nga fe të rreme të cilat i çojnë shumë vetë në rrugë të gabuar (drejtuesit e grupeve të tilla, mund të quhen mesi të rremë si dhe profetë të rremë). Ka të ngjarë që fjalët e Jezusit parashikojnë një manifestim më të madh të këtij lloji aktiviteti në kohën m’u përpara kthimit të Tij, por përsëri, është e vështirë të jesh i sigurt se kështu do të jetë. Gjëja më e mirë është të dalim në përfundimin që nuk ka gjasa por është ende e mundshme që kjo shenjë të jetë përmbushur tashmë.
d. Shenja të fuqishme në qiell: Ndodhja e shenjave të fuqishme në qiej është një shenjë e cila pothuajse padyshim nuk ka ndodhur ende. Sigurisht, ka patur eklipse të diellit dhe të hënës dhe kometa janë shfaqur qëkurse toka u krijua, por Jezusi flet për diçka shumë më të madhe: “Dielli do të erret dhe hëna nuk do të japë dritën e vet, dhe yjet do të bien nga qielli dhe fuqitë e qiejve do të tronditen” (Mat. 24:29). Paçka se R.T. France synon që ta shpjegojë këtë si një gjuhë simbolike e cila i referohet shkatërrimit të Jerusalemit dhe gjykimit të Perëndisë ndaj tij,[19]19 këtë pretendim ai duhet ta bazojë tek deklarata që “Isaia” 13:10 (nga e cila duket se janë nxjerrë fjalët e Jezusit tek “Mat.” 24:29) është gjithashtu thjesht një gjuhë simbolike e cila shërben për t’iu referuar rënies së Babilonisë, ndërkohë që ka më shumë të ngjarë që si “Isaia” 13:10 ashtu edhe “Mateu” 24:29 të flasin për një rënie me plot kuptimin e fjalës në të ardhmen të yjeve dhe për errësimin e dellit dhe të hënës, diçka kjo e cila do të ishte një prelud i përshtatshëm me tronditjen e tokës dhe të qiellit si dhe shkatërrimin kozmik që do të vijë pas kthimit të Krishtit (shiko Heb. 1:10–12; 12:27; 2 Pjetrit 3:10–11). Për më tepër, është e rëndësishme që ky përshkrim i ngjarjeve kozmike tek “Mateu” 24:29 pasohet në pjesën tjetër të fjalisë nga përshkrimi i “Birin e njeriut duke ardhur mbi retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe” (v. 30).[20]20 Duke patur parasysh këto fakte, duket pa gjasa që përshkrimet e rënies së yjeve nga qiellit dhe errësimi i diellit dhe i hënës të jenë thjesht një gjuhë simbolike. Do të ishte më mirë t’i konsideronim si shenja me kuptim të drejtpërdrejtë të cilat do të ndodhin m’u përpara kthimit të Krishtit, dhe si të tilla, ato bien në një kategori tjetër nga shenjat e tjera, përderisa duket e sigurt që ato nuk kanë ndodhur ende. Megjithatë, ato mund të ndodhin shumë shpejt, brenda disa minutave ose maksimumi një ose dy orësh, e të pasohen menjëherë nga kthimi i Krishtit. Këto shenja të caktuara nuk janë të atij tipi që do të na çonte në mohimin e faktit që Krishti do mund të kthehej në çfarëdo kohe.
e. Shfaqja e njeriut të mëkatit: Shumë përpjekje janë bërë përgjatë gjithë historisë me qëllim për të identifikuar njeriun e mëkatit (“antikrishtin”) me figura historike të cilat kishin një autoritet të madh dhe që shkaktuan kërdi dhe shkatërrim ndër popujt e botës. Perandorët e lashtë romakë Neroni dhe Domitiani, të cilët që të dy i përndoqën rëndë të krishterët, njerëzit i menduan se qenë antikrishti. (Shumë perandorë romakë, përfshi këta të dy, shpallën se ishin hyjni dhe kërkuan që të adhuroheshin.) Në periudha më të afërta historike, Adolf Hitleri u mendua gjerësisht se ishte antikrishti, e po kështu edhe Josif Stalini. Nga ana tjetër, shumë Protestantë që prej kohës së Reformimit, veçanërisht ata të cilët u përndoqën nga Kisha Katolike, kanë menduar se njëri ose tjetri papë qe antikrishti.
Por të tëra këto identifikime kanë rezultuar të pavërteta,[21]21 dhe ka të ngjarë se një “njeri i mëkatit” edhe më i keq akoma do të dalë në skenën botërore e do të shkaktojë vuajtje dhe përndjekje të pashoqe, por që do të shkatërrohet nga Jezusi kur Ai të kthehet sërish. Por e keqja e kryer nga shumë prej atyre sundimtarëve të tjerë ka qenë aq e madhe saqë të paktën, ndërkohë që ishin në pushtet, do të kishte qenë e vështirë të ishe i sigurt që “njeriu i mëkatit” i përmendur tek “2 Thesalonikasve” 2 nuk është shfaqur ende.[22]22 Edhe një herë e them, nuk ka gjasa por është e mundur që kjo shenjë të jetë përmbushur.
f. Shpëtimi i Izraelit: Në lidhje me shpëtimin e plotësisë së Izraelit, duhet thënë përsëri që “Romakëve” 9–11 duket se tregon se do të ketë gjithsesi një mbledhje masive të popullit jude ndërkohë që ata kthehen për të pranuar Jezusin si Mesinë e tyre. Por, nuk është e sigurt që “Romakëve” 9–11 parashikon këtë gjë, dhe shumë kanë thënë se nuk do të ndodhë asnjë mbledhje e mëtejshme e judenjve, përtej atë lloj që kemi parë tashmë përgjatë historisë së kishës, duke qenë se Pali e paraqet veten si shembullin të dorës së parë të kësaj mbledhjeje (Rom. 11:1–2). Edhe një herë, është pa gjasa por është e mundur që kjo shenjë të jetë përmbushur tashmë.
g. Përfundim: Me përjashtim të shenjave spektakolare në qiej, nuk ka gjasa por është e mundur që këto shenja të jenë përmbushur tashmë. Për më tepër, e vetmja shenjë e cila duket e sigurt që nuk ka ndodhur, është errësimi i diellit dhe i hënës dhe rënia e yjeve, gjëra të cilat mund të ndodhin të tëra brenda pak minutash, dhe për rrjedhojë, duket e përshtatshme të themi që Krishti mundet që tani të kthehet në çfarëdo ore të ditës ose të natës. Për rrjedhojë nuk ka gjasa por është padyshim e mundshme që Krishti të kthehet në çfarëdo kohe.
Por a është e drejtë kjo pozitë në lidhje me paralajmërimet që ne duhet të jemi gati dhe që Krishti po vjen në një kohë të cilën ne nuk e presim? A është e mundur të jesh gati për diçka të cilën ne e mendojmë si pa gjasa të ndodhë në të ardhmen e afërt? Padyshim që po. Ai që vë rripin e sigurimit kur i jep makinës, ose kur blen siguracionin e makinës, bëhet gati për një ngjarje që ai ose ajo mendon se është pa gjasa për të ndodhur.[23]23 Në një mënyrë të ngjashme, duket e mundshme që nga njëra anë të marrim seriozisht paralajmërimet që Jezusi mund të vijë atëherë kur ne nuk e presim, e megjithatë të themi se shenjat të cilat i paraprijnë ardhjes së Tij, me shumë mundësi do të ndodhin në të ardhmen.
Kjo pozitë ka dobi frymërore ndërkohë që ne kërkojmë ta jetojmë jetën e krishterë në mes një bote në ndryshim të shpejtë. Në ulje-ngritjet e historisë së botës, ne shikojmë hera-herës ngjarje të cilat mund të jenë plotësimi përfundimtar i disa prej këtyre shenjave. Ato ndodhin, dhe pastaj veniten. Gjatë ditëve më të errëta të Luftës së Dytë Botërore, dukej me shumë gjasa që Hitleri ishte antikrishti. Gjatë kohës së përndjekjes ndaj kishës, mund të duket me më tepër gjasa që të krishterët janë në mes të mundimit të madh. Kur dëgjojmë për tërmete, zi buke dhe për luftëra, kjo na bën të pyesim veten nëse ardhja e Krishtit është ose jo larg. Pastaj këto ngjarje veniten në sfond ndërkohë që drejtuesit e botës e kalojnë stafetën, dhe batica e ngjarjeve të cilat çojnë në fundin e epokës duket të ketë kaluar në zbaticë për një farë kohe. Pastaj përsëri, një valë e re ngjarjesh do të dalë në skenën botërore, dhe edhe një herë, prishtmëria jonë për kthimin e Krishtit, shtohet. Duke patur valë pas vale ngjarjesh, ne nuk e dimë se cila prej tyre do të zgjasë në kohë. Kjo është gjë e mirë sepse Perëndia nuk ka për qëllim që ne ta dimë. Ai thjesht dëshiron që ne të vazhdojmë të dëshirojmë kthimin e Krishtit dhe të presim që ai kthim mund të ndodhë në çfarëdo kohe. Nga ana frymërore, është jo e shëndetshme për ne po të themi se e dimë që këto shenja nuk kanë ndodhur, dhe nëse themi se e dimë që këto shenja kanë ndodhur, duket se kështu po i kalojmë caqet e një interpretimi të besueshëm. Por duket se po të themi se ne nuk e dimë me saktësi nëse këto ngjarje kanë ndodhur ose jo, kjo përshtatet tërësisht me qasjen e Besëlidhjes së Re për kthimin e Krishtit. Një ekzegjezë e përgjegjshme, një pritshmëri për kthimin e papritur të Krishtit, dhe një masë përulësie në arsyetimin tonë, janë që të të treja të përfshira në këtë pozitë.
Atëherë, nëse Krishti kthehet befas, ne nuk do të kemi prirjen të kundërshtojmë duke thënë se njëra ose tjetra shenjë nuk ka ndodhur ende. Ne thjesht do të jemi gati për ta mirëpritur Atë kur të ndodhë. Dhe, nëse po vjen një mundim i madh, dhe nëse ne fillojmë të shikojmë një kundërshtim intensiv të ngrihet ndaj ungjillit, një rizgjim të madh frymëror ndër judenjtë, një përparim mbresëlënës në predikimin e ungjillit nëpër botë si dhe madje shenja spektakolare në qiej, atëherë ne nuk do të kemi frikë e as do të na lëshojë zemra, sepse do të kujtojmë fjalët e Jezusit: “Dhe, kur të fillojnë të ndodhin këto, shikoni lart dhe ngrini kokat tuaja, sepse shpengimi juaj po afrohet” (Luka 21:28).
PYETJE PËR ZBATIM VETJAK
1. Përpara se të lexoje këtë kapitull, a mendoje se Krishti mund të kthehej në çfarëdo ore? Si e ka ndikuar kjo jetën tënde të krishterë? Po tani çfarë mendon? Nëse këndvështrimi yt ka ndryshuar, çfarë ndikimi mendon se kjo do të ketë në jetën tënde?
2. Përse mendon se Jezusi vendosi të largohej nga kjo botë për një farë kohe e pastaj të kthehej, e jo të qëndronte në tokë pas ringjalljes dhe të predikonte ungjillin Vetë nëpër botë?
3. A je i/e dëshiruar tani për kthimin e Krishtit? A ke patur një dëshirim edhe më të madh për këtë në të shkuarën? Nëse nuk ke një dëshirim shumë të fortë për kthimin e Krishtit, atëherë çfarë faktorësh në jetën tënde mendojnë se kontribuojnë në mungesën e atij dëshirimi?
4. A ke vendosur ndonjëherë që të mos ndërmarrësh një projekt afat-gjatë për shkak se ke menduar që kthimi i Krishtit është pranë? A ke ndonjë farë ngurrimi tani për projekte afat-gjatë për shkak të kësaj arsyeje? Nëse po, a mendon se ky ngurrim ka ndonjë pasojë negative në jetën tënde?
5. A je gati për kthimin e Krishtit sot? Po ta dije se Ai do të kthehej brenda 24 orësh, çfarë situatash apo marrëdhënieje do të doje të ndreqje përpara se ai të kthehej? A mendoni se urdhëresa për të “qenë gati” do të thotë se duhet të përpiqesh t’i ndreqësh ato gjëra tani, edhe po qe se e mendon si pa gjasa kthimin e Tij sot?
TERMA TË VEÇANTË
eskatologji
eskatologji e përgjithshme
e afërt
maran-athaa
parousia
eskatologji personale
ardhja e dytë e Krishtit
BIBLIOGRAFIA
(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)
Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore
1. Anglikane (Episkopaliane)
1882–1892 Litton, 579–581
1930 Thomas, 87–88, 525
2. Arminiane (Ueslejane ose Metodiste)
1875–1876 Pope, 3:387–401
1892–1894 Miley, 2:440–447
1940 Wiley, 3:243–281
1960 Purkiser, 537–550
1983 Carter, 2:113–116
3. Baptiste
1767 Gill, 2:230–243
1887 Boyce, 451–461
1907 Strong, 1003–1005
1917 Mullins, 462–466
1983–1985 Erickson, 1185–1194, 1203–1204
4. Dispensacionale
1947 Chafer, 4:255–263; 5:280–314
1949 Thiessen, 337–350
1986 Ryrie, 273–274, 463
5. Luteriane
1917–1924 Pieper, 3:515–534
1934 Mueller, 619–625
6. E Reformuar (ose Presbiteriane)
1871–1873 Hodge, 3:790–836
1887–1921 Warfield, SSW 1:348–364
1889 Shedd, 2b:641–646; 3:471–528
1937–1966 Murray, CW 1: 86–95; CW 2:387–410
1938 Berkhof, 695–707
1962 Buswell, 2:341–423
7. Ripërtëritja (ose karizmatike/Pentakostale)
1988–1992 Williams, 3:297–396
Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak
1. Katolike Romake: Tradicionale
1955 Ott, 485–488
2. Katolike Romake: Pas-Vatikanit II
1980 McBrien, 2:1101–1106
Vepra të Tjera
Archer, Gleason, Paul Feinberg, Douglas Moo, dhe Richard Reiter. Rrëmbimi: Para, Mes apo Pas-mundimor? (The Rapture: Pre-, Mid-, or Post-tribulational?) Grand Rapids: Zondervan, 1984.
Bauckham, Richard J. “Apokaliptik (Apocalyptic)” Tek FRT ([24]NDT) fq. 33–35.
Beechick, Allen. Rrëmbimi Para-Mundimor (The Pre-Tribulation Rapture). Denver: Accent, 1980.
Berkouwer, G.C. Kthimi i Krishtit (The Return of Christ). Përkth. nga James Van Oosterom. Red. nga Marlin J. Van Elderen. Grand Rapids: Eerdmans, 1972.
Clouse, F.G. “Rrëmbimi i Kishës (Rapture of the Church).” tek FUT ([25]EDT) fq. 908–910.
Dumbrell, William J. Kërkimi për Rregull: Eskatologjia Biblike në Fokus (The Search for Order: Biblical Eschatology in Focus). Grand Rapids: Baker, 1992.
Erickson, Millard. Opsione Bashkëkohore në Eskatologji (Contemporary Options in Eschatology). Grand Rapids: Baker, 1977.
Gundry, R.H. Kisha dhe Mundimi i Madh (The Church and the Tribulation). Grand Rapids: Zondervan, 1973.
Hoekema, Anthony A. Bibla dhe e Ardhmja (The Bible and the Future). Grand Rapids: Eerdmans, 1979, fq. 109–238.
Ladd, George Eldon. Shpresa e Bekuar (The Blessed Hope). Grand Rapids: Eerdmans, 1956.
Lightner, Robert P. Doracaku i Ditëve të Fundit: Një Udhëzues Gjithëpërfshirës për Kuptimin e Pikëpamjeve të Ndryshme mbi Profecinë. Çfarë Besohet nga Anë të Ndryshme Rreth Profecisë dhe Përse (The Last Days Handbook: A Comprehensive Guide to Understanding the Different Views of Prophecy. Who Believes What About Prophecy and Why). Nashville, Tenn.: Thomas Nelson, 1990.
Rosenthal, Marvin. Rrëmbimi Para Zemërimit i Kishës (The Pre-Wrath Rapture of the Church). Nashville, Tenn.: Thomas Nelson, 1990.
Travis, S.H. “Eskatologji (Eschatology).” Tek FRT (NDT) fq. 228–231.
Van Gemeren, Willem. Përparimi i Shpengimit (The Progress of Redemption). Grand Rapids: Zondervan, 1988.
Van Kampen, Robert. Shenja (The Sign). Wheaton, Ill.: Crossway, 1992.
Vos, Geerhardus. Eskatologjia e Palit (The Pauline Eschatology). Grand Rapids: Eerdmans, 1961.
Walvoord, John F. Shpresa e Bekuar dhe Mundimi (The Blessed Hope and the Tribulation). Grand Rapids: Zondervan, 1976.
PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH
“1 Thesalonikasve” 4:15–18: Sepse këtë po jua themi me fjalë të Zotit: ne të gjallët, që do të mbetemi deri në ardhjen e Zotit, nuk do të jemi përpara atyre që fjetën, sepse Zoti vetë, me urdhër, me zë kryeengjëlli dhe me borinë e Perëndisë, do të zbresë nga qielli dhe të vdekurit në Krishtin do të ringjallen të parët; pastaj ne të gjallët, që mbetemi, do të rrëmbehemi njëkohësisht në retë me ata, për të dalë përpara Zotit në ajër; dhe kështu do të jemi përherë bashkë me Zotin. Ngushëlloni, pra, njëri-tjetrin me këto fjalë.
HIMN
“JA! AI VJEN, ME RE DUKE ZBRITUR (LO! HE COMES, WITH CLOUDS DESCENDING)”
Kjo këngë paraqet në mënyrë shumë të gjallë eventin e kthimit të Krishtit, me miliona besimtarë që vijnë me Të dhe shumë të tjerë në botë që e mirëpresin kur vjen. “Reja” me të cilën Krishti vjen, e përmendur në rreshtin e parë të himnit, është reja e lavdisë së Perëndisë. Ky himn nuk ngurron (në v. 3) që të portretizojë në mënyrë të shkëlqyer shkundjen e qiejve dhe të tokës si dhe faktin që jobesimtarët do të thirren për të dalë para gjyqit. Himni përfundon me një strofë dramatike e cila i drejtohet Jezusit Vetë, duke i kërkuar atij që të vijë shpejt e të mbretërojë. (Përdor vijën melodike të njohur me emrin “Marinarët Sicilianë [Sicilian Mariners].”)
Ja! Ai vjen me re duke zbritur, për mëkatarët që i deshi, dikur u vra;
Mijërat shërbëtorë që e shoqërojnë, triumfin e varganit të Tij e hijeshojnë këta:
Haleluja! Haleluja! Perëndia në tokë për të mbretëruar është shfaqur.
Çdo sy tani do ta shikojë, me madhështinë e frikshme veshur;
Ata të cilët e përbuzën dhe e shitën, e tejshpuan dhe në kryq e gozhduan,
Me vaje e ngashërim, me ngashërim dhe vaje, Mesinë e vërtetë tashmë shikuan.
Çdo ishull, det dhe mal, qiell dhe tokë do të zhbëhet;
Ata që e urrejnë, të pështjelluar dëshmojnë borinë që shpall Ditën, tek dëgjohet;
Ejani para gjyqit! Ejani para gjyqit! Ejani para gjyqit, ejani!
shikoni se si me pohe solemne shfaqet tani, i pritur kaq kohë, shpengimi!
Tërë shenjtorët e Tij, ishin të refuzuar por tani në ajër Atë do ta takojnë:
Haleluja! Haleluja! Ditën e Perëndisë të shfaqet, e shikojmë!
Po, amen! I lartë në fronin Tënd të përjetshëm, le që të tërë të të admirojnë;
Shpëtimtar, merre fuqinë dhe lavdinë Tënde, merr për Vete mbretërinë:
Oh, eja shpejt; Oh eja shpejt; haleluja! Eja, Zot, eja.
Autorë: Charles Wesley, 1758 (strofat 1, 2, 5) dhe John Cennick, 1752 (strofat 3, 4)
Himn alternativ: “Gëzohuni, Tërë Ju o Besimtarë (Rejoice, All Ye Believers)”