General
Text

Kapitulli 50: Darka e Zotit

Lesson 52 Chapter 7 Module 8

Darka e Zotit

Cili është kuptimi i Darkës së Zotit? Si duhet kremtuar ajo?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Zoti Jezus institucionalizoi dy ordinanca (apo sakramente) të cilat duhet të kremtohen nga kisha. Kapitulli i mëparshëm diskutoi pagëzimin i cili është një ordinancë e cila kremtohet vetëm një herë nga çdo person, si një shenjë e fillimit prej tij apo prej saj të jetës së krishterë. Ky kapitull diskuton Darkën e Zotit, një ordinancë e cila duhet kremtuar në mënyrë të përsëritur përgjatë gjithë jetës tonë të krishterë, si një shenjë e vazhdimit në bashkësi me Krishtin.

A. Sfond i përgjithshëm në historinë e shpengimit

Jezusi institucionalizoi Darkën e Zotit në mënyrën e mëposhtme:

Dhe ndërsa ata po hanin, Jezusi mori bukën, dhe e bekoi, dhe e theu, dhe ua dha dishepujve dhe tha: «Merrni, hani; ky është trupi im». Dhe mori kupën, dhe falënderoi, dhe ua dha atyre duke thënë: «Pini prej tij të gjithë, sepse ky është gjaku im, gjaku i besëlidhjes së re, i cili është derdhur për shumë veta për faljen e mëkateve. Por unë po ju them, se që tani e tutje nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim». (Mat. 26:26–29)

Pali shton fjalitë e mëposhtme nga tradita që ai kishte marrë (1 Kor. 11:23):

Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim. (1 Kor. 11:25)

A ka një sfond të përgjithshëm kjo ceremoni në besëlidhjen e vjetër? Duket se ka, sepse edhe në besëlidhjen e vjetër kishte raste të ngrënies dhe pirjes në praninë e Perëndisë. Për shembull, kur populli i Izraelit fushoi përpara Malit Sinai, menjëherë pasi Perëndia kishte dhënë Dhjetë Urdhëresat, Perëndia i thirri drejtuesit e Izraelit në mal për t’u takuar me Të:

Pastaj Moisiu dhe Aaroni, Nadabi dhe Abihu dhe shtatëdhjetë nga pleqtë e Izraelit u ngjitën dhe panë Perëndinë e Izraelit... ata e panë Perëndinë dhe hëngrën e pinë. (Eks. 24:9–11)

Për më tepër, çdo vit, populli i Izraelit duhej që të jepte të dhjetën e tërë të lashtave të tyre. Atëherë, ligji i Moisiut specifikoi:

Do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur si vendbanim për emrin e tij, të dhjetën e grurit tënd, të mushtit tënd, të vajit tënd dhe pjelljen e parë të tufave të bagëtive të trasha dhe të imëta, në mënyrë që ti të mësosh të kesh gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia yt.... Do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të gëzohesh ti bashkë me familjen tënde. (L. i P. 14:23, 26)

Por edhe përpara kësaj, Perëndia e vuri Adamin dhe Evën në Kopshtin e Edenit dhe u kishte dhënë atyre për të ngrënë të tërë bollëkun e tij (me përjashtim të frytit të pemës së njohurisë së të mirës dhe të keqes). Përderisa në atë situatë nuk kishte mëkat, dhe përderisa Perëndia i kishte krijuar ata për bashkësi me Veten e Tij si dhe për të përlëvduar Vetveten, atëherë, çdo vakt që Adami dhe Eva hante, do të kishte qenë një vakt festiv në praninë e Zotit.

Kur kjo bashkësi në praninë e Perëndisë më vonë u thye nga mëkati, Perëndia ende lejoi disa vakte ushqimore (si për shembull e dhjeta e fryteve të përmendura më lart) që njerëzit t’i hanin në praninë e Tij. Këto vakte ushqimore, qenë një rimëkëmbje e pjesshme e përbashkësisë me Perëndinë që Adami dhe Eva gëzonte përpara Rënies, edhe pse kjo u dëmtua nga mëkati. Por përbashkësia e të ngrënit në praninë e Zotit që ne gjejmë tek Darka e Zotit, është shumë herë më e mirë. Vaktet ushqimore të flijimeve të Besëlidhjes së Vjetër, në mënyrë të pandërprerë tregonin për nga fakti që mëkatet nuk ishin shlyer ende, për shkak se flijimet në to qenë përsëritur vit pas viti, dhe për shkak se ata pritnin për Mesinë i Cili do të vinte për të larguar mëkatin (shiko Heb. 10:1–4). Sidoqoftë, Darka e Zotit, na kujton që pagesa që Jezusi bëri për mëkatet tona është kryer, kështu që ne tani hamë në praninë e Zotit me gëzim të madh.

Megjithëkëtë, edhe Darka e Zotit na kujton për një vakt ushqimor mes një bashkësie më të mrekullueshme në praninë e Perëndisë në të ardhmen, kur bashkësia që ekzistonte në Eden do të rimëkëmbet e kur do të ketë gëzim edhe më të madh, sepse ata të cilët hanë në praninë e Perëndisë do të jenë mëkatarë të falur dhe tashmë të konfirmuar në drejtësi, duke mos qenë më kurrë në gjendje që të mëkatojnë përsëri. Kjo kohë e ardhshme e një gëzimi të madh si dhe ngrënieje në praninë e Perëndisë, është ajo që është aluduar nga Jezusi kur Ai thotë: “Por unë po ju them, se që tani e tutje nuk do të pi më nga ky fryt i hardhisë, deri në atë ditë kur, bashkë me ju, do ta pi të re në mbretërinë e Atit tim” (Mat. 26:29). Më shkoqur na thuhet tek “Zbulesa” për darkën martesore të Qengjit, ku Gjoni thotë për engjëllin: Më tha: «Shkruaj: Lum ata që janë ftuar në gostinë e dasmës së Qengjit».  (Zbu. 19:9). Kjo do të jetë një kohë gëzimi të madh në praninë e Zotit, si dhe një kohë nderimi dhe droje përpara Tij.

Atëherë që nga “Zanafilla” e deri tek “Zbulesa”, qëllimi i Perëndisë ka qenë që t’i sjellë njerëzit e Tij në përbashkësi me Veten e Tij, dhe një gëzim i madh i përjetimit të asaj bashkësie është fakti që ne mund të hamë dhe të pimë në praninë e Zotit. Do të ishte diçka e shëndetshme për kishën sot po qe se do të kapte një kuptim më të gjallë të pranisë së Perëndisë në tryezën e Zotit.

B. Kuptimi i Darkës së Zotit

Kuptimi i Darkës së Zotit është i ndërlikuar, i pasur dhe i plotë. Ka një sërë gjërash të simbolizuara dhe të afirmuara në Darkën e Zotit.

1. Vdekja e Krishtit. Kur ne marrim pjesë në darkën e Zotit, ne simbolizojmë vdekjen e Krishtit për shkak se veprimet tona japin një pamje të vdekjes së Tij për ne. Kur buka thyhet, kjo simbolizon thyerjen e trupit të Krishtit, dhe kur kupa derdhet, ajo simbolizon derdhjen e gjakut të Krishtit për ne. Kjo është arsyeja përse pjesëmarrja në Darkën e Zotit është gjithashtu një lloj shpalljeje: “Sepse sa herë të hani nga kjo bukë dhe të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë” (1 Kor. 11:26).

2. Përfitimi ynë nga dobitë e vdekjes së Krishtit. Jezusi i urdhëroi dishepujt e Tij: “Merrni, hani; ky është trupi im” (Mat. 26:26). Ndërkohë që ne si individë zgjatemi dhe marrim kupën për vete, secili prej nesh, përmes atij veprimi, është duke shpallur: “Unë jam duke marrë për vete dobitë e vdekjes së Krishtit.” Kur ne e bëjmë këtë gjë, simbolizojmë faktin që ne marrim pjesë apo përfitojmë në dobitë e fituara për ne në sajë të vdekjes së Jezusit.

3. Ushqim frymëror. Ashtu sikurse ushqimi i zakonshëm ushqen trupat tanë fizikë, po kështu edhe buka dhe vera e Darkës së Zotit na ushqen neve. Por, ato gjithashtu simbolizojnë faktin që Krishti po i jep shpirtit tonë ushqim dhe rifreskim frymëror. Me të vërtetë që ceremonia që Jezusi themeloi, në vetë natyrën e saj ka për qëllim që të na e mësojë këtë gjë. Jezusi tha:

Atëherë Jezusi u tha atyre: «Në të vërtetë, në të vërtetë, ju them se, po të mos hani mishin e Birit të njeriut dhe të pini gjakun e tij, nuk keni jetë në veten tuaj. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, ka jetë të përjetshme, dhe unë do ta ringjall atë në ditën e fundit. Sepse mishi im është me të vërtetë ushqim dhe gjaku im është me të vërtetë pije. Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të. Ashtu si Ati i gjallë më dërgoi dhe unë jetoj për shkak të Atit, ashtu edhe ai që më ha mua do të jetojë edhe ai për shkakun tim. (Gjoni 6:53–57)

Pa dyshim që Jezusi nuk është duke folur për një ngrënie të trupit dhe të gjakut të Tij në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës. Por nëse Ai nuk është duke folur për një ngrënie dhe pirje në kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, atëherë Ai duhet të ketë në mendje një pjesëmarrje frymërore në dobitë e shpengimit që Ai fitoi. Ky ushqim frymëror, kaq i domosdoshëm për frymën tonë, edhe simbolizohet edhe përjetohet në pjesëmarrjen tonë në Darkën e Zotit.

4. Uniteti i besimtarëve. Kur të krishterët marrin pjesë së bashku në Darkën e Zotit, ata japin gjithashtu një shenjë të qartë të unitetit të tyre me njëri tjetrin. Në fakt, Pali thotë: “Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë” (1 Kor. 10:17).

Kur i bashkojmë të katra këto gjëra, fillojmë të kuptojmë një pjesë të domethënies së larmishme të Darkës së Zotit: kur unë marr pjesë në të, unë hyj në praninë e Krishtit; kujtoj që Ai vdiq për mua; marr pjesë në dobitë e vdekjes së Tij; marr ushqim frymëror; dhe jam i bashkuar me të tërë besimtarët e tjerë të cilët marrin pjesë në këtë Darkë. Çfarë arsyeje e mrekullueshme që kjo është për të qenë mirënjohës e për t’u gëzuar që je në Darkën e Zotit!

Por, përveç këtyre të vërtetave të portretizuara në mënyrë të dukshme nga Darka e Zotit, fakti që është Krishti Ai që e ka themeluar këtë ceremoni për ne, do të thotë se përmes saj Ai gjithashtu është duke premtuar apo afirmuar disa gjëra të caktuara ndaj nesh. Kur ne marrim pjesë në Darkën e Zotit, ne duhet të kujtohemi vazhdimisht për pohimet e mëposhtme që Krishti është duke na bërë:

5. Krishti e pohon dashurinë e Tij për mua. Fakti që jam duke marrë pjesë në Darkën e Zotit (me të vërtetë që Jezusi më fton që të vij), është një kujtesë e gjallë si dhe siguri e dukshme që Jezus Krishti më do individualisht si dhe personalisht. Kur unë vij që të marr Darkën e Zotit, në këtë mënyrë unë gjej vërtetim të vazhdueshëm për dashurinë personale që Krishti ka për mua.

6. Krishti pohon se të tëra bekimet e shpëtimit janë të rezervuara për mua. Kur unë vij me ftesë nga Krishtit për në Darkën e Zotit, fakti që Ai më ka ftuar në praninë e Tij, më siguron që Ai ka bekime të bollëkshme për mua. Në këtë Darkë, unë jam faktikisht duke ngrënë e duke pirë si një parashijim i atij banketi të madh në tryezën e Mbretit. Unë vij në tryezën e Tij si një pjesëtar i familjes së Tij të përjetshme. Kur Zoti më mirëpret në këtë tryezë, Ai më siguron se do të më mirëpresë tek të tëra bekimet e tjera të tokës dhe të qiellit gjithashtu, dhe veçanërisht në darkën e madhe martesore të Qengjit, në të cilën për mua është rezervuar një vend.

7. Unë pohoj besimin tim tek Krishti. Së fundi, ndërkohë që unë marr bukën dhe kupën për veten time, përmes veprimeve të mia unë jam duke shpallur se: “Unë kam nevojë për Ty dhe të besoj Ty, Zot Jezus, për të falur mëkatet e mia e për të më dhënë jetë dhe shëndet në shpirtin tim, sepse unë mund të shpëtohem vetëm përmes trupit Tënd të thyer dhe gjakut Tënd të derdhur.” Në fakt, ndërkohë që unë marr pjesë në thyerjen e bukës kur e ha si dhe në derdhjen e kupës kur e pi, unë shpall vazhdimisht që mëkatet e mia ishin pjesë e shkakut të vuajtjes dhe vdekjes së Jezusit. Në këtë mënyrë, pikëllimi, gëzimi, mirënjohja dhe dashuria e thellë për Krishtin, përzihen thellësisht me bukurinë e Darkës së Zotit.

C. Si është Krishti i pranishëm në Darkën e Zotit?

1. Pikëpamja Katolike Romake: Tejmishërimi. Sipas mësimit të Kishës Katolike Romake, buka dhe vera aktualisht bëhen trupi dhe gjaku i Krishtit. Kjo ndodh në momentin kur prifti thotë: “Ky është trupi im” gjatë kremtimit të meshës. Në të njëjtën kohë që prifti thotë këtë gjë, buka ngrihet (lart) dhe adhurohet. Ky veprimi i ngritjes së bukës dhe shpalljes së saj si trupi i Krishtit, lejohet të kryhet vetëm nga një prift.

Kur kjo ndodh, sipas mësimit të Katolicizmit Romak, hiri tejçohet tek ata që janë të pranishëm ex opere operato që do të thotë: “nga vepra e kryer,”[51]1 por masa e hirit të dhënë është në proporcion me dispozitën subjektive të marrësit të hirit.[52]2 Për më tepër, çdo herë që kremtohet mesha, flijimi i Krishtit përsëritet (në një farë mënyre), dhe kisha Katolike bën kujdes që të pohojë se ky është një flijim i vërtetë, paçka se nuk është e njëjta gjë si flijimi që Krishti pagoi në kryq.

Kështu, Ludvig Oti (Ludwig Ott) tek Aspektet Themelore të Dogmës Katolike (Fundamentals of Catholic Dogma) jep mësimin e mëposhtëm:

Krishti bëhet i pranishëm në Sakramentin e Altarit përmes transformimit të të tërë substancës së bukës në Trupin e Tij si dhe të tërë substancës së verës në Gjakun e Tij ... Ky transformim është quajtur Tejmishërim. (f. 379)

Fuqia e të qenurit e shenjtërimit, gjendet vetëm tek një prift i kushtuar Perëndisë në mënyrë të vlefshme. (f. 397)

Adhurimi plot admirim (Latria) duhet t’i jepet Krishtit të pranishëm në Eukarist ... Kjo rrjedh nga tërësia dhe qëndrueshmëria e Pranisë Reale që adhurimi absolut me admirim (Cultus Latriae) i takon Krishtit të pranishëm në Eukarist. (f. 387)[53]3

Sipas mësimit Katolik, për shkak se elementët e bukës dhe të vërës, me plot kuptimin e fjalës kthehen në trupin dhe në gjakun e Krishtit, kisha, për shumë shekuj me radhë nuk i lejoi joklerikët që të pinin nga kupa e Darkës së Zotit (nga frika se mos gjaku i Krishtit do të derdhej) por vetëm që të hanin bukën.[54]4 Teksti shkollor i Ott-it na thotë:

Darka e Zotit nën dy format në fjalë, nuk është e domosdoshme për këdo pjesëtar individual të Besnikëve, qoftë nga arsyeja e parimit Hyjnor apo si një mjet hiri ... Arsyeja është se Krishti është i tëri dhe i bëri nën secilën syresh ... Ndalimi i marrjes nga kupa në Mesjetë (shekujt e 12të dhe të 13të) u bë për arsye praktike, veçanërisht rreziqet e bërjes profane të Sakramentit. (f. 397)

Në lidhje me flijimin aktual të Krishtit në meshë, teksti shkollor i Ott-it thotë:

Mesha e Shenjtë është Flijimi i vërtetë dhe i duhur. (f. 402)

Në Flijimin e Meshës si dhe në Flijimin e Kryqit, Dhurata Flijuese dhe Prifti Kryesor Flijues, janë identikë; vetëm natyra dhe mënyra e ofertës ndryshojnë....Dhurata Flijuese është Trupi dhe Gjaku i Krishtit....Prifti Kryesor Flijues është Jezus Krishti i Cili përdor priftin njerëzor si shërbëtorin dhe përfaqësuesin e Tij dhe përmbush kushtimin ndaj Perëndisë përmes Tij. Sipas pikëpamjes Tomistike, në çdo Meshë, Krishti kryen gjithashtu një veprimtari aktuale të menjëhershme e cila, sidoqoftë nuk duhet të mendohet si shumatorja e shumë veprimeve të njëpasnjëshme por si një akt i vetëm e i pandërprerë i Krishtit të Shndërruar.

Qëllimi i Flijimit është i njëjti në Flijimin e Meshës si tek Flijimi në Kryq; në radhë të parë përlëvdimi i Perëndisë, së dyti, shlesa, falënderimi dhe kërkesa. (f. 408)

Si një flijim pajtues ... Flijimi i Meshës ndikon tek falja e mëkateve dhe ndëshkimi ndaj mëkatit; si një flijim kërkesash ... ai shkakton tejçimin e dhuratave të mbinatyrshme dhe natyrore. Flijimi Eukaristik i pajtimit mundet (siç deklarohet shprehimisht nga Këshilli i Trentit), të ofrohet jo thjesht për të gjallët, por gjithashtu për frymët e ngrata në Purgator. (fq. 412–413)

Në përgjigje ndaj mësimit të Katolicizmit Romak mbi Darkën e Zotit, duhet thënë se fillimisht ai nuk arrin të kuptojë karakterin simbolik të deklaratave të Jezusit kur Ai deklaron: “Ky është trupi im,” ose, “Ky është gjaku im.” Jezusi foli në mënyrë simbolike shpesh herë kur foli për Veten. Për shembull, Ai tha: “Unë jam hardhia e vërtetë” (Gjoni 15:1), apo “Unë jam dera; nëse dikush hyn nëpërmjet meje, do të shpëtohet” (Gjoni 10:9), apo “Unë jam buka që zbriti prej qiellit” (Gjoni 6:41). Në një mënyrë të ngjashme, kur Jezusi thotë: “Ky është trupi im,” Ai këtë e ka në një mënyrë simbolike, jo në një mënyrë aktuale, të drejtpërdrejtë e fizike. Në fakt, ndërkohë që Ai po ulej me dishepujt e Vet me bukën në dorë, buka ishte në dorën e Tij, por ajo ishte veçantë trupit të Tij, dhe kjo padyshim që ishte, e dukshme për dishepujt. Asnjë prej dishepujve të pranishëm nuk do të kishte menduar që buka që Jezusi mbante në dorë ishte aktualisht trupi fizik i Tij, sepse ata ishin në gjendje që ta shikonin trupin e Tij përpara syve të tyre. Ata do ta kishin marrë natyrshëm deklaratën e Jezusit në një mënyrë simbolike. Po kështu, kur Jezusi tha: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që derdhet për ju” (Luka 22:20), Ai padyshim që me këtë nuk nënkuptonte se kupa ishte aktualisht besëlidhja e re, por se kupa përfaqësonte besëlidhjen e re.

Për më tepër, pikëpamja Katolike Romake nuk arrin të dallojë mësimin e qartë të Besëlidhjes së Re mbi vlerën përfundimtare dhe plotësinë e sakrificës së Krishtit një herë e përgjithmonë për mëkatet tona: libri i Hebrenjve e thekson këtë shpesh herë, si për shembull atëherë kur thotë: “edhe jo për ta ofruar si fli veten e vet shumë herë, sikurse kryeprifti që hyn vit për vit në shenjtërore me gjakun e një tjetri, sepse përndryshe ai duhet të vuante shumë herë qëkurse u krijua bota; por tani, vetëm një herë, në fund të shekujve, Krishti u shfaq për të prishur mëkatin me anë të flijimit të vetvetes. Dhe, ... Krishti, pasi u dha një herë për të marrë mbi vete mëkatet e shumëve, do të duket për së dyti pa mëkat për ata që e presin me durim për shpëtim” (Heb. 9:25–28). Të thuash se flijimi i Krishtit vazhdon apo se përsëritet në meshë, nga këndvështrimi i Protestantëve ka qenë (që prej kohës së Reformimit), një prej doktrinave më të kundërshtueshme të Katolicizmit Romak. Kur ne kuptojmë që flijimi i Krishtit për mëkatet tona është i përfunduar dhe i kryer (“U krye,” Gjoni 19:30; kr. Heb. 1:3), kjo na jep një siguri të madhe që mëkatet tona janë të shlyera të gjitha dhe se nuk mbetet asnjë flijim tjetër për t’u paguar. Por, ideja e vazhdimit të flijimit të Krishtit, e shkatërron sigurinë tonë që pagesa është bërë nëpërmjet Krishtit dhe se ajo është pranuar nga Perëndia Atë, dhe se “nuk ka asnjë dënim” (Rom. 8:1) që mbetet ende për ne.

Për Protestantët, ideja që mesha është në çfarëdo kuptimi një përsëritje e vdekjes së Krishtit, duket se shënjon një kthim tek flijimet e përsëritura të besëlidhjes së vjetër, të cilat bënin që të “përtërihet çdo vit kujtimi i mëkateve” (Heb. 10:3). Në vend të sigurisë për faljen e plotë të mëkateve nëpërmjet flijimit të kryer një herë e përgjithmonë prej Krishtit (Heb. 10:12), ideja që mesha është një flijim i përsëritur, na jep një kujtesë të pandërprerë për mëkatin dhe për fajin e mbetur i cili do shlyer javë pas jave.[55]5

Në lidhje me mësimin që vetëm priftërinjtë mundet që të kryejnë shërbesën në Darkën e Zotit, Besëlidhja e Re nuk jep aspak udhëzime të cilat do të vendosin kufizime për njerëzit të cilët mund të kryesojnë në Darkën e Zotit. Gjithashtu, përderisa Shkrimi nuk vë kufizime të tilla ndaj nesh, nuk do dukej e justifikueshme të thonim që vetëm priftërinjtë mund të shpërndajnë elementët e Darkës së Zotit. Për më tepër, përderisa Besëlidhja e Re na mëson se të tërë besimtarët janë priftërinj dhe pjesëtarë të një “priftërie mbretërore” (1 Pjetrit 2:9; kr. Heb. 4:16; 10:19–22), ne nuk duhet që të specifikojmë një klasë të caktuar njerëzish të cilët kanë të drejtat e priftërinjve si në besëlidhjen e vjetër, por duhet të theksojë se të tërë besimtarët kanë të përbashkët privilegjin e madh frymëror të afrimit me Perëndinë.

Së fundi, çfarëdo vazhdimi i kufizimit që nuk do të lejonte joklerikët të pinin prej kupës së Darkës së Zotit, do të ishte të argumentoje nga meraku dhe tradita për të justifikuar mosbindjen ndaj urdhëresave të drejtpërdrejta të Jezusit, dhe jo vetëm urdhëresës ndaj dishepujve të Tij kur Ai tha: “Pini prej tij të gjithë” (Mat. 26:27), por gjithashtu drejtimin që Pali dokumentoi, në të cilin Jezusi tha: “Bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim” (1 Kor. 11:25).

2. Pikëpamja Luteriane: Konsubstancasioni. Martin Luteri e refuzoi pikëpamjen Katolike Romake të Darkës së Zotit, e megjithëkëtë, ai këmbënguli që fraza “Ky është trupi im” njëfarësoj duhej të merrej si një deklaratë me kuptim të drejtpërdrejtë. Përfundimi i tij nuk ishte që buka faktikisht bëhet trupi fizik i Krishtit, por që trupi fizik i Krishtit është i pranishëm “në, me dhe nën” bukën e Darkës së Zotit. Ky shembull që jepet nganjëherë, ka për qëllim të thotë se trupi i Krishtit është i pranishëm tek buka, ashtu sikurse uji është i pranishëm tek një sfungjer—uji nuk është sfungjeri, por është i pranishëm “në, me, dhe nën” sfungjerin, dhe është i pranishëm kudo ku është edhe sfungjeri i pranishëm. Shembuj të tjerë që jepen, janë ato të fuqisë magentike në një magnet apo të shpirtit në trup.

Mënyra se si Luterianët e kuptojnë Darkën e Zotit, gjendet tek tekstet shkollore të Frensis Pajpër (Francis Pieper), Dogmatikat Kristiane (Christian Dogmatics). [56]6 Ai citon Katekizmin e Vogël të Luterit: “Çfarë është Sakramenti i Altarit? Është trupi dhe gjaku i vërtetë i Zotit tonë Jezus Krisht, nën bukën dhe verën, që ne të krishterët ta hamë e ta pimë, të caktuar nga Krishti Vetë.”[57]7 Po kështu, Rrëfimit i Augsburgut, Neni X, thotë: “Për Darkën e Zotit ata japin mësim që Trupi dhe Gjaku i Krishtit janë me të vërtetë të pranishëm, dhe u shpërndahen atyre që hanë në Darkën e Zotit.”[58]8

Një pasazh i cili mund të mendohet se mbështet këtë pozitë, është “1 Korintasve” 10:16, “Buka që ne thyejmë, a nuk është vallë bashkësia e trupit të Krishtit?”

Sidoqoftë, me qëllim për ta pohuar këtë doktrinë, Luterit iu desh t’i përgjigjej një pyetjeje të rëndësishme: Si do mundet trupi fizik i Krishtit, apo në mënyrë më të përgjithshme natyra njerëzore e Krishtit, të jetë e pranishme gjithkund? A nuk është e vërtetë që Jezusi në natyrën e Tij njerëzore u ngrit në qiell dhe se vazhdon të jetë atje derisa të kthehet? A nuk tha Ai se po largohej nga toka e se nuk do të ishte më në botë por se po shkonte tek Ati (Gjoni 16:28; 17:11)? Si përgjigje ndaj këtij problemi, Luteri jepte mësim gjithëpraninë e natyrës njerëzore të Krishtit pas ngritjes lart të Tij—d.m.th. se natyra njerëzore e Krishtit ishte e pranishme gjithkund (“gjithëprania”). Por teologët që prej kohës së Luterit, kanë dyshuar se mos ai jepte mësim gjithpraninë e natyrës njerëzore të Krishtit, jo për shkak se ajo gjendet gjetiu në Shkrim, por për shkak se ai e kishte të nevojshme për të shpjeguar se si pikëpamja e tij e konsubstancacionit do mund të ishte e vërtetë.

Si përgjigje ndaj pikëpamjes së Luterit, mund të thuhet se edhe ajo nuk arrin të kuptojë që Jezusi është duke folur për një realitet frymëror por duke përdorur objekte fizike për të na mësuar kur thotë: “Ky është trupi im.” Këtë ne nuk duhet ta marrim me më shumë kuptim të drejtpërdrejtë sesa marrim fjalinë korresponduese: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim, që derdhet për ju” (Luka 22:20). Në fakt, Luteri nuk është se u jep atë që meritojnë fjalëve të Jezusit në ndonjë kuptim të drejtpërdrejtë. Berkhof-i me të drejtë kundërshton duke thënë se Luteri në fakt i bën fjalët e Jezusit të marrin kuptimin: “Kjo shoqëron trupin tim.”[59]9 Në këtë çështje, do të na ndihmonte po të lexonim përsëri “Gjonin” 6:27–59 ku konteksti tregon se Jezusi është duke folur për bukën me terma të drejtpërdrejtë, fizikë, por Ai është duke e shpjeguar vazhdimisht atë në lidhje me realitetin frymëror.

3. Pjesa tjetër e Protestantizmit: Një prani simbolike dhe Frymërore e Krishtit. Në dallim nga Martin Luteri, Xhon Kalvini si dhe Reformatorë të tjerë thanë se buka dhe vera e Darkës së Zotit nuk kthehej në turpin dhe gjakun e Krishtit, e as nuk përmbante ndonjë farësoj trupin dhe gjakun e Krishtit. Përkundrazi, buka dhe vera simbolizonin trupin dhe gjakun e Krishtit, dhe ato dhanë një shenjë të dukshme të faktit që Krishti Vetë ishte vërtetë i pranishëm.[60]10 Kalvini tha:

Duke treguar simbolin, tregohet vetë gjëja e simbolizuar. Sepse në mos ndokush ka për qëllim ta quajë Perëndinë mashtrues, nuk do të guxonte kurrë të thoshte se një simbol bosh është dhënë prej Tij ... Dhe të perëndishmit duhet që në çfarëdo mënyre ta mbajnë këtë rregull: kurdoherë që ata shikojnë simbole të caktuara nga Zoti, të mendojnë e të binden se e vërteta e gjësë së simbolizuar është padyshim e pranishme këtu, sepse përse do të vinte Zoti në dorën tënde simbolin e trupit të Tij, përveçse për të të siguruar ty për një pjesëmarrje të vërtetë në të? (Parimet [Institutes] 4.17.10; f. 1371)

Megjithëkëtë, Kalvini tregoi kujdes që të bënte dallim si prej mësimit të Katolicizmit Romak (që tha se buka u bë trupi i Krishtit) ashtu edhe nga mësimi Luterian (që tha se buka përmbante trupin e Krishtit).

Por ne duhet që të tregojmë një prani të tillë të Krishtit në Darkën e Zotit aq sa as ta ngulitim Atë tek elementi i bukës, e as ta fusim Atë tek buka, e as ta kufizojmë Atë në çfarëdo mënyre (sepse është e qartë që të tëra këto gjëra e zbehin lavdinë e Tij qiellore). (Parimet [Institutes] 4.17.19; f. 1381)

Sot, pjesa më e madhe e Protestantëve, do të thoshin se përveç faktit që buka dhe vera simbolizojnë trupin dhe gjakun e Krishtit, që Krishti është gjithashtu i pranishëm nga ana frymërore në një mënyrë të veçantë ndërkohë që ne marrim prej bukës dhe verës. Me të vërtetë që Jezusi premtoi se do të ishte i pranishëm kurdoherë që besimtarët adhurojnë: “Kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre” (Mat. 18:20).[61]11 Gjithashtu, nëse Ai është veçanërisht i pranishëm kur të krishterët mblidhen për të adhuruar, atëherë ne do të pritnim që Ai të ishte i pranishëm në një mënyrë të veçantë edhe në Darkën e Zotit:[62]12 Ne e takojmë Atë në tryezën e Tij, tek e cila Ai vjen për të na e dhënë Veten. Ndërkohë që marrim elementët e bukës dhe të verës në praninë e Krishtit, po kështu ne marrim pjesë me Të dhe në të tëra dobitë e Tij. Ne “ushqehemi me të në zemrën tonë” me falënderim. Me të vërtetë që edhe një fëmi i cili e njeh Krishtin, do ta kuptojë këtë pa ia treguar njeri dhe do të presë të marrë një bekim të veçantë nga Zoti gjatë kësaj ceremonie, për shkak se kuptimi i saj është kaq i brendaqenësishëm në vetë veprimet e të ngrënit dhe të pirit. Megjithëkëtë, ne nuk duhet të themi se Krishti është i pranishëm përveçse në besimin tonë vetjak, por Ai vetëm na takon e na bekon në përputhje me besimin tonë tek Ai.

Në ç’mënyrë është i pranishëm Krishti atëherë? Padyshim që ka një prani simbolike të Krishtit, por ajo është gjithashtu një prani e mirëfilltë frymërore dhe në këtë ceremoni ka një bekim të mirëfilltë frymëror.

D. Kush duhet të marrë pjesë në Darkën e Zotit?

Pavarësisht mospërputhjeve të mendimeve mbi disa aspekte të Darkës së Zotit, pjesa më e madhe e Protestantëve do të pranonin, së pari, që vetëm ata të cilët besojnë në Krishtin duhet të marrin pjesë në të, për shkak se kjo është një shenjë e të qenurit i krishterë dhe i vazhdimit në jetën e krishterë.[63]13 Pali paralajmëron se ata të cilët hanë dhe pinë në mënyrë të padenjë, përballen me pasoja të rënda: “Sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit. Për këtë arsye ka në mes jush shumë të dobët e të sëmurë, dhe mjaft kanë vdekur” (1 Kor. 11:29–30).

Së dyti, shumë Protestantë do të argumentonin nga kuptimi i pagëzimi si dhe kuptimi i Darkës së Zotit se, zakonisht, vetëm ata të cilët janë pagëzuar duhet të marrin pjesë në Darkën e Zotit. Kjo është për shkak se pagëzimi është kaq qartë një simbol i fillimit të jetës së krishterë, ndërkohë që Darka e Zotit është qartësisht një simbol i vazhdimit të jetës së krishterë. Për rrjedhojë, nëse dikush është duke marrë Darkën e Zotit dhe në këtë mënyrë bën një shpallje publike që ai apo ajo është duke vazhduar në jetën e krishterë, atëherë, ai person duhet të pyetet: “A nuk do të ishte mirë të pagëzoheshe tani dhe kësisoj të paraqisje një simbolikë të fillimit prej teje të jetës së krishterë?”

Por, të tjerë, duke përfshirë edhe mua, do të kundërshtonin një kufizim të tillë si më poshtë: Një problem tjetër ngrihet nëse dikush i cili është besimtar i mirëfilltë, por ende i papagëzuar, nuk lejohet të marrë pjesë në Darkën e Zotit kur të krishterët mblidhen bashkë. Në këtë rast, mospjesëmarrja e personit simbolizon që ai apo ajo, nuk është pjesëtare e trupit të Krishtit i cili mblidhet për të kremtuar Darkën e Zotit në një bashkësi të unifikuar (shiko 1 Kor. 10:17: “Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë”). Për rrjedhojë, kishat mund ta mendojnë si gjënë më të mirë që të lejojnë besimtarët jo të pagëzuar që të marrin pjesë në Darkën e Zotit, por që t’i nxitin ata që të pagëzohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Sepse, nëse ata janë të gatshëm që të marrin pjesë në një simbol të jashtëm të të qenurit i krishterë, atëherë nuk duket se ka arsye përse ata të mos jenë të gatshëm të marrin pjesë edhe tek tjetra, një simbol ky i cili në mënyrë të natyrshme vjen i pari.

Sigurisht, problemet që ngrihen në të dyja situatat (kur besimtarët jo të pagëzuar marrin Darkën e Zotit dhe kur nuk e marrin) mund të shmangen të tëra nëse të krishterët e rinj pagëzohen në mënyrën e duhur, pak kohë pasi bëhen besimtarë. Kështu, pavarësisht cilësdo pozitë që një kishë merr mbi çështjen e nëse besimtarët e pa pagëzuar duhet apo jo të marrin Darkën e Zotit, në shërbesën mësimore të kishës, do të dukej e udhës të jepnim mësim që situata ideale është që besimtarët e rinj së pari të pagëzohen e pastaj të marrin pjesë në Darkën e Zotit.

Kualifikimi i tretë për pjesëmarrje, është vetë-shqyrtimi:

Prandaj ai që ha nga kjo bukë ose pi nga kjo kupë e Zotit padenjësisht, do të jetë fajtor i trupit dhe i gjakut të Zotit. Por njeriu le të shqyrtojë vetveten dhe kështu të hajë nga buka e të pijë nga kupa, sepse ai që ha dhe pi padenjësisht, ha dhe pi një dënim për veten e tij, sepse nuk e dallon trupin e Zotit. (1 Kor. 11:27–29)

Në kontekstin e “1 Korintasve” 11, Pali po i qorton korintasit për qëndrimin e tyre egoist dhe të mospërfillës kur mblidhen bashkë si kishë: “Kur mblidheni, pra, në një vend, kjo që bëni nuk është për të ngrënë Darkën e Zotit, sepse, në të ngrënët, gjithsecili merr darkën e vet më përpara; dhe njëri ka uri dhe tjetri është i dehur” (1 Kor. 11:20–21). Kjo na ndihmon të kuptojmë atë që Pali nënkupton kur flet për atë të cilin ha dhe pi dhe “nuk e dallon trupin” (1 Kor. 11:29). Problemi në Korint nuk ishte një mosarritje për të kuptuar se buka dhe kupa përfaqësonin trupin dhe gjakun e Krishtit. Ata padyshim e dinin këtë. Problemi më tepër ishte qëndrimi i tyre egoist dhe mospërfillës ndaj njëri-tjetrit ndërkohë që ishin në tryezën e Zotit. Ata nuk po e kuptonin apo “dallonin” natyrën e vërtetë të kishës si një trup. Ky interpretim i shprehur me fjalët “pa dalluar trupin” është mbështetur nga përmendja që Pali i bën kishës si trupi i Krishtit pak fare më përpara, tek “1 Korintasve” 10:17: “Sepse ne të shumtit, jemi një bukë, një trup, sepse të gjithë marrim pjesë në të vetmen bukë.”[64]14 Kështu që fraza “nuk e dallon trupin” do të thotë “duke mos kuptuar unitetin dhe ndërvarësinë e njerëzve në kishë e cila është trupi i Krishtit.” Kjo do të thotë që mos mendimi për vëllezërit dhe motrat  tona kur ne vijmë në Darkën e Zotit, gjatë së cilës ne duhet të reflektojmë për karakterin e Tij.[65]15

Çfarë do të thotë atëherë, të hash apo të pish “padenjësisht” (1 Kor. 11:27)? Fillimisht ne mund të mendojmë se këto fjalë gjejnë zbatim disi në mënyrë të ngushë dhe i takojnë vetëm mënyrës se si ne sillemi kur aktualisht hamë dhe pimë bukën dhe verën. Por, kur Pali shpjegon pjesëmarrjen e padenjë, ajo përfshin shprehjen “nuk e dallon trupin,” ai nënkupton që ne duhet të mendojmë për të tëra marrëdhëniet përbrenda trupit të Krishtit: a jemi duke vepruar në mënyra të cilat portretizojnë në mënyrë të qartë jo unitetin e një buke dhe të një trupi, por të kundërtën? A po sillemi në mënyra të cilat shpallin jo flijimin vetë-dhënës të Zotit, por armiqësi dhe egoizëm? Në një kuptim më të gjerë sesa: “Por njeriu le të shqyrtojë vetveten” do të thotë se ne duhet të pyesim nëse marrëdhëniet tona në trupin e Krishtit janë në fakt duke pasqyruar karakterin e Zotit, të Cilin e takojmë atje dhe të Cilin përfaqësojmë.

Në këtë lidhje, mësimi i Jezusit për ardhjen për të adhuruar në përgjithësi, duhet përmendur gjithashtu:

Nëse, pra, e paraqet dhuratën tënde tek altari dhe atje kujtohesh se yt vëlla ka diçka kundër teje, lëre atje dhuratën tënde para altarit dhe shko pajtohu më parë me vëllanë tënd; dhe atëherë eja dhe paraqite dhuratën tënde. (Mat. 5:23–24)

Jezusi këtu na tregon se kurdoherë që ne vijmë për të adhuruar, ne duhet që të sigurohemi që marrëdhëniet tona me të tjerët janë atje ku duhet, e nëse nuk janë, ne duhet të veprojmë me shpejtësi për t’i bërë siç duhet, e pastaj të vijmë për të adhuruar Perëndinë. Ky paralajmërim duhet të jetë veçanërisht i vërtetë kur ne vijmë tek Darka e Zotit.

Sigurisht, asnjë pastor apo drejtues kishe nuk ka si ta dijë nëse njerëzit janë duke e shqyrtuar veten apo jo (me përjashtim të rasteve kur qëndrime qartësisht shkelëse apo mëkatare bëhen të dukshme për të tjerët). Për pjesën më të madhe, kisha duhet të varet tek pastorët dhe mësuesit për të shpjeguar qartësisht kuptimin e Darkës së Zotit, si dhe për të paralajmëruar për rreziqet e pjesëmarrjes në mënyrë të padenjë. Pastaj, njerëzit do të kenë përgjegjësinë për të shqyrtuar jetën e tyre, në përputhje me atë që Pali thotë. Me të vërtetë që Pali nuk thotë se pastorët duhet të shqyrtojnë jetën e të gjithë të tjerëve, por në vend të kësaj inkurajon vetë-shqyrtim individual: “Por njeriu le të shqyrtojë vetveten” (1 Kor. 11:28).[66]16

E. Pyetje të tjera

Kush duhet ta administrojë Darkën e Zotit? Shkrimi nuk jep mësime të drejtpërdrejta mbi këtë çështje, kështu që na mbetet thjesht për të vendosur se çfarë është e mençur si dhe e përshtatshme për dobinë e besimtarëve në kishë. Me qëllim për t’iu ruajtur keqpërdorimit të Darkës së Zotit, administrimi i saj duhet t’i besohet një drejtuesi të përgjegjshëm, por nuk duket që Shkrimi kërkon që vetëm klergjia e emëruar apo zyrtarë të përzgjedhur të kishës mund ta bëjnë këtë. Në situatat e zakonshme, sigurisht, pastori apo drejtues të tjerë, të cilët zakonisht kryejnë shërbesën në shërbesat e adhurimit të kishës, do të kryesojë natyrshëm shërbesën edhe gjatë Darkës së Zotit. Por përtej kësaj, nuk duket se ka arsye përse elementët e Darkës së Zotit të shpërndahen vetëm nga funksionarët, vetëm nga drejtuesit, apo vetëm nga burrat. A nuk do të tregonte shumë më qartë unitetin dhe barazinë frymërore në Krishtin po qe se për shembull, si burrat ashtu edhe gratë do të ndihmonin në shpërndarjen e elementëve të Darkës së Zotit?[67]17

Sa shpesh duhet kremtuar Darka e Zotit? Shkrimi nuk na e thotë. Jezusi, thjesht thotë: “Sepse sa herë të hani nga kjo bukë dhe të pini nga kjo kupë...” (1 Kor. 11:26). Direktiva e Palit këtu në lidhje me shërbesat e adhurimit, duhet të jetë e përshtatshme për t’u marrë në konsideratë: “Të gjitha le të bëhen për ndërtim” (1 Kor. 14:26). Faktikisht, ka qenë praktika e pjesës më të madhe të kishës përgjatë gjithë historisë së saj që të kremtojë Darkën e Zotit çdo javë kur besimtarët mblidhen. Sidoqoftë, në shumë grupe Protestante që prej Reformimit, ka patur një kremtim më pak të shpeshtë të Darkës së Zotit—nganjëherë një herë apo dy herë në muaj, apo, në shumë kisha të Reformuara, vetëm katër herë në vit. Nëse Darka e Zotit është planifikuar dhe shpjeguar si dhe e zbatuar në një mënyrë të atillë që ajo është një kohë vetë-shqyrtimi, rrëfimi, dhe mirënjohjeje e lavdërimi, atëherë nuk duket se kremtimi i saj një herë në javë do të ishte tepër i shpeshtë, sidoqoftë, dhe padyshim mund të kremtohej aq shpesh “për ndërtim.”

PYETJE PËR ZBATIM VETJAK

1.     Cilat gjëra të simbolizuara nga Darka e Zotit kanë marrë një rëndësi të re në mendimet e tua si rezultat i leximit të këtij kapitulli? A të duket vetja më i zellshëm për të marrë pjesë në Darkën e Zotit tani sesa ç’ke qenë më përpara se të lexoje këtë kapitull? Përse?

2.     Në ç’mënyrë (nëse ka ndonjë mënyrë) do t’i qaseshe ndryshe Darkës së Zotit tani? Cila prej gjërave të simbolizuara në Darkën e Zotit është më inkurajuese për jetën tënde të krishterë tani që flasim?

3.     Cila pikëpamje rreth natyrës së pranisë së Krishtit në Darkën e Zotit të është mësuar në kishë më përpara? Cila është pikëpamja që ke tani?

4.     A ka ndonjë marrëdhënie të prishur personale që të duhet ta ndreqësh përpara se të vish përsëri tek Darka e Zotit?

5.     A ka fusha në të cilën kisha jote ka nevojë që të bëjë më shumë mësime rreth natyrës së Darkës së Zotit? Cilat janë ato?

TERMA TË VEÇANTË

Darka e Zotit

konsubstancacioni

eukarist

“nuk e dallon trupin”

prania frymore

prani simbolike

tejmishërimi

gjithëprania e natyrës së Krishtit

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 472–542

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 3:325–334

1892–1894 Miley, 2:411–414

1940 Wiley, 3:189–208

1960 Purkiser, 411–415

1983 Carter, 2:616–619

3. Baptiste

1767 Gill, 2:647–660

1907 Strong, 959–980

1983–1985 Erickson, 1107–1128

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 7:229

1949 Thiessen, 322–325

1986 Ryrie, 425–426

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 3:290–296

1934 Mueller, 506–540

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 2:1359–1448 (4.27–28)

1724–1758 Edwards, 1:431–532

1861 Heppe, 627–656

1871–1873 Hodge, 3:611–692

1878 Dabney, 800–817

1887–1921 Warfield, SSW 1:332–338

1889 Shedd, 2b:564–574

1937–1966 Murray, CW 2:376–384; CW 3:275–288

1938 Berkhof, 644–658

1962 Buswell, 2:266–279

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 370–416

2. Katolike Romake: Pas-Vatikanit II

1980 McBrien, 2:757–768; 1:552–556

Vepra të tjera

Beckwith, Roger T. “Eukarsit (Eucharist).” tek FUT ([68]EDT) fq. 236–238.

Berkouwer, G.C. Sakramentet (The Sacraments). Përkth. nga Hugo Bekker. Grand Rapids: Eerdmans, 1969.

Bridge, D., dhe D. Phypers. Darka e Zotit Vakti Ushqimor që Bashkon? (Communion: The Meal That Unites?) London: Hodder and Stoughton, 1981.

Marshall, I. Howard. Darka e Fundit dhe Darka e Zotit (Last Supper and Lord’s Supper). Grand Rapids: Eerdmans, 1980.

Osterhaven, M.E. “Darka e Zotit, Pikëpamja e (Lord’s Supper, Views of).” Tek FUT (EDT) fq. 653–656.

Wallace, R.S. “Darka e Zotit (Lord’s Supper).” Tek FUT (EDT) fq. 651–653.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“1 Korintasve” 11:23–26: Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukë dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: "Merrni, hani; ky është trupi im që thyhet për ju; bëni këtë në përkujtimin tim". Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: "Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim". Sepse sa herë të hani nga kjo bukë dhe të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.

HIMN

“KËTU, O ZOTI IM, TË SHIKOJ BALLË PËR BALLË (HERE, O MY LORD, I SEE THEE FACE TO FACE)”

Ky himn i bukur, nuk këndohet shpesh herë, por ai i flet kaq drejtpërsëdrejti Jezusit Vetë dhe na flet kaq qartë për realitetin frymëror që na duhet të mbajmë mend në Darkën e Zotit, saqë ky është një nga himnet më të shkëlqyer të shkruar ndonjëherë në lidhje me këtë doktrinë. Ai tejçon një qëndrim të përulur në praninë e Zotit, gëzim në shpëtimin, si dhe një pendesë të mirëfilltë për mëkatin gjithashtu. Bukuria e ëmbël e frymës që Horat Bonari (Horatius Bonar) ilustroi në këtë himn, është e krahasueshme me shumë pak himne në tërë historinë e kishës.

Vija melodike e: “Frymë e Perëndisë, Zbrit mbi Zemrën Time (Spirit of God, Descend Upon My Heart)”

Këtu, o Zoti im, ballë për ballë të shikoj;

Këtu do doja të prekja e gjërat e padukshme të kapja,

Këtu me dorë më të fortë hirin Tënd të përjetshëm, shtrëngoj

Dhe e gjithë lodhjet e mia mbi Ty të varja.

Këtu unë do të ushqehem me bukën e Perëndisë,

Këtu me Ty verën mbretërore të qiellit do të pi;

çdo barrë tokësore, mënjanë do degdis,

edhe një herë në qetësinë e faljes së mëkateve do të rri.

Kjo është ora e banketit dhe e këngës;

Kjo është tryeza qiellore për mua e shtruar:

Këtu më lër të festoj gjatë gjithë kohës

Orën e bashkësisë me Ty të shkurtër e të çmuar.

Ndihmë veç Teje, tjetër nuk kam, e as më duhet

As krah tjetër, përveç Tëndit, ku të gjej mbështetje;

Mjafton o Zoti im, e që më mjafton është pak të thuhet;

Forca ime tek fuqia Jote, vetëm tek fuqia Jote është gjendje.

Drejtësia është e Jote ndërsa mëkati është i imi,

IYti gjaku pastrues, faji është i imi;

Këtu është manteli, streha dhe gëzimi,

Gjaku, drejtësia e jote, o imi Zot Perëndi.

Autori: Horatius Bonar, 1855

Pen
>