General
Text

Kapitulli 24: Mëkati

Lesson 26 Chapter 4 Module 5

Mëkati

Çfarë është mëkati? Nga erdhi ai? A trashëgojmë një natyrë mëkatare nga Adami? A trashëgojmë faj nga Adami?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

  1. Përkufizimi i mëkatit

Historia e racës njerëzore, siç paraqitet në Shkrim, është në radhë të parë historia e njeriut në një gjendje mëkati dhe kryeneçësie kundër Perëndisë dhe e planit të Perëndisë për shpengim, për ta rikthyer njeriun tek vetja. Për rrjedhojë, është me vend që tani të marrim në shqyrtim natyrën e mëkatit që e ndan njeriun prej Perëndisë.

Mëkatin mund ta përkufizojmë si më poshtë: Mëkati është çfarëdolloj mosarritjeje për t’u konformuar me ligjin moral të Perëndisë në veprime, qëndrim apo natyrën tonë. Mëkati këtu është përkufizuar në lidhje me Perëndinë dhe ligjin e Tij moral. Mëkati përfshin jo vetëm akte individuale si për shembull vjedhje apo gënjeshtra apo kryerje e vrasjes, por gjithashtu qëndrime të cilat bien në kundërshtim me qëndrimet të cilat Perëndia kërkon prej nesh. Këtë gjë ne e shikojmë tashmë tek Dhjetë Urdhëresat, të cilat jo vetëm që nuk lejojnë veprimet e mëkatshme, por gjithashtu as qëndrimet e gabuara: “Mos dëshiro shtëpinë e të afërmit tënd; mos dëshiro gruan e të afërmit tënd, as shërbëtorin e tij, as shërbëtoren e tij, as lopën e tij, as gomarin e tij, as ndonjë gjë tjetër që është e të afërmit tënd” (Eks. 20:17). Këtu Perëndia specifikon se një dëshirë për të vjedhur apo për të kryer kurorëshkelje, është gjithashtu mëkat në sytë e Tij. Predikimi në Mal ndalon gjithashtu qëndrimet mëkatare të tilla si zemërimi (Mat. 5:22) apo shkelja e kurorës (Mat. 5:28). Pali rendit qëndrime të tilla si xhelozi, zemërim dhe egoizëm (Gal. 5:20) si gjëra të cilat janë vepra të mishit e që bien në kundërshtim me dëshirat e Frymës (Gal. 5:20). Për rrjedhojë, një jetë e cila është e kënaqshme për Perëndinë, është një jetë që përmban pastërti morale jo vetëm në veprimet e saj, por gjithashtu në dëshirat e zemrës të personit në fjalë. Faktikisht, urdhëresa më e madhe nga të tëra, kërkon prej nesh që zemra jonë të mbushet me një qëndrim dashurie për Perëndinë: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde” (Marku 12:30).

Përkufizimi i mëkatit i dhënë më sipër, specifikon faktin që mëkati është mosarritja për t’u konformuar me ligjin moral të Perëndisë jo vetëm në veprim dhe në qëndrim, por gjithashtu në natyrën morale tonë. Vetë natyra jonë, karakteri i brendshëm që është thelbi i asaj që ne jemi si person, mund të jetë gjithashtu e mëkatshme. Përpara se Krishti të na shpengonte, jo vetëm që bëmë veprime të mëkatshme dhe patëm qëndrime të mëkatshme, por ishim gjithashtu mëkatarë nga natyra. Kështu, Pali mund të thotë se “kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Rom. 5:8), apo se më përpara “ishim prej natyre bij të zemërimit, si edhe të tjerët” (Efe. 2:3). Edhe ndërkohë që është në gjumë, një jobesimtar, paçka se duke mos kryer veprime të mëkatshme apo duke ushqyer në mënyrë aktive qëndrime të mëkatshme, është ende një “mëkatar” në sytë e Perëndisë. Ai apo ajo ka ende një natyrë të mëkatshme e cila nuk është në konformitet me ligjin moral të Perëndisë.

Përkufizime të tjera të thelbit të karakterit të mëkatit, janë sugjeruar gjithashtu. Ndoshta përkufizimi më i zakonshëm është të thuash që thelbi i mëkatit është egoizmi.[67]1 Megjithëkëtë, një përkufizim i tillë është jo i kënaqshëm, sepse: (1) Shkrimi vetë nuk e përshkruan në këtë mënyrë mëkatin. (2) Një pjesë e mirë e interesimit për veten i konsiderueshëm është i mirë dhe i aprovuar nga Shkrimi, ashtu sikurse Jezusi na urdhëron “mblidhni për vete thesare në qiell” (Mat. 6:20), apo kur kërkojmë të rritemi në shenjtërim dhe në pjekurinë e krishterë (1 Thes. 4:3), apo edhe kur vijmë tek Perëndia përmes Krishtit për të gjetur shpëtim. Perëndia padyshim që i drejtohet interesit-vetjak të njerëzve mëkatarë kur thotë: “Kthehuni, kthehuni nga rrugët tuaja të këqija. Pse vallë duhet të vdisni, o shtëpi e Izraelit?” (Ezek. 33:11). Po ta përkufizojmë thelbin e karakterit të mëkatit si egoizëm, kjo do t’i shtyjë shumë njerëz që të mendojnë se ata duhet të braktisin të tërë dëshirën e tyre për dobinë personale gjë që bie në kundërshtim me Shkrimin.[68]2 (3) Shumë prej mëkatit nuk është egoizëm në kuptimin e zakonshëm të fjalës, njerëzit mund të tregojnë përkushtim jo egoist ndaj një feje të rreme apo ndaj qëllimeve humaniste arsimore apo politike të cilat bien ndesh me Shkrimin, e megjithëkëtë këto nuk do të ishin pasojë e “egoizimit” në kuptimin e zakonshëm të fjalës. Për më tepër, urrejtja ndaj Perëndisë, idhujtaria dhe mosbesimi, nuk janë përgjithësisht pasojë e egoizimit, por ato janë mëkate shumë të rënda. (4) Një përkufizim i tillë mund të sugjerojë se kishte gabime apo mëkatshmëri edhe nga ana e Perëndisë, përderisa qëllimi më i lartë i Perëndisë është që të kërkojë lavdinë e Vet (Isa. 42:8; 43:7, 21; Efe. 1:12).[69]3 Por një përfundim i tillë është qartësisht i gabuar.

Është shumë më mirë ta përkufizojmë mëkatin në mënyrën që e përkufizon Shkrimi, në marrëdhënie me ligjin e Perëndisë dhe karakterin e Tij moral. Gjoni na thotë se “mëkati është shkelja e ligjit” (1 Gjonit 3:4). Kur Pali kërkon të demonstrojë mëkatshmërinë universale të njerëzimit, ai i drejtohet ligjit të Perëndisë, qoftë ligjit të shkruar të judenjve (Rom. 2:17–29) qoftë ligjit të pashkruar që vepron në ndërgjegjen e paganëve të cilët, përmes sjelljes së tyre, “tregojnë veprën e ligjit të shkruar në zemrat e tyre” (Rom. 2:15). Sido që të jetë, mëkatshmëria e tyre është demonstruar nga mungesa e konformitetit të tyre ndaj ligjit moral të Perëndisë.

Si përfundim, duhet të vërejmë që ky përkufizim thekson se sa gjë serioze është mëkati. Ne e dimë nga përvoja që mëkati është i dëmshëm për jetën tonë, që ai sjell dhimbje dhe pasoja shkatërrimtare ndaj nesh si dhe ndaj të tjerëve që ndikohen prej tij. Por, që ta përkufizojmë mëkatin si mosarritje për t’u konformuar me ligjin moral të Perëndisë, është si të thuash që mëkati është më shumë sesa thjesht i dhimbshëm dhe shkatërrimtar, është gjithashtu gabim në kuptimin më të thellë të fjalës. Në një univers të krijuar nga Perëndia, mëkati nuk duhet të jetë. Mëkati bie drejtpërsëdrejti ndesh me gjithçka që është e mirë në karakterin e Perëndisë, dhe ashtu sikurse Perëndia domosdoshmërisht dhe përjetësisht gjen kënaqësi në Vetvete si dhe në gjithçka që Ai është, po kështu Perëndia domosdoshmërisht dhe përjetësisht, e urren mëkatin. Në thelb, mëkati është e kundërta e shkëlqyeshmërisë së karakterit të Tij moral. Kjo e kontradikton shenjtërinë e Tij, dhe Ai nuk mund të mos e urrejë atë.

B. Origjina e mëkatit

Nga erdhi mëkati? Si hyri ai në univers? Së pari duhet të pohojmë në mënyrë të qartë që Perëndia Vetë nuk mëkatoi, dhe që nuk është Perëndia Ai që duhet të fajësohet për mëkatin. Ishte njeriu ai që mëkatoi, dhe ishin engjëjt ata që mëkatuan, dhe në të dyja rastet, ata vepruan kështu përmes zgjedhjesh të vullnetshme dhe me dëshirën e tyre. T’ia hedhësh fajin Perëndisë për mëkatin, do të thotë të blasfemosh kundër karakterit të Perëndisë. “Vepra e tij është e përsosur, sepse në të gjitha rrugët e tij ka drejtësi. Është një Perëndi që nuk e njeh padrejtësinë; ai është i drejtë dhe i mirë” (L. i P. 32:4). Abrahami pyet me të vërtetë dhe forcë në fjalët e Tij: “Gjykatësi i tërë tokës a nuk ka për të bërë drejtësi?” (Zan. 18:25). Edhe Elihu me të drejtë thotë: “Qoftë larg Perëndisë paudhësia dhe ligësia qoftë larg të Plotfuqishmit” (Jobi 34:10). Në fakt, është e pamundur për Perëndinë që madje të dëshirojë të bëjë gjënë e gabuar: “Perëndia nuk mund të tundohet për të keqen, dhe ai vetë nuk tundon asnjeri” (Jakobi 1:13).

Megjithëkëtë, nga ana tjetër, ne duhet të ruhemi nga një gabim i kundërt me këtë: do të ishte e gabuar për ne të thoshim se ekziston një fuqi e ligë e përjetshme në univers, e ngjashme apo e barabartë me Perëndinë Vetë në fuqi. Të thuash këtë, është si të pohosh atë që quhet “dualizmi” më i lartë në univers, ekzistencën e dy pushteteve njëlloj përfundimtare, ku njëri është i mirë dhe tjetri i keq.[70]4 Gjithashtu, ne nuk duhet të mendojmë kurrë që mëkati e befasoi Perëndinë, e sfidoi apo e tejkaloi gjithëfuqinë e Tij apo kontrollin e Tij providencial mbi universin. Për rrjedhojë, edhe pse nuk duhet të themi kurrë që Perëndia Vetë mëkatoi, apo se Ai duhet fajësuar për mëkatin, megjithëkëtë, ne duhet që gjithashtu të pohojmë se Perëndia i Cili “vepron gjithçka sipas këshillës së vullnetit të tij” (Efe. 1:11), Perëndia i Cili “vepron si të dojë me ushtrinë e qiellit dhe me banorët e dheut. Askush nuk mund t'ia ndalë dorën ose t'i thotë: ``Çfarë po bën?”’ (Dan. 4:35) caktoi që mëkati do të vinte në botë, edhe pse Ai nuk gjen kënaqësi në të, e edhe pse Ai caktoi që mëkati do të vinte përmes zgjedhjeve të vullnetshme të krijesave morale.[71]5

Edhe përpara mosbindjes së Adamit dhe Evës, mëkati qe i pranishëm në botën e engjëjve prej rënies së Satanit dhe demonëve.[72]6 Por, në lidhje me racën njerëzore, mëkati i parë qe ai i Adamit dhe Evës në kopshtin e Edenit (Zan. 3:1–19). Ngrënia prej tyre e frytit të pemës së njohurisë së të mirës dhe të keqes, është nga shumë anë tipike për mëkatin në përgjithësi. Në radhë të parë, mëkati i tyre ishte goditje në bazën e njohurisë, sepse i jepte një përgjigje ndryshe pyetjes: “Çfarë është e vërtetë?” Ndërsa Perëndia kishte thënë se Adami dhe Eva do të vdisnin po qe se do të hanin nga pema (Zan. 2:17), gjarpri tha: “Ju s'keni për të vdekur” (Zan. 3:4). Eva vendosi të vinte në dyshim vërtetësinë e fjalës së Perëndisë dhe kreu një eksperiment për të parë nëse Perëndia fliste apo jo me vërtetësi.

Së dyti, mëkati i tyre goditi në themelin e standardeve morale, sepse i dha një përgjigje ndryshe pyetjes: “Çfarë është e duhur?” Perëndia kishte thënë se moralisht ishte e drejtë për Adamin dhe Evën që të mos hanin nga frytet e asaj peme të caktuar (Zan. 2:17). Por, gjarpri sugjeroi se do të ishte e rregullt të hahej nga ai fryt, e se duke e ngrënë atë, Adami dhe Eva do të bëheshin “si Perëndia” (Zan. 3:5). Eva i besoi vlerësimit të vet për atë që ishte e duhur dhe atë që do të ishte e mirë për të, në vend që të lejonte fjalët e Perëndisë të përkufizonin atë që është e duhur dhe atë që është e gabuar. Ajo, “pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë,” dhe për rrjedhojë, ajo “mori nga fruta e saj, e hëngri” (Zan. 3:6).

Së treti, mëkati i tyre i dha një përgjigje tjetër pyetjes: “Kush jam unë?” Përgjigjja e saktë ishte që Adami dhe Eva ishin krijesa të Perëndisë, të varura prej Tij dhe të destinuara për të qenë gjithnjë të nënshtruara ndaj Tij si Krijuesi dhe Zoti i tyre. Por, Eva, dhe më pas edhe Adami, iu nënshtruan tundimit për të qenë “si Perëndia” (Zan. 3:5), duke u përpjekur kësisoj të vinin veten në vendin e Perëndisë.

Është e rëndësishme që të këmbëngulim në vërtetësinë historike të tregimit të rënies së Adamit dhe Evës. Njëlloj sikurse tregimi i krijimit të Adamit dhe Evës është i lidhur me pjesën tjetër të tregimit historik në librin e “Zanafillës”[73]7 po kështu edhe ky tregim i rënies së njeriut i cili pason historinë e krijimit të njeriut, paraqitet nga autori si një tregim i drejtpërdrejtë historik. Për më tepër, autorët e Besëlidhjes së Re e kthejnë vështrimin pas tek ky tregim dhe pohojnë se “me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë” (Rom. 5:12) dhe këmbëngulin që “gjykimi prodhoi dënimin nga një shkelje e vetme” (Rom. 5:16) dhe se “gjarpri e gënjeu Evën me dinakërinë e tij” (2 Kor. 11:3; kr. 1 Tim. 2:14). Gjarpri ishte pa dyshim një gjarpër real e fizik, por një gjarpër që fliste ama për shkak të fuqizimit prej Satanit që fliste përmes tij (kr. Zan. 3:15 me Rom. 16:20; gjithashtu “Num.” 22:28–30; “Zbu.” 12:9; 20:2).

Së fundi, ne duhet të vërejmë se i gjithë mëkati është tek e fundit jo racional. Me të vërtetë që nuk kishte kuptim që Satani të ngrinte krye kundër Perëndisë në pritshmërinë për të qenë në gjendje për ta ngritur veten përmbi Perëndinë. Ishte gjithashtu e pakuptimtë për Adamin dhe Evën që të mendonin se mund të fitonin ndonjë gjë duke mos iu bindur fjalëve të Krijuesit të tyre. Këto ishin zgjedhje të pamenda. Këmbëngulja e Satanit në rebelimin kundër Perëndisë, edhe sot është ende një zgjedhje e pamend, siç është gjithashtu vendimi nga ana e cilësdo qenieje njerëzore për të vazhduar në një gjendje kryeneçësie kundër Perëndisë. Nuk është i mençuri, por “i pamendi” ai që “ka thënë në zemrën e vet: “Nuk ka Perëndi”’ (Ps. 14:1). Është “budallai” tek libri i “Fjalëve të Urta” i cili në mënyrë të shkujdesur përfshihet në gjithfarë lloj mëkatesh (shiko F. e U. 10:23; 12:15; 14:7, 16; 15:5; 18:2; etj.). Paçka se njerëzit nganjëherë ia mbushin mendjen vetes se kanë arsye të mira për të mëkatuar, kur shqyrtohen në dritën e ftohtë të të vërtetës në ditën e fundit, do të shikohet në çdo rast që mëkati tek e fundit është thjesht i pakuptimtë.

C. Doktrina e mëkatit të trashëguar [74]8

Si ndikon mëkati i Adamit tek ne? Shkrimi na mëson se ne e trashëgojmë mëkatin nga Adami, në dy mënyra.

1. Faj i trashëguar: Ne llogaritemi fajtor për shkak të mëkatit të Adamit. Pali shpjegon në mënyrën e mëposhtme efektet që mëkati i Adamit ka: “Prandaj... me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja i arriti të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan” (Rom. 5:12). Konteksti tregon se Pali nuk po flet rreth mëkateve aktuale të cilat njerëzit kryejnë çdo ditë të jetës së tyre, sepse i tërë paragrafi (Rom. 5:12–21) është marrë me krahasimin mes Adamit dhe Krishtit. Gjithashtu, kur Pali thotë: “prandaj [Gr. οὕτως, G4048, “po ashtu”; d.m.th., nëpërmjet mëkatit të Adamit] vdekja i arriti të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan,” ai është duke thënë se përmes mëkatit të Adamit “të gjithë mëkatuan.”[75]9

Kjo ide, që “të gjithë mëkatuan” do të thotë se Perëndia mendoi për të gjithë ne që kemi mëkatuar kur Adami tregoi mosbindje, tregohet më tej nga dy vargjet e tjera kur Pali thotë:

Mëkati ishte në botë; por mëkati nuk numërohet nëse nuk ka ligj; por vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar me të njëjtën shkelje si Adami, që është figura e atij që duhej të vinte. (Rom. 5:13–14)

Këtu Pali vëren që qysh prej kohës së Adamit e deri në kohën e Moisiut, njerëzit nuk i kishin ligjet e shkruara të Perëndisë. Paçka se mëkatet e tyre “nuk numërohet” (si shkelje të ligjit), ato gjithsesi vdiqën. Fakti që ata vdiqën është një provë e mirë që Perëndia i llogariti njerëzit fajtorë mbi bazën e mëkatit të Adamit.

Ideja që Perëndia na llogariti fajtor për shkak të mëkatit të Adamit, pohohet më tej tek “Romakëve” 5:18–19:

Pastaj, ashtu sikurse shkelja e një njeriu çoi në dënimin e të gjithë njerëzve, po kështu edhe veprimi i drejtë i një njeriu, çoi në shfajësimin dhe jetën e të tërë njerëzve. Sepse, ashtu si nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm, të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nëpërmjet bindjes së një të vetmi, të shumtët do të bëhen të drejtë.

Këtu, Pali thotë shkoqur se përmes shkeljes së një njeriu “të shumtët u bënë [Gr. Κατεστάθησαν nga καθίστημι, G2770, që është gjithashtu një folje në formën dëftore aoriste që tregon veprime të përfunduara në të shkuarën] mëkatarë.” Kur Adami mëkatoi, Perëndia i mendoi si mëkatarë të tërë ata të cilët do të vinin nga Adami. Paçka se ne nuk ekzistonim ende, Perëndia, duke hedhur vështrimin në të ardhmen dhe duke e ditur se ne do të ekzistonim, filloi të mendonte për ne si fajtorë njëlloj si Adami. Kjo është gjithashtu e përputhshme me deklaratën e Palit, sipas të cilit “kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne” (Rom. 5:8). Sigurisht, disa prej nesh madje as nuk ekzistonin kur Krishti vdiq, por Perëndia gjithsesi na konsideroi si mëkatarë që kanë nevojë për shpëtim.

Përfundimi që duhet të nxirret nga këto vargje, është që të tërë pjesëtarët e racës njerëzore, u përfaqësuan nga Adami në kohën e sprovës në kopshtin e Edenit. Duke qenë përfaqësuesi yni, Adami mëkatoi dhe Perëndia na llogarit fajtorë bashkë me Adamin. (Një term teknik që përdoret nganjëherë në lidhje me këtë, është vesh që do të thotë “të mendosh sikur i takon dikujt, dhe për rrjedhojë të bësh atë gjë t’i takojë atij personi.”) Perëndia e llogariti fajin e Adamit sikur të na përkiste neve, dhe përderisa Perëndia është gjykatësi më i lartë i tërë gjërave në univers, dhe përderisa mendimet e Tij janë gjithnjë të vërteta, faji i Adamit na takon faktikisht neve. Perëndia me të drejtë na e veshi edhe neve fajin e Adamit.

Nganjëherë, doktrina e mëkatit të trashëguar nga Adami, njihet me termin doktrina e “mëkatit fillestar.” Siç është shpjeguar më lart,[76]10 unë nuk e kam përdorur këtë shprehje. Nëse përdoret ky term, duhet mbajtur mend që mëkati i përmendur, nuk i referohet mëkatit të parë të Adamit, por fajit dhe prirjes për të mëkatuar me të cilin ne kemi lindur. Është “fillestar” në atë që vjen nga Adami, dhe është gjithashtu fillestar, në atë që ne e kemi që në fillim të ekzistencës tonë si persona, por ai që nënkuptohet është ende mëkati ynë, jo mëkati i Adamit,. Paralelisht me frazën “mëkati fillestar” është fraza “faji fillestar.” Ky është ai aspekt i mëkatit të trashëguar nga Adami të cilin kemi qenë duke e diskutuar më lart, specifikisht, ideja që ne trashëgojmë fajin nga Adami.

Kur përballemi fillimisht me idenë që jemi llogaritur fajtorë për shkak të mëkatit të Adamit, prirja jonë është që të protestojmë për shkak se na duket jo i drejtë. Nuk ishim ne faktikisht që vendosëm të mëkatojmë, apo jo? Atëherë, si mund të llogaritemi fajtorë? A është e drejtë që Perëndia të veprojë në këtë mënyrë?

Në përgjigje ndaj kësaj, ka tre gjëra që mund të thuhen: (1) Të gjithë ata që protestojnë se kjo është e padrejtë, kanë kryer gjithashtu në mënyrë të vullnetshme shumë mëkate aktuale për të cilat Perëndia na mban gjithashtu fajtor. Këto do të përbëjnë bazën parësore të gjykimit tonë në ditën e fundit, sepse Perëndia “do ta shpaguajë secilin sipas veprave të tij” (Rom. 2:6), dhe “ai që punon padrejtësisht do të marrë shpagimin për gjëra të padrejta që ka bërë” (Kol. 3:25). (2) Për më tepër, disa kanë argumentuar duke thënë: “Nëse ndonjëri prej nesh do të kishte qenë në vend të Adamit, edhe ne gjithashtu do të kishim mëkatuar si ai, dhe kryeneçësia jonë pasuese kundër Perëndisë, e demonstron këtë.” Unë mendoj se me shumë mundësi kjo është e vërtetë, megjithëkëtë, kjo nuk duket si një argument përmbyllës sepse supozon shumëçka për atë që do të ndodhte ose jo. Një pasiguri e tillë mund të mos na ndihmojë edhe aq shumë për të dobësuar idenë e dikujt për padrejtësinë.

(3) Përgjigjja më bindëse ndaj këtij kundërshtimi, është të theksojmë se nëse mendojmë se është e padrejtë për ne që të përfaqësohemi nga Adami, atëherë ne duhet ta mendojmë gjithashtu të padrejtë për ne që të përfaqësohemi nga Krishti dhe që drejtësia e Tij të na vishet neve nga Perëndia. Kjo sepse procedura që Perëndia përdori, ishte po e njëjta, dhe kjo është ekzaktësisht ajo që Pali tregon tek “Romakëve” 5:12–21: “ashtu si nëpërmjet mosbindjes së një njeriu të vetëm, të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nëpërmjet bindjes së një të vetmi, të shumtët do të bëhen të drejtë” (Rom. 5:19). Adami, përfaqësuesi ynë i parë, mëkatoi—dhe Perëndia na llogariti fajtorë. Por Krishti, përfaqësuesi i të tërë atyre që besojnë tek Ai, iu bind në mënyrë të përsosur Perëndisë, dhe Perëndia na llogariti të drejtë. Kjo është thjesht mënyra në të cilën Perëndia rregulloi funksionimin e racës njerëzore. Perëndia e konsideron racën njerëzore si një tërësi organike, një unitet, i përfaqësuar nga Adami si kreu i tij. Dhe Perëndia mendon gjithashtu për racën e re të të krishterëve, ata që janë shpenguar nga Krishti, si një tërësi organike, një unitet i përfaqësuar nga Krishti si kreu i popullit të Tij.

Jo të tërë teologët ungjillorë nga ana tjetër, janë të një mendjeje që ne llogaritemi fajtorë për shkak të mëkatit të Adamit. Disa, veçanërisht teologët Arminianë, mendojnë se kjo është e padrejtë për Perëndinë dhe nuk besojnë se kjo gjë jepet mësim tek “Romakëve” 5.[77]11 Megjithëkëtë, ungjillorët e bindjeve të ndryshme janë të një mendjeje që ne marrim një predispozicion apo prirje për të mëkatuar, si trashëgimi nga Adami, një temë kjo të cilën do ta marrim tani në shqyrtim.

2. Zvetënimi i trashëguar: Ne kemi një natyrë të mëkatshme për shkak të mëkatit të Adamit. Përveç fajit ligjor që Perëndia na vesh për shkak të mëkatit të Adamit, ne trashëgojmë gjithashtu një natyrë mëkatare për shkak të mëkatit të Adamit. Kjo natyrë e mëkatshme nganjëherë është quajtur thjesht “mëkati fillestar” dhe nganjëherë është quajtur më saktë “ndotja fillestare.” Në vend të këtyre, unë kam përdorur termin “zvetënimi i trashëguar” për shkak se duket se ai shpreh më qartë idenë specifike të kësaj pikëpamjeje.

Davidi thotë: “Ja, unë jam mbrujtur në paudhësi dhe nëna ime më ka ngjizur në mëkat” (Ps. 51:5). Disa kanë menduar në mënyrë të gabuar se mëkati i mamasë së Davidit është ajo që nënkuptohet këtu, por kjo nuk është e saktë, sepse i tërë konteksti nuk ka të bëjë aspak me mamanë e Davidit. Davidi është duke rrëfyer mëkatin e tij vetjak përmes kësaj pjese. Ai thotë:

Ki mëshirë për mua, o Perëndi

... fshiji të ligat që kam bërë.

Më pastro tërësisht nga paudhësia ime

... i pranoj të ligat që kam bërë.

... kundër teje... Kam mëkatuar. (Ps. 51:1–4)

Davidi është kaq i kapluar me vetëdijen që ka për mëkatin e vet, saqë ndërkohë që hedh vështrimin pas në jetën e tij, ai kupton se qe i mëkatshëm qysh prej fillimit. Qëkurse e mban mend veten, ai e kupton se ka patur një natyrë të mëkatshme. Në fakt, kur lindi, apo kur u “mbrujt” në mitrën e të ëmës, ai qe “mbrujtur në paudhësi” (Ps. 51:5). Për më tepër, edhe përpara se të lindte, ai kishte një prirje të mëkatshme: ai pohon se në momentin e ngjizjes së tij, ai kishte një natyrë mëkatare, sepse “nëna ime më ka ngjizur në mëkat” (Ps. 51:5). Këtu kemi një deklaratë të fortë të prirjes së trashëguar për të mëkatuar, që i bashkëngjitet jetës tonë që nga fillimi fare. Një ide e ngjashme pohohet tek “Psalmi” 58:3, “Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.”

Për rrjedhojë, natyra jonë përfshin një prirje për të mëkatuar në mënyrë që Pali të mund të pohojë se përpara se ne të ishim të krishterë “ishim prej natyre bij të zemërimit, si edhe të tjerët” (Efe. 2:3). Kushdo që ka rritur fëmijë, mund të dëshmojë nga përvoja e vet faktin që të tërë ne kemi lindur me një prirje për të mëkatuar. Nuk është nevoja t’i mësosh fëmijët që të bëjnë gjënë e gabuar; këtë ata e zbulojnë vetë. Ajo që na duhet të bëjmë si prindër, është t’i mësojmë ata që të bëjnë gjënë e duhur, duke ndjekur porosinë: “i rrisni në disiplinë dhe në këshillë të Zotit” (Efe. 6:4).

Kjo prirje e trashëguar për të mëkatuar, nuk do të thotë që qeniet njerëzore janë të tërë të këqij në maksimumin e tyre të mundshëm. Kufizimet e ligjit civil, pritshmëritë e familjes dhe të shoqërisë si dhe zëri i brendshëm i ndërgjegjes njerëzore (Rom. 2:14–15), të tëra këto sigurojnë ndikime kufizuese mbi prirjet e mëkatshme në zemrën tonë. Për rrjedhojë, nëpërmjet “hirit të përgjithshëm” të Perëndisë (d.m.th., nëpërmjet këtij favori të pamerituar që u është dhënë të tëra qenieve njerëzore), njerëzit kanë mundur të bëjnë shumë të mira në fushën e arsimit, zhvillimit të qytetërimit, përparimit shkencor dhe teknologjik, zhvillimit të bukurisë dhe aftësive në art, hartimin e ligjeve të drejta, si dhe vepra të përgjithshme bujarie dhe mirësie ndaj të tjerëve.[78]12 Në fakt, sa më tepër ndikim të krishterë të ketë në shoqëri në përgjithësi, aq më qartë ndikimi i “hirit të zakonshëm” do të shikohet në jetën e edhe jobesimtarëve. Por, pavarësisht aftësisë për të bërë të mirën në shumë kuptime të fjalës, zvetënimi ynë i trashëguar, prirja jonë për të mëkatuar të cilën ne e morëm nga Adami, do të thotë se për sa varet nga Perëndia, ne nuk jemi në gjendje të bëjmë ndonjë gjë që e kënaq Atë. Kjo mund të shikohet nga dy anë:

a. Në natyrën tonë, na mungon tërësisht e mira shpirtërore përpara Perëndisë: Nuk është e saktë të thuash që disa pjesë tonat janë të mëkatshme e të tjerat të pastra. Përkundrazi, çdo pjesë e qenies tonë është e ndikuar nga mëkati—intelekti, emocionet, dëshirat, zemra (qendra e dëshirave dhe e proceseve vendim-marrëse), synimet dhe motivet tona, dhe madje edhe trupat tanë fizikë. Pali thotë: “unë e di se në mua, domethënë në mishin tim, nuk banon asgjë e mirë” (Rom. 7:18), dhe, “asgjë nuk është e pastër për të ndoturit dhe për ata që nuk besojnë; madje edhe mendja, edhe ndërgjegjja e tyre janë të ndotura” (Titit 1:15). Për më tepër, Jeremia na thotë se “Zemra është gënjeshtare mbi çdo gjë dhe e ligur keq; kush mund ta njohë atë?” (Jer. 17:9). Në këto pasazhe, Shkrimi nuk mohon që jobesimtarët mund të bëjnë të mira në shoqërinë njerëzore në disa aspekte, por vetëm që ata nuk mund të bëjnë ndonjë të mirë shpirtërore apo të jenë të mirë në lidhje me marrëdhënien me Perëndinë. Jashtë veprës së Krishtit në jetën tonë, ne jemi si të tërë jobesimtarët të cilët janë “të errësuar në mendje, të larguar nga jeta e Perëndisë, për shkak të padijes që është në ta dhe të ngurtësimit të zemrës së tyre.” (Efe. 4:18).[79]13

b. Në veprimet tona, ne jemi tërësisht të paaftë për të bërë të mira shpirtërore përpara Perëndisë: Kjo ide është e lidhur me të mëparshmen. Jo vetëm që si mëkatarë që jemi, na mungon e mira shpirtërore tek vetja jonë, por na mungon gjithashtu aftësia për të bërë çfarëdo gjëje që në vetvete do ta kënaqte Perëndinë, si dhe aftësia për të shkuar me forcat tona tek Perëndia. Pali thotë se “ata që janë në mish nuk mund t'i pëlqejnë Perëndisë” (Rom. 8:8). Për më tepër, në lidhje me dhënien fryte për mbretërinë e Perëndisë dhe në bërjen e asaj që e kënaq Atë, Jezusi thotë: “Pa mua nuk mund të bëni asgjë” (Gjoni 15:5). Faktikisht, jobesimtarët nuk janë të papëlqyeshëm për Perëndinë, në mos për ndonjë arsye tjetër, atëherë thjesht ngaqë veprimet e tyre nuk burojnë nga besimi në Perëndinë apo nga dashuria për Të, dhe “pa besim është e pamundur t'i pëlqesh Atij” (Heb. 11:6). Kur lexuesit e Palit ishin jobesimtarë, ai u thotë: “ishit të vdekur në shkelje dhe në mëkate, në të cilat keni ecur dikur” (Efe. 2:1–2). Jobesimtarët janë në një gjendje zgjedhe apo skllavërie ndaj mëkatit, për shkak se “Kush bën mëkat është skllav i mëkatit” (Gjoni 8:34). Paçka se nga një këndvështrim njerëzor, njerëzit mund të jenë në gjendje që të bëjnë shumë gjëra të mira, Isaia pohon që “paudhësitë tona na çojnë larg si era” (Isa. 64:6; kr. Rom. 3:9–20). Jobesimtarët nuk janë në gjendje as të kuptojnë gjërat e Perëndisë siç duhet, sepse “njeriu natyror nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t'i njohë; sepse ato hetohen frymërisht” (1 Kor. 2:14). As tek Perëndia ne nuk mund të shkojmë me fuqinë tonë, sepse Jezusi thotë: “Askush nuk mund të vijë tek unë, po qe se Ati që më ka dërguar nuk e tërheq” (Gjoni 6:44).

Por nëse kemi një paaftësi tërësore për të bërë ndonjë të mirë shpirtërore në sytë e Perëndisë, atëherë, a kemi ende ndonjë liri zgjedhjeje? Padyshim, ata të cilët pa lidhje me Krishtin, vërtetë që vazhdojnë të ndërmarrin zgjedhje të vullnetshme, që do të thotë se ata vendosin se çfarë dëshirojnë të bëjnë, e pastaj e bëjnë. Në këtë kuptim, ka ende një lloj “lirie” në zgjedhjet që njerëzit bëjnë.[80]14 Megjithëkëtë, për shkak të paaftësisë së tyre për të bërë mirë dhe për t’u larguar nga kryeneçësia e tyre themelore kundër Perëndisë dhe preferencës së tyre themelore për mëkatin, jobesimtarët nuk kanë lirinë në kuptimin më të rëndësishëm të fjalës, që është liria për të bërë të mirën si dhe për të bërë atë që është e pëlqyeshme për Perëndinë.

Zbatimi në jetën tonë është mjaft i dukshëm: nëse Perëndia i jep dikujt një dëshirë për t’u penduar e për t’i besuar Krishtit, ai apo ajo nuk duhet të vonohet e nuk duhet ta ngurtësojë zemrën e tij apo të saj (kr. Heb. 3:7–8; 12:17). Kjo aftësi për t’u penduar dhe dëshira për të besuar tek Perëndia, nuk është natyrshëm e jona, por është dhënë përmes shtysës nga Fryma e Shenjtë, e nuk do të zgjasë përgjithnjë. “Sot, në e dëgjofshi zërin e tij, mos jini zemërgur” (Heb. 3:15).

D. Mëkatet faktike në jetën tonë

1. Të tërë njerëzit janë të mëkatshëm përpara Perëndisë. Shkrimi në shumë vende dëshmon për mëkatshmërinë universale të njerëzimit. “Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një” (Ps. 14:3). Davidi thotë: “asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje” (Ps. 143:2). Dhe Salomoni thotë: “Nuk ka njeri që nuk mëkaton” (1 Mbretërve 8:46; kr. F. e Urta 20:9).

Në Besëlidhjen e Re, Pali ka një argument të thelluar tek “Romakëve” 1:18–3:20 ku tregohet se të gjithë njerëzit, si judenj ashtu edhe grekë, qëndrojnë fajtorë përpara Perëndisë. Ai thotë: “Judenjtë ashtu edhe grekët janë të gjithë nën mëkat, siç është shkruar: "Nuk ka asnjë të drejtë, as edhe një”’ (Rom. 3:9–10). Ai është i sigurt se “të gjithë kanë mëkatuar dhe nuk e arrijnë lavdinë e Perëndisë” (Rom. 3:23). Jakobi, vëllai i Zotit tonë, pranon: “Të gjithë gabojmë në shumë gjëra” (Jakobi 3:2), dhe nëse ai, si një drejtues dhe apostull[81]15 në kishën e hershme, mund ta pranonte se bëri shumë gabime, atëherë edhe ne duhet të jemi të gatshëm të pranojmë ato të vetes tonë. Gjoni, dishepulli i dashur i cili ishte veçanërisht i afërt me Jezusin, tha:

Po të themi se nuk kemi mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne. Po t'i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi. Po të themi se s'kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne. (1 Gjonit 1:8–10)[82]16

2. A e kufizon përgjegjësinë tonë aftësia jonë? Pelagiusi, një mësues i krishterë i njohur që veproi në Romë rreth vitit 383–410 mbas K. dhe më pas më vonë (deri në vitin 424 mbas K.) në Palestinë, mësonte se Perëndia i mban njerëzit përgjegjës vetëm për ato gjëra të cilat njeriu është në gjendje që t’i bëjë. Përderisa Perëndia na paralajmëron që të bëjmë mirë, për rrjedhojë, ne duhet të kemi aftësinë për të bërë të mirën që Perëndia urdhëron. Pozita e Pelagianit, hedh poshtë doktrinën e “mëkatit të trashëguar” (apo “mëkatit fillestar”) dhe i përmbahet idesë që mëkati ka të bëjë vetëm me akte të veçuara të mëkatshme.[83]17

Megjithëkëtë, ideja që ne jemi përgjegjës përpara Perëndisë vetëm për atë që jemi në gjendje që të bëjmë, bie në kundërshtim me dëshminë e Shkrimit i cili pohon edhe që: “ishit të vdekur në shkelje dhe në mëkate” në të cilat keni ecur dikur (Efe. 2:1), dhe për rrjedhojë, jo të aftë për të bërë ndonjë të mirë shpirtërore, dhe gjithashtu që të tërë ne jemi fajtorë përpara Perëndisë. Për më tepër, nëse përgjegjësia jonë përpara Perëndisë do të qe e kufizuar me aftësinë tonë, atëherë, mëkatarë tejet të ngurtësuar të cilët janë nën një zgjedhë të madhe ndaj mëkatit, mund të jenë më pak fajtorë përpara Perëndisë sesa të krishterët e pjekur të cilët po përpiqeshin përditë për t’iu bindur Atij. Edhe Satani vetë, i cili është përjetësisht në gjendje që të bëjë vetëm të keqen, nuk do kishte fare faj po ta marrësh kështu, e ky, padyshim do të ishte një përfundim i pasaktë.

Masa e vërtetë e përgjegjësisë dhe fajit tonë, nuk është aftësia jonë për t’iu bindur Perëndisë, por më tepër, përsosmëria absolute e ligjit moral të Perëndisë dhe e shenjtërisë së Tij Vetë (gjë që është pasqyruar në atë ligj). “Jini, pra, të përsosur, ashtu siç është i përsosur Ati juaj që është në qiej” (Mat. 5:48).

3. A janë foshnjat fajtore përpara se të kryejnë mëkate faktike? Disa janë të mendimit se Shkrimi na mëson për një “moshë përgjegjshmërie” përpara të cilës fëmijët e vegjël nuk mbahen përgjegjës për mëkat, e që nuk llogariten si fajtorë përpara Perëndisë.[84]18 Megjithëkëtë, pasazhet e vërejtura më sipër në Seksionin C rreth “mëkatit të trashëguar” lënë të kuptohet se edhe përpara lindjes, fëmijët mbeten fajtorë përpara Perëndisë, si dhe kanë një natyrë mëkatare e cila jo vetëm u jep atyre një prirje për të mëkatuar, por që gjithashtu e bën Perëndinë që t’i shikojë ata si “mëkatarë.” “Ja, unë jam mbrujtur në paudhësi dhe nëna ime më ka ngjizur në mëkat” (Ps. 51:5). Pasazhet të cilat flasin për gjykimin përfundimtar në lidhje me vepra aktuale të mëkatshme që janë kryer (p.sh., Rom. 2:6–11) nuk thonë asgjë rreth bazës së gjykimit kur nuk ka patur veprime individuale të duhura apo të gabuara, si në rastin e fëmijëve që vdesin që kërthi. Në raste të tilla, ne duhet t’i pranojmë Shkrimet të cilat flasin për veten tonë, duke na treguar se kemi një natyrë mëkatare që përpara se të lindim. Për më tepër, duhet të kuptojmë se natyra mëkatare e një fëmije, siç mund të pohohet nga të tërë ata që kanë rritur fëmijë, e tregon veten që shumë herët, padyshim përbrenda dy viteve të para të jetës së fëmijës,. (Davidi thotë në një vend tjetër: “Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje,” Ps. 58:3.)

Por atëherë, çfarë të themi për foshnjat të cilat vdesin përpara se të jenë aq në moshë sa të kuptojnë dhe besojnë ungjillin? A mund të shpëtohen ato?

Këtu ne duhet të themi që nëse të tillë foshnje janë shpëtuar, kjo nuk mund të jetë në sajë të meritës së tyre, apo mbi bazën e drejtësisë apo pafajësisë së tyre, por duhet të jetë tërësisht mbi bazën e punës shpenguese të Krishtit dhe ripërtëritjes përmes punës së Frymës së Shenjtë përbrenda tyre. “Një është Perëndia, dhe një është ndërmjetësi midis Perëndisë dhe njerëzve: njeriu Krishti Jezus” (1 Tim. 2:5). “Nëse një nuk lind përsëri, ai nuk mund ta shohë mbretërinë e Perëndisë” (Gjoni 3:3).

Megjithëkëtë, është padyshim e mundur për Perëndinë që të sjellë rigjenerim (d.m.th. jetë të re shpirtërore) ndaj një foshnjeje, edhe përpara se ai apo ajo të lindë. Kjo vlente të thuhej edhe për Gjon Pagëzorin, sepse engjëlli Gabriel, përpara se Gjoni të lindej, tha: “Në barkun e s'ëmës do të mbushet me Frymën e Shenjtë” (Luka 1:15). Ne mund të themi se Gjon Pagëzori u “rilind” përpara se të lindte! Një shembull i ngjashëm gjendet tek “Psalmi” 22:10 ku Davidi thotë: “Ti je Perëndia im qysh nga barku i nënës sime.” Për rrjedhojë, është e qartë që Perëndia është në gjendje t’i shpëtojë foshnjat në një mënyrë të pazakontë, pa dëgjimin dhe kuptimin e tyre të ungjillit, duke shkaktuar që shumë herët ripërtëritjen e tyre, nganjëherë edhe përpara lindjes së tyre. Kjo ripërtëritje me shumë mundësi pasohet menjëherë nga një vetëdije e lindur, intuitive rreth Perëndisë dhe mirëbesim tek Ai që në një moshë fare të njomë, por kjo është diçka të cilën ne thjesht nuk mund ta kuptojmë.[85]19

Sidoqoftë, ne mund të pohojmë shumë qartë se kjo nuk është mënyra më e zakonshme për Perëndinë që të shpëtojë njerëzit. Shpëtimi zakonisht ndodh kur dikush dëgjon dhe kupton ungjillin dhe pastaj i beson Krishtit. Gjithsesi, në rastet jo të zakonshme si ai i Gjon Pagëzorit, Perëndia solli shpëtim përpara këtij kuptimi dhe kjo na çon në përfundimin se padyshim që është e mundshme që Perëndia ta bëjë këtë atje ku Ai e di se foshnja do të vdesë përpara se të dëgjojë ungjillin.

Sa foshnje shpëton Perëndia në këtë mënyrë? Këtë Shkrimi nuk na e thotë, kështu që ne thjesht nuk mund ta dimë. Atje ku Shkrimi nuk thotë gjë, nuk është mençuri për ne që të bëjmë një deklaratë përfundimtare. Megjithëkëtë, ne duhet të kuptojmë se vazhda më e zakontë e veprimit të Perëndisë e cila shikohet përgjatë gjithë Shkrimit, është që të shpëtojë fëmijët e atyre të cilët besojnë tek Ai (shiko Zan. 7:1; kr. Heb. 11:7; Joz. 2:18; Ps. 103:17; Gjoni 4:53; Veprat 2:39; 11:14(?); 16:31; 18:8; 1 Kor. 1:16; 7:14; Titit 1:6; kr. Mat. 18:10, 14). Këto pasazhe nuk tregojnë se Perëndia i shpëton në mënyrë automatike fëmijët e të tërë besimtarëve (sepse të tërë ne njohim fëmijë të prindërve të perëndishëm të cilët janë rritur dhe e kanë refuzuar Zotin, dhe Shkrimi jep shembuj të tillë si Esau dhe Absalomi), por ato na lënë të kuptohet se mënyra e zakonshme e veprimit të Perëndisë, mënyra “normale” apo ajo e pritshmja në të cilën Ai vepron, është që t’i sjellë fëmijët e besimtarëve tek Vetja. Në lidhje me fëmijët e besimtarëve të cilët vdesin në një moshë shumë të njomë, ne nuk kemi arsye të mendojmë se do të ishte ndryshe.

Veçanërisht me lidhje këtu është rasti i fëmijës së parë që Bath-Sheba i lindi mbretit David. Kur foshnja kishte vdekur, Davidi thotë: “Unë do të shkoj tek ai, por ai nuk do të kthehet tek unë” (2 Sam. 12:23). Davidi i cili përmes jetës së Tij kishte një bindje kaq të fortë se do të jetonte përgjithnjë në praninë e Zotit (shiko “Ps.” 23:6, si dhe shumë prej psalmeve të Davidit), kishte gjithashtu bindjen se do ta shikonte sërish të birin e tij foshnje kur të vdiste. Kjo mund të nënkuptojë vetëm një gjë: që ai do të ishte me të birin përgjithnjë në praninë e Zotit.[86]20 Ky pasazh, së bashku me të tjerët e përmendur më lart, duhet të ofrojnë një siguri të ngjashme për të tërë besimtarët të cilët kanë humbur fëmijë në moshë foshnjore, që një ditë ata do t’i shikojnë ata përsëri në lavdinë e mbretërisë qiellore.

Në lidhje me fëmijët e jobesimtarëve të cilët vdesin që në moshë të njomë, Shkrimi nuk thotë gjë. Këtë çështje ne duhet që thjesht ta lëmë në duart e Perëndisë e t’i besojmë Atij që të tregohet si i drejtë, ashtu edhe i mëshirshëm. Nëse ato shpëtohen, kjo nuk do të jetë në bazë të meritës së tyre apo ndonjë pafajësie që ne mund të supozojmë se ato kanë. Nëse ato janë shpëtuar, kjo nuk do të jetë mbi bazën e veprës shpenguese të Krishtit dhe ripërtëritjes së tyre, si ajo e Gjon Pagëzorit përpara se të lindte, por do të jetë përmes mëshirës dhe hirit të Perëndisë. Shpëtimi është gjithnjë për shkak të mëshirës së Tij, jo për shkak të meritave tona (shiko Rom. 9:14–18). Shkrimi nuk na lejon të themi më shumë se kaq.

4. A ka shkallë të ndryshme të mëkatit? A ka disa mëkate më të këqija se të tjerat? Kjo pyetje mund të ketë përgjigjen ose po, ose jo, në varësi të kuptimit me të cilin bëhet.

a. Faji ligjor: Për sa i takon qëndrimit tonë ligjor përpara Perëndisë, cilido mëkat, edhe ai që mund të duket si shumë i vogël, na bën ligjërisht fajtorë përpara Perëndisë dhe për rrjedhojë, të denjë për ndëshkim të përjetshëm. Adami dhe Eva e mësuan këtë në kopshtin e Edenit, ku Perëndia u tha se një veprim i vetëm në mosbindje, do të çonte në ndëshkimin me vdekje (Zan. 2:17). Dhe Pali pohon se “gjykimi prodhoi dënimin nga një shkelje e vetme” (Rom. 5:16). Ky mëkat i vetëm, e bëri Adamin dhe Evën mëkatarë përpara Perëndisë, pa qenë më në gjendje që të qëndronin në praninë e Tij të shenjtë.

Kjo e vërtetë mbetet e vlefshme përgjatë gjithë historisë së racës njerëzore. Pali (duke cituar “L.i P.” 27:26) e pohon: “I mallkuar është kushdo, që nuk qëndron në të gjitha ato, që shkruhen në librin e ligjit për t'i bërë” (Gal. 3:10). Dhe Jakobi deklaron:

Kushdo që e zbaton gjithë ligjin, por e shkel në një pikë të vetme, është fajtor në të gjitha. Sepse ai që ka thënë: "Mos shkel kurorën", ka thënë edhe: "Mos vrit". Por nëse nuk shkel kurorën, por vret, je bërë shkelës i ligjit. (Jakobi 2:10–11)[87]21

Për rrjedhojë, në lidhje me fajin ligjor, të tëra mëkatet janë njëlloj të këqija për shkak se ato na bëjnë ligjërisht fajtorë përpara Perëndisë dhe na tregojnë mëkatarë.

b. Rezultatet në jetë dhe në marrëdhënien me Perëndinë: Nga ana tjetër, disa mëkate janë më të këqija sesa të tjerat në kuptimin që ato kanë pasoja më të dëmshme në jetën tonë si dhe në jetën e të tjerëve, si dhe në lidhje me marrëdhënien tonë personale me Perëndinë si Atë, ato rritin pakënaqësinë e Tij edhe më tepër, dhe shkaktojnë ndërprerje edhe më serioze të përbashkësisë tonë me Të.

Shkrimi nganjëherë flet për shkallë të ndryshme rëndese të mëkatit. Kur Jezusi u çua përpara Ponc Pilatit, Ai tha: “ai që më dorëzoi te ti ka mëkat më të madh” (Gjoni 19:11). Referenca e kësaj është e dukshme se lidhet me Judën i cili e kishte njohur Jezusin nga afër për tri vjet, e megjithëkëtë, me vullnet të lirë e kishte tradhtuar për t’u vrarë. Paçka se Pilati kishte autorit mbi Jezusin në sajë të postit qeverisës së tij, dhe pavarësisht se ai bëri faj që lejoi që një njeri i pafajshëm të dënohej me vdekje, mëkati i Judës ishte shumë më i “madh,” e kjo me shumë mundësi për shkak të njohurisë shumë herë më të madhe dhe dashakeqësisë të lidhur me atë njohuri.

Kur Perëndia i tregoi Ezekielit vizionet e mëkateve në tempullin e Jerusalemit, ai fillimisht i tregoi Ezekielit disa gjëra të caktuara, e pastaj tha: “Por ti do të shikosh neveri edhe më të rënda” (Ezek. 8:6). Më pas, ai i tregoi Ezekielit mëkatet e fshehta të disa prej pleqve të Izraelit, dhe tha: “Ti do të shikosh neveri edhe më të mëdha që ata po kryejnë” (Ezek. 8:13). Pastaj Zoti i tregoi Ezekielit një pamje të një gruaje që qante për një hyjni babilonase, dhe tha: “A e pe, bir njeriu? Ti do të shikosh neveri edhe më të mëdha nga këto” (Ezek. 8:15). Në fund, Ai i tregoi Ezekielit njëzetepesë burra në tempull, me shpinën kthyer Zotit e në vend të adhuronin Atë, adhuronin diellin. Këtu kemi shkallë në rritje mëkati dhe urrejtjeje përpara Perëndisë.

Në Predikimin në Mal, kur Jezusi thotë: “Kushdo, pra, që do të shkelë një nga këto urdhërime më të vogla dhe do t'u mësojë kështu njerëzve, do të quhet më i vogli në mbretërinë e qiejve; kurse kushdo që do t'i zbatojë dhe do t'ua mësojë të tjerëve, ai do të quhet i madh në mbretërinë e qiejve” (Mat. 5:19). Me këtë, Ai nënkupton se ka urdhëresa të cilat janë më të mëdha e të tjera më të vogla. Po kështu, paçka se Ai është i një mendjeje se është e përshtatshme të japësh të dhjetën edhe për erëzat e shtëpisë që njerëzit përdorin, Ai shpall mjerime për farisenjtë që shpërfillin “gjërat më të rëndësishme të ligjit: gjyqin, dhe mëshirën dhe besimin” (Mat. 23:23). Në të dyja rastet, Jezusi bën dallimin mes urdhëresave më të vogla dhe atyre më të mëdha, duke nënkuptuar kësisoj se disa mëkate janë më të këqija sesa disa mëkate të tjera sipas vlerësimit nga Perëndia Vetë të peshës së tyre.

Në përgjithësi, mund të themi se disa mëkate kanë pasoja më të dëmshme se të tjerat nëse e përbaltin më shumë Perëndinë, apo nëse na bëjnë më tepër dëm neve, të tjerëve apo kishës. Për më tepër, ato mëkate të cilat janë bërë me dëshirë, në mënyrë të përsëritur e me vetëdije, me një zemër të bërë kallo, janë më të papëlqyeshme për Perëndinë sesa ato të cilat janë bërë nga padija e të cilat nuk përsëriten, apo që janë bërë me një përzierje motivesh të mira e të papastra, e që pasohen nga një brejtje ndërgjegjeje dhe pendesë. Kështu, ligjet që Perëndia i dha Moisiut tek “Levitiku” sigurojnë dispozitat për rastet kur njerëzit mëkatojnë “nga padituria” (Lev. 4:2, 13, 22). Mëkati i pavetëdijshëm, është gjithsesi mëkat: “Në qoftë se dikush mëkaton dhe, në mënyrë të pandërgjegjshme, kryen diçka që Zoti ka ndaluar të bëhet, është gjithashtu fajtor dhe i detyruar të vuajë dënimin” (Lev. 5:17). Megjithëkëtë, ndëshkimet e kërkuara dhe shkalla e pakënaqësisë së Perëndisë që erdhi nga ai mëkat, janë më të pakta sesa në rastin e një mëkati të qëllimtë.

Nga ana tjetër, mëkatet e kryera “me qëllim,” që do të thotë, me arrogancë si dhe me përbuzje për urdhëresat e Perëndisë, shikoheshin shumë seriozisht: “Por ai që kryen një mëkat me qëllim, qoftë i lindur në vend apo i huaj, fyen Zotin; ky njeri do të shfaroset në mes të popullit të tij” (Num. 15:30; kr. vgj. 27–29).

Ne mund të shikojmë aty për aty se si disa mëkate kanë pasoja shumë më të dëmshme për ne si dhe për të tjerët, si dhe për marrëdhënien tonë me Perëndinë. Nëse unë do të lakmoja makinën e fqinjit, kjo gjë do të ishte mëkat përpara Perëndisë, por nëse lakmia ime do të më shtynte në vjedhjen e asaj makine, ky do të ishte mëkat edhe më i rëndë akoma. Nëse gjatë vjedhjes së makinës, unë do të zihesha me fqinjin tim dhe do ta lëndoja apo do të lëndoja nga pakujdesia dikë tjetër ndërkohë që i jepja makinës, ky do të ishte mëkat edhe më i rëndë akoma.

Në mënyrë të ngjashme, nëse një i krishterë i ri i cili më përpara kishte prirjen që të humbte gjaknxehtësinë e të përfshihej nëpër sherre, fillon t’u dëshmojë shokëve të tij jobesimtarë dhe, një ditë, provokohet në atë mënyrë që e humb toruan dhe faktikisht godet dikë, kjo gjë është padyshim mëkat në sytë e Perëndisë. Por, nëse një pastor i pjekur apo ndonjë drejtues tjetër i spikatur i krishterë, do të humbte toruan publikisht e do ta godiste dikë, kjo gjë do të ishte edhe më e rëndë në sytë e Perëndisë, si për shkak të dëmit që do t’i shkaktohej reputacionit të ungjillit, ashtu edhe për shkak të atyre që janë në pozita drejtuese e që mbahen përgjegjës në një standard më të lartë llogaridhënieje nga Perëndia: “Ne që japim mësim, do të marrim një gjykim më të ashpër” (Jakobi 3:1; kr. Luka 12:48). Përfundimi ynë është që në lidhje me rezultatet dhe në lidhje me shkallën e pakënaqësisë së Perëndisë, disa mëkate janë padyshim më të këqij sesa të tjerët.

Megjithëkëtë, dallimi mes shkallëve të peshës së mëkatit, nuk nënkupton një përkrahje të mësimit të Katolicizmit Romak, sipas të cilit mëkatet mund të ndahen në dy kategoritë e “të falshmëve” dhe “vdekjeprurësve.”[88]22 Sipas mësimit të Katolicizmit Romak, një mëkat i falshëm mund të falet, por shpesh pas ndëshkimit në këtë jetë apo në Purgator (pas vdekjes, por përpara hyrjes në qiell). Një mëkat vdekjeprurës, është një mëkat që shkakton vdekje shpirtërore e që nuk mund të falet; ai i përjashton njerëzit nga mbretëria e Perëndisë.

Megjithëkëtë, sipas Shkrimit, të tëra mëkatet janë “vdekjeprurëse” në atë që edhe mëkati më i vogël na bën mjaft fajtorë përpara Perëndisë si dhe të denjë për ndëshkim të përjetshëm. Megjithëkëtë, edhe mëkatet më të rënda na falen kur vijmë tek Krishti për të gjetur shpëtim (vëreni ndërthurjen e një liste mëkatesh të cilat të përjashtojnë nga mbretëria e Perëndisë si dhe pohimin që korintasit të cilët i kishin kryer ato mëkate, janë shpëtuar nga Krishti tek “1 Kor.” 6:9–11). Kështu, në këtë kuptim, të tëra mëkatet janë “të falshme.”[89]23 Ndarja që Katolikët Romakë u bëjnë mëkateve në kategori “vdekjeprurëse” dhe “të falshme,” duke i quajtur disa mëkate (si për shembull vetëvrasjen) “vdekjeprurëse,” ndërkohë që quajnë të tjera (si për shembull pandershmërinë, zemërimin apo epshin) mëkate “të falshme”, mundet që fare lehtë të çojë në ose shkujdesje në lidhje me disa mëkate të cilat pengojnë ndjeshëm shenjtërimin dhe efikasitetin në veprën e Zotit, ose, në lidhje me mëkate të tjera, të ushtrojnë frikë, dëshpërim dhe paaftësi për të patur ndonjëherë siguri për faljen. Gjithashtu, ne duhet të kuptojmë se i njëjti veprim shtesë (si për shembull humbja e gjakftohtësisë dhe goditja e dikujt sipas shembullit të mësipërm) mund të jetë më shumë apo më pak e rëndë në varësi të personit apo të rrethanave të ngjarjes. Është shumë më mirë që thjesht të kuptojmë se mëkatet mund të variojnë në lidhje me rezultatet e tyre si dhe në lidhje me shkallën në të cilën ato ndërpresin marrëdhënien tonë me Perëndinë dhe shkaktojnë pakënaqësinë e Tij, dhe ta lëmë me kaq. Kështu nuk do të dalim jashtë suazës së mësimit të përgjithshëm të Shkrimit mbi këtë temë.

Dallimi që Shkrimi bën në shkallët e mëkatit, ka vërtetë vlerë pozitive. Së pari, ai na ndihmon të dimë se ku duhet të përpiqemi më shumë në përpjekjen tonë për t’u rritur në shenjtërinë personale. Së dyti, kjo na ndihmon të shikojmë se kur duhet që thjesht ta tejkalojmë një faj të vogël të një shoku apo pjesëtari të familjes, dhe kur do të ishte e përshtatshme që të flisnim me dikë rreth një mëkati të dukshëm (shiko Jakobit 5:19–20). Së treti, kjo mund të na ndihmojë të shikojmë se kur është e përshtatshme disiplina kishtare, dhe kjo siguron një përgjigje ndaj kundërshtimit që ngrihet ndonjëherë  kundër ushtrimit të disiplinës së kishës, sipas të cilit “ne jemi të tërë fajtorë për mëkatin, kështu që nuk kemi punë të përzihemi në jetën e ndokujt tjetër.” Paçka se të tërë ne jemi me të vërtetë fajtor për mëkatin, gjithsesi, ka disa mëkate të cilat e dëmtojnë kishën si dhe marrëdhëniet përbrenda kishës në atë mënyrë saqë ato duhet të trajtohen drejtpërsëdrejti. Së katërti, ky dallim mundet që gjithashtu të na ndihmojë të kuptojmë se ekzistojnë bazat për qeverisje civile që të kemi ligje dhe penalitete të cilat ndalojnë lloje të caktuara keqbërjeje (të tilla si vrasje apo vjedhje), por asnjë lloj tjetër gabimi (të tilla si zemërimi, xhelozia, lakmia apo përdorimi me egoizëm i pronave të personit). Nuk është e pa lidhje po të themi se disa lloje gabimesh kërkojnë ndëshkim civil, por jo të tëra llojet e gabimeve e kanë të domosdoshme këtë.

5. Çfarë ndodh kur një i krishterë mëkaton?

a. Qëndrimi ynë ligjor përpara Perëndisë, është i pandryshuar: Paçka se kjo temë mund të trajtohet më vonë në lidhje me adoptimin apo shenjtërimin përbrenda jetës së krishterë, është mjaft e përshtatshme që ta trajtojmë atë në këtë pikë.

Kur një i krishterë mëkaton, qëndrimi i tij apo i saj përpara Perëndisë, është i pandryshuar. Ai apo ajo është ende i pafalur, sepse, “nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezus” (Rom. 8:1). Shpëtimi nuk bazohet tek meritat tona, por është një dhuratë falas e Perëndisë (Rom. 6:23), dhe vdekja e Krishtit, padyshim që pagoi për të tëra mëkatet tona të kaluara, të tashme dhe të ardhme. Krishti vdiq “për mëkatet tona” (1 Kor. 15:3), pa dallim. Në terma teologjikë, ne vazhdojmë ta ruajmë “drejtësimin” tonë.[90]24

Për më tepër, ne jemi ende fëmijë të Perëndisë dhe ende e ruajmë anëtarësinë tonë në familjen e Perëndisë. Në të njëjtën letër në të cilën Gjoni thotë: “Po të themi se nuk kemi mëkat, gënjejmë vetveten dhe e vërteta nuk është në ne” (1 Gjoni 1:8), ai i kujton gjithashtu lexuesit e tij duke u thënë: “Të dashur, tani jemi bij të Perëndisë” (1 Gjonit 3:2). Fakti që ne kemi mëkat të mbetur në jetën tonë, nuk do të thotë se ne humbasim statusin si fëmijë të Perëndisë. Në terma teologjikë, ne e ruajmë “birësimin” tonë.[91]25

b. Bashkësia jonë me Perëndinë është ndërprerë dhe jeta jonë e krishterë është rrezikuar: Kur mëkatojmë, edhe pse Perëndia nuk resht së na dashuri, Ai është i pakënaqur me ne. (Edhe në marrëdhëniet mes njerëzve, është e mundur që ta duan dikë e që njëkohësisht të jemi të pakënaqur me atë person, sikurse do të dëshmonte cilindo prind, apo cilado bashkëshorte apo bashkëshort.) Pali na thotë se është e mundshme për të krishterët që të “trishtojnë Frymën e Shenjtë të Perëndisë” (Efe. 4:30); kur mëkatojmë, i shkaktojmë Atij pikëllim dhe Ai është i pakënaqur me ne. Autori i “Hebrenjve” na kujton se “Zoti ndreq atë që do” (Heb. 12:6, duke cituar F. e U. 3:11–12), dhe që “Ati i frymërave... na (ndreq) për të mirën tonë, që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij” (Heb. 12:9–10). Kur tregojmë mosbindje, Perëndia Atë pikëllohet, po ashtu sikurse një at tokësor pikëllohet me mosbindjen e fëmijëve të tij, dhe ai na disiplinon. Një temë e ngjashme gjendet tek “Zbulesa” 3, ku Krishti i ringjallur i drejtohet nga qielli kishës së Laodicesë, duke thënë: “Ata që i dua i qortoj dhe i ndëshkoj; prandaj ji i zellshëm dhe pendohu” (Zbu. 3:19). Këtu, përsëri, dashuria dhe qortimi i mëkatit janë të lidhura në të njëjtën deklaratë. Kështu, Besëlidhja e Re është provë për pakënaqësinë e të tre pjesëtarëve të Trinisë kur të krishterët mëkatojnë. (Shiko gjithashtu “Isa.” 59:1–2; “1 Gjonit” 3:21.)

Rrëfimi i Besimit i Uestminsterit, me mençuri thotë rreth të krishterëve:

Paçka se ata kurrë nuk mund ta humbasin drejtësimin e tyre, megjithëkëtë, ata munden nga mëkatet e tyre, të bien nën pakënaqësinë atërore të Perëndisë dhe të mos kenë dritën e fytyrës së Tij të rikthyer atyre, derisa ata ta përulin veten, të pohojnë mëkatet e tyre, të përgjërohen për falje dhe të ripërtërijnë besimin dhe pendesën e tyre. (kap. 11, sek. 5)

“Hebrenjve” 12, bashkë me shumë shembuj historikë në Shkrim, tregon se pakënaqësia atërore e Perëndisë, shpesh çon në disiplinim në jetën tonë të krishterë: “Ai na ndreq për të mirën tonë, që të bëhemi pjesëtarë të shenjtërisë së tij” (Heb. 12:10). Në lidhje me nevojën për rrëfime rregullisht si dhe pendesë për mëkatin, Jezusi na kujton se ne duhet t’i lutemi çdo ditë duke thënë: “Na i fal fajet tona, siç ua falim edhe ne fajtorëve tanë” (Mat. 6:12, përkthimi i autorit; kr. 1 Gjonit 1:9).

Kur ne si të krishterë mëkatojmë, nuk është vetëm marrëdhënia jonë personale me Perëndinë ajo që ndërpritet. Edhe jeta jonë e krishterë dhe frytshmëria në shërbesë dëmtohen gjithashtu. Jezusi na paralajmëron: “Sikurse shermendi nuk mund të japë fryt nga vetja, po qe se nuk qëndron në hardhi, kështu as ju, nëse nuk qëndroni në mua” (Gjoni 15:4). Kur për shkak të mëkatit në jetën tonë ne largohemi nga bashkësia me Krishtin, kësisoj ne e zbehim shkallën me të cilën ne banojmë në Krishtin.

Shkruesit e Besëlidhjes së Re, shpesh herë flasin për pasojat shkatërrimtare të mëkatit në jetën e besimtarëve. Në fakt, shumë seksione të letrave të apostujve, merren me qortimin dhe dekurajimin e të krishterëve nga mëkati të cilin po kryejnë. Pali thotë se nëse të krishterët e lëshojnë veten në mëkat, ata gjithnjë e më shumë bëhen “skllevër” të mëkatit (Rom. 6:16), ndërsa Perëndia dëshiron që të krishterët të përparojnë gjithnjë e më shumë në një shteg drejtësie gjithnjë e më të madhe në jetë. Nëse qëllimi ynë është të rritemi në plotësi më të madhe të jetës deri ditën që të vdesim dhe të kalojmë në praninë e Perëndisë në qiell, të mëkatosh është të ndryshosh qëndrim dhe të fillosh të ecësh tatëpjetë larg prej qëllimit apo përngjasimit me Perëndinë; do të thotë të shkosh në një drejtim që “çon në vdekje” (Rom. 6:16) dhe në një ndarje të përjetshme nga Perëndia, drejtim ky nga i cili ne u larguam përmes shpëtimit tonë kur u bëmë të krishterë.[92]26

Pjetri thotë se dëshirat e mëkatshme të cilat mbeten në zemrat tona “luftojnë kundër shpirtit” (1 Pjetrit 2:11)—terminologjia ushtarake e përkthen me saktësi shprehjen e Pjetrit dhe të krijon një tablo në të cilën kuptohet qartë se dëshirat e mëkatshme përbrenda nesh, janë si ushtarët në një betejë, dhe objektivi i sulmit të tyre është mirë-qenia jonë shpirtërore. Të dorëzohesh ndaj dëshirave të tilla të mëkatshme, apo t’i ushqesh e t’i ruash ato në zemër, është njëlloj si të ushqesh, strehosh dhe të mirëpresësh trupat e armikut. Nëse ne u jepemi dëshirave të cilat “luftojnë” kundër shpirtit tonë, në mënyrë të pashmangshme do ndjejmë humbje të forcës tonë shpirtërore, pakësim të fuqisë shpirtërore si dhe një farë humbjeje të efektivitetit në punën e mbretërisë së Perëndisë.

Për më tepër, kur ne si të krishterë mëkatojmë, ne pësojmë humbjen e shpërblimit qiellor. Një person i cili ka ndërtuar mbi veprën e kishës jo me flori, argjend apo gurë të çmuar, por me “dru, sanë, kashtë” (1 Kor. 3:12) puna e tij do të “digjet” në ditën e gjykimit, dhe “do të pësojë humbje, por ai vetë do të shpëtohet, por, si përmes zjarrit” (1 Kor. 3:15). Pali e kupton që “ne të gjithë duhet të shfaqemi para selisë së gjykatës së Krishtit, që secili të marrë shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirë apo në të keq” (2 Kor. 5:10). Pali nënkupton që në qiell ekzistojnë shkallë të ndryshme shpërblimi,[93]27 dhe se mëkati ka pasoja negative në lidhje me humbjen e shpërblimit qiellor.

c. Rreziku i “Ungjillorëve të pakthyer në besim”: Ndërkohë që një i krishterë i vërtetë i cili mëkaton, nuk e humbet drejtësimin apo birësimin përpara Perëndisë (shiko më lart), duhet të jepet një paralajmërim të qartë që të tregojë se thjesht lidhja me një kishë ungjillore dhe konformiteti i jashtëm për të pranuar mënyra sjelljeje të “krishtera”, nuk garanton shpëtim. Veçanërisht në shoqëri dhe kultura ku është e lehtë (apo madje e pritshme) që njerëzit të shpallin se janë të krishterë, ka një përgjegjësi reale që disa do të bëjnë një lidhje mes tyre dhe kishës, por që nga ana tjetër, nuk janë me të vërtetë të rilindur. Nëse njerëz të tillë bëhen gjithnjë e më shumë të pabindur ndaj Krishtit në mënyrën e jetës së tyre, ata nuk duhet të bien në vetëkënaqësi nga garancitë që ata kanë ende drejtësimin apo birësimin në familjen e Perëndisë. Një vazhdë e gjatë mosbindjeje ndaj Krishtit, e gërshetuar me një mungesë të elementëve të fryteve të Frymës së Shenjtë si dashuria, gëzimi, paqja e kështu me radhë (shiko Gal. 5:22–23) është një shenjë paralajmëruese që tregon se personi është me shumë mundësi jo një i krishterë i vërtetë përbrenda, e që me shumë mundësi nuk ka patur një besim zemre të mirëfilltë që nga fillimi i punës rigjenereuese të Frymës së Shenjtë. Jezusi na paralajmëron se Ai do t’u thotë disave të cilët kanë profetizuar, dëbuar demonët dhe kanë bërë vepra të fuqishme në emrin e Tij: “S'ju kam njohur kurrë; largohuni nga unë, ju që keni bërë paudhësi'” (Mat. 7:23). Dhe Gjoni na thotë “Ai që thotë: "Unë e kam njohur atë", dhe nuk mban urdhërimet e tij, është gënjeshtar dhe e vërteta nuk është në atë” (1 Gjoni 2:4; këtu Gjoni flet për një vazhdë të zgjatur në jetën e personit). Një vazhdë afatgjatë e një mosbindjeje gjithnjë e më të madhe ndaj Krishtit, duhet të merret si provë e mjaftueshme për të vënë në pikëpyetje nëse personi në fjalë është apo jo me të vërtetë i krishterë.

6. Cili është mëkati i pafalshëm? Ka një sërë pasazhesh nga Shkrimi të cilat flasin për një mëkat i cili nuk do të falet. Jezusi thotë:

Prandaj po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t'u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t'u falet njerëzve. Dhe atij që thotë fjalë kundër Birit të njeriut do t'i falet; por atij që flet kundër Frymës së Shenjtë nuk do t'i falet, as në këtë botë, as në atë të ardhme. (Mat. 12:31–32)

Një deklaratë e ngjashme shfaqet tek “Marku” 3:29–30, ku Jezusi thotë se “për atë, që do të blasfemojë kundër Frymës së Shenjtë, nuk do të ketë falje përjetë” (Marku 3:29; kr. Luka 12:10). Në mënyrë të ngjashme, “Hebrenjve” 6 thotë:

Sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjesëtarë të Frymës së Shenjtë, dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe fuqitë e jetës së ardhshme, dhe, po u rrëzuan, është e pamundur të përtërihen përsëri në pendim, sepse e kryqëzojnë përsëri për veten e tyre Birin e Perëndisë dhe e turpërojnë. (Heb. 6:4–6; kr. 10:26–27; gjithashtu diskutimi i mëkatit “çon në vdekje” [NIV] tek 1 Gjonit 5:16–17).

Këto pasazhe mund të jenë duke folur për mëkate të njëjta apo të ndryshme; një vendim për këtë duhet marrë bazuar në një shqyrtim të pasazheve të para në kontekst.

Një sërë pikëpamjesh të ndryshme të mëkatit janë paraqitur.[94]28

1. Ka nga ata që kanë menduar se ishte një mëkat i cili nuk mund të kryhej për sa kohë që Krishti ishte ende në tokë, por deklarata e Jezusit që “Çdo mëkat dhe blasfemi do t'u falet njerëzve” (Mat. 12:31) është kaq e përgjithshme saqë duket e papërligjur të thuash se ajo i referohet vetëm diçkaje e cila mund të ndodhë gjatë kësaj jete—tekstet në fjalë nuk e specifikojnë një kufizim të tillë. Për më tepër, “Hebrenjve” 6:4–6 po flet për felëshimin që ka ndodhur disa vite pas kthimit të Jezusit në qiell.

2. Ka nga ata që kanë qenë të mendimit se ky mëkat është mosbesimi që vazhdon deri në momentin e vdekjes; për rrjedhojë, të gjithë ata që vdesin në mosbesim (apo të paktën të gjithë që kanë dëgjuar për Krishtin dhe që pastaj vdesin në mosbesim) e ka kryer këtë mëkat. Sigurisht që është e vërtetë se ata të cilët këmbëngulin në mosbesim deri në vdekje, nuk kanë për t’u falur, por çështja është nëse është apo jo ky ai fakt që është duke u diskutuar në këto vargje. Po të lexojmë me kujdes këto vargje, ai shpjegim nuk duket se përshtatet me gjuhën e teksteve të cituara, sepse ato nuk flasin për mosbesimin në përgjithësi, por specifikisht për dikë i cili “flet kundër Frymës së Shenjtë” (Mat. 12:32), e që  “blasfemon kundër Frymës së Shenjtë” (Marku 3:29) apo që kryen felëshim, apo thënë ndryshe u “rrëzuan” në besim (Heb. 6:6). Ato bëjnë fjalë për një mëkat specifik—një refuzim me dëshirë i veprës së Frymës së Shenjtë dhe i të folurit keq për Të, apo për një refuzim të vetëdijshëm të të vërtetës së Krishtit dhe të “turpërimit” të Tij (Heb. 6:6). Për më tepër, ideja që ky mëkat është mosbesimi që vazhdon deri në vdekje, nuk përshtatet mirë me kontekstin e një qortimi ndaj farisenjve për atë që ata po thonin si tek “Mateu” ashtu edhe tek “Marku” (shiko diskutimin e kontekstit në vijim).

3. Ka nga ata që janë të mendimit se ky mëkat është një felëshim i rëndë nga besimtarë të mirëfilltë, dhe se vetëm ata të cilët janë me të vërtetë të rilindur sërish mund ta kryejnë këtë mëkat. Këtë këndvështrim ata e bazojnë në kuptimin e tyre të natyrës së “felëshimit” që është përmendur tek “Hebrenjve” 6:4–6 (që është një refuzim i Krishtit dhe humbje e shpëtimit nga një i krishterë i vërtetë). Por  kjo nuk duket se është kuptimi më i mirë i “Hebrenjve” 4–6.[95]29 Për më tepër, paçka se kjo pikëpamje mundet që ndoshta të mbështetet në lidhje me “Hebrenjve” 6, ajo nuk shpjegon blasfeminë kundër Frymës së Shenjtë në pasazhet e ungjillit në të cilat Jezusi është duke iu përgjigjur mohimit kokëfortë nga ana e farisenjve të punës së Frymës së Shenjtë përmes Tij.

4. Një mundësi e katërt është që ky mëkat përbëhet nga një refuzim i pazakontë dashakeqas e i vetëdijshëm si dhe shpifje kundër punës së Frymës së Shenjtë që dëshmon për Krishtin, si dhe veshjen e kësaj pune Satanit. Një vështrim më nga afër i kontekstit të deklaratës së Jezusit tek “Mateu” dhe “Marku”, tregon se Jezusi po fliste si përgjigje e akuzës së farisenjve që “Ky nuk i dëbon demonët veçse me anë të Beelzebubit, kreut të demonëve” (Mat. 12:24). Farisenjtë i kishin parë në mënyrë të përsëritur veprat e Jezusit. Ai sapo kishte shëruar një të demonizuar të verbër e memec, i cili tanimë mund të shikonte e të fliste (Mat. 12:22). Njerëzit ishin të mahnitur dhe po e ndiqnin Jezusin me turma, dhe edhe farisenjtë vetë kishin parë në mënyrë të përsëritur demonstrime të qarta të asaj fuqie të mahnitshme të Frymës së Shenjtë duke punuar përmes Jezusit duke u sjellë jetë dhe shëruar shumë njerëz. Por, farisenjtë, pavarësisht demonstrimeve të qarta të veprës së Frymës së Shenjtë përpara syve të tyre, me vetëdije e kundërshtuan autoritetin e Jezusit si dhe mësimin e Tij dhe ia atribuan atë djallit. Jezusi pastaj u tha atyre qartë se “çdo qytet ose shtëpi, që përçahet në vetvete, nuk qëndron. Atëherë, në qoftë se Satani dëbon Satanin, është përçarë në vetvete, si mund, pra, të qëndrojë mbretëria e tij?” (Mat. 12:25–26). Kështu ishte irracionale dhe marrëzi nga ana e Farisenjve që dëbimin e demonëve që Jezusi bënte, t’ia atribuonin fuqisë së Satanit. Kjo ishte një gënjeshtër klasike, e bërë me vetëdije dhe dashakeqëse.

Pas shpjegimit: “Por, në qoftë se unë i dëboj djajtë me anë të Frymës së Perëndisë, atëherë mbretëria e Perëndisë ka ardhur në mes tuaj” (Mat. 12:28), Jezusi lëshon këtë paralajmërim: “Kush nuk është me mua, është kundër meje dhe kush nuk mbledh me mua, shkapërderdh” (Mat. 12:30). Ai paralajmëron se nuk ka neutralitet, dhe padyshim ata të cilët, ashtu sikurse farisenjtë, e kundërshtojnë mesazhin e Tij, janë kundër Tij. Pastaj, menjëherë pas kësaj, Ai shton: “Prandaj po ju them: Çdo mëkat dhe blasfemi do t'u falet njerëzve; por blasfemia kundër Frymës nuk do t'u falet njerëzve” (Mat. 12:31). Shpifja me vetëdije dhe dashakeqësi ndaj veprës së Frymës së Shenjtë të kryer nëpërmjet Jezusit, vepër të cilën farisenjtë ia atribuan Satanit, nuk do të falet.

Konteksti lë të kuptohet se Jezusi po flet për një mëkat i cili nuk është thjesht mosbesim apo refuzim i Krishtit, por një që përfshin (1) një njohuri të qartë të asaj se kush është Krishti dhe fuqisë së Frymës së Shenjtë që punon përmes Tij, (2) një refuzim i vetëdijshëm i fakteve rreth Krishtit që kundërshtarët e Tij e dinin se ishte i vërtetë, dhe (3) duke i atribuuar me të padrejtë fuqisë së Satanit, veprën e Frymës së Shenjtë në Krishtin. Në një rast të tillë, ngurtësimi i zemrës do të ishte aq i madh saqë cilado mënyrë e zakonshme e sjelljes së një mëkatari në pendesë, do të ishte refuzuar tashmë. Bindja për të vërtetën nuk do të funksiononte, sepse këta njerëz tashmë e kanë njohur të vërtetën dhe e kanë refuzuar atë me vetëdije. Demonstrimi i fuqisë së Frymës së Shenjtë për të shëruar dhe për të sjellë jetë, nuk do të funksionojë sepse ata e kanë parë dhe e kanë refuzuar. Në këtë rast, nuk është se mëkati vetë është aq i tmerrshëm saqë nuk mund të mbulohet nga vepra shpenguese e Krishtit, por më tepër që zemra e ngurtësuar e mëkatarit, e vë atë përtej ndikimit nga mënyrat e zakonshme të Perëndisë të sjelljes së faljes përmes pendesës dhe besimit tek Krishti për të gjetur shpëtim. Ky mëkat është i pafalshëm sepse ai e shkëput mëkatarin nga pendesa dhe nga besimi shpëtues përmes besimit në të vërtetën.

Berkhof me mençuri e përkufizon këtë mëkat në mënyrën e mëposhtme:

Ky mëkat përbëhet nga refuzime të vetëdijshme, dashakeqëse dhe shpifje me vetëdije, kundër provave dhe bindjes së brendshme, rreth dëshmisë së Frymës së Shenjtë në lidhje me hirin e Perëndisë në Krishtin, duke ia atribuuar i shtyrë nga urrejtja dhe armiqësia vetë Princit të Errësirës...., në kryerjen e atij mëkati, njeriu me vetëdije, dashakeqësi dhe qëllimisht, ia atribuon atë që është njohur qartësisht si vepër e Perëndisë, ndikimit dhe veprimit të Satanit.[96]30

Berkhofi shpjegon se vetë ky mëkat konsiston në “mos dyshimin e të vërtetës, as në një mohim të mëkatshëm të saj, por në një kontradiktim të saj që bie ndesh me bindjen e brendshme të mendjes, me ndriçimin e ndërgjegjes dhe madje edhe me vendimin e zemrës.”[97]31

Fakti që mëkati i pafalshëm përfshin një ngurtësim të tillë të skajshëm të zemrës si dhe mungesë të pendesës, tregon se ata të cilët kanë frikë se e kanë kryer atë, gjithsesi janë të pikëlluar në zemrën e tyre, si dhe dëshirojnë të kërkojnë Perëndinë, padyshim që nuk bien në kategorinë e atyre të cilët janë fajtorë për të. Berkhofi thotë se “ne mund të jemi të sigurt në mënyrë të arsyeshme që ata të cilët kanë frikë se e kanë kryer atë, dhe janë të shqetësuar për këtë, dhe dëshirojnë që të tjerët të luten për ta, nuk e kanë kryer atë.”[98]32

Ky kuptim i mëkatit të pafalshëm, përshtatet gjithashtu mirë me “Hebrenjve” 6:4–6. Atje, ata të cilët “kryejnë felëshim” kanë patur tërë njohuritë dhe bindjen e brendshme për të vërtetën: ata janë “ndriçuar” dhe kanë “shijuan dhuntinë qiellore”; ata kanë marrë pjesë në një farë mënyre në veprën e Frymës së Shenjtë, dhe e “shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe fuqitë e jetës së ardhshme,” e megjithëkëtë ata qëllimisht janë larguar nga Krishti dhe “e turpërojnë” (Heb. 6:6). Edhe ata gjithashtu e kanë vënë veten përtej mënyrave të zakonshme të Perëndisë për t’i sjellë njerëzit në pendesë dhe besim. Duke e ditur dhe duke qenë të vetëdijshëm për të vërtetën, ata e refuzojnë me vetëdije atë.

“1 Gjonit” 5:16–17, sidoqoftë, duket se bie në një kategori tjetër. Ai pasazh nuk flet për një mëkat i cili nuk mund të falet kurrë, por më tepër për një mëkat i cili, nëse mëkatari nuk e ndërpret, do të çojë në vdekje. Ky mëkat duket se përfshin dhënien mësim të gabimeve të rënda doktrinare rreth Krishtit. Në kontekstin e kërkimit me besim në përputhje me vullnetin e Perëndisë (1 Gjonit 5:14–15) Gjoni, thjesht na thotë se ai nuk po na tregon se mund të lutemi me besim që Perëndia thjesht ta falë atë mëkat nëse personi vetë nuk pendohet, por ai padyshim nuk e ndalon lutjen që mësuesit heretikë të largoheshin nga herezia e tyre dhe të pendoheshin dhe për rrjedhojë, të gjenin falje. Shumë njerëz të cilët japin mësim gabime të rënda doktrinarë, nuk kanë shkuar gjithsesi aq larg sa të kryejnë mëkatin e pafalshëm dhe që të sjellin mbi vete pamundësinë e pendesës dhe besimit nga ngurtësimi i zemrës së tyre.

E. Ndëshkimi i mëkatit

Paçka se ndëshkimi i Perëndisë ndaj mëkatit, shërben me të vërtetë si një mjet përmbajtjeje kundër mëkatimit të mëtejshëm dhe si një paralajmërim për ata që i kushtojnë vëmendje, kjo nuk është arsyeja kryesore përse Perëndia e ndëshkon mëkatin. Arsyeja kryesore është që Drejtësia e Perëndisë e kërkon këtë dënim, në mënyrë që Ai të përlëvdohet në universin që ka krijuar. Ai është Zoti i Cili praktikon “mirësinë, gjykimin dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra», thotë Zoti” (Jer. 9:24).

Pali flet për Krishtin Jezus “të cilin e paraqiti Perëndia si pajtimore nëpërmjet besimit në gjakun e tij” (Rom. 3:25, përkthimi i autorit). Pali më pas shpjegon arsyen përse Perëndia e paraqiti Jezusin si “pajtimore” (d.m.th. si një flijim që mban mbi vete zemërimin e Perëndisë kundër mëkatit, dhe për rrjedhojë, e kthen zemërimin e Perëndisë në favor prej Tij): “për të treguar kështu drejtësinë e tij për faljen e mëkateve, që janë kryer më parë gjatë kohës së durimit të Perëndisë” (Rom. 3:25). Pali e kupton se nëse Krishti nuk do të kishte ardhur për të paguar ndëshkimin për mëkatet, Perëndia nuk mund të tregohej i drejtë. Për shkak se Ai kishte kaluar mëkatet dhe nuk i kishte ndëshkuar ato në të kaluarën, njerëzit me të drejtë mund ta akuzonin Perëndinë për padrejtësi, duke supozuar se një Perëndi i Cili nuk i ndëshkon mëkatet, nuk është një Perëndi i drejtë. Për rrjedhojë, kur Perëndia dërgoi Krishtin që të vdiste dhe të paguante ndëshkimin për mëkatet tona, Ai tregoi se si mund të ishte ende i drejtë: Ai kishte ruajtur ndëshkimin për shkak të mëkateve të mëparshme (ato të shenjtorëve të Besëlidhjes së Vjetër) dhe pastaj, në drejtësi të përsosur, ndëshkimin e merituar për to, Ai e vuri mbi Jezusin në kryq. Pajtimorja e Kalvarit për rrjedhojë, demonstron qartësisht faktin që Perëndia është përsosmërisht i drejtë: “për të treguar drejtësinë e tij në kohën e tanishme, me qëllim që ai të jetë i drejtë dhe drejtësues i atij që beson në Jezusin” (Rom. 3:26).

Për rrjedhojë, tek kryqi ne kemi një demonstrim të qartë të arsyes përse Perëndia ndëshkon mëkatin: nëse Ai nuk e ndëshkon mëkatin, Ai nuk do të ishte një Perëndi i drejtë, dhe nuk do të kishte drejtësi përfundimtare në univers, por kur mëkati ndëshkohet, Perëndia po e tregon se është një gjykatës i drejtë mbi të gjithë, dhe se drejtësia vihet në vend në universin e Tij.

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

1.     A e ka rritur leximi i këtij kapitulli vetëdijësimin tuaj për mëkatin që ende ka mbetur në jetën tuaj? A jeni në gjendje që të përmendni ndonjë mënyrë specifike në të cilat kjo është e vërtetë? A rriti ky kapitull në ju ndonjë ndjenjë urrejtjeje ndaj mëkatit? Përse nuk ndjen më shpesh një ndjenjë më të thellë urrejtjeje ndaj mëkatit? Cili mendoni se do të jetë efekti i përgjithshëm i këtij kapitulli në marrëdhënien tënde personale me Perëndinë?

2.     A do të ishte më ngushëlluese për ty po të mendoje se mëkati erdhi në botë për shkak se Perëndia e caktoi që ai do të vinte përmes faktorëve dytësorë, apo sepse ai nuk mund ta parandalonte atë, paçka se kjo qe kundër vullnetit të Tij? Si do të ndjeheshe për universin dhe vendin që ti zë në të, po qe se do të mendoje se e keqja ka ekzistuar gjithnjë dhe se në univers ekziston një “dualizëm” themeltar?

3.     A mund të tregosh disa paralelizma mes tundimit me të cilin Eva përballej si dhe tundimeve me të cilat përballesh ti edhe tani në jetën tënde të krishterë?

4.     A ndjen ndonjë ndjenjë padrejtësie që je llogaritur fajtor për shkak të mëkatit të Adamit (nëse je dakord që “Rom.” 5:12–21 na e mëson këtë)? Si mund të merresh me këtë ndjesi padrejtësie për të mos e lënë që të kthehet në një pengesë në marrëdhënien tënde me Perëndinë? Në një nivel bindjeje të thellë, a mendon me të vërtetë se që përpara se të bëheshe i krishterë ke qenë tërësisht i paaftë për të bërë ndonjë të mirë shpirtërore përpara Perëndisë? Po kështu, a jeni thellësisht i bindur që kjo gjë vlen për të tërë jobesimtarët, apo mendon se kjo është thjesht një doktrinë e cila mundet por edhe mund të mos jetë e vërtetë, apo të paktën, është një e cila për ju nuk është thellësisht bindëse kur shikon jetën e jobesimtarëve të cilët ti njeh?

5.     Çfarë lloj lirie zgjedhjeje kanë faktikisht jobesimtarët të cilët ti njeh? Përveç punës së Frymës së Shenjtë, a je i bindur që ata nuk do ta ndryshojnë kryeneçësinë e rrënjosur të tyre kundër Perëndisë?

6.     Si mundet që mësimi biblik i shkallëve peshës së mëkateve, e ndihmon jetën tënde të krishterë në këtë pikë? A keni përjetuar një ndjenjë të “pakënaqësisë atërore” të Perëndisë kur ke mëkatuar? Cili është reagimi juaj ndaj asaj ndjesie?

7.     A mendon se të krishterët e sotëm nuk e kanë më parasysh në një pjesë të madhe se sa i urryer është mëkati? A e kanë harruar edhe jobesimtarët këtë? A mendon se ne si të krishterë e kemi humbur nga sytë mbizotërimin tërësor të mëkatit tek jobesimtarët, rreth të vërtetës që problemi më i madh i racës njerëzore, si dhe i tërë shoqërive dhe qytetërimeve, nuk është mungesa e arsimimit apo mungesa e komunikimit apo mungesa e mirëqenies materiale, por mëkati kundër Perëndisë?

TERMA TË VEÇANTË

mosha e llogaridhënies

dualizmi

vesh

zvetënimi i trashëguar

faji i trashëguar

mëkati i trashëguar

mëkat vdekjeprurës

faji fillestar

ndotja fillestare

mëkati fillestar

Pelagiusi

pajtimore

mëkati

privimi tërësor

paaftësia totale

mëkati i pafalshëm

mëkati i falshëm

BIBLIOGRAFIA

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton, 136–177

1930 Thomas, 155–175, 210–214, 234–235, 501–506

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1847 Finney, 180–214, 228–258

1875–1876 Pope, 2:1–86

1892–1894 Miley, 1:423–533; 2:505–524

1940 Wiley, 2:51–140

1960 Purkiser, 223–242

1983 Carter, 1:27–86

3. Baptiste

1767 Gill, 1:451–490

1887 Boyce, 230–247

1907 Strong, 533–664

1917 Mullins, 281–302

1976–1983 Henry, 6:229–250, 269–304

1983–1985 Erickson, 561–658

1987–1994 Lewis/Demarest, 2:183–245

4. Dispensacionale

1947 Chafer, 2:200–373

1949 Thiessen, 188–198

1986 Ryrie, 201–234

5. Luterane

1917–1924 Pieper, 1:527–577

1934 Mueller, 210–241

6. E reformuar (apo Presbiteriane)

1559 Calvin, 1:239–309 (2.1–3)

1724–1758 Edwards, 1:143–233

1861 Heppe, 301–370

1871–1873 Hodge, 2:122–279

1878 Dabney, 36–51

1887–1921 Warfield, BTS 262–269

1889 Shedd, 2a:115–257

1937–1966 Murray, CW 2:67–89; IAS 5–95

1938 Berkhof, 219–261

1962 Buswell, 1:255–307

7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentekostale)

1988–1992 Williams, 1:221–274

Seksione në teologjitë sistematike ungjillore

1. Katolike Romake: Tradicionale

1955 Ott, 106–114

2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II

1980 McBrien, 1:123, 162–168; 2:953–960

Vepra të Tjera

Berkouwer, G.C. Mëkati (Sin) Përkth. nga Philip C. Holtrop. Grand Rapids: Eerdmans, 1971.

Bloesch, D.G. “Mëkati (Sin)” Tek FUT (EDT) fq. 1012–1016.

Carson, D.A. Edhe sa Kohë o Zot? Reflektime mbi Vuajtjen dhe të Keqen (How Long, O Lord? Reflections on Suffering and Evil). Grand Rapids: Baker, 1990.

Colwell, J.E. “Antropologjia (Anthropology).” Tek FRT (NDT) fq. 28–30.

_______. “Rënia (Fall)” Tek FRT (NDT) fq. 249–251.

_______. “Mëkati.” Tek FRT (NDT) fq. 641–643.

Demarest, B.A. “Rënia e Njeriut (Fall of Man).” Tek FUT (EDT) fq. 403–405.

Feinberg, J.S. Anët e Shumta të së Keqes: Sistemet Teologjike dhe Problemi i të Keqes (The Many Faces of Evil: Theological Systems and the Problem of Evil). Grand Rapids: Zondervan, 1994.

_______. Teologjitë dhe e Keqja (Theologies and Evil). Washington, D.C.: University Press of America, 1979.

Geisler, Norman. Rrënjët e të Keqes (The Roots of Evil). Grand Rapids: Zondervan, 1978.

Hoekema, Anthony A. I Krijuar në Shëmbëlltyrën e Perëndisë (Created in God’s Image). Grand Rapids: Eerdmans, dhe Exeter: Paternoster, 1986, fq. 112–186.

Hughes, Philip Edgcumbe. Shëmbëllimi i Vërtetë: Origjina dhe Destinacioni i Njeriut në Krishtin (The True Image: The Origin and Destiny of Man in Christ.) Grand Rapids: Eerdmans, and Leicester: Inter-Varsity Press, 1989, fq. 71–210.

Johnson, R.K. “Veshja e Fajit/Drejtësimit (Imputation).” Tek FUT (EDT) fq. 554–555.

Lewis, C.S. Problemi i Dhimbjes (The Problem of Pain). New York: Macmillan, 1962.

Murray, John. Veshja ndaj Nesh e Mëkatit të Adamit (The Imputation of Adam’s Sin). Grand Rapids: Eerdmans, 1959.

Peterson, Michael L. E Keqja dhe Perëndia i Krishterë (Evil and the Christian God). Grand Rapids: Baker, 1982.

Pink, Arthur Walkington. Qëmtimi në Shkrimet: Privimi Total i Njeriut (Gleanings From the Scriptures: Man’s Total Depravity). Chicago: Moody, 1970.

Plantinga, Alvin. Perëndia, Liria dhe e Keqja (God, Freedom and Evil). New York: Harper and Row, 1974.

Ramm, Bernard. Sulm ndaj Arsyes: Teologjia e Mëkatit (Offense to Reason: The Theology of Sin). San Francisco: Harper and Row, 1985.

Ryrie, C.C. “Privimi, Total (Depravity, Total).” Tek FUT (EDT) fq. 312–313.

Thomas, R.L. “Mëkati, Bindja për (Sin, Conviction of).” Tek FUT (EDT) f. 1016.

Wenham, J.W. Enigma e të Keqes (The Enigma of Evil). Botuar më përpara nën titullin Mirësia e Perëndisë (The Goodness of God). Grand Rapids: Zondervan, 1985.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Psalmi” 51:1–4:

Ki mëshirë për mua, o Perëndi, sipas mirësisë sate;

për dhembshurinë e madhe që ke, fshiji të ligat që kam bërë.

Më pastro tërësisht nga paudhësia ime,

dhe më pastro nga mëkati im!

Sepse i pranoj të ligat që kam bërë,

dhe mëkati im më rri gjithnjë përpara.

Kam mëkatuar kundër teje, vetëm kundër teje,

dhe kam bërë atë që është e keqe në sytë e tu,

me qëllim që ti të njihesh i drejtë kur flet

dhe i ndershëm kur gjykon.

HIMN

“PERËNDI, JI I MËSHIRSHËM NDAJ MEJE (GOD, BE MERCIFUL TO ME)”

Ky është një shembull i shkëlqyer i fjalëve të një psalmi të orkestruar. Psalmi ishte fillimisht rrëfimi me gjithë zemër i mëkatit të madh të Mbretit David përpara Perëndisë, por edhe sot ai mbetet një mënyrë e shkëlqyer e rrëfimit të cilin edhe ne vetë mund t’ia drejtojmë Perëndisë.

Perëndi, ndaj meje trego mëshirshë;

kërkesën time e lë në hirin Tënd të mirë;

i bollshëm në dhembshuri je,

tani fshije shkeljen time;

Më laj e më bëj të pastër përbrenda meje,

Më pastro, më pastro nga mëkati im ndaj Teje.

Shkeljen time unë e pohoj,

Pikëllimi dhe faji shpirtin do t’ma shpoj’;

Kundër hirit Tënd unë kam mëkatuar

dhe sy ndër sy; të kam provokuar

Që gjykimi Yt është i drejtë, këtë unë e pohoj

i pafjalë, mëshirën Tënde besoj.

Unë jam i keq, në mëkat i lindur;

ti dëshiron të vërtetën përbrenda ngjizur.

Shpëtimtari im, i vetmi, Ti je,

Me mençurinë Tënde zemrën time mësoje;

Më bëj të pastër, hirin Tënd tek unë derdhe,

më laj e më bëj më të bardhë se bora e reve.

I thyer, deri në tokë i përulur

nga zemërimi dhe gjykimi Yt i drejtë, jam zhytur

Le që zemra ime e thyer të gëzohet

kurdo që zërin Tënd dëgjon, ajo peshë çohet;

Mëkatet e mia, nga fytyra Jote fshihi,

në hirin e Tënd të pakufi, në harresë degdisi.

Perëndi i Hirshëm, përtërije zemrën time,

shpirtin tim të drejtë e të vërtetë bëje;

larg Teje mos më dëbo,

Frymën e Shenjtë eja tek unë bano;

Gëzimin e shpëtimit Tënd tejço,

një zemrën të gatshme për ty tek unë krijo.

Mëkatarët do të mësojnë pastaj prej meje

dhe do të kthehen, o Perëndi drejt Teje;

Shpëtimtar, tërë fajin tim bëj të mos më rëndojë,

dhe gjuha ime dashurisë Tënde do t’i këndojë;

O Zot preki buzët e mia të heshtura,

dhe, lavde do të lartojë goja ime përhera.

Nga Libri i Psalmeve 1912, nga “Psalmi” 51:1–15

Vijë melodike alternative: “Shkëmbi i Lashtë (Rock of Ages)”

Pen
>