Kapitulli 10: Njohshmëria e Perëndisë
Lesson 12 Chapter 2 Module 4
Njohëshmëria e Perëndisë
A mundet ta njohim me të vërtetë Perëndinë? Sa shumë prej Perëndisë mund të njohim?
SHPJEGIMI DHE BAZA NGA SHKRIMET
A. Domosdoshmëria që Perëndia të na e zbulojë Veten
Nëse do mund që ta njohim ndopak Perëndisë, për këtë do duhej që Ai të na e zbulonte Veten. Edhe kur diskuton zbulesën e Perëndisë e cila vjen përmes natyrës, Pali thotë se ajo që mund të njihet rreth Perëndisë, është e qartë për njerëzit “sepse Perëndia ua ka shfaqur atyre” (Rom. 1:19). Krijimi natyror e zbulon Perëndinë për shkak se Ai zgjodhi që të zbulohej në këtë mënyrë.
Në lidhje me njohurinë personale të Perëndisë e cila vjen me shpëtimin, kjo ide është edhe më shumë e shkoqitur. Jezusi thotë: “Asnjëri nuk e njeh Birin, përveç Atit; dhe asnjëri nuk e njeh Atin, përveç Birit dhe atij të cilit Biri don t’ia zbulojë” (Mat. 11:27). Kjo lloj njohurie e Perëndisë nuk gjendet përmes përpjekjeve apo mençurisë njerëzore: “Nëpërmjet urtësisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtësinë e vet” (1 Kor. 1:21; kr. 1 Kor. 2:14; 2 Kor. 4:3–4; Gjoni 1:18).
Domosdoshmëria që Perëndia të na e zbulojë Veten edhe neve, shikohet gjithashtu në faktin që njerëzit e mëkatshëm e keqinterpretojnë zbulesën rreth Perëndisë, zbulesë e gjendur tek natyra. Ata të cilët “mbysin të vërtetën në padrejtësi” janë ata të cilët “u bënë të pamend në arsyetimet e tyre dhe zemra e tyre pa gjykim, u errësua... ata e shndërruan të vërtetën e Perëndisë në gënjeshtër” (Rom. 1:18, 21, 25). Për rrjedhojë, nëse ne duhet ta interpretojmë siç duhet zbulesën natyrore, për këtë do të na duhet Shkrimi. Qindra fetë e rreme të botës, janë prova të mënyrës se si njerëz mëkatarë që nuk kanë udhëzim nga Shkrimi, do të keqkuptojnë dhe shtrembërojnë gjithnjë zbulesën rreth Perëndisë të cilën ne gjejmë tek natyra. Por, vetëm Bibla na tregon se si ta kuptojmë dëshminë e Perëndisë nga natyra. Për rrjedhojë ne varemi nga komunikimi aktiv i Perëndisë ndaj nesh në Shkrimin për njohurinë tonë të vërtetë rreth Perëndisë.
B. Ne nuk do mund ta kuptojmë kurrë plotësisht Perëndinë
Për shkak se Perëndia është i pafundmë ndërsa ne të fundmë apo të kufizuar, ne nuk mundemi kurrë ta kuptojmë plotësisht Perëndinë. Në këtë kuptim, Perëndia thuhet të jetë i pakuptueshëm ku termi pakuptueshëm përdoret në një kuptim më të vjetër e më pak të zakonshëm, “i pamundur për të qenë tërësisht i kuptuar.” Kjo ndjesi duhet dalluar qartë nga kuptimi më i zakonshëm i atij termi, që është: “jo në gjendje për t’u kuptuar.” Nuk është e vërtetë po qe se thua se Perëndia nuk është i mundshëm për t’u kuptuar, por është e vërtetë të thuash që Ai nuk mund të kuptohet tërësisht apo deri në fund.
“Psalmi” 145 thotë: “ Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë dhe madhështia e tij është e panjohshme” (Ps. 145:3). Madhështia e Perëndisë shkon përtej zbulueshmërisë tonë: është aq e madhe saqë plotësisht nuk do mund të njihet asnjëherë. Në lidhje me kuptueshmërinë e Perëndisë, “Psalmi” 147 thotë: “I madh është Zoti ynë, e pamasë është fuqia e tij dhe e pafund zgjuarësia e tij” (Ps. 147:5). Ne nuk do të jemi kurrë në gjendje që të njohim plotësisht zgjuarsinë e Perëndisë. Ajo është aq e madhe saqë ne nuk mund ta barazojmë apo ta kuptojmë. Po kështu, kur mendonte për njohurinë e Perëndisë në të tëra rrugët e Tij, Davidi thotë: “Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa nuk mund ta arrij” (Ps. 139:6; kr. v. 17).
Pali nënkupton pikërisht këtë pakuptueshmëri të Perëndisë kur thotë se “Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë,” dhe pastaj vazhdon duke thënë se “asnjeri s'i njeh gjërat[3] e Perëndisë, përveç Frymës së Perëndisë” (1 Kor. 2:10–12). Në fund të një diskutimi të gjatë rreth historisë së planit të madh të Perëndisë për shpengimin, Pali shpërthen në lavdërim: “O thellësi pasurie edhe e urtësisë dhe e diturisë së Perëndisë! Sa të pahulumtueshme janë gjykimet e tij dhe të pagjurmueshme janë udhët e tij!” (Rom. 11:33).
Këto vargje na lejojnë ta shpiem kuptueshmërinë tonë rreth pakuptueshmërisë së Perëndisë edhe një hap më përpara. Jo vetëm që është e vërtetë që ne nuk mund ta kuptojmë kurrë plotësisht Perëndinë; por është gjithashtu e vërtetë që ne kurrë nuk mund të kuptojmë asgjë plotësisht rreth Perëndisë. Madhështinë e Tij (Ps. 145:3), kuptueshmërinë e Tij (Ps. 147:5), njohurinë e Tij (Ps. 139:6), pasuritë, mençurinë, gjykimet dhe rrugët e tij (Rom. 11:33) janë të tëra përtej aftësisë tonë për ta kuptuar plotësisht. Edhe vargjet e tjera e mbështesin këtë ide: Ashtu si qiejt janë më të lartë se toka, kështu edhe rrugët e mia janë më të larta se rrugët tuaja dhe mendimet e mia janë më të larta se mendimet tuaja (Isa. 55:9). Jobi thotë se veprat e mëdha të Perëndisë në krijimin dhe mbajtjen e tokës “Ja, këto janë vetëm thekët e veprave të tij,” dhe thërret: “Ç'mërmërimë të lehtë të tij arrijmë të dëgjojmë! Por vallë kush do të arrijë të kuptojë gjëmimin e fuqisë së tij?” (Jobi 26:14; kr. 11:7–9; 37:5).
Kësisoj, ne mund të dimë diçka rreth dashurisë, fuqisë, mençurisë e të tjera si këto të Perëndisë, por nuk mund ta njohim dot kurrë tërësisht apo krejtësisht dashurinë e Tij. Ne nuk mund ta njohim kurrë krejtësisht fuqinë e Tij. Ne nuk mund ta njohim kurrë krejtësisht mençurinë e Tij, e po kështu edhe të tjerat me radhë. Me qëllim që të dimë diçka rreth Perëndisë në mënyrë të plotë, do të na duhej ta dinim atë ashtu sikurse Ai Vetë e di. D.m.th. do të na duhej ta njihnim në lidhje me gjithçka tjetër rreth Perëndisë si dhe në marrëdhënien e saj me gjithçka tjetër që ka të bëjë me krijimin përgjatë gjithë përjetësisë! Ne vetëm sa mund të thërrasim me Davidin: “Njohja jote është shumë e mrekullueshme për mua, aq e lartë sa nuk mund ta arrij” (Ps. 139:6).
Kjo doktrinë e pakuptueshmërisë së Perëndisë, ka shumë zbatime pozitive në jetën tonë. Kjo do të thotë se nuk do të jemi kurrë në gjendje që të dimë “tepër shumë” rreth Perëndisë, sepse nuk do të na mbarojnë kurrë gjërat që mund të mësojmë rreth Tij dhe kësisoj nuk do të lodhemi kurrë së kënaquri në zbulimin gjithnjë e më shumë prej shkëlqyeshmërisë së Tij si dhe madhështisë së veprave të Tij.
Edhe në epokën në vazhdim, kur të çlirohemi nga prania e mëkatit, ne nuk do të jemi kurrë në gjendje që të kuptojmë tërësisht Perëndinë apo ndonjë gjë rreth Tij. Kjo shikohet nga fakti që pasazhet e cituara më sipër, e atribuojnë pakuptueshmërinë e Perëndisë, jo ndaj mëkatshmërisë tonë, por ndaj madhështisë së Tij të pafundme. Është për shkak se ne jemi të fundmë dhe Perëndia i pafundmë që ne nuk do të jemi kurrë në gjendje për ta kuptuar atë plotësisht.[4]2 Për të tërë përjetësinë, ne do të jemi në gjendje që të vazhdojmë të rritemi në njohurinë tonë të Perëndisë dhe ta kënaqim veten gjithnjë e më shumë tek Ai, duke thënë me Davidin ndërkohë që mësojmë gjithnjë e më shumë rreth mendimeve të Perëndisë Vetë: “Oh, sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi! Sa i madh është gjithë numri i tyre! Po të doja t'i numëroja, do të ishin më të shumtë se rëra” (Ps. 139:17–18).
Por nëse kjo vlen të thuhet kaq shumë për të ardhmen e përjetësisë, atëherë padyshim që duhet të vlejë edhe për këtë jetë. Faktikisht, Pali na thotë se nëse duam të jetojmë një jetë “të denjë për Zotin, që t`i pëlqeni në çdo gjë,” ajo duhet të jetë një në të cilën ne jemi vazhdimisht duke u “duke u rritur në njohjen e Perëndisë” (Kol. 1:10). Ne duhet të jemi duke e shtuar njohurinë tonë rreth Perëndisë përgjatë gjithë jetës tonë.
Nëse ndonjëherë do të donim ta bënim veten të barabartë me Perëndinë në njohuri, apo nëse do të donim të derivonim kënaqësi nga mëkati i krenarisë intelektuale, fakti që ne nuk do të reshtim së shtuari njohurinë tonë të Perëndisë, do të ishte diçka dekurajuese për ne. Ne mund të pezmatohemi që Perëndia është një subjekt studimi të cilin ne nuk do ta zotërojmë kurrë plotësisht! Por nëse gjejmë kënaqësi në faktin që vetëm Perëndia është Perëndi, që Ai është pafundësisht më i madh se ç’jemi ne, që ne jemi krijesat e Tij që i detyrohemi Atij adhurim dhe admirim, atëherë, kjo do të jetë një ide shumë inkurajuese. Paçka se ne kalojmë kohë në studimin e Biblës dhe në bashkësi me Perëndinë për çdo ditë të jetës tonë, gjithnjë do të ketë më shumë gjëra për të mësuar rreth Perëndisë si dhe raportet e Tij me ne dhe botën, dhe kështu gjithnjë do të ketë më shumë gjëra për të cilat të jemi mirënjohës dhe për të cilat ne mund ta lëvdojmë Atë. Kur e kuptojmë këtë, perspektiva e një zakoni jetëgjatë të studimit rregullisht të Biblës, si dhe perspektiva e një jete të tërë studimi të teologjisë (nëse është teologji që është e rrënjosur në mënyrë të palëkundshme tek Fjala e Perëndisë), kjo duhet të jetë një perspektivë shumë entuziazmues për ne. Të studiojmë dhe të japim mësim Fjalën e Perëndisë në mënyrë si formale ashtu edhe joformale, do të ishte gjithnjë një privilegj dhe gëzim i madh.
C. Megjithëkëtë, ne mund ta njohim me të vërtetë Perëndinë
Edhe pse ne nuk mund ta njohim tërësisht Perëndinë, ne mund të dimë gjëra të vërteta rreth Tij. Në fakt, gjithçka që Shkrimi na tregon rreth Perëndisë, është e vërtetë. Është e vërtetë të thuash që Perëndia është dashuri (1 Gjonit” 4:8), që Perëndia është dritë (1 Gjonit 1:5), që Perëndia është frymë (Gjoni 4:24), që Perëndia është i drejtë apo që vepron me drejtësi (Rom. 3:26), e kështu me radhë. Të thuash këtë nuk nënkupton e as kërkon që ne të dimë gjithçka rreth Perëndisë apo rreth dashurisë ose drejtësisë së Tij, apo ndonjë atributi tjetër të Tij. Kur them se kam tre djem, kjo deklaratë është tërësisht e vërtetë, paçka se unë nuk di gjithçka rreth djemve të mi, as rreth vetes time. Kështu është edhe për njohurinë tonë rreth Perëndisë: ne kemi një njohuri të vërtetë rreth Perëndisë nga Shkrimi, paçka se nuk kemi njohuri të plotë. Nga Shkrimi, ne mund të dimë disa prej mendimeve të Perëndisë, madje shumë prej tyre, dhe kur i njohim ato, ashtu si Davidi, shikojmë se ato janë të “çmuara” (Ps. 139:17).
Edhe më domethënës akoma, është fakti që kështu njohim Perëndinë Vetë, jo faktet e thjeshta rreth Tij apo veprimet që Ai bën. Ne bëjmë një dallim mes njohjes së fakteve dhe njohjes së personave në gjuhën e zakonshme që përdorim. Do të ishte e vërtetë nga ana ime po të thoja se unë di shumë fakte rreth presidentit të Shteteve të Bashkuara, por nuk do të ishte e vërtetë të thoja se e njoh atë personalisht. Po të thoja se e njoh atë, kjo thjesht do të nënkuptonte se e kam takuar dhe kam folur me të, dhe se të paktën deri në një farë shkalle, kam zhvilluar një marrëdhënie personale me të.
Tani, disa njerëz thonë se ne nuk mund ta njohim Perëndinë Vetë, por se mund të dimë vetëm fakte rreth Tij apo të dimë atë që Ai bën. Të tjerë kanë thënë se ne nuk mund ta njohim Perëndisë ashtu sikurse Ai është në Vetvete, por ne mund ta njohim Atë për nga mënyra se si Ai hyn në marrëdhënie me ne (dhe me këtë nënkuptohet që këto të dyja janë disi të ndryshme). Por Shkrimi nuk flet në këtë mënyrë. Ka një sërë pasazhesh që flasin për njohjen prej nesh të Perëndisë Vetë. Tek “Jeremia” ne lexojmë fjalët e Perëndisë:
I urti të mos lavdërohet me urtësinë e tij, njeriu i fortë të mos lavdërohet me forcën e tij, i pasuri të mos lavdërohet me pasurinë e tij. Por kush lavdërohet, të lavdërohet me këtë: të ketë gjykim dhe të më njohë mua që jam Zoti, që ushtroj mirësinë, gjykimin dhe drejtësinë mbi tokë; sepse kënaqem me këto gjëra», thotë Zoti. (Jer. 9:23–24)
Këtu, Perëndia thotë se burimi i gëzimit tonë dhe ndjenjës së rëndësisë, nuk duhet të vijë nga aftësitë apo zotërimet tona, por nga fakti që ne e njohim Atë. Në mënyrë të ngjashme, në lutjet ndaj Atit të Tij, Jezusi mund të thoshte: “Dhe kjo është jeta e përjetshme, të të njohin ty, të vetmin Perëndi të vërtetë, dhe Jezu Krishtin që ti ke dërguar” (Gjoni 17:3). Premtimi i besëlidhjes së re, është që të gjithë do ta njohin Perëndinë, “nga më i vogli e deri te më i madhi prej tyre” (Heb. 8:11), dhe letra e parë e Gjonit na tregon që Biri i Perëndisë ka ardhur dhe na ka dhënë një mendje të kthjellët që “ që të njohim të Vërtetin” (1 Gjonit 5:20; shiko gjithashtu Gal. 4:9; Fil. 3:10; 1 Gjonit 2:3; 4:8). Gjoni mund të thotë: “Fëmijë, po ju shkruaj sepse e keni njohur Atin ” (1 Gjonit 2:13).
Fakti që ne njohim Perëndinë Vetë, demonstrohet edhe më tej nga kuptimi që pasuria e jetës së krishterë, përfshin një marrëdhënie personale me Perëndinë. Siç nënkuptojnë këto pasazhe, ne kemi një privilegj shumë më të madh sesa thjesht njohurinë e fakteve rreth Perëndisë. Ne i flasim Perëndisë në lutje, dhe Ai na flet përmes Fjalës së Tij. Ne kemi përbashkësi me Të në praninë e Tij, ne këndojmë lavdet e Tij, dhe jemi të vetëdijshëm që Ai personalisht banon ndër ne dhe përbrenda nesh, për të na bekuar (Gjoni 14:23). Me të vërtetë që kjo marrëdhënie personale me Perëndinë Atë, me Perëndinë Bir dhe me Perëndinë Frymë e Shenjtë, mund të thuhet se është bekimi më i madh i jetës së krishterë.
PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL
1. Nganjëherë njerëzit thonë se parajsa duket si diçka e mërzitshme. Si ndihmon në përgjigjen ndaj këtij kundërshtimi fakti që Perëndia është i pakuptueshëm e megjithatë i njohshëm?
2. Si mund të jemi të sigurt që kur të arrijmë në qiell, Perëndia nuk do të na thotë që pjesa më e madhe e asaj që ne patëm mësuar rreth Tij, qe e gabuar, dhe se do të na duhej të harronim atë që kishim mësuar, e të fillojmë të mësojmë të tjera gjëra rreth Tij?
3. A dëshiron të vazhdosh ta njohësh Perëndinë gjithnjë e më thellë përgjatë gjithë përjetësisë? Përse po ose përse jo? A do të doje që të ishe gati ndonjëherë për të njohur Perëndinë tërësisht? Përse po apo përse jo?
4. Përse mendon se Perëndia vendosi të na e zbulojë Veten? A mëson më shumë rreth Perëndisë nga zbulesa e Tij në natyrë apo nga zbulesa e Tij në Shkrim? Përse mendon se mendimet e Perëndisë janë “të çmuara” ndaj nesh (Ps. 139:17)? A do ta quaje marrëdhënien e tanishme që ke me Perëndinë një marrëdhënie personale? Ku ngjason ajo me marrëdhëniet që ke me të tjerët, si dhe ku ndryshon? Çfarë do ta përmirësonte marrëdhënien tënde me Perëndinë?
TERMA TË VEÇANTË
i pakuptueshëm
i njohshëm
BIBLIOGRAFI
(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)
Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore
1. Anglikane (Episkopaliane)
1882–1892 Litton (pa trajtim të posaçëm)
2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)
1875–1876 Pope, 1:242–248
1892–1894 Miley, 1:137–158
1983- Cottrell, 1:1–47, 306–387
1987–1990 Oden, 1:317–374
3. Baptiste
1767 Gill, 2:352–364
1887 Boyce, 8–54
1917 Mullins, 35–48
1976–1983 Henry, 2:17–167, 247–334; 5:375–409
1983–1985 Erickson, 137–140, 177–181, 268–271
4. Dispensacionale
1947 Chafer, 1:179–186
1986 Ryrie, 25–34
5. Luteriane
1917–24 Pieper, 1:375–381
6. E Reformuar (apo Presbiteriane)
1559 Calvin, 1:33–43 (1.1–2)
1871–1873 Hodge, 1:191–202, 335–365
1909 Bavinck, DG 13–110
1938 Berkhof, 29–40
1962 Buswell, 1:29–30
7. Ripërtëritja (apo karizmatike/Pentekostoale)
1988–1992 Williams, 1:29–46
Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak
1. Katolike Romake: Tradicionale
1955 Ott, 17–24
2. Katolike Romake: Pas Vatikanit II
1980 McBrien (pa trajtim të posaçëm)
Vepra të tjera
Bray, Gerald L. Doktrina e Perëndisë (The Doctrine of God). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1993.
Charnock, Stephen. Njohuria e Perëndisë. Veprat e Plota të Stephen Charnock (The Knowledge of God. The Complete Works of Stephen Charnock). Vol. 4. Edinburgh: James Nichol, 1865. Bot. i rishtypur: Edinburgh: Banner of Truth, 1985, veç. fq. 3–164.
Frame, John M. Doktrina e Njohurisë rreth Perëndisë (The Doctrine of the Knowledge of God). Phillipsburg, N.J.: Presbyterian and Reformed, 1987.
France, R.T. Perëndia i Gjallë (The Living God). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1970.
Packer, J.I. “Perëndia (God).” Tek FRT (NDT) fq. 274–277.
_______. Të Njohim Perëndinë (Knowing God). London: Inter-Varsity Press, 1973, fq. 13–37.
Piper, John. Të Dëshirojmë Perëndinë (Desiring God). Portland, Ore.: Multnomah, 1986.
Tozer, A.W. Njohuria e të Shenjtit (The Knowledge of the Holy). New York: Harper and Row, 1961.
Van Til, Cornelius. Në Mbrojtje të Besimit (In Defense of the Faith) vol. 5: Një Hyrje tek Teologjia Sistematike (An Introduction to Systematic Theology). pa dt. botimi: Presbyterian and Reformed, 1976, fq. 159–199.
PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH
(Vargu 3 i këtij pasazhi, na tregon që Perëndia nuk mund të njihet kurrë plotësisht, por fakti që Davidi po e lavdëron Perëndinë dhe që po i flet Atij, tregon gjithashtu se ai di gjëra të vërteta rreth Perëndisë dhe se ka një marrëdhënie personale me Të.)
“Psalmi” 145:1–3:
Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im,
dhe do të bekoj emrin tënd përjetë.
Do të të bekoj çdo ditë
dhe do të lëvdoj emrin tënd përjetë.
Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë
dhe madhështia e tij është e panjohshme
HIMN
“TY DO TË LAVDËROJ O PERËNDIA DHE MBRETI IM (I WILL THEE PRAISE, MY GOD, O KING)”
Përgjatë gjithë historisë së kishës, të krishterët kanë shijuar riformulimin e fjalëve të psalmeve për t’iu përshtatur metrit poetik, dhe pastaj instrumentalizimit të këtyre psalmeve për qëllime adhurimi personal apo në grup. Ky që vijon është një rregullim metrik i fjalëve të “Psalmit” 145, i vënë sipas melodisë së njohur të himnit: “Jezusi do të Mbretërojë në Botën Mbarë (Jesus Shall Reign Where’er the Sun). Strofa 2 flet për pakuptueshmërinë e Perëndisë (“Zoti është i madh, lëvdimet për Të nuk mjaftojnë; Madhështinë e Tij askush nuk mund ta qëmtojë”), dhe shumë strofa të tjera flasin për atribute të ndryshme të Perëndisë të cilat ne i njohim përmes Shkrimit. Duhet të na japë gëzim fakti që po këndojmë këtë këngë, duke ditur edhe që po këndojmë gjëra absolutisht të vërteta rreth Perëndisë, edhe që madhështia e Tij tejkalon shumë çfarëdo lavdërimi që do të jemi në gjendje t’i këndojmë Atij.
Unë do të të përlëvdoj, o Perëndia im dhe Mbreti im,
Gjithnjë emrin Tënd do të bekoj;
Do të lartësoj emrin Tënd çdo ditë
Dhe përgjithnjë lavdërime për Ty do të kumtoj.
Zoti është i madh, lëvdimet për Të nuk mjaftojnë;
Madhështinë e Tij askush nuk mund ta qëmtojë;
Një brez do t’i shpall veprat e Tua brezit tjetër
Dhe mrekullitë e Tua do t’i tregojë.
Tek shkëlqimi Yt i lavdishëm
Dhe tek veprat e Tua të mrekullueshme mendja do të më qëndrojë;
Njerëzit do të flasin për veprat e Tua të tmerrshme,
Dhe madhështinë Tënde unë do të tregoj.
Ata do të shpallin kujtimin
e mirësisë Sate të madhe,
dhe do të këndojnë me gëzim lavde
ndërkohë që tregojnë për drejtësinë Tënde
Zoti është i dhembshur;
Tek Ai rrjedh mëshirë e artë;
Ai është i madh në mirësi,
Ndërsa në zemërim është i ngadaltë.
Tërë veprat e Tij do ta kremtojnë;
Zoti është i mirë me të gjithë që gjallojnë.
Tërë veprat e tua do të të kremtojnë o Zot,
Dhe shenjtorët e Tu do të të bekojnë.
Marrë nga: Libri i Psalmeve me Muzikë (The Book of Psalms With Music) (Pittsburgh: Reformed Presbyterian Church of North America, 1973), Psalmi 145 (fq. 350–351)
Himn alternativ: “Oh Adhuroni Mbretin (O Worship the King)” (shikojeni këtë himn në fund të kapitullit 12)