General
Text

Kapitulli 6: Katër karakteristikat e Shkrimit: (2) Qartësia

Lesson 8 Chapter 5 Module 3

Qartësia

A janë vetëm studiuesit e Biblës ata të cilët e kuptojnë siç duhet Biblën?

SHPJEGIME DHE BAZA NGA SHKRIMET

Kushdo që ka filluar ta lexojë seriozisht Biblën, do të kuptojë që disa pjesë të saj mund të kuptohen shumë lehtë ndërkohë që disa pjesë të tjera duken të mistershme. Faktikisht, që shumë herët në historinë e kishës, Pjetri i kujtoi lexuesit e Tij që disa pjesë të letrave të Palit, ishin të vështira për t’u kuptuar: “Sikurse ju ka shkruar edhe vëllai ynë i dashur Pal, sipas urtësisë që iu dha atij; si dhe në të gjitha letrat e tij, ku flet për këto gjëra në të cilat disa gjëra janë të vështira për t'u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë, sikurse bëjnë me Shkrimet e tjera, për vetë humbjen e tyre.” (2 Pjetrit 3:15–16). Për rrjedhojë, ne duhet të pranojmë që jo të tëra pjesët e Shkrimit mund të kuptohen lehtë.

Por, do të ishte gabim të mendoje që pjesa më madhe e Shkrimit apo e Shkrimeve në përgjithësi, është e vështirë për t’u kuptuar. Faktikisht, Besëlidhja e Vjetër dhe ajo e Re, shpesh herë pohojnë që Shkrimi është shkruar në një mënyrë të atillë që mësimet e tij të jenë të kuptueshme nga besimtarët e thjeshtë. Edhe tek deklarata e Pjetrit e sapo cituar, konteksti është një tërheqje e vëmendjes tek mësimet në letrat e Palit, të cilat lexuesit e Pjetrit i kishin lexuar dhe kuptuar (2 Pjetrit 3:15). Faktikisht, Pjetri u ngarkon një faj moral atyre që i shtrembërojnë këto pasazhe “për vetë humbjen e tyre.” Dhe ai nuk thotë që ka gjëra të pamundura për t’u kuptuar, por që vetëm janë të vështira për t’u kuptuar.

A. Bibla shpesh herë pohon qartësinë e vet

Qartësia e Biblës si dhe përgjegjësia e besimtarëve në përgjithësi për ta lexuar dhe kuptuar atë, theksohen shpesh herë. Në një pasazh shumë të njohur, Moisiu i thotë popullit të Izraelit:

Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj, do të mbeten në zemrën tënde; do t`ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh. (L. i P. 6:6–7)

Prej të tërë popullit të Izraelit pritej që të ishte në gjendje që të kuptonte fjalët e Shkrimit aq sa duhet për të qenë në gjendje që “t`ua ngulitin” fëmijëve të tyre. Ky mësim nuk do të përbëhej vetëm nga një mësim përmendësh mekanikisht pa kuptuar gjë, sepse populli i Izraelit duhej t’i diskutonte fjalët e Shkrimit gjatë veprimtarive të ndryshme, si gjatë qëndrimit në shtëpi, kur ishte duke ecur apo kur shtrihej për të fjetur dhe ngrihej në mëngjes. Perëndia kishte pritshmërinë që i tërë populli i Tij do ta njihte e do të ishte në gjendje të fliste për Fjalën e Tij me një zbatim të duhur të saj në rrethanat e zakonshme të jetës. Po kështu, “Psalmi” 1 na tregon që “njeriu i lum,” të cilin të gjithë të drejtët në Izrael duhej ta marrin shembull, ishte ai që përsiaste mbi ligjin e Perëndisë “ditë e natë” (Ps. 1:2). Kjo përsiatje e përditshme presupozon një aftësi për ta kuptuar siç duhet Shkrimin nga ana e përsiatësve.

Karakteri i Shkrimit thuhet se është i atillë që edhe i “thjeshti” mund ta kuptojë siç duhet e të bëhet i mençur nëpërmjet tij. “Ligji i Zotit është i përsosur, e bën të ditur njeriun e thjeshtë” (Ps. 19:7). Përsëri lexojmë: “Zbulimi i fjalëve të tua ndriçon dhe u jep mendje njerëzve të thjeshtë” (Ps. 119:130). Këtu, personi “i thjeshtë” (Heb. פֶּתִי, H7343) nuk është thjesht dikush të cilit i mungon aftësia intelektuale, por dikush të cilit i mungon arsyetimi i shëndoshë, i cili është i prirur të gabojë, e që çohet lehtësisht në rrugë të gabuar.[73]1 Fjala e Perëndisë është shumë e kuptueshme dhe aq e qartë, saqë edhe ky lloj personi bëhet i zgjuar përmes saj. Ky duhet të jetë një inkurajim i madh për të tërë besimtarët: asnjë besimtar nuk duhet ta mendojë veten e tij apo të saj aq të pamend saqë të lexojë Shkrimin e të mos mundet ta kuptojë atë aq sa duhet për t’u bërë i mençur përmes tij.

Edhe në Besëlidhjen e Re theksohet diçka e ngjashme me këtë. Jezusi Vetë, në mësimet e Tij, në bisedat e Tij dhe në polemikat e Tij, nuk i përgjigjet asnjëherë ndonjë pyetjeje me as më të voglën shenjë të fajësimit të Shkrimeve të Besëlidhjes së Vjetër si të paqarta. Edhe ndërkohë që u fliste njerëzve të shekullit të parë të cilët ishin të ndarë nga Davidi me një hapësirë kohore prej 1,000 vjetësh, nga Moisiu prej afërsisht 1,500 vjetësh, dhe nga Abrahami prej rreth 2,000 vjetësh, Jezusi ende supozon që njerëz të tillë janë në gjendje të lexojnë e të kuptojnë siç duhet Shkrimet e Besëlidhjes së Vjetër.

Në një kohë kur është e zakonshme që njerëzit të na thonë se sa e vështirë është t’i interpretosh Shkrimet siç duhet, ne do të bënim mirë të kujtonim që tek Ungjijtë, as edhe një herë të vetme nuk e dëgjojmë Jezusin të thotë ndonjë gjë si: “E kuptoj përse ke probleme me këtë pikë: Shkrimet nuk janë shumë të qarta mbi atë temë.” Përkundrazi, edhe kur po flet me studiuesit apo njerëzve të thjeshtë të pashkolluar, përgjigjet e Tij supozojnë gjithnjë që faji për keqkuptimin e cilitdo mësim të Shkrimit, nuk i duhet veshur Shkrimit vetë, por atyre që e keqkuptojnë apo që nuk arrijnë të pranojnë atë që është shkruar. Vazhdimisht, Ai i përgjigjet pyetjeve me një deklaratë të tillë si: “A nuk e keni lexuar...” (Mat. 12:3, 5; 19:14; 22:31), “A nuk keni lexuar kurrë në Shkrimet . . .” (Mat. 21:42), apo madje, “Ju gaboni, sepse nuk e njihni as Shkrimin as pushtetin e Perëndisë” (Mat. 22:29; kr. Mat. 9:13; 12:7; 15:3; 21:13; Gjoni 3:10; etj.).

Në mënyrë të ngjashme, pjesa më e madhe e letrave të Besëlidhjes së Re, u janë shkruar jo drejtuesve të kishës por një grigje të tërë. Pali i shkruan: “Kishës së Perëndisë, që është në Korint” (1 Kor. 1:2), “Kishave të Galatisë” (Gal. 1:2), “Gjithë shenjtorëve në Krishtin Jezus që janë në Filipi, bashkë me peshkopët dhe dhjakët” (Fil. 1:1), e kështu me radhë. Pali supozon që dëgjuesit e tij do të kuptojnë atë që ai shkruan, dhe ai inkurajon përcjelljen e letrave të tij edhe tek kishat e tjera: “Dhe, mbasi të jetë lexuar kjo letër ndër ju, bëni që të lexohet edhe në kishën e Laodikasve; dhe ju gjithashtu lexoni atë të Laodices” (Kol. 4:16; kr. Gjoni 20:30–31; 2 Kor. 1:13; Efe. 3:4; 1 Tim. 4:13; Jakobi 1:1, 22–25; 1 Pjetrit 1:1; 2:2; 2 Pjetrit 1:19; 1 Gjoni 5:13).[74]2

“2 Pjetrit” 1:20 mund të parashtrohet për t’u përdorur kundër pikëpamjes së qartësisë së Shkrimit, pikëpamje e shpjeguar në këtë kapitull. Vargu thotë: “asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i shtjellimeve të veçanta,” dhe mund të ketë nga ata që pretendojë se kjo do të thotë se besimtarët e zakonshëm nuk janë në gjendje ta interpretojnë Shkrimin ashtu siç duhet për veten e tyre. Megjithëkëtë, nuk ka gjasa që ky konkluzion të nxirret nga “2 Pjetrit” 1:20, sepse ky varg me shumë mundësi po diskuton origjinën dhe jo interpretimin e Shkrimit. Kështu [75]NIV-i e përkthen atë kështu: “asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut.”[76]3 Për më tepër, edhe nëse ky varg do të kuptohej sikur flet për interpretimin e Shkrimit, do të thoshte që interpretimi i Shkrimit duhet bërë përbrenda bashkësisë së besimtarëve, dhe jo thjesht si një veprimtari personale. Megjithëkëtë, prapë nuk do të nënkuptonte që interpretues autoritarë nevojiten për të përcaktuar kuptimin e vërtetë të Shkrimit, por thjeshtë që leximi dhe kuptimi i Shkrimit, nuk duhet të kryhet tërësisht i izoluar nga të krishterët e tjerë.

Që të mos mendojmë se kuptimi i Biblës ishte disi më i lehtë për të krishterët e shekullit të parë se ç’është për ne, është e rëndësishme që të kuptojmë që në shumë raste, letrat e Besëlidhjes së Re iu shkruan disa kishave një pjesë e mirë e pjesëtarëve të të cilave ishin të krishterë johebrenj. Ata ishin të krishterë relativisht të rinj të cilët nuk kishin asnjë përvojë të mëparshme në çfarëdo shoqërie të krishterë, e që dinin pak ose aspak paraprakisht rreth historisë dhe kulturës së Izraelit. Megjithëkëtë, autorët e Besëlidhjes së Re, nuk tregojnë ngurrim në pritshmërinë e tyre që edhe këta të krishterë johebrenj të ishin në gjendje të lexonin një përkthim të Besëlidhjes së Vjetër, në gjuhën e tyre, e që ta kuptonin atë siç duhet (kr. Rom. 4:1–25; 15:4; 1 Kor. 10:1–11; 2 Tim. 3:16–17; etj.).

B. Cilësitë morale dhe shpirtërore të nevojshme për të kuptuar siç duhet Shkrimin

Shkruesit e Besëlidhjes së Re, shpesh herë deklarojnë që aftësia për të kuptuar Shkrimin ashtu siç duhet, është një aftësi më tepër morale dhe shpirtërore sesa intelektuale: “Dhe njeriu natyror nuk i pranon gjërat e Frymës së Perëndisë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t'i njohë; sepse ato hetohen frymërisht” (1 Kor. 2:14; kr. 1:18–3:4; 2 Kor. 3:14–16; 4:3–4, 6; Heb. 5:14; Jakobi 1:5–6; 2 Pjetrit 3:5; kr. Marku 4:11–12; Gjoni 7:17; 8:43). Kështu, paçka se autorët e Besëlidhjes së Re, pohojnë që Bibla është në vetvete e shkruar qartë, ata gjithashtu pohojnë se ajo nuk do të kuptohet si duhet nga ata të cilët nuk janë të gatshëm për t’i pranuar mësimet e saj. Shkrimi është i kuptueshëm nga të tërë jobesimtarët të cilët do ta lexojnë atë me sinqeritet duke kërkuar shpëtimin, si dhe nga të tërë besimtarët të cilët do ta lexojnë atë duke kërkuar ndihmën e Perëndisë për ta kuptuar atë. Kjo ndodh për shkak se në të dyja rastet, Fryma e Shenjtë është në funksionim, duke mposhtur efektet e mëkatit, të cilat përndryshe do ta bënin të vërtetën të dukej idiotësi (1 Kor. 2:14; 1:18–25; Jakobi 1:5–6, 22–25).

C. Përkufizim i qartësisë së Shkrimit

Me qëllim që të përmbledhim këtë material biblik, ne mund të pohojmë që Bibla është shkruar në një mënyrë të atillë që të tëra gjërat e nevojshme për shpëtimin tonë si dhe për jetën dhe rritjen tonë të krishterë, janë paraqitur shumë qartë në Shkrim, paçka se teologët nganjëherë e kanë përkufizuar qartësinë e Shkrimit në mënyrë më të ngushtë (duke thënë për shembull që Shkrimi është i qartë vetëm në mësimin që jep për rrugën e shpëtimit), tekstet e shumta të cituara më lart, gjejnë zbatim në shumë aspekte të ndryshme të mësimit biblik, dhe nuk duket se mbështesin kufizime të tilla rreth fushave në të cilat Shkrimi mund të thuhet se flet në mënyrë të qartë. Duket se për t’i qëndruar më besnik atyre teksteve biblike, do ishte më mirë që ta përkufizonim qartësinë e Shkrimit, si vijon: Qartësi e Shkrimit do të thotë që Bibla është shkruar në një mënyrë të atillë që mësimet e saj janë në gjendje të kuptohen nga të tërë ata të cilët do ta lexojnë atë duke kërkuar ndihmë nga Perëndia e duke qenë të gatshëm për ta ndjekin atë. Gjithsesi, pasi e kemi deklaruar këtë, ne duhet që gjithashtu të kuptojmë se shumë njerëz, madje edhe vetë populli i Perëndisë, faktikisht e keqkupton Shkrimin.

D. Përse njerëzit e keqkuptojnë Shkrimin?

Gjatë kohës së Jezusit, nganjëherë edhe dishepujt e Tij nuk arritën ta kuptonin Besëlidhjen e Vjetër dhe madje vetë mësimet e Jezusit (shiko Mat. 15:16; Marku 4:10–13; 6:52; 8:14–21; 9:32; Luka 18:34; Gjoni 8:27; 10:6). Paçka se nganjëherë kjo vinte për shkak të faktit që ata thjesht kishin nevojë të pritnin për ngjarje të mëtejshme në historinë e shpjegimit, dhe veçanërisht në jetën e Krishtit Vetë (shiko “Gjoni” 12:16; 13:7; kr. Gjoni 2:22), kishte gjithashtu raste kur kjo vinte për shkak të mungesës së tyre të besimit apo të ngurtësimit të zemrës (Luka 24:25). Për më tepër, kishte raste në kishën e hershme kur të krishterët nuk i kuptuan e as ranë dakord me mësimet e Besëlidhjes së Vjetër apo me letrat e shkruara nga apostujt: vini re procesin e rritjes në kuptimin rreth pasojave përfshirjes së johebrenjve në kishë (që kulmon me një “diskutim të madh” [Veprat 15:7] në këshillin e Jerusalemit tek “Veprat” 15), apo keqkuptimin e Pjetrit për këtë çështje tek “Galatasve” 2:11–15, apo tek çështjet e shpeshta problematike doktrinare dhe etike të cilat duheshin ndrequr me anë të letrave të Besëlidhjes së Re. Faktikisht, përgjatë gjithë historisë së kishës, mosmarrëveshjet doktrinare kanë qenë të shumta, dhe përparimi në zgjidhjen e mospajtimeve doktrinare, shpesh herë ka qenë i avashtë.

Me qëllim për t’i ndihmuar njerëzit të shmangin bërjen e gabimeve në interpretimin e Shkrimit, shumë mësues të Biblës kanë krijuar “parime të interpretimit,” apo thënë ndryshe, udhëzime për të inkurajuar rritjen në aftësitë e interpretimit të duhur. Fjala hermenautikë (nga fjala greqisht ἑρμηνεύω “për të interpretuar”) është term më teknik për këtë fushë studimore: hermeneutika është studimi i metodave të sakta të interpretimit (interpretimit veçanërisht të Shkrimit).

Një term tjetër teknik i përdorur shpesh në diskutimet e interpretimit biblik, është “ekzegjeza,” një term ky i cili i referohet më shumë praktikës aktuale të interpretimit të Shkrimit, e jo teorive dhe parimeve për se si duhet bërë: ekzegjeza është procesi i interpretimit të tekstit të Shkrimit. Për pasojë, kur dikush studion parimet e interpretimit, d.m.th. “hermeneutikat,” por kur dikush i zbaton këto parime dhe fillon faktikisht të shpjegojë një tekst biblik, ai apo ajo është duke bërë “ekzegjezë.”

Ekzistenca e shumë mosmarrëveshjeve rreth kuptimit të Shkrimit përgjatë gjithë historisë, na kujton që doktrina e qartësisë së Shkrimit, nuk nënkupton e as sugjeron që të tërë besimtarët do të jenë të një mendjeje për sa u takon mësimeve të Shkrimit. Megjithëkëtë, ajo na tregon diçka shumë të rëndësishme, që gjithnjë problemi nuk është tek Shkrimi por tek ne vetë. Situata faktikisht është e ngjashme me atë të çështjes së autoritetit të Shkrimit. Pavarësisht nëse ne pohojmë që fjalët e Shkrimit kanë të tërë autoritetin e Perëndisë Vetë, ne gjithashtu e kuptojmë që shumë njerëz nuk e njohin atë autoritet e as i nënshtrohen atij. Po kështu, ne pohojmë që të tëra mësimet e Shkrimit janë të qarta dhe të mundshme për t’u kuptuar, por ne gjithashtu e kuptojmë që njerëzit shpesh herë (për shkak të të metave të tyre) e keqkuptojnë atë që është shkruar qartësisht tek Shkrimi.

E. Inkurajim praktik për këtë doktrinë

Doktrina e qartësisë së Shkrimit, për pasojë ka një rrjedhojë shumë të rëndësishme dhe si përfundim shumë inkurajuese dhe praktike. Ajo na thotë se atje ku ka fusha doktrinare apo etike mosmarrëveshjesh (për shembull për pagëzimin, paracaktimin apo mënyrën e drejtimit të kishës), ka vetëm dy shkaqe të mundshme për këto mosmarrëveshje: (1) Nga njëra anë, mund të jetë që ne po kërkojmë të bëjmë deklarata të prera atje ku Shkrimi Vetë nuk thotë gjë. Në raste të tilla, ne duhet të jemi më të gatshëm që të pranojmë se Perëndia nuk na e ka dhënë përgjigjen e kërkimit tonë, dhe të lejojmë të ketë pikëpamje të ndryshme për atë çështje brenda kishës. (Kështu do të ndodhë shpesh herë me çështjet shumë praktike, si për shembull me metodat e ungjillëzimit apo me stilet e mësimit të Biblës apo madhësisë më të përshtatshme të kishës.) (2) Nga ana tjetër, është e mundshme që të kemi bërë gabime në mënyrën tonë të interpretimit të Shkrimit. Kjo mund të ketë ndodhur për shkak se të dhënat që përdorim për të vendosur për një çështje me interpretime të ndryshme, kanë qenë të pasakta e jo të plota, ose mund të ketë qenë për shkak se ka papërshtatshmëri personale në anën tonë, qoftë kjo për shembull krenari personale, apo lakmi, apo mungesë besimi apo egoizëm, apo madje mos kushtim i një kohe të mjaftueshme për të lexuar dhe studiuar Shkrimin.

Por në asnjë rast neve nuk na është dhënë liria për të thënë që mësimi i Biblës mbi çfarëdo teme, është pështjellues dhe i pa mundur për t’u kuptuar saktë. Ne nuk duhet të mendojmë në asnjë rast se mosmarrëveshjet e përhershme mbi ndonjë temë përgjatë gjithë historisë së kishës, nënkuptojnë se ne nuk do të jemi në gjendje të dalim në një përfundim të saktë vetë për atë temë. Përkundrazi, nëse një preokupim i vërtetë për tema të tilla ngrihet në jetën tonë, ne duhet që me sinqeritet të kërkojmë për ndihmesën e Perëndisë dhe pastaj të shkojmë tek Shkrimi, duke kërkuar në të me tërë aftësinë tonë dhe duke besuar që Perëndia do të na bëjë të aftë që ta kuptojmë atë siç duhet.

Kjo e vërtetë duhet të inkurajojë fuqishëm të tërë të krishterët, që ta lexojnë Biblën e tyre përditë me entuziazëm të madh. Ne nuk duhet të supozojmë kurrë për shembull, që vetëm ata që dinë greqisht dhe hebraisht, apo vetëm pastorët apo studiuesit e Biblës janë në gjendje që ta kuptojnë siç duhet Biblën. Mos harroni që Besëlidhja e Vjetër u shkrua në hebraisht, dhe se shumë prej të krishterëve të cilëve iu dërguan letrat e Besëlidhjes së Re, nuk kishin aspak njohuri nga hebraishtja. Atyre iu duhej ta lexonin Besëlidhjen e Vjetër nga përkthimi i saj në greqisht. Megjithëkëtë, autorët e Besëlidhjes së Re supozojnë se këta njerëz mund ta lexojnë dhe ta kuptojnë siç duhet edhe pa patur aftësi prej studiuesi për gjuhët origjinale të tekstit. Të krishterët nuk duhet t’ua lënë “ekspertëve” studiues detyrën e interpretimit të Shkrimit. Këtë detyrë, ata duhet të vazhdojnë ta kryejnë vetë për çdo ditë.[77]5

Për më tepër, edhe pse ne e pranojmë se ka patur shumë mosmarrëveshje doktrinare në historinë e kishës, ne nuk duhet të harrojmë se ka patur një sasi të jashtëzakonshme argumentesh doktrinarë mbi të vërtetat më qendrore të Shkrimit përgjatë historisë së saj. Me të vërtetë që ata të cilët kanë patur mundësi të kenë bashkësi me të krishterët në pjesë të tjera të botës, kanë zbuluar faktin mbresëlënës që kudo ku gjejmë një grup të krishterësh me besim të gjallë, pothuajse menjëherë bëhet e dukshme një masë e madhe pajtueshmërie me të tëra doktrinat qendrore të besimit të krishterë mes nesh. Përse ndodh kjo gjë pavarësisht përkatësisë shoqërore, kulturore apo denominacionale? Kjo ndodh për shkak se të tërë ata kanë lexuar dhe besuar të njëjtën Bibël, dhe mësimet e saj kryesore kanë qenë të qarta.

F. Roli i Studiuesve

A luajnë rol atëherë studiuesit e Biblës apo ata që kanë njohuri të specializuara të hebraishtes (për Besëlidhjen e Vjetër) dhe greqishtes (për Besëlidhjen e Re)? Padyshim që ata luajnë rol në të paktën katër fusha:

1. Ata mund të japin mësim Shkrimin në mënyrë të qartë, të komunikojnë përmbajtjen e tij ndaj të tjerëve dhe kësisoj të përmbushin detyrën e “mësuesit” të përmendur në Besëlidhjen e Re (1 Kor. 12:28; Efe. 4:11).

2. Ata mund të eksplorojnë zona të reja për të kuptuarit e mësimeve të Shkrimit. Ky shqyrtim rrallë herë (për të mos thënë kurrë) përmban mohim të mësimeve kryesore që kisha ka mbrojtur përgjatë shekujve, por shpesh herë do të përfshijë zbatimin e Shkrimit në fusha të reja të jetës, përgjigjen ndaj pyetjeve të vështira që janë ngritur si nga besimtarët ashtu edhe nga jobesimtarët në secilën periudhë të re të historisë, si dhe veprimtarinë e vazhdueshme të rafinimit dhe precizionimit më të madh të kuptimit që kisha ka për pikat e interpretimit të vargjeve individuale apo çështjeve doktrinare apo etike. Paçka se Bibla mund të mos duket e madhe krahasuar me sasinë e stërmadhe të literaturës në botë, ajo është një thesar i pasur mençurie nga Perëndia, që ia tejkalon në vlerë të tërë librave të tjerë që janë shkruar ndonjëherë. Procesi i lidhjes së mësimeve të saj të ndryshme me njëra tjetrën, sintetizimi i tyre, dhe zbatimi i tyre ndaj çdo brezi të ri, është një detyrë shumë shpërblyese e cila nuk do të përfundojë kurrë në këtë epokë. Çdo studiues i cili e do shumë Fjalën e Perëndisë, shumë shpejt do ta kuptojë që Shkrimi përmban më shumë gjëra nga ç’mund të mësojë njeriu në këtë jetë!

3. Ata mund të mbrojnë mësimet e Biblës përkundrejt sulmeve nga studiues të tjerë apo ata që kanë një trajnim të specializuar teknik. Roli i dhënies mësim të Fjalës së Perëndisë, nganjëherë përfshin gjithashtu ndreqjen e mësimeve të rreme. Ne duhet të jemi të përgatitur jo vetëm në “doktrinën e shëndoshë” por që gjithashtu të “nxisim dhe të bindim ata që flasin kundër” (Titit 1:9; kr. 2 Tim. 2:25, “duke i mësuar me butësi kundërshtarët”; dhe Titit 2:7–8). Nganjëherë, ata të cilët sulmojnë mësimet biblike, kanë trajnim të specializuar dhe njohuri teknike në lëmin historik, gjuhësor apo filozofik, dhe ata e përdorin këtë përgatitje të tyre për të ndërmarrë sulme të ndërlikuara ndaj mësimeve të Shkrimit. Në raste të tilla, besimtarët me aftësi të specializuara të ngjashme, mund ta përdorin përgatitjen e tyre për t’i kuptuar dhe për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve të këtilla. Një përgatitje e tillë është gjithashtu shumë e dobishme për t’iu përgjigjur mësimeve të pavërteta të kulteve dhe sekteve. Me këtë nuk dua të them që besimtarët të cilët nuk kanë një trajnim të specializuar janë të paaftë për t’iu kundërpërgjigjur mësimeve të gabuara (sepse pjesa më e madhe e mësimeve të gabuara, mund të hidhet qartësisht poshtë nga një besimtar i cili lutet dhe që ka një njohuri të mirë të Biblës në gjuhën amtare), por mënjanë këtë, pikat teknike në debate mund të marrin përgjigje vetëm nga ata që kanë aftësi në fushat teknike përkatëse.

4. Ata mund të plotësojnë studimin e Shkrimit në dobi të kishës. Studiuesit e Biblës shpesh herë kanë përgatitje të atillë që i bën ata të aftë të lidhin mësimet e Shkrimit me historinë e pasur të kishës, dhe për ta bërë interpretimin e Shkrimit më preciz, dhe kuptimin e tij më të gjallë me një njohuri më të madhe të gjuhëve dhe kulturave në të cilat u shkrua Bibla.

Këto katër funksione janë në dobi të kishës në tërësi, dhe të tërë besimtarët duhet të jenë mirënjohës për ata që i kryejnë ato. Megjithëkëtë, këto funksione nuk përfshijnë të drejtën për të marrë vendime për kishën në tërësi për se cila është doktrinë e vërtetë dhe cila e gabuar, apo cila është sjellja e duhur në situata të vështira. Nëse një e drejtë e tillë do ishte në dorë të studiuesve të Biblës të arsimuar formalisht, atëherë ata do të bëheshin një elitë drejtuese në kishë, dhe funksioni i zakonshëm i drejtimit të kishës siç përshkruhet në Besëlidhjen e Re, do të reshte së funksionuari. Procesi i vendim-marrjes për kishën, duhet t’i lihet drejtuesve të saj, pavarësisht nëse ata janë studiues apo jo (dhe në formën grigjore të drejtimit së kishës, jo vetëm ndaj drejtuesve por edhe ndaj pjesëtarëve të kishës në tërësi).[78]6

PYETJE PËR ZBATIM PERSONAL

1.     Nëse doktrina e qartësisë së Shkrimit është e vërtetë, përse atëherë duket se ka kaq shumë mosmarrëveshje ndër të krishterët rreth mësimit të Biblës? Duke vërejtur larminë e interpretimeve të Shkrimit, disa dalin në përfundimin që: “Njerëzit mund ta bëjnë Biblën të thotë çfarë u do qejfi atyre.” Si mendoni se do t’i përgjigjej Jezusi një deklarate të tillë?

2.     Çfarë do të ndodhte me kishën nëse pjesa më e madhe e besimtarëve do të hiqnin dorë nga leximi i Biblës për veten e tyre dhe vetëm do të dëgjonin mësuesit e Biblës apo do të lexonin libra rreth Biblës? Nëse do të mendoje se vetëm studiuesit ekspertë mund ta kuptonin Biblën siç duhet, çfarë do ndodhte me leximin personalisht të Shkrimit prej teje? A ka ndodhur kjo gjë tashmë deri në një farë mase në jetën tënde apo në jetën e atyre që ti njeh?

3.     A mendon se ka interpretime të duhura dhe të gabuara për shumicën apo të tëra pasazhet e Shkrimit? Nëse ke menduar se Bibla ishte në përgjithësi e paqartë, si do të ndryshonte përgjigja jote? A do të ndikonte bindja për qartësinë e Shkrimit tek kujdesi me të cilin ti e trajton studimin e tekstit të Shkrimit? A do të ndikojë ajo tek mënyra se si t’i qasesh Shkrimi kur përpiqesh të fitosh një përgjigje biblike ndaj disa problemeve doktrinare apo morale?

4.     Nëse edhe profesorët e seminarit teologjik nganjëherë nuk bien dakord për disa mësime biblike, a mundet që të krishterët e tjerë të shpresojnë ndonjëherë se do të arrijnë në një vendim të saktë rreth atij mësimi? (Jep arsye për përgjigjen tënde.) A mendon që njerëzit e zakonshëm ndër judenjtë në kohën e Jezusit, e patën të vështirë të vendosnin që të besonin apo jo Jezusin apo studiuesit ekspertë që nuk ishin të një mendjeje me Të? A priste Jezusi që ata të ishin në gjendje të merrnin një vendim?

5.     Si mundet një pastor të predikojë në mënyrë biblike predikime me bazë biblike çdo të dielë, pa lënë përshtypjen që vetëm njerëzit që kanë ndjekur seminarin teologjik (si ai vetë) janë në gjendje ta interpretojnë Shkrimin siç duhet? A mendon se do të jetë ndonjëherë e nevojshme në një polemikë doktrinare apo etike, që një studiues i Biblës të flasë në kishë dhe argumentet e tij kryesore t’i bazojë tek kuptimi i veçantë i fjalëve greqisht apo hebraisht, gjë të cilën pjesëtarët e kishës vetë nuk janë në gjendje ta vlerësojnë apo trajtojnë personalisht? A ka ndonjë mënyrë të përshtatshme që një studiues të përdorë një njohuri të tillë teknike në shkrimin dhe të folurën bisedore?

6.     Drejtuesit e kishës në kohën e Martin Luterit, thanë se ata donin ta mbanin Biblën vetëm në gjuhën latine për të mos lejuar që njerëzit e thjeshtë ta lexonin e pastaj ta keqinterpretonin. Bëj një vlerësim të këtij argumenti. Përse mendon që Martin Luteri ishte kaq dëshirëplotë për ta përkthyer Biblën në gjermanisht? Përse mendon se drejtuesit e kishës në shekujt e mëparshëm kanë përndjekur dhe madje vrarë njerëz, si për shembull Uilliam Tindeill (William Tyndale) në Angli i cili po e përkthente Biblën në gjuhën e popullit? Përse detyra e përkthyesve të Biblës në gjuhë të tjera është një pjesë kaq e rëndësishme e punës së misioneve?

7.     A do të thotë doktrina e qartësisë së Shkrimit që Besëlidhja e Re mund të kuptohet plotësisht nga njerëzit të cilët nuk e kanë të disponueshme Besëlidhjen e Vjetër?

TERMA TË VEÇANTË

qartësia e Shkrimit

ekzegjezë

hermeneutika

qartësia

BIBLIOGRAFI

(Për një shpjegim të kësaj bibliografie, shiko shënimin tek bibliografia e kapitullit 1, f. 38. Të dhënat e plota bibliografike mund të gjenden në fq. 1223–1229.)

Seksione në Teologjitë Sistematike Ungjillore

1. Anglikane (Episkopaliane)

1882–1892 Litton (pa trajtim të hollësishëm)

2. Arminiane (Ueslejane apo Metodiste)

1875–1876 Pope, 1:223–230

1983 Carter, 2:747–767

3. Baptiste

1767 Gill, 30–32

1976–1983 Henry, 4:272–367

1983–1985 Erickson, 253–256

4. Dispensacionaliste

1947 Chafer, 1:105–119

1986 Ryrie, 110–118

5. Luteriane

1917–1924 Pieper, 1:319–330, 359–370

1934 Mueller, 138–141

6. E Reformuar (apo Presbiteriane)

1861 Heppe, 33–41

1871–1873 Hodge, 1:183–190

1938 Berkhof, Intro. 167

Seksione në Teologjitë Sistematike Përfaqësuese të Katolicizmit Romak

 (pa trajtim të posaçëm)

Vepra të tjera

Në këtë seksion, unë kam renditur një sërë veprash rreth zhvillimit të aftësive më të mëdha në interpretimin biblik, përfshi këtu tre vepra të dobishme nga autorë joungjillorë (një nga Barr dhe dy nga Hirsch).

Barr, James. Semantikat e Gjuhës Biblike (The Semantics of Biblical Language). London: Oxford University Press, 1961.

Berkhof, Louis. Parimet e Interpretimit Biblik (Principles of Biblical Interpretation). Grand Rapids: Baker, 1950.

Carson, D.A. Ide të Gabuara Ekzegjetike (Exegetical Fallacies). Grand Rapids: Baker, 1984.

Dockery, David S. Interpretimi Biblik Atëherë dhe Tani: Hermenautika Bashkëkohore në Dritën e Kishës së Hershme (Biblical Interpretation Then and Now: Contemporary Hermeneutics in the Light of the Early Church). Grand Rapids: Baker, 1992.

Fee, Gordon D., dhe Douglas Stuart. Si ta Lexojmë Biblën për Gjithçka Vlen (How to Read the Bible for All Its Worth). Grand Rapids: Zondervan, 1982.

Hirsch, E.D., Jr. Qëllimet e Interpretimit (The Aims of Interpretation). Chicago: University of Chicago Press, 1976.

_______. Vlefshmëria e Interpretimit (Validity in Interpretation). New Haven and London: Yale University Press, 1967.

Hubbard, Robert L., William W. Klein, dhe Craig L. Blomberg. Hyrje tek Interpretimi Biblik (Introduction to Biblical Interpretation). Waco, Tex.: Word Books, 1993.

Inch, Morris A., dhe C. Hassell Bullock, red. Literatura dhe Kuptimi i Shkrimit (The Literature and Meaning of Scripture). Grand Rapids: Baker, 1981.

Kaiser, Walter C., Jr. Drejt Teologjisë Ekzegjetike (Toward an Exegetical Theology). Grand Rapids: Baker, 1982.

Marshall, I. Howard, red. Interpretimi i Besëlidhjes së Re: Ese mbi Parimet dhe Metodat (New Testament Interpretation: Essays on Principles and Methods). Grand Rapids: Eerdmans, 1977.

McCown, Wayne, dhe James Earl Massey, red. Të Interpretojmë Fjalën e Perëndisë për Sot: Një Kërkim në Hermenautikë nga një Pikëpamje Teologjike Biblike (Interpreting God’s Word for Today: An Inquiry Into Hermeneutics From a Biblical Theological Perspective). Pikëpamjet Teologjike Ueslejane (Wesleyan Theological Perspectives) vol. 2. Anderson, Ind.: Warner Press, 1982.

McKnight, Scot, red. Hyrje në Interpretimin e Besëlidhjes së Re (Introducing New Testament Interpretation). Grand Rapids: Baker, 1990.

_______. Të Interpretojmë Ungjijtë Sinoptikë (Interpreting the Synoptic Gospels.) Grand Rapids: Baker, 1988.

Mickelsen, A. Berkeley. Të Interpretojmë Biblën (Interpreting the Bible). Grand Rapids: Eerdmans, 1963.

Osborne, Grant R. Spiralja Hermenautike: Një Hyrje Gjithëpërfshirëse ndaj Interpretimit Biblik (The Hermeneutical Spiral: A Comprehensive Introduction to Biblical Interpretation). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1992.

Packer, J.I. “Shkrimi i Saktë dhe Roli i Hermenautikave (Infallible Scripture and the Role of Hermeneutics).” Tek Shkrimi dhe e Vërteta (Scripture and Truth). Red. nga D.A. Carson dhe John Woodbridge. Grand Rapids: Zondervan, 1983, fq. 325–356.

_______. “Shkrimi (Scripture).” Tek FRT (NDT) fq. 627–631.

Ramm, Bernard. Interpretimi Protestant Biblik (Protestant Biblical Interpretation). Bot. 3të. Grand Rapids: Baker, 1970.

Schultz, Samuel J., dhe Morris A. Inch, red. Interpretimi i Fjalës së Perëndisë (Interpreting the Word of God). Festschrift për Ndër të Steven Barabas. Chicago: Moody, 1976.

Silva, Moises. Fjalët Biblike dhe Kuptimet e Tyre (Biblical Words and Their Meanings). Grand Rapids: Zondervan, 1983.

_______. A e ka Keqlexuar Kisha Biblën? Historia e Interpretimit në Dritën e Çështjeve Bashkëkohore (Has the Church Misread the Bible? The History of Interpretation in the Light of Contemporary Issues). Grand Rapids: Zondervan, 1987.

Sire, James. Shtrembërimi i Shkrimit: Njëzet mënyra se si Kultet e Keqlexojnë Biblën (Scripture Twisting: Twenty Ways the Cults Misread the Bible). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1980.

Sproul, R.C. Të Njohim Shkrimin (Knowing Scripture). Downers Grove, Ill.: InterVarsity Press, 1977.

Thiselton, Anthony C. Horizonte të Reja tek Hermenautikat: Teoria dhe Praktika e Transformimit të Leximit Biblik (New Horizons in Hermeneutics: The Theory and Practice of Transforming Biblical Reading). Grand Rapids: Zondervan, 1992.

_______. Dy Horizontet: Hermenautikat e Besëlidhjes së Re dhe Përshkrimi Filozofik (The Two Horizons: New Testament Hermeneutics and Philosophical Description). Grand Rapids: Eerdmans, 1980.

PASAZH NGA SHKRIMI PËR T’U MËSUAR PËRMENDËSH

“Ligji i Përtërirë” 6:6–7: Dhe këto fjalë që sot po të urdhëroj, do të mbeten në zemrën tënde; do t'ua ngulitësh bijve të tu, do të flasësh për to kur rri ulur në shtëpinë tënde, kur ecën rrugës, kur ke rënë në shtrat dhe kur çohesh.

HIMN

“LIGJI I PËRSOSUR I JEHOVËS (JEHOVAH’S PERFECT LAW)”

Ky seksion i “Psalmit” 19 i orkestruar, na kujton për cilësitë e shumta të shkëlqyera të Shkrimit, bashkë me to edhe faktin që është shkruar qartazi: “Dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeriun e thjeshtë” (v. 7).

(Përdor vijën melodike të “Ne Vijmë, o Krisht tek Ti (We Come, O Christ, to You.)”)

Ligji i Zotit është i përsosur, ai shpirtin e përtërin

dëshmia e Zotit është e vërtetë dhe e bën të ditur njeri’n

Porositë e Zotit të drejta janë

dhe zemrën e gëzojnë

urdhërimet e Zotit janë te pastra dhe sytë ndriçojnë

Frika e Zotit është e pastër, mbetet përjetë

gjykimet e Zotit janë të vërteta, të drejta janë të tëra

më të dëshirueshme se ari, po, më tepër se ari safi që ka bota;

janë më të ëmbla se mjalti,  se mjalti i hojeve

prej tyre Ti u mëson edhe të Tuve shërbëtorëve

ka një shpërblim të madh kur i zbaton o njeri

Kush i njeh gabimet? Pastromë nga ato që t’i shoh nuk arrij

Përveç kësaj nga mëkatet e vullnetshme ruaje shërbëtorin tënd,

të mos sundojnë mbi mua bëj që ato të mos kenë vënd

unë do të jem i ndershëm atëherë

dhe i pastër nga shkelje të mëdha përherë

U miratofshin para Teje fjalët e gojës sime

dhe përsiatjet e zemrës sime,

o Zot, kështjella ime

dhe shpengimtari im

Nga: Psalteri (The Psalter) 1912 (marrë nga “Ps.” 19:7–14)

Pen
>